Gjon BRUÇI/ Përse u turpëruan pushtetarët në Labinot?!

716
Sigal

Ndonëse nuk ishte një përvjetor i plotë, pushtetarët qendrorë dhe ata vendorë kishin planifikuar ta kremtonin 71 vjetorin e Formimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Partizane Nacionalçlirimtare pikërisht aty ku ndodhi kjo ngjarje historike, në Labinot të Elbasanit. Dhe me të drejtë kjo, sepse në kuadrin e 70 vjetorit të Çlirimit të Atdheut, të gjitha evenimentet që kurorëzuan Epokën e Lavdishme të Luftës Çlirimtare duhet të festohen jo vetëm me ceremoni, por edhe me madhështinë e duhur.
Ishte kjo arsyeja që në datën 10 korrik rreth shtëpisë së Bahollajve në Labinot Mal të Elbasanit ishin grumbulluar e po festonin ditën e shënuar të krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare, veteranë, të rinj e të reja të zonës e më tej dhe banorë të Labinotit që këtë datë e kanë festën kryesore të tyre. Midis tyre gjendeshin komunistët e Elbasanit e të Librazhdit, që së bashku me shokët drejtues të Partisë Komuniste të ardhur nga Tirana, e kishin “ndezur” vendin me qendrën e tyre të zërit e cila shpërndante shpatit të malit këngët e famshme partizane.
Komunistët, me të drejtën e autorësisë së kësaj datë historike të një vendimi kulmor të LANÇ, pasi vendosën një portret të madh të Komisarit të Shtabit të Përgjithshëm e më vonë Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare mbi piedestalin, ku 24 vjet më parë kishte qenë shtatorja e tij, u futën mes popullit dhe me flamurin kombëtar, atë të Partisë Komuniste dhe portretet e Komandant Enver Hoxhës në duar, hoqën vallen aty në sheshin para ndërtesës ku 71 vjet më parë do të shënohej në kalendarin e Luftës Çlirimtare një nga ngjarjet më pikante të saj.
Deri këtu, ecuria e manifestimit të kësaj date ishte në hullinë e vet. Madje edhe kur nisi mitingu, drejtuesit e pushtetit vendor e veçanërisht ata të komitetit të Veteranëve të LANÇ për rrethin e Elbasanit, ftuan kryetarin e Partisë Komuniste shokun Qemal Cicollari të zinte vend në tribunë dhe të përgatitej për të thënë fjalën në emër të komunistëve. Por me ardhjen e të deleguarve nga Tirana, retë e borgjezisë tentuan të dalin në horizont për të prishur ditën e bukur plot diell e shkëlqim. Njëri nga të dërguarit e qeveritarëve na kërkoj ne komunistëve të largonim fotografitë e Enver Hoxhës!!! Po si mund të largonim Fotografinë e Atij që organizoi, zhvilloi, e drejtoi atë eveniment të rëndësishëm të luftës dhe jo vetëm atë? Po Ai, u thamë ne të dërguarve, e ka vendin në krye të Sofrës more zotërinj. . . Dhe me brohoritma për Udhëheqësin fitimtar të LANÇ, për Legjendarin Enver Hoxha dhe Partinë Komuniste, ne i ngritëm akoma më lart flamujt tanë dhe Portretin e Shqiptarit më të madh të të gjitha kohërave!
Nisën fjalimet e pushtetarëve. Asnjë fjalë për Partinë Komuniste dhe udhëheqësin e saj të lavdishëm Enver Hoxha. A thua se Konferenca e Labinotit u bë vetvetiu nga fryma e shenjtë. Fjalime të zbehta, fjalime të menderosura që as nuk ndiznin e as nuk shuanin, siç thotë populli. Deri sa e mori fjalën kryetari i Partisë Komuniste. Zëri i Komunistit, që ishte zëri i së vërtetës, ushtoi nga ajo tribunë e thjeshtë por e nderuar, duke ndezur duartrokitjet dhe ovacionet e të pranishmëve…
Pushtetarët dhe qeveritarët, që nuk e prisnin këtë reagim, me kokat mes shalëve zbritën nga tribuna dhe ndërsa Kryetari i PK shoku Qemal Cicollari ligjëronte për të vërtetat e historisë, ata ikën drejt Benzave që i kishin sjellë nga kryeqyteti sa për të “larë gojën” në këtë ngjarje kombëtare, historinë e së cilës disa prej tyre ndoshta nuk e dinin. Turpi i tyre u evidentua akoma më shumë, kur asnjëri nga të pranishmit, asnjëri nga ata që kishte mbushur sheshin para tribunës nuk lëvizi nga vendi, por vijoj të dëgjojë e duartrokasë fjalën e kryetarit të Partisë Komuniste. Pamjet e televizionit që i filmoi, sikur të jepeshin, do ta vërtetonte këtë që po them unë.
