Gjermania miraton paketën për ashpërsimin e masave ndaj emigracionit – Rekord deportimesh në 2017

644
Qeveria gjermane ka miratuar një paketë ndryshimesh të cilat do të përshpejtojnë procesin e deportimit të azilkërkuesve të refuzuar. Të njëjtat masa do të lehtësojnë gjithashtu punën e forcave të sigurisë në gjurmimin e atyre të cilët janë në pritje të një vendimi për statusin e azilantit.
Plani i ri 15-pikësh u lejon forcave të sigurisë të kontrollojnë të dhënat e celularëve të të mbërriturve të rinj, ndërsa ata të cilëve u është refuzuar azili mund të mbahen në mbikëqyrje deri në 10 ditë për të parandaluar një arratisje të mundshme.
Rregullat për mbikëqyrjen do të lehtësohen gjithashtu, ndërsa deportimet do të mund të bëhen direkt nga qendrat e pritjes në rastet kur kjo është e mundur.
Më herët, shefi i stafit të kancelares dhe koordinatori për çështjet e refugjatëve, Peter Altmaier tha se Gjermania do të deportojë në 2017 një numër rekord njerëzish.
Megjithatë, debatet vazhdojnë në vend, për të përcaktuar se emigrantët nga cilat vende mund të deportohen, duke ngritur pyetje të mëdha për kthimin e emigrantëve nga Afganistani.
Ky vendim mori shumë kritika nga organizatat e të drejtave të refugjatëve, duke e quajtur legjislacionin e ri si një “brutalizim të procesit të deportimit”. Sipas organizatave, vendimi do t’i dekurajojë edhe ata azilkërkues të cilët kanë vërtet nevojë për mbrojtjen nga ana e shtetit gjerman.
Sigal