Gjykata “luan futboll” me dosjen e pronave në Kavajë

618
Sigal

Prokuroria e Kavajës pretendon se ka kryer hetime të mjaftueshme për të çuar në gjyq 9 të akuzuar për tjetërsimin e 36 hektarëve në bregdetin e Spillesë, por gjykata i cilësoi hetimet të paplota dhe shtyu me tre muaj fillimin e procesit, ndërsa në të njëjtën kohë lehtësoi masat e sigurisë për të akuzuarit.

Elton Qyno

Prokuroria i mbylli hetimet dhe kërkoi të dërgonte për gjykim në korrik të këtij viti dosjen kundër 9 të akuzuarve për tjetërsimin e pronave në bregdetin e Kavajës, por gjykatësi i seancës paraprake Paulin Çera e ktheu dosjen pas për plotësime. Ndërsa akuza e përfaqësuar nga Gentjan Habazaj pretendonte se kishte prova për të çuar në gjyq të dyshuarit të akuzuar për “shpërdorim detyre në bashkëpunim” dhe “falsifikim dokumentesh”, gjykatësi Çera i cilësoi hetimet të paplota dhe kërkoi kryerjen e disa veprimeve hetimore, përfshi akte ekspertimi për falsifikimin e disa dokumenteve. Vendimi shtyu fillimin e procesit gjyqësorë për në tetor të këtij viti, por seanca gjyqësore për të vlerësuar hetimet shtesë të kryera është shtyrë për në 7 nëntor. Ndërkohë në të njëjtën kohë gjykatësi për vlerësimin paraprak, lehtësoi masat e sigurisë për 7 të pandehur, ndërsa i kishte lënë detyra prokurorisë për rihetimin e tyre. Burime nga prokuroria e Kavajës i thanë BIRN, se vendimi për shtyrje të procesit bëhej për të zvarritur çështjen. “Gjykatat janë duke luajtur futboll me këtë çështje, pasi prej muajsh zvarrisin procesin me argument të ndryshme, duke mos lejuar çeljen e gjyqit në themel”, i tha BIRN një prokuror duke kërkuar të mos identifikohej. Prokuroria cilësoi si problem lirimin e të arrestuarve. Ajo apeloi vendimin për masat e sigurisë, dhe për katër nga të liruarit vendimi i Çerës u rrëzua në Gjykatën e Apelit, e cila i riktheu ata në masë arresti me burg. Nga të arrestuarit në nëntor 2017, Seit Cikalleshi, ish-drejtues i Hipotekës së Kavajës, Ilir Kaja dhe Andi Gjeçi janë lënë me masë sigurie arresti në shtëpi nga Apeli. Ndërkohë për Nezir Leçinin, ish-shef i zyrës së Kadastrës, Dritan Kazazin, Aldo Kilën, si dhe Agron Xhelezin, ish-kryetar i komisionit të ndarjes së tokave – të liruar nga Çera pas shtyrjes së afateve të hetimit, Apeli vendosi të riktheheshin në qeli. Në burg është po ashtu Asim Arkaxhiu, ndërsa Aida Gjoci është pa masë sigurie. Të akuzuarit nuk kanë pranuar fajin dhe kanë kërkuar që akuzat ndaj tyre të pushoheshin. Ata po ashtu kërkuan gjykim të shkurtuar, pa kontestuar ligjshmërinë e provave të prokurorisë.

