Gramshi, qyteti i 1001 halleve

    456
    Sigal

    Spitali pa mjekë e ilaçe, dyqanet mbushen me lista borxhesh

    Qyteti i Gramshit dhe banorët e tij, prej disa muajsh po përballet me një situatë të rënduar shëndetësore, e cila është thelluar veçanërisht në mungesën e mjekëve specialistë dhe mungesën e medikamenteve në spital. Prej kohësh, pacientët e Gramshit marrin rrugën drejt Elbasanit ose Tiranës për vizita tek mjeku specialist, pasi atje mungon kardiologu, ortopedi, okulisti, kirurgu reomatologu, e deri patologu e pediatri. Mungojnë EKO-t, aparatet e tjera radiologjike, medikamentet e nevojshme për Urgjencën, deri tek serumi dhe shiringat, mungon gatishmëria e laboratorit të analizave, duke detyruar banorët e këtij qyteti t’i hipin autobusëve dhe taksive dhe t’i drejtohen Elbasanit apo Tiranës. Qyteti i Gramshit duket sikur po humbet në thellësitë e galerive të varfërisë, papunësisë, dhe problemeve të mprehta sociale. Bashkia nga ana e saj mbetet e pafuqishme të zgjidhi hallet e banorëve të saj, ndërsa këta të fundit kërkojnë nga deputetët të vijnë dhe t’u gjenden pranë, për të mbajtur premtimin e fushatës. Gramshi ka sot 70 për qind të popullsisë së saj të papunë. Qyteti gdhihet e ngryset me halle të mëdha, pavarësisht se ka resurse të jashtëzakonshme për të zhvilluar turizmin malor, artizanatin, industrinë e lehtë, atë energjetike etj.. Gramshi dhe banorët e këtij qyteti mbeten zona e harruar nga kjo qeveri, e cila deri sot nuk ka dërguar një ministër në detyrë (megjithëse e ka një të tillë, madje deputet i zonës)  për të dëgjuar hallet e tyre, zërin e tyre, kërkesat e tyre. Djemtë e Gramshit po ikin çdo ditë rrugëve dhe maleve të Greqisë, ku shpesh kanë gjetur edhe belanë, janë kapur nga policia, janë rrahur e sakatuar, për të gjetur një punë e siguruar bukën e gojës. Mungesa e investimeve në Gramsh, lënia pas dore e kanë degraduar qytetin, veç të tjerave edhe sistemin shëndetësor. Prej disa vitesh ambulancat e lagjeve nuk ekzistojnë, mjekët e specialiteteve janë larguar drejt qyteteve të mëdha. E ndërsa në qytet mjekët janë me pakicë, të fshatra ata mungojnë totalisht. Rolin e tyre në shumë fshatra e luajnë veterinerët apo edhe berberët. Ky është një skandal i madh, kur ne pretendojmë të jemi pjesë e BE-së. Qejfmbetjet dhe inatet brenda PS-së dhe LSI-së, me emërimet e bëra muajt e fundit, duket se po bëhen shkak i harresës për të zgjidhur hallet dhe problemet e qytetarëve të Gramshit. Lufta brenda llojit, për të zaptuar poste dhe ofiqe pas fitores së 23 Qershorit, po rëndon mbi jetën e gramshiotëve, të cilët megjithëse në shumicë të majtë, shprehen të zhgënjyer nga mungesa e vëmendjes e kësaj qeverie. Mijëra familje në Gramsh marrin sot ushqime me listë dhe kanë akumuluar vlera që kapin vlera nga 500 mijë deri në 2.5 milionë lekë për ndonjë familje të varfër, e cila nuk ka shpresa se do të shlyejë ndonjëherë   detyrimet për ushqimet e marra me listë. Pronarët e dyqaneve shprehen se, “po mbahemi me thonj për të mos mbyllur aktivitetin, borxhet e hallexhinjve po na falimentojnë, ata nuk kanë para të shlyejnë detyrimet që kanë, janë të papunë”. Qyteti i Gramshi është nënprefekturë e Elbasanit, dhe si e tillë shpesh zyrtarët vendorë e ngrenë zërin tek prefekti Qarkut Arben Kamami, i cili ndjehet i pafuqishëm për të zgjidhur hallet e asaj zone. Akumulimi problemeve ekonomike e sociale, ka rritur natyrshëm edhe aktet kriminale në atë qytet dhe fshatrat e tij. Kjo për faktin se, rritja e papunësisë, mungesa e investimeve dhe parave të emigracionit, po shtyn të rinjtë  drejt  akteve kriminale si  grabitje, vjedhje, etj. Gramshi njihet historikisht si qyteti që voton majtas, por statistikisht njihet dhe mbahet mend si qyteti që nuk ka marrë nga asnjë qeveri socialiste në këto 23 vjet atë që meriton. Kjo padyshim tregon mungesë  respekti ndaj atyre votuesve besnikë dhe mungesë sinqeriteti e korrektësie nga ata që kanë marrë vota.