Gramshi, qyteti i mashtruar

    895
    Sigal

    Banorët po e braktisin nga varfëria dhe papunësia këtë qytet bujar dhe me resurse të shkëlqyera natyrore

    Qyteti i Gramshit, i ndodhur vetëm 44 km larg qytetit të Elbasanit, dikur krenaria e prodhimeve ushtarake dhe rritjes së mirëqenies sociale, në socializëm, sot po shuhet e braktiset çdo ditë nga banorët e tij. Me një popullsi të cunguar (para vitit 1992 kishte mbi 40 mijë banorë) që nuk i kalon as 18 mijë banorët, Gramshi sot vuan nga varfëria, papunësia, mungesa e vëmendjes së politikanëve, mashtrimi dhe problemet e mprehta sociale që ka. Gramshi, sot ka mbi 65 për qind të popullsisë tij të papunë, kurse numri i familjeve që marrin ushqime me listë dhe që kategorizohen tek “familje të varfra” është rritur mbi10 herë. Sipas statistikave nga Bashkia dhe Zyra e Punësimit dhe Çështjeve Sociale, mësohet se “Gramshi ka mbi 2800 familje që trajtohen me ndihmë ekonomike, mbi 6700 të papunë, një biznes të rrënuar dhe falimentuar, infrastrukturë të shkatërruar e denjë as për kohën e mesjetës, dhe një harresë totale të deputetëve të saj. Banorët e Gramshit shprehen të indinjuar për premtimet e pambajtura, për harresën e të dy partive politike qeverisëse PD dje dhe PS sot, që premtuan dhe u larguan pa mbajtur premtimet. “Nuk kanë mbajtur asnjë premtim, Gramshi sot dhe banorët e këtij qyteti janë varfëruar më keq se para 23 qershorit, papunësia është rritur 10 herë më shumë, bizneset janë mbyllur pothuajse fare, dyqanet janë mbushur me lista emërore, që kapin shifra alarmante”,- u shpreh për “Telegraf”, Ismail Senja, një banor i vjetër i këtij qyteti, pronar i një kioske në periferi. Uzina e armëve në Çekin prej vitesh është shkatërruar dhe rrënuar, kurse ish-punëtorët e saj janë edhe sot pa pensione dhe të zhytur në varfëri totale. Gramshin, këtë qytet bujar dhe me resurse të shkëlqyera natyrore, politika gjithmonë në 23 vitet e demokracisë, e ka shfrytëzuar për qëllimet e veta, e ka mashtruar dhe lënë në harresë. Megjithëse në shumicë popullsie Gramshi është i majtë, duket se edhe qeverisja e pas 23 qershorit, e ka fshirë atë nga lista e investimeve dhe premtimeve të mbajtura. Në 8 vitet e qeverisjes së PD, qeveria e Berishës, ndërtoi disa arterie të rëndësishme rrugore  si ajo Gramsh-Kotovjat, rruga e Kukurit, e Skënderbegasit, e Bulçarit etj.. Gjithashtu, në janarin e vitit 2013, atje ka nisur ndërtimi i rrugës që do të lidhë Gramshin me Skraparin dhe Korçën, vepra të rëndësishme rrugore, duke përfshirë edhe investimin madhor të HEC të Banjës. Por, prej 6 muajsh në ato kantiere pune, makineritë heshtin, puna është ndaluar, kurse banorët e asaj zone, kanë mbetur të papunë, duke marrë borxhe për të jetuar. Duke ecur në rrugën kryesore të qytetit të Gramshit zymtësia dhe varfëria të bien në sy dhe të trishtojnë. Në bisedën e parë me burra e gra të këtij qyteti, mëson se, qyteti po plaket dhe shuhet pasi mungojnë edhe mjekët, edhe puna, edhe ekonomia edhe investimi, mungon dora e qeverisë, kujdesi i deputetëve. “Vijnë sat ë marrin votat dhe pastaj duken për ndonjë  psonisje dhe ikin duke gënjyer”,- thotë  Bejazja, një grua rreth  moshës 60 vjeçe, e cila ka 3 fëmijët të papunë dhe i ushqen me një pension e gjysmë që merr bashkë me burrin. Qyteti duket i braktisur, disa qindra familje kanë fëmijët e tyre jashtë, por shprehen se “djemtë po na kthehen sepse kriza në Greqi  është thelluar, ata edhe këtu mbetën pa punë, hallet tona nuk ka kush t’i qajë, Gramshi po kthehet në komunë”. Banorët  kërkojnë nga deputeti zonës, sot ministër në qeveri Damian Gjiknuri,  të bëjë më tepër për qytetin e tyre, për uljen e nivelit të varfërisë, rritjen e numrit të personave të punësuar, për rritjen e investimeve të premtuara nga ai në fushatën elektorale të 23 Qershorit. Ata kërkojnë mbajtjen e premtimeve për të rritur  numrin e të punësuarve në HEC e Banjës, për hapjen e vendeve të reja të punës dhe lehtësimin e kushteve të biznesit të vogël, uljen e taksave, pasi realisht ata po paguajnë sërish detyrimet sipas tarifave të para 6 muajve. Gramshi meriton më shumë vëmendje, më shumë investime, më shumë impenjime nga të zgjedhurit e saj, dhe nuk duhet të trajtohet si aneks i futur thellë mes malesh, për t’u dashur vetëm për votat e fushatave.