Gjithçka duhet të dini për studimet master në Europë

    1536
    Sigal

    Veçoritë e studimit në vendet e  BE-së. Dokumentet, kostot dhe bursat për çdo program masteri

     

    Diskutimet me mësuesit tuaj, të njerëzve tashmë të punësuar në këtë fushë, madje edhe bisedat me shoqërinë do t’ju ndihmojnë për të sqaruar qëllimet tuaja, por edhe për të formuar një imazh më të plotë dhe real përsa i përket kërkesave të tregut të punës. Natyrisht informacioni i mëposhtëm do ju qartësojë kriteret mbi të cilat do të bazoheni për të zgjedhur programin master më të përshtatshëm. Por interesi juaj personal është një faktor i rëndësishëm që do t’ju japë stimuj dhe do t’ju ndihmojë gjatë procesit.

    E rëndësishme! Kualifikimi pasuniversitar do t’ju jap specializim në subjektin e studimeve tuaja dhe jo lejen e hyrjes në një profesion tjetër.

    -Kërkesat (Ç’është e rëndësishme për të zgjedhur)

    Kualifikimi pasuniversitar do t’ju jap më shumë aftësi në fushën që ju intereson dhe ju bën më konkurrues në tregun e punës. Frekuentimi i një programi master kërkon një bagazh njohurie mbi subjektin e zgjedhur si edhe një stimul të fortë për të mësuar dhe tu specializuar ne këtë subjekt. Me qëllim që te vazhdoni një program master përpiquni të mbani një mesatare të mirë notash në universitet, bazuar në konkurrencën ndërmjet kandidatëve dhe duke pasur parasysh vendet e kufizuara që ofrohen në një master program. Shumë programe pasuniversitare kërkojnë përkushtim ndaj subjektit, prandaj sigurohuni që jeni në gjendje të përfundoni kursin e tyre. Gjithashtu, gjatë procesit të paraqitjes së kërkesës ju duhet të vërtetoni që i keni kualifikimet e kërkuara dhe jeni në gjendje të angazhoheni plotësisht dhe për më tepër të demonstroni se ju keni qëllime të caktuara mbi të cilat u bazuat për këtë zgjedhje.

    Programi pasuniversitar mund të përfshijë një semestër studimesh jashtë vendit në një universiteti të rrjetit të tij të bashkëpunimit.

    -Studime pasuniversitare në BE

    Përpara se ju të zgjidhni një program master jashtë vendit, janë disa pika ku duhet të ndaleni dhe të merrni parasysh. Do ishte mirë të informoheni rreth këtyre programeve dhe në vazhdim t’i bëni disa pyetje vetes.

    Investigoni, cilat shtete disponojnë programet pasuniversitare me të mira në fushën e zgjedhjes suaj.

    -Sa kohë zgjat programi pasuniversitar?

    Çdo shtet, në bazë të sistemit përkatës arsimor mund të sigurojë studime pasuniversitare një ose dy vjeçare. Për informacion mbi sistemin arsimor në këto vende, për programet e tyre pasuniversitare, pagesat, koston e jetesës dhe bursat në dispozicion, mund të kontaktoni faqet e internetit të universiteteve dhe ambasadat e këtyre vendeve. Kini parasysh që shumica e shteteve kanë programe master në anglisht, që do të thotë se nuk është e nevojshme të njihni gjuhën e tyre zyrtare (nëse nuk është anglishtja gjithashtu).

    Disa vende të BE të tilla si Anglia mundësojnë banorët e vendeve të treta që jetojnë 5 vitet e fundit në një shtet të Bashkimit Evropian, të studiojnë me statusin e studentit të Bashkimit Evropian (Student Evropian) dhe jo si student Ndërkombëtar ( studentët të cilët vijnë nga një shtet jashtë Bashkimit Evropian), që do të thotë tarifa më të ulëta studimi në krahasim me një student ndërkombëtar dhe për më tepër të drejtën dhe të punojë. Sigurisht, secili universitet ka rregulloren e vet përsa i përket pranimit të një studenti që është emigrant në një shtet të BE, kështu që ju duhet të kontaktoni universitetet që ju interesojnë dhe të pyesni, për të qartësuar statutin me të cilin ju pranojnë.

