Gjykatësit që firmosin vjedhjen e 20 milionë eurove

    477
    Sigal

    Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, ligjëson kontrabandën e naftës të Bankers Petroleum Albania LTD”

    Edhe pse është pranuar haptazi që shteti humbet  qindra miliona euro në vit nga kontrabanda e naftës, gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës,  e përbërë nga gjyqtarët  Flamur Kapllani, Enkelejda Metaliaj (Softa), Manjola Bejleri, me anë të një vendimi të saj datë 8.11.2012, me numër regjistri 17674, ligjëson kontrabandën e naftës të bërë nga kompania Bankers Petroleum AlbaniaLTD”.

    Vendimi i Gjykatës, i paprecedentë

    Kontrabanda e hidrokarbureve në Shqipëri bëhet me vulën e gjykatës. Kështu ndodhi këto ditë, ku gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, me vendimin e saj 10737, datë  8.11. 2013, anulon gjobën prej 20 milionë euro që Drejtoria Rajonale e Tatimeve të Tiranës, i kishte vënë Bankers Petroleum AlbaniaLTD, për shkak të kontrabandës së naftës. Gjykata nuk mori fare mundimin të gjykojë nëse sasia e naftës, e kapur nga inspektorët e DRT-së tregtohej kontrabandë apo në destinacionin që e përcakton ligji, në përjashtimin e akcizës dhe taksave. Mbase gjykata nuk e trajtoi fare këtë, pasi edhe Bankers Petroleum Albania LTD nuk parashtroi asnjë provë argumenti që të dëshmonte se sasinë e naftës që importon dhe është e përjashtuar nga alciza dhe tvsh, përdoret ekskluzivisht për qëllimet e saj. Pyesim: Duke vepruar kështu, gjykatësit janë avokatët e Bankers Petroleum Albania LTD, apo drejtësidhënësit e ligjit?

    Konflikti Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve- Bankers Petroleum Albania LTD, kontrabanda e naftës

    Për sasinë e naftës që kjo kompani përdor për kërkimet për shpimin e puseve të naftës, i është dhënë e drejta që të përjashtohet  nga sasia e naftës që përdor akciza dhe çdo taksë tjetër, nga  DPT-ja me autorizimin nr.13595/1 Prot. datë 27.06.2012.

    Mirëpo, këtu fillon vallja e kontrabandës të naftës. Kjo kompani, një sasi të madhe të naftës, që përjashtohet nga akciza dhe taksat e fut në tregun shqiptar, duke e shitur kontrabandë.  Menjëherë pas datës 26.06.2012, inspektorët  e Drejtorisë Rajonale Tatimore e Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë (DRT) kanë  ushtruar kontroll tek kompania Bankers Petroleum Albania LTD dhe kanë gjetur sasi të mëdha nafte që shitej kontrabandë në treg dhe jo në destinacionin që ishte lëshuar autorizimi për heqjen e akcizës dhe taksave të tjera. Rezultatet e këtij kontrolli, d.m.th, të kapjes së sasive të naftës kontrabandë, DRT-ja ia përcjell kompanisë përgjegjëse të naftës, me shkresën nr.17109/1 Prot. datë 28.09.2012. Konkretisht, sipas Njoftim Vlerësimin Tatimor për Detyrimet nr.17109/4 Prot. datë 04.10.2012  dhe Raport Kontrollin nr.17109/3 prot. datë 04.10.2012 ku shoqëria “Bankers Petroleum Albania LTD” ngarkohet me një detyrim në shumën totale 2.406.958.408 lekë.  Kompania Bankers Petroleum Albania LTD në dt.03.10.2012  e ka kundështuar këtë detyrim, gjobë. Më datë 12.10.2012 Drejtoria e Përgjithshme e Apelimit Tatimor, pasi ka marrë nën shqyrtim kërkesën e palës paditëse ka dalë me vendimin nr.21815/1 Prot datë 12/10/2012 nga ku ka vendosur “Rrëzimin e ankimit, për shkak se  konsideron ankimin të papranueshëm”, shkak që është bërë dhe objekti i këtij konflikti gjyqësore. Kompania e naftës, duke dashur ta zhvlerësojë vendimin e DPT-së, i është drejtuar gjykatës. Dhe gjykata, kërkesën e Bankers Petroleum Albania LTD” e ka shqyrtuar me përparësi, sikurse pohon vetë gjykata, (Duke qenë se padia kishte karakter të ngutshëm ( kërkohej nga pala paditëse – kompania e naftës- sigurimi i padisë), Gjykata me datë 18.10.2012 pasi vlerësoi të drejtë kërkimin e palës paditëse se në rast se autoritetet tatimore do të ekzekutonin aktet administrative  të DPT-së, do i shkaktohej një dëm i pazëvendësueshëm dhe i parikuperueshëm, vendosi për marrjen e masës së sigurimit të padisë duke pezulluar e ekzekutimit të DPT-së, deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor.

