Glover për zgjedhjet: Vullneti politik kyç, por nuk përkthehet dot në ligj

458
renda 10 javëve të ardhshme, ODIHR pritet të përmbyllë raportimin mbi monitorimin e zgjedhjeve lokale të 21 qershorit në Shqipëri.
Shefja e këtij misioni, Audrey Glover, gjatë një takimi me Presidentin Nishani vuri në dukje se vullneti politik mbetet kyç në këtë proces, ndërkohë që ai mbetet i pakodifikueshëm në legjislacion.
Ajo bëri me dije se bashkë me ekipin monitorues do të reflektojnë në raport edhe rekomandimet për përmirësimin e mëtejshëm të proceseve të ardhshme zgjedhore në Shqipëri.
Nishani foli rreth rëndësisë që patën këto zgjedhje në Shqipëri, në kontekstin e hartës së re administrative dhe përgjegjësive të reja që pritet të marrin drejtuesit e rinj të Bashkive në vend.
Kreu i Shtetit theksoi se zgjedhjet mbeten një test i përhershëm i maturimit dhe funksionimit të institucioneve dhe mekanizmave zgjedhore, klasës politike por edhe të përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë qytetare.
Duke bashkëndarë vlerësimet dhe shqetësimet e ekipit të monitorimit të ODIHR, të reflektuara edhe në raportin e ndërmjetëm të bërë publik, Presidenti Nishani sugjeroi disa rekomandime për t’u marrë parasysh në interesin më të mirë publik, duke shpresuar se adresimi në kohë i tyre do të kontribuojë më tej në përmirësimin e kulturës politike në Shqipëri.
Reforma në drejtësi, ndëshkim me të njëjtin standard të elementeve që prishin sistemin
Po sot Nishani priti në takim edhe bashkëraportuesit për Shqipërinë në Këshillin e Evropës, Jonathan Evans dhe Andrej Hunko.
Gjatë takimit u diskutua lidhur me zhvillimet në reformat kyçe, të evidentuara edhe në Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Shqipërinë në fund të 2014.
Presidenti Nishani informoi mbi hapat e hedhur deri më tani, veçanërisht në kuadër të reformës në drejtësi, duke e konsideruar atë përparësi të përparësive dhe çelës për suksesin e reformave në fusha të tjera. Ky proces kërkon një mekanizëm plotësues ligjor, vullnet të mirëfilltë politik, si dhe ndëshkimin me të njëjtin standard të elementëve të korruptuar dhe dëmtues të sistemit.
Kreu i Shtetit siguroi se mbetet i vendosur për të bërë çdo përpjekje për ta sjellë në trajektoren dhe shpejtësinë e duhur këtë proces, duke kërkuar angazhimin dhe përgjegjshmërinë maksimale nga të gjithë aktorët me peshë, pavarësisht ecurisë së deritanishme nën pritshmëritë dhe interesin publik.


Sigal