Gramsh, 160 invalidë tre muaj pa marrë lekët që u takojnë

    387
    Sigal

    I lënë në harresë totale, jo vetëm nga qeveria, por edhe deputeti i zonës, duket se Gramshi, qyteti i gjendur gjeografikisht në “xhepin” e ngushtë mes malesh, po përjeton çdo ditë problematikat dhe hallet e qytetarëve të tij. Papunësia, varfëria, mungesa e investimeve, rrënimi ekonomik dhe i bizneseve, epidemia e ushqimeve me lista, mungesa e specialistëve të mjekësisë në ambulancë e spital, mungesa e medikamenteve në pavijone dhe farmaci, ka si shtojcë të saj edhe mungesën e parave për invalidët. Janë 160 të tillë, që numëron sot rrethi Gramshit, që prej afro 2 muajsh nuk marrin lekët e kompensimit që i takojnë ligjërisht 2200 lekë (ose 22 mijë lekë të vjetra), duke pritur nga mëngjesi deri në darkë në dyert e Bashkisë. Kjo e fundit, pas interesimit në Ministrinë e Financave, merr përgjigjen se, “janë bllokuar në thesar, kanë mungesë dokumentacioni” dhe mjaft pretekste të tjera banale si këto. Dule Kisha, 63 vjeç nga Gramshi, është invalid i shkallës së parë, dhe shprehet për “Telegraf” se, “unë me ato 22 mijë lekë të vjetra mbaj shpirtin gjallë, sepse 7400 lekë merr gruaja pension, dhe nuk dimë se çfarë të shlyejmë më parë, dritat afrofe, ujin, të marrim ilaçet, djemtë të papunë, ky qytet ka mbaruar fare”. Pensionisti tha se, “por jo vetëm qytetarët, edhe ne shtresa e invalidëve kërkojmë dorën e shtetit, interesimin e deputetit  tonë, votën ja dhamë të na gjendej në ditë të mira dhe të vështira, por kemi 8 muaj nuk e takojmë e dëgjojmë gjëkundi, iku u bë ministër dhe harroi se deputet u bë nga ne”. Edhe dega e PS-së në Gramsh, ndjehet e pafuqishme të realizojë dhe detyrojë deputetin të vijë qoftë edhe një ditë të vetme dhe të takojë zgjedhësit e tij. Qyteti po asfiksohet çdo ditë, jetët e qytetarëve të tij po  humbasin  besimin duke u bërë pesimistë në malin me halle e probleme, ndërkohë që qeveria dhe ai që e ka detyrim moral e ligjor, deputeti asaj zone, nuk thotë qoftë edhe një fjalë në mbledhje qeverie se çfarë do të bëhet me Gramshin, me banorët e tij, cila do të jetë e ardhmja e brezit të ri që po ndrydhet dhe shpërfytyrohet çdo ditë, po e biznesit që po kapitullon, e qindra e qindra familjeve që ushqehen me lista, e pensionistëve që u vonohet pensioni, e invalidëve, dhe familjeve që mbajnë frymën gjallë me ndihmën ekonomike. Gramshi ndjehet i braktisur, i zhgënjyer, i tradhtuar, i prerë në besë nga politika, nga deputeti, nga partia që u premtoi  parajsën socialiste pas rrënimit  të demokratëve, dhe kryeministri që në të gjitha takimet gjatë fushatës, u betua se “do ta nxirrte qytetin nga bataku ku e la Saliu”. Në Gramsh në muajt e fundit janë rritur ndjeshëm numri i familjeve të varfra, numri i personave me probleme mendore e fizike, probleme të  tjera sociale, si pasojë e uljes së nivelit ekonomik dhe humbjes së besimit që ata njerëz kanë për të ardhmen. Gramshi pret me ankth mbajtjen e premtimeve për të zhdukur varfërinë, dhe për të dalë nga skuta e errët ku gjeografikisht gjendet.