Gramsh, 4 muaj pa marrë pensionet, 250 pensionistë i zënë derën Drejtores së Sigurimeve

    395
    Sigal

    Pensionistët: Kërkojmë ndërhyrjen e Damian Gjiknurit. I dhamë votat, por na harroi!

    Në Gramsh, sërish, probleme me pagesat e pensionistëve. Duket se për qytetarët e këtij qyteti, kusuret nuk paskan të sosur. Plot 250 pensionistë nga Gramshi, prej 4 muajsh nuk marrin pensionet e tyre mujore, duke rritur frikshëm problemet ekonomike të familjeve të tyre. Prej afro 10 ditësh, ata i kanë zënë derën drejtoreshës së Sigurimeve Shoqërore, zonjës Ismete Bici dhe kërkojnë nga ajo të zgjidhë urgjentisht problemin e tyre. Pensionistët kërkojnë nga drejtoresha Bici të komunikojë zyrtarisht dhe institucionalisht me dikasterin në Tiranë, Drejtorinë e Përgjithshme të SSH dhe me deputetin Gjiknuri, për të mundësuar pagesat e pensioneve të 4 muajve. Nga ana e saj, zonja Bici, ka deklaruar se: “Po bëj të pamundurën për të zhbllokuar situatën, e cila natyrisht, me një kohë kaq të gjatë prej 4 muajsh pa marrë lekët, ka rënduar xhepat e pensionistëve, pasi ato lekë janë i vetmi burim jetese për familjet e tyre”. Situata në Gramsh mbetet kaotike, ndërkohë që, Drejtoria e Përgjithshme e Sigurimeve Shoqërore nuk ka dhënë deri sot asnjë përgjigje premtuese për pagesat e prapambetura të 250 pensionistëve, qysh prej muajit janar 2014. Natyrisht, kjo situatë ka krijuar vështirësi ekonomike dhe jetese për 250 pensionistët, por sipas burimeve nga Gramshi mësohet se, edhe për dhjetëra të tjerë që po përfundojnë dosjet e pensionit pranë degës së Sigurimeve Shoqërore, nuk do të ketë pagesa. Ky fenomen ka ndodhur edhe me invalidët, me familjet që marrin ndihmën ekonomike, me dhjetëra të tjerë që marrin pagesat e kujdestarisë, për 170 nënat e reja që nuk marrin 5 mijë lekët e reja për lindjen e fëmijës etj.. Duket se qyteti i Gramshit, nuk është fare në listën e kësaj qeverie, të Ministrisë së Financave, ndërkohë që deputeti zonës ka muaj që nuk shkel atje. Gramshi është qyteti me mbi 90 për qind të banorëve të majtë, ndërkohë që mbetet i fundi në listën e përfitimeve të qeverisë Rama. Asnjë përkujdesje, asnjë vëmendje ndaj qytetarëve të atij qyteti, që ju premtua “parajsa” në 23 Qershor 2013. Varfëria në Gramsh është thelluar, problemet sociale janë shtuar, jeta e banorëve atje mes malesh është bërë më skëterrë se ishte 1 vit më parë. Gramshiotët, i madh dhe i vogël, betohen se: “Partitë, të majta apo të djathta, të mos guxojnë të shkelin tek ne, sepse do t’i marrim drunë. Erdhën, na mashtruan, na folën me fjalë të bukura, na premtuan dhe na kthyen kurrizin, lipsur qoftë edhe deputeti që na e ulte hënëzën në tokë para 23 Qershorit, dhe tani na ka bërë hasha të gjithëve”. Indinjata e qytetarëve të Gramshit, e të rinjve, e pensionistëve, e nënave të reja, lidhet me fatin e jetës dhe familjeve të tyre. Ata duhet të ndjehen të barabartë me çdo qytetar tjetër të këtij vendi. Shirat e ditëve të fundit, ka bllokuar lëvizjet në dhjetëra fshatra të këtij rrethi dhe ka vështirësuar edhe vajtje-ardhjet e pensionistëve për të tërhequr lekët e prapambetura. Në Gramsh, realiteti migjenian, duket se nuk ka shanse të ndryshojë, pasi indiferenca dhe harresa e qëllimshme e qeveritarëve, veçse e ka thelluar atë deri sot. Për këtë qytet, nuk ka asnjë projekt investimi në Bashki që të ketë shansin të marrë “OK” nga kjo qeveri, nuk ka asnjë prioritet zhvillimi afatgjatë as blegtoria, as turizmi malor, as energjetika, as biznesi, as punësimi, as arti, as kultura, as arsimi dhe shëndetësia. Gramshi jeton si një ishull i vetmuar, i lënë në harresë, ndoshta për tu bërë eksperimental në projektet imagjinare të një Shqipërie Europiane të “Rilindësve”. Ndërkohë që, dje një pjesë e pensionistëve dhe e të papunëve i kujtuan deputetit të zonës që të mos e shkojë më ndër mend të vijë e të na kërkojë votën, pasi ne nuk mashtrohemi kollaj. Ne duam një djalë që i dhimbset Gramshi dhe jo deputet si Gjiknuri të sjellë me katapultë, njëlloj sikurse Nano dërgonte në qytetin tonë Elmaz Sherifin nga Tepelena.