     Absurditeti i Bankers Petroleum Albania LTD për të anuluar gjobën 20 milionë euro

      Bankers Petroleum AlbaniaLTDkërkon që të zhvlerësojë gjobën prej 20 milionë euro që DPT-ja i ka vendosur për kontrabandën që i ka kapur, pas 26 qershorit 2012, kur iu dha autorizimi që të importonte naftë na akcizë e taksa, duke u mbështetur në një interpretim të ligjit “Për akcizën”, e cila që nga 2 .10.2012, e drejta e kontrollit i kalon Autoritetit Doganor dhe jo DPT-së. Ja argumenti ligjor i Bankers Petroleum Albania LTD, për të anuluar gjobën e 20 milionë euro, për kontrabandën që ushtroi me naftën. “Vendimi nr.21815/1 prot. dt. 12.10.2012 i Drejtorisë së Apelimit

    Tatimor janë akte absolutisht të pavlefshëm dhe si të tillë nuk prodhojnë pasoja ligjore, në bazë të ligjit nr.61/2012 ”Për akcizat”, duke filluar nga data 01.10.2012 administrimi i akcizës do të bëhet nga administrata doganore.” Absurditeti i Bankers Petroleum AlbaniaLTDme akrobaci ligjore, në padijen e saj ndaj DPT-së, i është shmangur thelbit të gjobës 20 milionë euro që i ka vënë DPT-ja për kontrabandën e naftës, por i referohet se të drejtën e vendimmarrjes, pas 3 tetorit, nuk e paska më DPT-ja, por Autoriteti Doganor.

