Greqia dhe Italia diskriminojnë transportin shqiptar

755
Sigal

Greqia dhe Italia vendosin sanksione të rënda ekonomike ndaj kompanive  shqiptare të  transportit të udhëtarëve dhe mallrave

Pardje, ministria e transportit grek, me një qarkore të brendshme, urdhëroi bllokimin e kompanive shqiptare të autobusëve, që kalojnë në këtë vend përmes pikës doganore të Kakavijës,  me pretendimin se kompanitë kishin probleme me dokumentacionin. Por, siç dihet, prapa këtij vendimi të njëanshëm, është imponimi  arbitrarisht që qeveria greke u bën kompanive shqiptare të autobusëve, që të pranojnë bashkëpronësi të barabartë, ose 49 % me biznesmenë grekë. Qeveria shqiptare, edhe pse ky problem është paralajmëruar më para, ka heshtur dhe nuk ka reaguar të qeveria greke.  Përse qeveria shqiptare nuk interesohet dhe të verifikojë çfarë dokumentacioni të mangët- sipas grekëve- kanë kompanitë shqiptare të transportit të autobusëve?  Është vërtet kjo arsyeja, apo qëllimi i imponimit të qeverisë greke, që kompanitë shqiptare të bashkëndahen me pronarë grekë? Në kë rast tjetër Greqia sillet kështu? Në Greqi, kompani të transportit të autobusëve nga vende të tjera nuk e kanë këtë imponim, sepse Greqia nuk mund të sillet, siç bën me kompaninë shqiptare, me Rumaninë, Bullgarinë, Turqinë, Ukrainën etj..  Greqia gjeti qeverinë shqiptare, të nënshtruar dhe bllokon pa ligj kompanitë shqiptare të transportit të autobusëve. Por dje, gjykata greke është shprehur kundër bllokimit në kufi të 22 autobusëve të linjës Tiranë-Athinë. Gjykata e Athinës i ka dhënë të drejtë përfaqësuesve të kompanive shqiptare, duke urdhëruar Ministrinë e Transporteve greke të lejojë futjen e autobusëve në territorin grek. Vendimi i gjykatës greke provon, se vendimet e qeverisë greke janë të njëanshme, të kundraligjshme, nuk mbështeten as në ligjin grek dhe as në Ligjin e Transportit Ndërkombëtar dhe në marrëveshjet ndërshtetërore për marrëdhëniet e zhvillimit të ndërsjellë të bizneseve dhe investimeve.

Italia aplikon  taksa shumë ta larta  ndaj kamionistëve shqiptarë 

 E njëjta gjë, ndodh edhe me transportin e mallrave me Italinë. Kompanitë e transportit ndërkombëtar braktisin vendin dhe regjistrohen në shtet fqinjë. Vetëm gjatë javës së fundit janë çregjistruar 12 kamionë në Drejtorinë e Shërbimit të Transportit rrugor në Durrës nga tre kompani transportuese, të cilat bëjnë regjistrimin e mjeteve të tyre, në Maqedoni, Bullgari dhe shtete të tjera.   Tipik është problemi me Italinë, ku asnjë vit nuk plotësohen nevojat e transportuesve për leja kalimi dhe taksa e peshës për kamionët, shqiptarë shkon deri në 600 Euro   për rrugë takse 10 herë me e lartë se për kamionistët e tjerë të vendeve të rajonit.  Sapo shkelin në Itali, kamionistët tanë janë të detyruar të paguajnë taksën e peshës. Për çdo ton ngarkesë paguhet 10 euro taksë. Pra, për një rrugë vajtje-ardhje nga Italia, për një kamion 25 tonësh, taksa është 500 euro. Kjo taksë e rëndon mjaft gjendjen e transportuesve tanë, pasi janë të detyruar që çdo rrugë ta nisin me shifrën e 500 eurove minus, në një kohë që homologët e tyre paguajnë   deri në 50  Euro taksë.  Kështu p.sh, një kamion maqedonas paguan vetëm 35 euro për rrugën vajtje- ardhje nga Italia, shprehen biznesmenët, të cilët akuzojnë politikat e gabuara që ndjek shteti ynë. Ardian Hazeidarasi,   deklaron se taksa e sheshtë po detyron të gjithë transportuesit të regjistrojnë mjetet e tyre në shtet fqinjë, ndërsa transportuesit më të vegjël po i çregjistrojnë nga Shqipëria dhe i matrikulojnë në shtete të tjera. Ardian Muka, deklaron se ky është një problem i Ministrisë së Financave, e cila duhet ta kishte zgjidhur vite më parë, pa u larguar drejt shteteve të tjera, për regjistrim Kompanitë e transporteve, të cilat detyrimet duhet t’i paguajnë në vendin e tyre, mirëpo, situata e pazgjidhur në vite i detyron të matrikulohen ose targohen me targa të Bullgarisë Austrisë apo edhe Maqedonisë.  Në organizatën  ANALTIR  janë anëtarësuar rreth 800 subjekte, me rreth 2500 kamionë. Mbi 200 subjekte janë të licencuara për transport për të tretë e me qira dhe kanë në inventarin e tyre jo më pak se 3 kamionë. Shumë kompani po investojnë për të përmirësuar inventarin e kamionëve. Rreth 70 për qind e kamionëve operojnë në Tiranë e Durrës.

 Për “Telegraf”

Deputeti i PS-së, Besnik Baraj: Greqia i trajton kompanitë e autobusëve shqiptarë në mënyrë diskriminuese dhe fyese. Kjo lidhet me imazhin e ulët të integritetit  dhe personalitetit të shtetit shqiptar. Qeveria jonë sillet në mënyrë inferiore ndaj politikave të qarqeve të caktuara të Greqisë. Këto janë qëndrime primitive dhe në duhet t’i denoncojmë, jo vetëm në mënyrë institucionale, por edhe në BE, si politike diskriminuese . Këto vendime të qeverisë greke ndaj bllokimit të kompanive të autobusëve shqiptare është fyerje ndaj të gjithë qytetarëve  shqiptarë. Shteti shqiptar nuk merr në mbrojte të drejtat e qytetarëve të saj.