Gjeto VOCAJ*/ Pse u harrua Ligji i dëmshpërblimit për ish të internuarit?!

    390
    Sigal

    Fondi i vitit 2014 i destinuar për dëmshpërblimin e të përndjekurve, si asnjëherë tjetër është shpërndarë, jo vetëm me kritere të drejta, por edhe me një transparencë shembullore. Kjo është vërtetë për t’u përshëndetur, por në këtë shkrim dua të ngre me të madhe problemin e dëmshpërblimit të ish të internuarve politikë, për të cilët ligji shprehet shumë qartë në favor të tyre.

    Ligji nr.9831 dt.12.11.2007 për dëmshpërblimin e të dënuarve politikë të Regjimit Komunist, Neni 6 përcakton masën e dëmshpërblimit: a) për të burgosurit politik 2 000 lekë dita e vuajtjes së dënimit; b) për personat që kanë vuajtur internim në kampet me rrethim me tela, deri në vitin 1954, masa e dëmshpërblimit është 1000 lekë dita; c) për personat e tjerë të internuar ose të dëbuar, parashikohet një skemë pensioni, e cila do rregullohet me Vendim të Këshillit të Ministrave.

    Kane kaluar 7 vjet nga aprovimi i këtij ligji dhe, deri më sot, asnjë ish i internuar në rrethim me tela, nuk ka marrë lekë dëmshpërblimi. Është për t’u çuditur se si Qeveria e mëparshme në gjithë ato vite, nuk e zbatoi kurrë këtë ligj të miratuar nga Parlamenti. Dihet se ai lloj internimi, i krahasueshëm me burgun politik, ka qenë deri në vitin 1954 dhe kuptohet se sot gjallë kanë mbetur një numër shumë i vogël vuajtësish, prandaj, natyrshëm lind pyetja, çfarë presin akoma këto qeveri që marrin pushtetin, pse nuk e zbatojnë ligjin për këtë kategori?! Moszbatimi i këtij ligji, kjo shkelje kaq e rëndë, jo vetëm se nuk ka asgjë njerëzore, por njëkohësisht është shume diskredituese për qeveritë që drejtojnë këtë vend. Po ashtu, shkelje po aq e rëndë dhe diskreditim për qeveritë tona është edhe neglizhenca apo indiferenca e tyre, që ndonëse kanë kaluar 7 vjet, nuk bënë asnjë skemë pensioni për të internuarit e tjerë, jo në rrethim me tela, siç e përcakton pika c) e ligjit. Çfarë pritet akoma?! Pension pas vdekjes nuk ka. I kujtojmë Qeverisë se për këtë kategori, shteti nuk do harxhojë shumë për arsyen e vetme se pjesa dërmuese e ish të internuarve, nuk jetojnë më, pra, nuk marrin pension, ndërsa ata që sot janë 40-50 vjeç, në atë kohë kanë qenë të mitur dhe nuk i kanë regjistruar si të internuar. Rastet e mësipërme flasin qartë dhe pa ekuivokë për moszbatim ligji nga vetë qeveritë, që, pa dyshim, kudo në botën demokratike, do konsiderohej, skandal, (kujtojmë, ligj i pazbatuar për 7 vjet rresht). Megjithatë, duhet thënë se Qeveria e kaluar e mori dënimin, ndërsa për Qeverinë aktuale, le të shohim çfarë do bëjë për këtë çështje. Shenjat në horizont duken optimiste, sepse shihet një predispozicion i saj për rritjen e kërkesave të zbatimit të ligjeve. Ministri Veliaj, siç jemi në dijeni, u bë iniciator dhe ja doli me sukses për tre ligje shume të rëndësishme, dy nga të cilët janë direkt në favor të ish të dënuarve politikë të Regjimit Komunist. Kjo na bën të shpresojmë se z.Veliaj, në një kohë sa më të afërt, do bëjë realitet implementimin e Ligjit që flet për dëmshpërblimin e ish të internuarve politikë, që deri më sot, për turp ka mbetur vetëm në letër.

    *Ish i burgosur politik, Shkodër