Gulsun Yener turkja që gjeti gjyshin pas 103 vjetësh

    483
    Sigal

    Një bidon me dhe’ nga Izmiri për gjyshin në Tepelenë

    Një histori si përrallë. Një histori deri në pabesueshmëri. Gulsun Yener, një grua turke nga Izmiri, kujdeset për të gjetur eshtrat e gjyshit të vet, që se kishte parë kurrë me sy. Gjyshi i saj ka vdekur në Tepelenë më 1955, pasi largohet nga Izmiri më 1931, ku la 3 fëmijë dy djem dhe një vajzë, midis të cilëve dhe babanë e Gulsun Yener. Babai i Gulsun Yener vdes duke i lënë amanet që të shkojë në Tepelenë të gjejë eshtrat e gjyshit. Dhe ajo vjen më 12 tetor në Shqipëri..

     Njohja në Facebook

    Një rrëfim i pabesueshëm që mbaron më 18 tetor 2013

    Nga data 12 deri më 18 Tetor kam shoqëruar një grup prej tre personash nga Izmiri  i Turqisë, me të cilët kisha gati dy vjet që mbaja lidhje në faqen sociale të internetit FACEBOOK. Personat ishin vëlla e motër Selim dhe Gulsun Yener dhe nipi i tyre, djali i motrës së madhe Orhun Yilmaz, një gazetar fotoreporter i kronikave sportive.
    Njohja e parë ishte me Gulsun Yener, e cila punon si përkthyese e gjuhës frënge dhe angleze në Izmir. Sa për Selimin, apo efendëm Selim, siç i thoshin ata, ai ishte një teknik i firmës SIEMENS në Mynih të Gjermanisë. E bëmë këtë prezantim të shkurtër, jo për të treguar pasuri apo grada shkencore por për të treguar se; njerëzit çfarëdo detyre, posti, grade, biznesi të kenë, përsëri mbeten njerëz kur kanë kulturë dhe humanizëm njerëzor! Papara dy vjetësh shikoj në faqen sociale FB, tek prezantimi i miqve të rinj, një foto të Ali Pasha Tepelenës dhe flamurin shqiptar. Më tërheq vëmendjen, sepse emri i personit ishte turqisht.
    I bëj thirrje për miqësi dhe mbas pak më pranon ftesën. Ishte një femër rreth të pesëdhjetave. Pyetja e parë që i bëra ishte: Ç’ne këto simbole tek ju që mesa shikoj jeni turke? Unë jam shqiptare më thotë, por anglisht, sepse gjuhën shqipe nuk e dinte. Jam gjysmë shqiptare sepse kam gjyshin, babai i babait tim është nga fshati Levan i Tepelenës. Kam disa vite që e kërkoj dhe nuk kam mundur ta gjej!
    Natyrisht që, kjo histori mua më preku dhe i premtova se do ta ndihmoja. E mbajta fjalën, sepse këtë natyrë kam formuar dhe mbas shumë përpjekjesh arrita të gjej edhe dokumentin e vdekjes në regjistrin themeltar, edhe vendin e varrimit të gjyshit të saj Xhafer Levani.
    Nuk e kini idenë se sa shumë u gëzua Gulsun dhe babai i saj, kur ju thash se e kam gjetur. Babai i saj vjet premtoi se do vinte vet në Tepelenë, për të vendosur një tufë lule tek varri i babait të tij të dashur, të cilin nuk e kishte parë që nga mosha pesë vjeçare!

    Vdekja e babait dhe amaneti
    Fatkeqësisht nuk arritën të vinin vitin që shkoi dhe e lanë për këtë vit, më 12 Tetor. Biletat i kishin prerë qysh në Korrik, por fatkeqësisht babai i Gulsum, 87 vjeç nuk i rezistoi dot emocioneve dhe në shtator dha shpirt në një spital të Izmirit. Amaneti i tij ishte që të vinin në Tepelenë dhe të sillnin të falat e tij Xhaferit….!
    Po tregojmë shkurtimisht historinë e ardhjes së këtyre personave, gjysmë shqiptar nga gjaku por shumë patriot shqiptar, më patriot se ata shqiptar të ikur kohët e fundit në emigracion, të cilët kanë humbur jo vetëm patriotizmin, dashurinë për atdheun, për gjuhën por kanë humbur krejt identitetin.

      Gjyshi, Xhaferri

    Xhaferi me origjinë nga Levani i Tepelenës mori rrugën e mërgimit që në rini të tij. E atëherë gjithë shqiptarët i kishin sytë në Turqi, pasi aty mendonin se ishte qendra e botës. Po të shkoje në Turqi atë kohë të thonin se, “ky ka parë botë me sy”. Sa mbërriti, kishte shkuar në Izmir (rreth viteve 1910) dhe njihej me emrin Xhafer Levani. Atje ishte martuar më një vajzë vendase dhe kishte bërë tre fëmijë me të, dy djem dhe një vajzë.

