Gjermeni: Kush ndërton pa leje, do gjobiten dhe u prishen objektet

    356
    Sigal

    Projektligji i ri për territorin, ndalja përfundimtare e legalizimeve dhe lejet e ndërtimit

    Të gjithë ata persona që do të ndërtojnë pa leje ose do bëjnë shtesa do të përballen me penalitete më të ashpra. Kështu ka deklaruar ministra e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni gjatë prezantimit të projektligjit për planifikimin dhe  zhvillimin e territorit i cili sjell një sërë risish për disiplinimin e territorit.“Përsa ju përket kundravajtjeve administrative janë shtuar vlerat e gjobave dhe janë vendosur sanksione të qarta për ndërtimet pa leje ose në shkelje të kushteve të lejes. Në të dy  rastet kundravajtësi sanksionohet me prishjen ose konfiskimin e punimeve të paligjshme dhe me gjoba. Ligji parashikon përjashtimin e autoriteteve vendore nga detyrimi për pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë në ndërtimet e reja”, u shpreh Gjermeni.

    Ndalja e legalizimeve

    Me këtë projektligj Qeveria synon të ndalë kaosin e krijuar nga ndërtimet pa kriter, duke propozuar ndaljen përfundimtare të legalizimit të objekteve pa leje dhe sanksione drastike për shkelësit e ligjit. Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermani tha se projektligji për planifikimin dhe zhvillimin urban shfuqizon legalizimin e këtyre ndërtimeve dhe objekteve që nuk kanë respektuar kushtet e lejes së ndërtimit. “Eleminohet një herë e mirë legalizimi i ndërtimeve pa leje dhe shfuqizohet akti normativ që parashikon legalizimin e ndërtimeve të kryera në shkelje të kushteve të lejes. Kundravajtësi sanksionohet me prishje apo konfiskim të punimeve të paligjshme dhe gjoba”, deklaroi Gjermeni.

    Problemi me lejet e ndërtimit

    Ministrja Gjermeni tha se ligji i ri synon disiplinimin e territorit dhe zhvillim të qëndrueshëm në të ardhmen. Por deputetët në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese kërkuan mekanizma konkretë për të bërë të zbatueshëm një ligj që nuk ka funksionuar prej rreth 20 vitesh. Kreu i komisionit Eduard Shalsi u shpreh mjaft skeptik për problemet me lejet e ndërtimit, duke kërkuar që kjo e drejtë t’i hiqet inspektorateve si kompetencë.

    “Jam skeptik për mënyrën si funksionojnë inspektoratet në Shqipëri. Kam qenë, por vazhdoj të mbetem skeptik. A ka mundësi të parashikojmë një nen apo një ndërhyrje ligjore, ku t’i japim fund ndërtimeve pa leje dhe abuzimeve me lejet, por duke e tejkaluar kompetencën nga inspektoratet në një autoritet më të madh?”, tha Shalsi.

    Pas prezantimit të projektligjit nga ministria e linjës komisioni i Veprimtarive do të dëgjojë edhe grupet e interesit në lidhje me planifikim e territorit.