Greqi, nga e mërkura nis zbatimi i ligjit të ri të emigracionit

555
Prej mëngjesit të së mërkurës, datë 21 tetor, fillojnë të zbatohen në Greqi edhe disa dispozita të përmirësuara të ligjit me numër 4332/2015, i quajtur edhe “ligji i ri i emigracionit”. Pjesa e parë e ligjit, që ka të bëjë me dhënien e nënshtetësisë për fëmijët e emigrantëve, ka disa javë që ka filluar të zbatohet. Ndërsa tani fillon edhe vënia në zbatim e disa dispozitave, që kanë të bëjnë me kategori të ndryshme emigrantësh, të cilët edhe pse kanë vite në Greqi nuk janë të ligjshëm, ose kanë humbur statusin e emigrantit legal për shkak të krizës ekonomike, që ka sjellë pasojë humbjen e vendit të punës, pra edhe të sigurimeve sociale të nevojshme, kusht për rinovimin e lejes së qëndrimit.

Ndryshimet e rëndësishme që janë bërë, u japin mundësinë mijëra emigrantëve të aplikojnë për marrjen e drejtpërdrejtë të vërtetimit blu, një dokument që u jep atyre të drejtën e qëndrimit, të punës dhe të lëvizjes së lirë drejt Shqipërisë. Kanë të drejtë të aplikojnë në zyrat përkatëse të emigracionit pranë periferive, të gjithë ata, që gjatë 10 viteve të fundit kanë pasur qëndrim të ligjshëm 5 vite. Në këtë afat kohor përfshihet edhe periudha, që leja e ndokujt mund të ketë skaduar. Gjithashtu, nga ky ligj mund të përfitojnë për aplikim edhe nënat që kanë lindur fëmijë në Greqi, të ndara apo të pamartuara. Me përmirësimin e ligjit shmangen procedurat e gjata të bashkimit familjar, që kërkonin viza nga ambasadat apo konsullatat në Shqipëri. Në këto raste, mjafton që njëri nga bashkëshortët të ketë leje qëndrimi deri në 3 vite, ndërsa kërkohet edhe blerja e sigurimeve shoqërore në një ent privat apo shtetëror.

Përsa i përket kategorive kryesore të emigrantëve që mund të përfitojnë, aplikuesit duhet të paraqesin:
1- Fotokopje të pasaportës, qoftë edhe e skaduar,
2- Një leje qëndrimi, pavarësisht nga cili autoritet është dhënë, që ka skaduar gjatë dhjetëvjeçarit të fundit para dorëzimit të aplikimit,
3- Taksë-pagesë (Paravolo) me vlerë 300 euro,
4- Dokumente që vërtetojnë qëndrimin në Greqi, pas skadimit të lejes deri në datën e aplikimit,
5- Librezë shëndeti e vlefshme, personale apo familjare, ose vërtetim për blerjen e sigurimeve sociale.

Për rastin e bashkimit familjar kërkohet:
– Formulari i aplikimit, dy fotografi, fotokopje e legalizuar e pasaportës së vlefshme, fotokopje e lejes së qëndrimit të personit që e ka në ngarkim me vlefshmëri të paktën dyvjeçare, certifikatë lindjeje në rast se ka fëmijë deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit, dokumente që vërtetojnë se pas lindjes së fëmijëve ka qëndruar në Greqi, sigurime sociale dhe taksë-pagesë me vlerë që ndryshon në varësi të kohëzgjatjes së lejes së qëndrimit.
Hollësitë për të gjitha kategoritë janë publikuar në faqen e posaçme të internetit të Ministrisë së Brendshme greke, Drejtoria e Politikave për Emigracionin.
Sigal