Gjon BRUÇI/ Hipokrizi socialiste  për Luftën Antifashiste  Nacionalçlirimtare

    404
    Sigal

               Para disa ditësh, qeveria socialiste bëri të ditur fondin e veçantë për organizimin dhe zhvillimin e festimeve të jubileut të lavdishëm të 70-vjetorit të Çlirimit të Atdheut. Ky fond qesharak, bëhet akoma më shumë i tillë kur merr vesh se, për riparimin e simboleve, monumenteve dhe objekteve memorialë të kësaj lufte të lavdishme janë caktuar më pak se një e dhjeta e shumës së përgjithshme, ose e barabartë me atë që do të harxhohet për koktejin e pritjes së autoriteteve qeveritare. Në një kohë kjo kur, siç e dinë dhe e kanë pranuar edhe vetë pushtetarët socialistë, simbolet, bustet, monumentet dhe gjithë objektet e kujtesës së LANÇ-it janë shkatërruar e dëmtuar në të gjithë vendin nga histeria e “demokracisë” borgjeze.

                Partia Komuniste e Shqipërisë jo njëherë ka deklaruar se, politikanët dhe pushtetarët borgjezë shqiptarë, të spektrit të djathtë apo të majtë qofshin, jo vetëm nuk e kanë mbrojtur e nuk e mbrojnë Epokën e lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, por përkundrazi me mosveprimet dhe veprimet e tyre e kanë denigruar atë gjer në atë shkallë sa ta quajnë një luftë civile, e madje sipas ekstremistëve të djathtë, edhe pushtim e jo çlirim. Padyshim kjo urrejtje patologjike për LANÇ dhe personazhet e saj e ka bazën në faktin se ajo i privoi borgjezët, bajraktarët, feudalët, tregtarët e sojin e tyre të viteve dyzet dhe pinjollët e tyre të sotëm të gëzonin “parajsën nazifashiste”, së cilës i ishin bashkangjitur me shpresën se do të mbeteshin gjithmonë në krye të vendit si mëkëmbës e sejmenë të pështirë të  të huajve. Për fatin e tyre të zi LANÇ ju hoqi jo vetëm këtë “privilegj – sakrilegj”, por edhe të drejtën dhe mundësinë për ta përdorur Shqipërinë dhe trojet shqiptare si plaçkë tregu për interesat e tyre antikombëtare.

    Socialistët që sot kanë pushtetin, erdhën në këtë post drejtues me votat e 1 milion shqiptarëve, të cilëve, midis të tjerave ju premtuan të rivendosnin lavdinë e LANÇ-it, të nëpërkëmbur nga regjimi i Berishës, duke riparuar në të gjithë Shqipërinë simbolet e Luftës së Lavdishme antifashiste Nacionalçlirimtare. Por premtimi i tyre, pas marrjes së pushtetit erdhi duke u zbehur, duke u përcjellë me deklarata ekuivokë, me pikëpyetje e seleksionime të Luftës dhe personazheve të saj gjer tek injorimi që i bëri me Komisionin false qeveritar, i cili u ngrit gjoja për festimin e jubileut të 70 -vjetorit të Çlirimit të Atdheut, por që nuk ka filluar e nuk do të fillojë asnjëherë nga puna konkrete për realizimin e kësaj detyre.

                Komunistët asnjëherë nuk kanë patur iluzione për qëndrimet hipokrite të Partisë Socialiste, e cila kur është në opozitë vajton si krokodili për dëshmorët dhe Heronjtë e Atdheut dhe Luftën e madhe patriotike e çlirimtare që ata realizuan, por kur vjen në pushtet vepron si simotra e saj Partia Demokratike e cila gjatë qeverisjes së saj shkatërroi e përdhosi simbolet tona kombëtare. Qysh ditën e parë të qeverisjes, objekt prioritar i PS-së nuk ka qenë nderimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe personazhet e saj historikë, por rehabilitimi dhe shpërblimi i tradhtarëve dhe kolaboracionistëve të kësaj lufte, të cilët prej 24 vjetësh, falë dy partive borgjeze blu e rozë kanë marrë revanshin duke përmbysur gjithçka shqiptare e kombëtare që populli kishte ngritur e konsoliduar.  PKSH-ja me të drejtë ka përsëritur se të dy partitë kryesore politike PD e PS jo vetëm nuk janë përfaqësuese të vërteta të popullit shqiptar, por përkundrazi janë parti të fashistizuara gjer në thonj, duke e çuar shoqërinë shqiptare drejt krizës së thellë jo vetëm ekonomike, por edhe morale e shoqërore. Asgjë më tepër se prishjen e monumenteve që përbëjnë kujtesën kombëtare nuk do të bënin edhe pushtuesit nazifashistë po të ishin sot në vendin tonë. Ndaj veteranët dhe pasardhësit e tyre; familjarët dhe të afërmit e Dëshmorëve të LANÇ; gjithë qytetarët shqiptarë që u dhimbset identiteti dhe dinjiteti ynë kombëtar duhet të kuptojnë se kjo racë politikanësh borgjezë që kanë uzurpuar politikën dhe pushtetin në vendin tonë, janë vënë plotësisht në shërbim të anti-shqiptarizmës dhe me detyrën  mercenarit po punojnë për të shkatërruar Shqipërinë dhe kombin tonë duke e lënë atë pa histori, pa memorie dhe pa identitet.

