Grushta dhe fraktura mes mjekut dhe babait të foshnjës në Maternitetin e Elbasanit

    1624
    Sigal

    Mjeku Kujtim Ibrahimi, godet në kokë me mjete të forta  bashkëshortin e nënës që kishte 12 orë që kishte lindur. Policia fsheh denoncimin dhe provat

    Një ngjarje e jashtëzakonshme ka ndodhur dhe është ripërsëritur mëngjesin e të premtes, në ambientet e Maternitetit të ri të Elbasanit. Dueli fizik, mes mjekut pediatër Kujtim Ibrahimi dhe bashkëshortit të një gruaje, e cila kishte vetëm 24 orë që kishte lindur foshnjën e saj, duke tmerruar gjithë pavionin. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e të premtes, kur ishte orari i vizitave nga njëra dhomë në tjetrën, e mjekëve. Ishte momenti kur mjeku pediatër Kujtim Ibrahimi ishte duke hyrë në dhomën e një gruaje, e cila kishte vetëm 24 orë që kishte lindur me një mjek obstetër-gjinekolog, për të kryer vizitat e zakonshme. Por në dhomë, si zakonisht ndodhej i afërmi pacientes, dhe në rastin konkret burri i saj, i cili nuk ka pranuar t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së mjekut pediatër për të dalë nga dhoma, duke nisur si fillim debatet verbale dhe pastaj përplasjet fizike mes tyre. Ngjarja ka patur si protagonistë mjekun Ibrahimi dhe bashkëshortin e gruas, ndërsa përplasja fizike ka degjeneruar në grushte dhe drurë kokës. Ishte bashkëshorti gruas lehonë, i cili është gjakosur dhe ka marrë fraktura në kokë, duke u marrë me urgjencë nga personeli Maternitetit dhe të afërmit e tij, për t’u mjekuar një kat më poshtë në Kirurgji. Ngjarja ka marrë përmasa të tjera. Si mjeku Kujtim Ibrahimi, ashtu edhe pala e dëmtuar kanë thirrur 129, dhe nuk ka munguar të vijë policia. Patrulla  e policisë ka mbërritur pak minuta pas njoftimit, ndërkohë që prioritet i kanë dhënë denoncimit  paraprak të mjekut, por duke parë  frakturat e bashkëshortit të gruas së shtruar në Maternitet, ata kanë nisur të përpilojnë edhe denoncimin e dytë në detaje. Burime të Maternitetit të Elbasanit, i thanë “Telegraf” se “kjo përplasje me të afërmit e pacientëve ndodh vazhdimisht, pasi mjekët i ndajnë rastet  e vizitave  dhe lindjet  pa u mirëkuptuar mes tyre,  thjesht “ky është imi, kjo është jotja”, duke krijuar përplasje me kolegët e turneve, nisur nga interesi i xhepit dhe ai i punës dhe profesionit”. Ngjarja  ka qenë e shëmtuar, ndërkohë që të njëjtat burime thanë se “për mjekun pediatër Kujtim  Ibrahimi, ky rast ishte i përsëritur, pasi ka pasur edhe raste të tjera, kur është konfrontuar me të afërmit e pacientëve, dhe ngjarja ka pasur përmasa të tjera, duke mos përjashtuar edhe policinë”. Por  nga ana tjetër, sipas pacientëve prezentë në këtë ngjarje tejet të rëndë, edhe komisariati Policisë Elbasan, duket se e ka mbajtur  si të fshehur ngjarjen, pasi  kërkesës së “Telegraf” për  të marrë informacionin e duhur mbi incidentin, i është përgjigjur  negativisht. Raste të tilla të incidenteve dhe përplasjeve fizike mes mjekëve dhe pacientëve, padyshim e kanë burimin tek vazhdimësia e krijuar në vite në një marrëdhënie,  e cila nuk është as ligjore dhe as institucionale, dhe thjesht ka dëmtuar dhe po dëmton imazhin dhe ecurinë normale të punës në spitalet publike. Rasti më i fundit i ndodhur në Maternitetin e Elbasanit, duhet të shkundë Ministrinë e Shëndetësisë, dhe ta ndalë këtë  institucion  në nxjerrjen e përgjegjësive  për cilindo  mjek që konstatohet me  shkelje të tilla të etikës në ushtrimin e profesionit të tij. Pas marrjes së denoncimeve priten edhe hetimet e policisë, për  të nxjerrë  nga dëshmitë e infermiereve  të turnit dhe familjarëve fajtorin e atij incidenti të shëmtuar.

     FLASIN PËR “Telegraf”:

    Teuta Ilirjani, shefja e martenitetit: Nuk pashë e dëgjova asgjë”

    Shefja e maternitetit, Teuta Iliriani, na pohon që në mëngjes ishte në maternitet, por nuk dëgjoi gjë, nëse mjeku Kujtim Ibrahimi i çau kokën me shkop një qytetari. Dhe, vazhdon pohimin shefja e maternitetit të Elbasanit, Teuta Ilirjani, ajo është larguar para drekës nga spitali dhe iku në Tiranë, pasi ka burrin e saj të sëmurë nga zemra (I urojmë shërim të shpejtë).

    Mjeku i rojes, Ogert Alla: “ Dëgjova, por nuk pashë asgjë”

     Mjeku roje i maternitetit, Olgert Alla, na pohon që punën e filloi në orën 8, por edhe ky nuk pa asgjë nga dhuna e kolegut të tij kundër qytetarit, por, na pohoi mjeku roje i maternitetit, Olgert Alla, që dëgjoi, diçka që u bë në orën 6 të mëngjesit. Më vonë, ky mjek roje, na pohon që ngjarja ndodhi në orën 7:30 të mëngjesit, por ai nuk e kishte marrë ende punën, ndaj nuk pa …asgjë.

    Ministri Beqaj hesht, sepse nuk e shqetëson

    huliganizmi i mjekëve ndaj qytetarëve

    Gazeta “Telegraf”, për të mësuar më shumë për këtë akt të shëmtuar të mjekut në maternitetin e Elbasanit, iu drejtua të mësonte reagimin e ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Telefoni ishte i lirë, por nuk e ngriti asnjë. Atëherë, e informuam ministrin me mesazh, të dërguar dje në orën 16.03, mirëpo ministri Beqaj gjykoi që shqetësimi ynë ishte i pavlefshëm për atë si ministër, ndaj e shpërfilli. Dhe nuk është hera e parë që ministri Beqaj hesht, sepse heshti edhe për rastin që gazeta “Telegraf” publikoi denoncimin  për korrupsionin që bëri një qytetar për mjekun Kujtim Ibrahimi me ilaçet dhe të sëmurët në spitalin e Elbasanit.

    Altion Bylykbashi