Gjika: Ja shkeljet ligjore nga drejtoria e Bazës Ushtarake të Pashalimanit

897
Sigal

EKSKLUZIVE/ Flet kreu i Sindikatës së Pashalimanit z. Ibrahim Gjika: “Largohen nga puna specialistët, vendosen persona të paaftë”

Drejtori i Pashalimanit krijon sindikatë paralele, punëtorët sfiliten në seanca gjyqësore pa fund

Sipas Ibrahim Gjikës, kreu i Sindikatës së Punëtorëve, gjendja në Pasha Liman, mund të konsiderohet një katrahurë e vërtetë. Ai ngre me shqetësim padrejtësinë që ka bërë në mënyrë enigmatike Gjykata e Faktit në Vlorë, që pas asnjë shkak ligjor e përcjell gjyqin në Gjykatën e Tiranës. Madje vetëm pak ditë më parë ka ardhur lajmërim-thirrja se gjyqi zhvillohet në Tiranë më 5 tetor. Nuk e shpjegojmë dot se si u spostua ky gjyq në Tiranë, ndërsa drejtuesja e trupit gjykues zonja Vjola Canaj vendosi të vazhdojnë seancat këtu. Nuk e di çfarë pazar është bërë me juristin e Ministrisë, që ishte i pranishëm në këtë seancë. Ndërkohë, ka shprehur revoltën për humbjen e gjyqit në Gjykatën e Apelit në Vlorë dhe më tej në pritje të një Kërkesë-Padie të tretë, për të rikthyer në punë punonjësit që janë larguar padrejtësisht, jo pse ka pasur shkurtime, por janë zëvendësuar me të paaftët, pa specialitet.

Ju keni avokat dhe a e kundërshtoi ai vendimin e spostimit të gjyqit në Gjykatën e Tiranës, do ta ndiqni atje?

Po, ne kemi avokat z. Delo Meçani dhe ai shprehu habinë, ashtu sikurse edhe këshilli sindikal se si dhe për çfarë arsye është dërguar gjyqi në Tiranë, kur ligji e parashikon që mund të zhvillohet në Gjykatën e Vlorës, pasi padrejtësia është bërë këtu, sindikalistët dhe të gjithë dëshmitarët janë këtu.

Ky është një skandal i vërtetë, ku shkelet ligji. Pse vetëm për një jurist, që përfaqëson Ministrinë e Mbrojtjes, duhet të shkojmë të gjithë në Tiranë?

Kësisoj, pas kësaj padrejtësie, këshilli sindikal vendosi që të braktisë gjyqin që do të bëhet në Gjykatën e Faktit në kryeqytet dhe pasi të pushohet çështja, pasi nuk do të paraqitemi ne si palë, do të ribëjmë padinë në Gjykatën e Faktit në Vlorë. Ky është edhe mendimi i avokatit, pasi e parashikon ligji dhe nuk duam të besojmë se do të bëhet përsëri pazar edhe pas padisë së dytë me të njëjtin objekt. Kjo është luftë nervash, shkelje e ligjit me të dy këmbët, por është detyra e sindikatës që të përballet deri sa të fitojë të drejtën, që u është shkelur punonjësve tanë nga Ministria e Mbrojtjes. Për këtë shkelje të radhës, këshilli sindikal i dërgoi edhe një letër gjeneralit, duke i kërkuar zbatimin e ligjit, pasi sindikalistët nuk do të heshtin, do të kërkojnë mbështetje në media, për të ndëshkuar këtë qëndrim arbitrar të Ministrisë së Mbrojtjes. Gjenerali ka heshtur. Më shumë se sa zërin e ndershëm të sindikalistëve, i vjen për mbarë të dëgjojë zërin e drejtorisë së Pashalimanit, që vazhdon serinë e shkeljeve të ligjeve.

Cila është shuma që kërkohet të paguajë Ministria e Mbrojtjes?

Përllogaritjet nuk i bëjmë ne, ajo që kërkojmë është të bëhet pagesa e përcaktuar me ligj të 20 punonjësve, që është ndërprerë pas asnjë shkak ligjor që nga muaji mars i këtij viti. Humbim gjyqin tjetër në Apelin e Vlorës. Është e pabesueshme në arrihet në një përfundim nga gjykata, se sindikata jonë është e paligjshme, ndërkohë që kemi paraqitur të gjithë dokumentacionin ligjor, që nga vendimi i gjykatës i vitit 1991, akt-themelimi nga Ministria e Drejtësisë, kontratë kolektive, listën e anëtarëve të sindikatës të firmosur prej tyre, që arrin në 103 sindikalistë, nga 140 që janë gjithsej.

Cili ishte objekti i kërkesës tuaj në Apelin e Vlorës, ku humbët gjyqin?

Gjyqi u bë më 26 shtator dhe sindikata e humbi. Kërkesa jonë lidhet me zbatimin e vendimit të vitit 2007, ku thuhet: Punonjësit i garantohet ushqimi, që shkon 1500-2000 lekë. Këtë shumë e përfitojnë shumë ndërmarrje si Telekomi, elektriku etj.. Punonjësit e Pasha Limanit që kanë këto vështirësi, nuk e marrin. Ky është paradoks. Pra, kërkesa jonë lidhej me heqjen e dëmshmërisë së shëndetit të punonjësve, që e kemi marrë përgjatë 12 muajve. Kjo jepet nëpërmjet Departamentit të Shëndetit Publik, mbështetur nga kërkesa që bëhet nga ndërmarrja, ku theksohet se në vendin e punës ka zhurma, pluhura, lagështi. Pas kësaj kërkese, vijnë specialistët e shëndetësisë, që i ngarkon ligji me këtë problem. Situata ka qenë e rëndë, ndaj është vendosur që ta përfitojmë  50 për qind të pagës, që nga viti 2009, ose 8 mijë lekë të reja për çdo pagë mujore, për çdo person. Por ne po përballemi edhe me një shkelje tjetër të drejtave të punonjësve.

Pas proceseve gjyqësore, çfarë veprimesh do të ndërmarrë sindikata e Pasha Limanit?

Kush dëgjon, kur flasin sindikalistët? Dua t’ju them se vetëm dy ditë më parë erdhi tek ne gjenerali, z. Qemal dhe nuk pati asnjë interes për të na takuar e dëgjuar, lere pastaj për të na ndihmuar dhe për të vënë në vend të drejtat që na janë shkelur. Kishim menduar një protestë përpara Ministrisë së Mbrojtjes, por kush do të dëgjojë? Janë vetë ata, që nga drejtoria juridike, gjeneralët dhe deri tek ministri, që me firmën e tyre shkelin të drejtat tona. Shpresa jonë është gjykata, që nuk do t’i ndahemi deri sa të vihen në vend padrejtësitë që u janë bërë punonjësve të Pasha Limanit.