                Kryetari i Partisë Komuniste Hysni Milloshi, njëri nga poetët më të spikatur shqiptar të fundviteve të shekullit të njëzet, në poemën “ATDHEU” pati shkruar:

                Të mos ishin Komunistët ti do ishe qyqe errur

                Të mos ishin komunistët ti do ishe varr i shkelur

                Të mos ishin komunistët s’do kish fare Shqipëri

                Rrënjëshkulur kombi ynë do të tretej, bëhej  hi!

                Kjo deklaratë e tij po vërtetohet në sistemin e sotëm borgjez, ku komunistët janë të ndaluar jo vetëm të drejtojnë, por edhe të kontribuojnë me përvojën e tyre gjysmëshekullore.

                A nuk ka mbetur sot Shqipëria si një qyqe e errur, me varre, lapidare e monumente të shkelur? A nuk po shkulen çdo ditë rrënjët e kombit tonë, duke shkuar drejt asimilimit si komb? Shihni situatën në të cilën ndodhet Shqipëria dhe do të na jepni të drejtë.

                Socialistët në pushtet, krahas mashtrimit me gjoja komisionin shtetëror të Festimit të 70 -vjetorit të Çlirimit, me fondin qesharak e tallës për riparimin e asaj që bashkë me demokratikasit prishën e rroposën për një çerek shekulli, nuk harrojnë të lëshojnë edhe direktivën sa djallëzore, aq dhe të poshtër, për mënjanimin e Figurës së Enver Hoxhës në festimet e parashikuara. Harrojnë këta mjeranë se Lufta e madhe Nacionalçlirimtare dhe Enver Hoxha nuk mund të mënjanohen e injorohen as me thirrjet histerike të demokratikasve, as me porositë nën rrogoz të socialistëve. Se që të mënjanosh e asgjësosh LANÇ të popullit shqiptar dhe Udhëheqësin e asaj lufte fitimtare, duhet të mënjanosh e asgjësosh gjithë Aleancën e Madhe Botërore kundër fashizmit, pjesëtare e denjë e së cilës ishin LANÇ-i dhe Gjenerali Enver Hoxha.

                Ne komunistët u  bëjmë thirrje Veteranëve e pasardhësve të veteranëve; familjeve dhe të afërmve të Dëshmorëve; qytetarëve shqiptarë që e duan vendin dhe kombin e tyre të mprehin vigjilencën, të hapin sytë, të shohin e të njohin farën e tradhtisë kombëtare që kanë mbjellë e mbjellin çdo ditë politikanët borgjezë të kapur tashmë nga armiqtë e përhershëm të Shqipërisë, dhe të bashkuar rreth idealit kombëtar t’i zbresim këta mercenarë nga karrigia e lartë e pushtetit, duke marrë vetë në dorë fatet e Atdheut. Kjo duhet bërë sa më parë, ndryshe, historia jonë e lavdishme kombëtare do të tregohet si përrallë.

    Dita e 29 Nëntorit 1944, 70 vjetorin e së cilës përkujtojmë këtë vit dhe personazhet e saj historikë janë kryelavdia e historisë së popullit shqiptar. Kush e nënvleftëson apo për më keq  i kundërvihet kësaj kryelavdie, ai nuk është shqiptar, por mercenar i shitur antishqiptar.

                Hipokrizia e pushtetarëve socialistë ndaj LANÇ nuk është gjë tjetër veçse një anti-shqiptarizëm i kulluar, ndaj duhet demaskuar pa mëshirë nga gjithë shqiptarët e vërtetë.

                Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ishte dhe do të mbetet një epokë e ndritur e historisë së shqiptarëve dhe nuk ka asnjë forcë regresive ta errësojë e mënjanojë atë. Ajo do të mbetet një gurë i provës së zjarrtë të shqiptarëve ndër shekuj, që për lirinë dhe pavarësinë e vërtetë derdhën lumenj të tërë gjaku.