Tjetërsimi masiv i bregdetit

Çështja ndaj Cikalleshit dhe të arrestuarve të tjerë filloi në nëntor të vitit të kaluar, kur prokuroria pas hetimeve 2 vjeçare kërkoi arrestimin e 11 personave, nga të cilët për 9 kërkohet gjykimi. Hetimet zbuluan një skemë tjetërsimi e cila kishte transferuar prona publike në bregdet përmes shit-blerjeve të dyshimta nga banorë të zonës, te të afërm të drejtuesve të pushtetit lokal përfshi ish-kryebashkiakun e Kavajës Elvis Roshi. Emri i Roshit sidoqoftë nuk del në kërkesën për gjykim të prokurorisë dhe nuk është e qartë nëse u bënë hetime në këtë drejtim. Në të njëjtën kohë një tjetër dosje për abuzim me pronat në bregdetin që administrohet nga Bashkia e Rrogozhinës e të njëjtës prokurori, “u sfumua” së fundmi nga një vendim i Gjykatës së Kavajës. Gjykatësja Diamela Goxha gjatë vlerësimit paraprak vendosi që të pushonte në tetor akuzat ndaj biznesmenit Idlir Karkini, i akuzuar për pastrim parash dhe kryebashkiakut të Rrogozhinës, Beqir Nuredini i akuzuar për “shpërdorim detyre”. Formula e tjetërsimit të bregdetit dhe pyjeve pranë tij duke falsifikuar dokumente që e bëjnë atë tokë bujqësore dhe më pas duke e ndarë e fiktivisht te fshatarë të zonës bazuar në ligjin 7501 e më pas transferuar te të tretë përmes shitblerjeve po fiktive, është mjaft e njohur në vend. Qindra hektarë tokë mendohet se janë tjetërsuar në këtë formë nga Shkodra në Vlorë. Deri tani prokuroria ka hapur disa procese, përfshi një të filluar së fundmi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda pas arrestimit të ish-deputetit të Partisë Socialiste Arben Ndoka dhe disa të afërmve e bashkëpunëtorëve të tij, që akuzohen se kishin krijuar grup të strukturuar kriminal për përvetësimin e pronave në zonën e “Ranës së Hedhun” në Lezhë. Po në Lezhë prokuroria kërkon gjykimin e kryebashkiakut të Partisë Demokratike Fran Frrokaj dhe disa zyrtarëve të tjerë lokalë. Çështje të ngjashme janë nisur në Shkodër dhe Vlorë ku prokurori pretendon se janë tjetërsuar qindra hektarë në Karaburun, Nartë, Zvërnec e zona të tjera të lakmuara bregdetare.

Kërkesa për gjykim

Duke pretenduar se kishte kryer hetime të mjaftueshme, pasi kishte sekuestruar një sërë dokumentesh dhe marrë dëshmitë e 61 personave, përfshi edhe kreun e Këshillit të Qarkut të Tiranës Aldrin Dalipi, prokuroria i kërkoi gjykatës në korrik të kalonte çështjen në gjykim. Ajo akuzoi një sërë ish-drejtuesish lokalë të Hipotekës dhe pushtetit vendorë për “shpërdorim detyre në bashkëpunim” dhe “falsifikim dokumentesh”, Seid Cikalleshin, Andi Gjeçin, Dritan Kazazin, Asim Arkaxhiun, Ilir Kajën dhe Nezir Lecinin. Aida Gjoci dhe Aldio Kila u dërguan për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, ndërsa Agron Xhelezi akuzohet për falsifikim dokumentesh. Në kërkesë prokuroria thotë se ishte provuar abuzimi dhe tjetërsimi i pronave publike. Një provë e përmendur nga prokurori ishin një sërë vendimesh gjyqësore civile me objekt “pavlefshmëri akt për po në të njëjtën zonë dhe në të njëjtat parcela përkatëse, të paditura nga Këshilli Qarkut”. Sipas prokurorisë vendimet civile kishin provuar kundraligjshmërinë e këtyre tjetërsimeve. Po ashtu janë administruar 61 dëshmi ku identifikohen personat e akuzuar si të përfshirë në tjetërsimin e pronave. Sipas kërkesës për gjykim dëshmitë e marra përkojnë me dokumentet e prodhuara nga të akuzuarit, të cilët tjetërsonin pronën duke e vendosur në emra banorësh të tjerë. Siç del nga dëshmitë shpesh të tretët, nuk kishin dijeni për veprimet e kryera në emrin e tyre. Në një rast R. Kaja i tha prokurorisë se ai nuk kishte dijeni për veprimet e kryera në emër të tij. Kaja tha se ishte i paralizuar, ai kishte firmosur në mirëbesim me kërkesë të të afërmit të tij Ilir Kaja në letra të bardha për të regjistruar 1100 metra tokë që i kishte para shtëpisë, por që sipas prokurorisë në emër të tij ishin bërë transaksione të tjera. Dëshmitari tregoi prokurorisë se jetonte në varfëri ekstreme dhe se nuk kishte para për të kryer një operacion, duke provuar se transaksionet nuk ishin kryer prej tij. Në një rast tjetër një dëshmitarë i tha prokurorisë se i akuzuari Agron Xhelezi i kishte premtuar tokë në këmbim të ndihmës në fushatë elektorale, por ai thotë se megjithëse firmosi dokumentet nuk mësoi asnjëherë se çfarë ndodhi me tokën që iu premtua. Sipas prokurorisë në emër të këtij personi ishin regjistruar rreth 8 mijë metra katrorë tokë në dy fshatra. Prokuroria thotë se në disa raste gjeti se Seit Cikalleshi, që ishte në këtë kohë drejtues i Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, kishte marrë vendime të ndryshme në lidhje me aplikime të ngjashme. Në kërkesë për gjykim prokuroria pretendon se ka vërtetuar që Cikalleshi kishte firmosur dhe regjistruar tjetërsime duke pranuar konfirmime që vinin brenda dy ditësh, kur këto ishin nga grupi i personave të arrestuar, ndërsa në raste të tjera aplikime për sipërfaqe prone në të njëjtën zonë me të njëjtin numër parcele ishin refuzuar sepse ishin “ranore”. Përkundër pretendimit të prokurorisë Cikalleshi thotë se nuk kishte qenë detyrë e tij të verifikonte nëse dokumentet e ardhura nga Këshilli i Qarkut ishin të vërteta apo jo.Në tërësi prokurori Gentjan Habazaj pretendon se ka vërtetuar akuzat për të 9 të pandehurit.