    Gjykata legjitimon kontrabandën e naftës, me vendimin e saj

    Gjykata, për çudi, nuk shqyrton fare thelbin e kontrollit të ushtruar nga DRT-ja në Bankers Petroleum Albania, e cila është sasia e madhe e naftës e tregtuar si kontrabandë në tregun shqiptar, shmangia e përdorimit të sasive të naftës jashtë destinacionit që ligji e ka autorizuar të përdorë pa akcizë. Kjo është pjesa e dyshimit në gjykimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Tiranës. Kjo gjykatë, iu shmang qëllimisht të gjykuarit nëse sasia e naftës që u kap gjatë ushtrimit të kontrollit, përdorej brenda parametrave që parashikon ligji “Për akcizën”? Nuk përbën as paaftësi gjykimi nga gjyqtarët dhe as një element i rastësishëm, i parëndësishëm, që nuk u mor parasysh. Gjoba prej 20 milionë euro, nga DPT-ja pikërisht ishte vendosur për kontrabandën e naftës. E dyta. Kohëushtrimi i kontrollit është shumë kohë para nga 3 tetori i 2012-s, ku në bazë të ligjit të ri “Për akcizën”, e drejta e ushtrimit të kontrollit i kalon Autoritetit të Doganës dhe jo DPT-së. Ndaj, DPT-ja ka të gjithë të drejtë ligjore që të japë gjobën e parashikuar në ligj për kontrabandën e naftës. Së treti, Bankers Petroleum Albania, në padinë e saj, si bazë ligjore, nuk argumenton asgjëkundi, që gjithë sasinë e importuar dhe të përjashtuar nga akciza dhe taksat e ka përdorur ekskluzivisht në shpimin e puseve, që të rrëzojë ligjërisht vendimin e DPT-së për gjobën.  Gjykata nuk mori mundimin që të trajtonte çështjen në gjykim mbështetur në mbrojtje të ligjit për kontrabandën, por njëanshmërisht, gjykoi vetëm atë çfarë kërkonte Bankers Petroleum Albania, duke lënë shumë dyshime në vendimin e saj. Kështu, gjykata e përbërë nga Flamur Kapllani, Enkelejda Metaliaj ( Softa), Manjola Bejleri, arriti në konkluzionin se, “ u provua se, akti administrativ Njoftim Vlerësimi për detyrimet nr.17109/4 Prot datë 04.10.2012, është nxjerrë nga organi jokompetent.  Konkretisht, Gjykata arrin në këtë konkluzion duke u bazuar në ligjin nr.61/2012 ”Për akcizat”, i cili vërteton faktin se duke filluar nga data 01.10.2012 administrimi i akcizës do të bëhet nga administrata doganore.

    Pyesim gjykatësit. Ju intereson më shumë  fakti se, akti administrativ i gjobës 20 milionë është nxjerrë nga një organ jokompetent, apo ju shqetëson kontrabanda e ezauruar e sasive të mëdha të naftës? Akciza e  taksat e papaguar, nga sasia e naftës e tregtuar për qëllime të tjera nga ato që parashikon ligji, nga  Bankers Petroleum Albania, ju intereson juve zoti gjyqtarë, derisa arrini në konkluzionin që akti administrativ është marrë nga një organ jokompetent?

    Po Autoriteti Doganor, përse hesht?

    Në këtë ndërkohë që rrjedh nga data 3 tetor 2012 e në vazhdim, ku e drejta e ushtrimit të kontrollit dhe kompetencat i ka tashmë Autoriteti Doganor, ky institucion a ka ushtruar kontroll për të shmangur kontrabandën e naftës? Janë bërë publike edhe rasti i kapjes të 200 tonëve me naftë në Fier, por nuk është bërë publike hollësitë e tjera,   skemat se si është bërë kontrabandë kjo naftë, cilët janë dhe a është sasi nga nafta që importon e vetmja kompani që ka monopolin e natës pa akcizë në Shqipëri? Apo, mos vallë heshtja e Autoritetit Doganor, do të thotë që në Shqipëri, tashmë nuk qarkullon kontrabandë asnjë kile naftë?

      Ja pse Departamenti Amerikan i Shtetit ka të drejtë për kontrabandën në Shqipëri

     Kontrabanda e naftës po vijon të zhvillohet edhe hapur në Shqipëri. Produkti futet lirshëm në pikat doganore si nevojë e kompanisë Bankers Petroleum, me pretendimin se ajo e përdor për puset e shpimit të naftës. Duke qenë se, për këtë, “Bankers” ka  përfituar nga qeveria shqiptare, heqjen e akcizës dhe përjashtimin nga  çdo taksimi. Nafta që hyn, sipas disa të ndaluarve kohët e fundit është shpërndarë edhe  në pikat e një prej kompanive të karburantit. Gjithçka është në njëfarë mënyre e dokumentuar nga një vendim i Gjykatës së Tiranës, e cila ka trajtuar rastin e ankimimit që kompania Bankers Petroleum ka bërë, për heqjen e një gjobe të marrë nga Drejtoria e Tatimeve. Një vendim i Gjykatës së Tiranës, ka rrëzuar një vendim për gjobë që Drejtoria e Tatimeve i vuri kompanisë Bankers, për një abuzim që bëri me përdorimin e naftës D2. “Bankers” argumentoi se lënda e parë që shërben për të vënë në punë pajisjet e shpimit, nuk duhet të hyjë me akcizë, çka është e mbështetur edhe nga një VKM. Organet kompetente ia plotësuan këtë kërkesë. Por lënda e parë, pra D2, vetëm në një sasi të vogël përdorej nga “Bankers”, sepse më pas, futej në treg e pa taksuar. Pas një kontrolli të eksperteve të tatimeve, u konstatua diçka e tillë dhe u morr masa e gjobës. Këtë çështje “Bankers” e çoi në Gjykatë dhe në shkallën e parë e fitoi. Por gjykata nuk kundërshtoi shkeljen, por u mor me procedura. Vendimi i  gjykatës, me shumë djallëzi nga ana e gjyqtarëve i është larguar thelbit të çështjes, duke u përqendruar në procedura. Ideja është që gjoba të mos paguhet, edhe pse është në një shumë të konsiderueshme dhe që kap vlerën e afro 20 milionë dollarëve.