    -Ju duhet, gjithashtu, të merrni në konsideratë

    Nëse diploma që do merrni njihet nga vendi juaj dhe cila është procedura për njohjen e këtyre diplomave në vendin e interesit tuaj?

    Si të përfitoni nga studimet tuaja duke u kthyer përsëri në vendin tuaj?

    Cilat janë kushtet për pranim në institucionet që jeni të interesuar?

    Çfarë dokumentacioni duhet të paraqisni gjatë kërkesës për pranim?

    Faqet e internetit të këtyre universiteteve dhe ambasadat e shteteve përkatës do t’ju japin përgjigje për këto pyetje. Duhen marrë në konsideratë të veçantë disa teste specifike që duhet të jepni gjatë kërkesës tuaj në disa vende (p.sh. për në SHBA duhet të jepni GRE, GRE subjekt në qoftë se jeni të interesuar në PhD ose GMAT nëse dëshironi të studioni për Ekonomi apo Shkenca Natyrore).

    -Në përgjithësi dokumentet që duan universitetet e huaja janë:

    TOEFL (maksimum 2 vite pas datës së marrjes) ose e IELTS-it

    2 Letra Rekomandimi

    Kopje të diplomave tuaja

    Vërtetim i detajuar i notave të universitetit ku jeni diplomuar

    Një raport që përshkruan se pse ju e zgjodhët këtë program.

    Plotësimi i aplikimit

    Kërkimi për programe pasuniversitare duhet të fillojë të paktën një vit e gjysmë më parë, sepse mund të duhet të mbroni një gjuhë të huaj ose te jepni një test të veçantë ose te aplikoni për përfitimin e një burse. Përveç kësaj, marrja e vizave apo pajisja me dokumente të tjera të rëndësishme “falë” proceseve burokratike mund të marrë kohë. Grumbullimi i të gjithë informatave të mësipërme është hapi i parë, por më e rëndësishme është që ju pastaj të redaktoni këto të dhëna dhe t’i përdorni ato për të përmbushur qëllimet tuaja.

    -Çfarë duhet të keni kujdes për një aplikim të suksesshëm

    E rëndësishme këtu është të mos lini detaje deri në momentin e fundit sepse për shkak të burokracisë ose të papriturave të ndryshme mund të humbisni afatin e aplikimit. Shumica e universiteteve kanë në faqet e internetit format e aplikimit, që ju mund të shkarkoni dhe më pas të plotësoni dhe redaktoni me kujdes. Të tjera universitete kanë aplikime on-line që është dhe mënyra më e shpejtë për të bërë kërkesën tuaj.

    -Bursat

    Informacioni për bursa nga universitetet mund të gjendet në faqet e internetit të universiteteve. Ka faqe të tilla me informacion për programet master në një shtet të veçantë, dhe aty do të gjeni edhe lista të burimeve të mundshme të bursave.

    -Kosto

    Kostoja e një programi pasuniversitar, në universitetet shtetërore varijon. Ka programe me pagesë, por ka dhe programe që ofrohen falas ose që ofrojnë bursa që mbulojnë pjesërisht ose plotësisht koston. Informacion i saktë për këto mundësi mund të merret nga sekretaritë e universiteteve përkatëse, merrni një udhëzues studimi në mënyrë që të qartësoni  plotësisht procesin në lidhje me zgjedhjen e studenteve, me kurset e ofruara dhe me mundësitë e rehabilitimit profesional pas përfundimit të studimeve. Disa nga Institucionet Private arsimore ofrojnë mundësinë për tu fituar bursë si dhe një ulje në koston e masterit. Gjithashtu, në këto institucione ose universitete private ofrohet mundësia për të ndjekur një program Master Part-time, gjë që ju lejon te punoni rregullisht njëkohësisht me studimet.