    Për një problem hakmarrje, largohet nga Izmiri më 1931 dhe kthehet në fshatin e tij Levan. Kthehet me zemër të thyer, me lot në sy. Kishte lënë mbrapa ter yje, ter fëmijë. Ka më brengë të madhe për një baba?! Do kthehen në vendin e lindjes, në atë vend të shkretë, ku hante pula strall. Erdhi i këputur, vetëm me rrobat e trupit dhe me familjen larg, shumë larg. Aty nuk kishte njerëz të tjerë të afërm përveç një motre, të cilën e kishte të martuar në fshatin Amanikaj të Tepelenës.
    Për këto arsye Xhafer Levani (nga lagja “Lamaj”) vendos  dhe shkon të jetojë tek e motra në fshatin Amanikaj të Tepelenës, meqenëse, edhe ajo kishte mbetur vetëm. Aty jetojnë deri rreth viteve 1955, kur fillimisht i vdes e motra Xhaferit dhe ai largohet që andej si plak që ishte rreth moshës 80 vjeç, shkon të kërkoj mbështetje tek disa kushërinj të largët në lagjen “Çiçaj”, të Tepelenës, ku jeton 6- muaj dhe vdes.

    Varrimi
    Njerëzit që u kujdesën për atë, e varrosën diku në një vend të veçantë, me shpresën se dikush do ta kërkonte një ditë dhe deri në kohën e sotme ai vend quhet “Varri i Xhafer Levanit”
    Në kohën e monizmit, të kooperativave të famshme e të suksesshme të “dy lekëshit”, brigadieri i fshatit i jep urdhër një traktoristi që të rrafshonte kodrën e “varrit të Xhaferit” dhe të bënte një lëmë për grurin e kooperativës. Kështu që traktoristi, pa e ditur se çfarë ishte aty, sepse ishte nga një fshat tjetër dhe brigadieri nuk ja tregon të vërtetën, fillon nga puna dhe e rrafshon të gjithë kodrën e vogël duke i hedhur eshtrat bashkë me dheun diku 4-5 metra larg vendit të varrit. Kjo ka të bëjë me kulturën e administratës dhe qeveritarëve, të cilët nuk respektonin asgjë njerëzore përpara idealit të servilizmit ndaj sistemit dhe ideologjisë skllavëruese.

     Gjetja e eshtrave

    Megjithatë, arritëm të gjejmë vendin e varrit, me interesimin e pleqve më të vjetër të cilët e mbanin mënd Xhaferin dhe e kishin njohur. Disa prej tyre e dinin dhe historinë e sheshimit të varrit, por që nuk ishte shkatërruar. Duke pyetur disa prej tyre, nuk ishte e vështirë identifikimi. Ishte një varr i veçantë në një vend të veçantë. Emri i atij varri nuk kishte humbur kurrë në Tepelenë, madje mbahej si pikë orientimi. Ata që na adresuan nuk kishin gabuar. Eshtrat ishin aty.

    Amaneti

     Atë ditë të gjetjes së varrit të ardhurit derdhën shumë lot. Ishin lot të ndryshëm, lot gëzimi që kishin çuar amanetin e babait në vend, por dhe lot hidhërimi që s’e kishin parë kurrë në jetë gjyshin e tyre. Nipërit dhe mbesa e tij të ardhur nga Izmiri, të mallëngjyer shumë nga gjetja e varrit të gjyshit, kishin prurë dhe një bidon me dhe’, nga varri i babait të tyre nga Izmiri, i cili jua kishte lënë amanet.
    Kështu u plotësua një amanet në prehjen e dy shpirtrave. Kam vetëm një amanet edhe unë, për gjithë njerëzit që mund të lexojnë këtë shkrim modest: Humanizmi dhe dashuria koston e kanë shumë të vogël, por kanë një çmim shumë të madh për njerëzimin, kanë vlera të jashtëzakonshme, të cilat bëjnë të shkëlqej gjithë shoqëria që i mbart ato vlera fisnike. Të mos kursejmë asgjë për të pasur këto dy veti të mrekullueshme njerëzore, dashurinë – respektin.

    Mesazhe nga Gulsun, Turqi gjatë njohjes në Facebook (origjinale)

    Faleminderit Danel! Sipas statistikave tona turke të regjistrimit jetik, ai, gjyshi, (Xhaferri) ishte lindur në Tepelenë, emri i babait të tij ishte Kahreman dhe emri i nënës ishte Emine. Ai kishte një motër por unë nuk e di emrin e saj .. (in Albania). Mbiemri tij ishte Levan, Xhafer, por këtu në Turqi, pas revolucionit të Ataturkut mbiemri i tij ndryshoi në “Jener” ….Vdiq në Shqipëri. Ai nuk ka ardhur përsëri në Turqi, ne kemi foton e tij. Ai mund të ishte i martuar edhe nuk është e pa mundur që ai ka fëmijë aty. Unë do t’ju dërgoj foton e tij, kur kam vizituar Babanë tim dhe Xhaxhai im di shumë histori rreth tij .. Ju falënderoj për interesimin tuaj… Mund të jetë në statistikat e Tepelenës! Respekt full për ju dhe familjen tuaj, Danel! Gulsun Yener, Izmir.

    Datëlindja e gjyshit 1875 – vdekja 1955

    Beqar i pa martuar përsëri. kishte tre fëmijë në Izmir 2 djem dhe një vajzë. Lindur në fshatin Levan Tepelenë, banues në fshatin Amanikaj, ku me regjistrimin e popullsisë të vitit 1946 mori mbiemrin e motrës së tij Bilbilaj dhe vdiq në lagjen “Çiçaj” më 1955 mars.