Gjiknuri në Himarë: Tarifa të reduktuara për regjistrimin e shtëpive të vjetra

555
Sigal

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, zhvilloi një dëgjesë me banorët e Himarës në kuadër të turit të llogaridhënies publike të qeverisë. Ministri Gjiknuri u ndal tek problematika e pronave, e cila konsiderohet ndër më shqetësueset për këtë zonë, duke u angazhuar për hapjen e një zyre shërbimi të hipotekës por edhe një zyre të shërbimeve të transportit rrugor. “E di që problemet më të mëdha në këtë zonë kanë të bëjnë me pronat. Ne së bashku jemi duke përgatitur edhe projektin, shumë shpejt folëm dhe me kryetarin e bashkisë, në mënyrë që ta bëjmë të mundur hapjen e asaj zyrës së shërbimit në Himarë, për sa i përket hipotekës. Pra, që ju të mos sorollateni, pjesa më e madhe duke shkuar në Vlorë apo pjesa tjetër, duke shkuar në Sarandë”, premtoi Gjiknuri. Më tej, ai tha se po mendohet edhe një masë lehtësuese në funksion të regjistrimit të banesave të vjetra. “Kemi përgatitur edhe një vendim për të reduktuar në minimum tarifat për regjistrimin e shtëpive të vjetra. Shumë shpejt kjo do të bëhet realitet, sepse përtej problemeve të vjetra të pronësisë që janë të trashëguara edhe për shkak të mosmenaxhimit të tokës ka shumë shtëpi të vjetra, të cilave u mungon dokumentacioni”, theksoi Gjiknuri. “Edhe investimet që do të bëhen në ujësjellës kanalizim. Himara është përfituese e një prej projekteve më të mëdha që shkon mbi 40 milionë euro e që do të rregullojë një pjesë të mirë të sistemit të ujësjellës-kanalizimeve në qytet janë si rezultat i vëmendjes së qeverisë në këtë zonë”, u shpreh Gjiknuri.