Ikën të zemëruar e të turpëruar pushtetarët dhe zyrtarët nga “akti” i komunistëve. Pse, ç’bënë komunistët xhanëm? Komunistët e Luftës me Kryekomunistin e madh Enver Hoxha bënë jo vetëm Konferencën e Labinotit, por të gjitha evenimentet e ngjarjet historike të pesë viteve të Luftës së Madhe. Bënë mbi të gjitha Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, Epopenë më të lavdishme të popullit tonë në shekuj. Atëherë, përse u turpëruan pushtetarët dhe qeveritarët aktualë, kur këtë vepër reale po e risillte në memorien e kohës përfaqësuesi i komunistëve?
Jo! Pushtetarët e qeveritarët aktualë nuk u turpëruan dhe ikën vetëm nga fjala e vërtetë e komunistëve. Ata u turpëruan dhe ikën me bisht ndër shalë, sepse pas mitingut, u duhej që së bashku me të pranishmit të vizitonin mjediset e ndërtesës historike ku u zhvillua ajo Konferencë e famshme. Po, si të hynin e ku të hynin në ndërtesën historike? Në odat e saj të mëdha nuk ka mbetur asnjë shenjë nga ajo data historike e 10 Korrikut 1943. Madje dhe vetë ndërtesa është katandisur në pikë të hallit, sa mezi mbahet në këmbë. Jo vetëm portretet e Enver Hoxhës, por as ato të Spiro Moisiut, komandantit të Shtabit në fjalë nuk mund t’i hasësh. Dhe të mos harrojmë se Spiro Mosiu nuk është quajtur asnjëherë diktator nga pushtetarët e “demokracisë”. Madje të birin e tij, Alfred Moisiun, e vunë nja pesë vjet edhe në krye të shtetit, si president. Por ky i fundit, i okupuar me “punët e kryetarllëkut” nuk arriti të vinte asnjëherë tek shtëpia ku i ati përmes flakëve të luftës çlirimtare së bashku me Enver Hoxhën kishin formuar Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Partizane, njëqind fish më të fuqishëm e më të organizuar se “Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së sotme shqiptarë të Natos!.
Pushtetarët dhe qeveritarët e ardhur nga Tirana, u turpëruan dhe ikën me bisht ndër shalë, sepse ndonëse i kaluan 300 ditët e qeverisjes, nuk kanë arritur të riparojnë qoftë dhe një Lapidar Dëshmori, megjithëse premtuan se do të riparojnë të gjitha simbolet e LANÇ.  Komisioni i “famshëm” që ata ngritën për festimin e 70 vjetorit të Çlirimit të Atdheut, siç po shihet do të përfundojë në relike të serisë së mashtrimeve të pushtetit borgjez, i cili në palcë të tij nuk ka çështjet e popullit dhe të historisë së tij, por vetëm çështjet e fitimit e pasurimit me çdo mjet e mënyrë. Edhe organizimi i tubimeve për ngjarjet e LANÇ janë mashtrime të ngjashme me mashtrimet elektorale për rilindje e ringjallje, të cilat pas sigurimit të kolltukut qeveritar, kthehen në dështime e rivdekje.
Zëvendësministri i mbrojtjes që kryesonte të deleguarit e Tiranës në Labinot, me sa di ka qenë një gazetar e opinionist i flaktë. Opinionet e tij për shumë probleme kanë qenë goditëse për elitën borgjeze në pushtet e në politikë. Por tani që u bë pjesë organike dhe mekanike e këtij pushteti, duket është konvertuar në të kundërtën e asaj që predikonte.
Nuk i vë asnjë faj! Po u bëre pjesë e sistemit borgjez, do ta hedhësh vallen sipas melodisë së atij sistemi. Dhe melodia e sistemit borgjez nuk është melodi për popullin, nuk është melodi për Shqipërinë, por melodi për horrat dhe antishqiptarët.
Në mbyllje të manifestimit, jo vetëm komunistët, por edhe plot veteranë dhe të rinj, takuan nënë Sabrie Plakun, një grua e fisme, e cila për 24 vjet rresht ruan me fanatizëm Shtatoren e Komandantit. Kur borgjezët u restauruan në pushtet dhe filluan shkatërrimin e gjithçkaje të LANÇ-it e të socializmit, Sabrie Plaku u mundua të ruante Shtëpinë e madhe dy katëshe të Konferencës së Labinotit. Në pamundësi për të ruajtur eksponatet e odave të saj, ajo mori e fshehu në një cep  Shtatoren e Komandantit që vandalët e shembën nga piedestali dhe po bëheshin gati të zhvatnin për interesa fitimi. Nënë Sabria nuk i la. E mori “Komandantin”, për të cilin i kishin folur me zjarr prindërit e saj që e kishin njohur në Luftë, dhe e mbuloj në një qoshe të shtëpisë së saj. Tani e ka vendosur në bodrumin e ndërtesës historike dhe e ruan si gjënë më të shtrenjtë të jetës së saj.
Shtetarët që erdhën nga Tirana do të turpëroheshin akoma më shumë po të takoheshin më këtë grua kurajoze. Dhe jo vetëm ata, por të gjithë shtetarët e politikanët aktualë shqiptarë do të turpëroheshin para kësaj gruaje të thjeshtë por tepër fisnike. Do të turpëroheshin sepse ajo nuk ka ruajtur e nuk ruan thjeshtë një Shtatore, por ruan Historinë. Historinë më të lavdishme të popullit shqiptar. Epopenë e lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare!