Gjuta mohon tritolin te farmacia e Tahirit, i gjendet pistoletë e larë në flori

472
Vladimir Gjuta mohon vendosjen e tritolit në farmacinë e babait të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri me 10 shkurt të këtij viti.
Ndërsa është marrë në pyetje prej mesnatës deri sot në mëngjes, 19 qershor nga krerët më të lartë të policisë së shtetit, përfshi vetë Drejtorin e Përgjithshëm Haki Çako, zv/drejtorin e Përgjithshëm të Policisë në seksionin e Krimeve të Rënda Ardian Çipa dhe Zv.Drejtorin e Pergjithshem të Policise Altin Qato, Gjuta nuk ka pranuar akuzat e ngritura ndaj tij.
Në vijim ai pritet të merret në pyetje edhe nga dy prokurorë të Krimeve të Rënda.
35-vjeçari Gjuta, njeriu që dyshohet se qëndron jo vetëm pas tritolit në farmacinë e familjes Tahiri, por edhe kërcënimit me jetë të Ministrit të Brendshëm u arrestua dje pranë tunelit të Kalimashit, në një operacion të forcave speciale RENEA.
Sekuestrohet pistoleta e larë në flori
Në momentin e arrestimit u sekuestrua dhe një armë tip glog të personalizuar dhe e larë në flori si dhe një silenciator. Mësohet se Gjuta po shkonte nga Tirana drejt Kukësit. Ka qenë përgjuesi që policia kishte vendosur disa ditë më parë në lokalin e tij që ka ndihmuar në arrestimin e tij.
Gjithashtu mësohet se së bashku me policinë angleze ka nisur kontrolli I të gjithë pasurive të Gjutës, pasi dyshohet se ka kryer aktivitet kriminal dhe atje.
arma dhe silenciatori i vladimir gjutes
Vladimir Gjuta dhe armet e sekuestruara
Arrestimi i Gjutes 
Vladimir Gjuta u kap në mjetin me targa të Kosovës Rks 04 540 EP ku udhëtonte si pasagjer pasi në drejtimin e tij ishte Blerim Thaçi 32 vjeç nga Prizreni.
Bashkë me ta në një makinë të dytë më targa AA 169 JG udhëtonte edhe Indrit Ademi 26 vjeç nga Kukesi. Në momentin e prangosjes, Gjutës iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 950 euro, 45 mijë lekë dhe 6 celularë.
Mësohet se policia kishte marrë informacion në rrugë operative për lëvizjet e njeriut të supërkërkuar dhe mbi bazë është ndërmarrë edhe operacioni i specialeve.
Nën masa të rrepta sigurie, Gjuta është sjellë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ku është mbyllur në dhomat e paraburgimit.
Sigal