Vendimi i gjykatës

Në korrik, kjo kërkesë për gjykim të cilën BIRN e disponon, iu dërgua gjykatësit Paulin Çera për të bërë vlerësimin paraprak. Çera e hodhi poshtë kërkesën e prokurorisë. Në vendimin e gjykatësit Çera të akuzuarit kërkojnë pushimin e çështjes, duke pretenduar se nuk ishin fajtorë për akuzat e ngritura. “Të pandehurit nuk mbajtën qëndrim pohues ndaj akuzave dhe kërkuan pushimin e tyre”, thuhet në vendimin e gjykatës. Në vendim del po ashtu se në kërkesën për gjykatën të pandehurit kërkuan gjykim të shkurtuar, duke mos pasur pretendime për ligjshmërinë e provave. Por megjithëse formalisht palët, prokuroria dhe të akuzuarit, ishin dakord që çështja të shkonte në gjykim, gjykatësi vendosi në korrik të rihapeshin hetimet. “Hetimet e kryera në kuadër të këtij procedimi penal janë të paplota. Nuk ka prova të mjaftueshme”, thuhet në vendimin e gjykatësit Çera. Ai po ashtu tha se nuk mund ta pushonte çështjen pasi argumentet “për të pushuar çështjen”, nuk ishin të mjaftueshme. Sipas gjykatësit duhet të qartësoheshin akuzat në ngarkim të të pandehurve dhe aktet ligjore që kanë shkelur. Çera shprehet në vendim se “prokuroria kërkon të provojë akuzën e falsifikimit pa akt ekspertimi po mbi deklarime të personave të ndryshëm”. Në vendim ai urdhëroi prokurorinë të kryente hetime të tjera si akt ekspertime për AMTP, firmat e të akuzuarve dhe vulën e përdorur. Po ashtu gjykatësi kërkoi të verifikoheshin pretendimet e të pandehurit Nezir Leçini lidhur me gjykimin e vitit 2011. Leçini është dënuar njëherë më parë për çështje me akuza të ngjashme. Ai po ashtu kërkoi që disa nga të akuzuarit të ballafaqoheshin me njëri-tjetrin dhe veprime të tjera. Gjykatësi shprehet gjithashtu se “duhet të ishin kryer përgjime ambientale të të gjithë të arrestuarve me qëllim identifikimin e saktë të çdo personi të përfshirë”, duke vënë në dyshim punën e prokurorisë. BIRN