    Vendimi i gjykatës ndryshe përkthehet kështu: Nafta D2 hyn pa akcizë, pa taksa dhe shpërndahet nëpër pika karburanti. Sipas të dhënave operative të zyrës së tatimeve, dhe deklaratave të disa të ndaluarve  gjatë këtyre periudhave në këtë “çështje” janëë përfshirë edhe kompani karburantesh”, kompania Bankers Petroleum, Drejtoria e Doganave dhe segmente të policisë që nuk ndërhyjnë. Çështja tani është në Gjykatën e Apelit. Një prej kompanive që është e vetmja që ka të drejtën e futjes së naftës D2 në Shqipëri (vërtetohet lehtësisht në Drejtorinë e Doganave ose në AKBN). Destinacioni kryesor është shitja e saj në pikat e karburantit, duke shfrytëzuar kompaninë “Bankers”, e cila me vendim të posaçëm, përjashtohet nga akciza për këtë produkt, pasi e përdor për qëllime të shpimit të puseve (shpjegimi tek vendimi i gjykatës). Me këtë pretendim, pra që i shkon “Bankers”, nafta shitet në tregun vendas, ndërkohë që “Bankers” rregullon dokumentacionin sikur sasia i duhet asaj.

    Kjo kompani ka futur vetëm në dhjetor 2012, një sasi prej 24 mijë ton D2 dhe çdo ditë shet në pikat e karburantit 400 ton nën mbikëqyrjen e policisë.

     Me pak fjalë, skema funksionon kështu: Kompania e karburanteve bën letrat sikur ia çon “Bankers”-it sasinë e D2 dhe sasinë e kalon nga dogana. Nafta D2 depozitohet tek depot e një privati në Fier, dhe prej këtej shpërndahet në pikat e karburantit, por gjykata e apelit është ajo që do vendosë përfundimisht drejtësinë. Vetëm këto 10 ditë janë bllokuar rreth 6500 ton naftë kontrabandë pa akcizë duke i shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 6 milionë eurosh dhe qindra makina të shkatërruara nga karburanti jashtë cilësisë dhe normës. Këtu s’po merremi me mjedisin dhe sëmundjet kancerogjene për qytetarët, pasi do i trajtojmë më vonë. Pra për këtë sasi, nuk paguhet as akcize, as taksë doganore, as taksë qarkullimi dhe as taksë karboni. Nga kjo skemë, shteti humbet rreth 20 milionë euro në muaj.

    Rasti është thuajse identik me skemën e përdorur pak kohë më parë për naftën “Virgin”. Në ditët në vijim do zbardhen raportet e AKBN, KLSH-së dhe doganave të shteteve fqinjë dhe ato të rajonit për sasinë e naftës D2 që është importuar për llogari të shtetit shqiptar dhe sa kanë harxhuar karburantet dhe firmat shqiptare  mbi bazën e tatimeve të deklaruara.