GJERMANI/ Informacione mbi vizën/lejëqëndrimin për qëllim studimi

    513
    Sigal

    Kush lejohet të vijë në Gjermani për vizë me qëllime studimi

    (Këto informacione nuk vlejnë për studentë nga vendet e Komunitetit Europian – EU)

    Kush lejohet të vijë në Gjermani për qëllime studimi?

    Në kuadrin e ndihmës së zhvillimit (Entwicklungshilfe) dhe të bashkëpunimit ekonomik, Republika Federale Gjermane i jep shtetasve të huaj mundësinë e shkollimit/arsimimit ose vazhdimit/thellimit të studimeve akademike, me të cilin ata mund të ndihmojnë në zhvillimin e mëtejshëm të vendit të tyre.

    Për një arsimim të tillë merren në konsideratë shkolla të larta (universitete, shkolla të larta pedagogjike, shkolla të artit dhe shkolla të larta me drejtim specifik – Fachhochschulen) shtetërore ose të njohura nga shteti ose qendra të ngjashme shkollimi (Ausbildungsstätten), akademi profesionale (Berufsakademien) si edhe kolegje parauniversitare (Studienkollegs) shtetërore ose të njohura nga shteti. Gjithashtu ekziston mundësia e qëndrimit në Gjermani për maksimumi një vit me qëllim ndjekjen/frekuentimin e një kursi të gjuhës gjermane, me kusht që njohja e gjuhës gjermane të jetë e nevojshme për studimin ose formimin e mëtejshëm profesional. Kurset e gjermanishtes duhet të jenë intensive, me të paktën 15 orë mësimi në javë.

    Studimet me korrespondencë si dhe studimet në mbrëmje dhe fundjave nuk i plotësojnë kushtet e mësipërme. Kushtet e përgjithshme paraprake shkollore për ndjekjen e studimit të synuar nuk mund të plotësohen në territorin e Republikës Federale Gjermane (RFGJ).

    Qëllimi i qëndrimit në RFGJ përfshin:

    • kurse të gjuhës për përgatitjen e studimit,
    • kurse parauniversitare (Studienkolleg),
    • praktika të nevojshme ose të këshilluara nga shkolla e lartë,
    • një studim të plotë (grundständiges Studium) deri në një diplomë kualifikuese të një shkolle gjermane (përfshirë këtu studimet në semestrat e parë – Grundstudium – dhe ato të semestrave më të lartë – Hauptstudium – si edhe praktikat që shoqërojnë studimin, provimet e ndërmjetme dhe ato përfundimtare).

    Këtu futen edhe studimet edhe pas një studimi fillestar ose të përfunduar jashtë Gjermanisë si p.sh. specializim (Aufbaustudium), studime plotësuese (pasuniversitare), studime promocioni (doktoraturë) si edhe praktika të ndryshme të parashikuara në procesin mësimor (si p.sh. praktikat tek mjekët).

    Si është procedura e marrjes së vizës?

    Bashkë me aplikimin për vizë në përfaqësinë gjermane duhet të paraqitet edhe një Deklaratë për mbështetje financiare – Verpflichtungserklärung sipas paragrafit § 84 të ligjit mbi të huajt (Ausländergesetz). Në këtë deklaratë garantohet se jetesa në RFGJ e personit që aplikon për vizë është e siguruar financiarisht. Një formular i tillë mund të merret në zyrat e rregjistrimit të banorëve (Einwohnermeldeamt), ku edhe mund të bëhet autentifikimi (legalizimi) i firmës nga ana e noterit.

    Përveç kësaj nevojitet edhe një vërtetim mbi pranimin për studime ose një vërtetim se plotësohen kushtet paraprake (sa i takon anës shkollore) për nisjen e studimit.

    Përfaqësitë gjermane në vendet e huaja ia pasojnë aplikimin për vizë zyrave të të huajve (Ausländerbehörde) për të marrë mendimin e tyre. Këto të fundit duhet kryesisht të provojnë seriozitetin e Deklaratës për mbështetje financiare – Verpflichtungserklärung në rastin kur personi që e ka lëshuar atë është me vendbanim në RFGJ. Në rast të kundërt kjo bëhet nga vetë përfaqësia gjermane.

    Pas provave të nevojshme, zyra e të huajve ia transmeton qëndrimin e saj përfaqësisë gjermane, e cila pastaj vendos mbi dhënien e vizës.

    A është e mundur tërheqja e familjes?

    Tërheqja e bashkëshortes dhe e fëmijëve nën moshë madhore është e mundur vetëm në disa raste të pakta. Kusht paraprak është pikësëpari që studenti të jetë i pranuar/imatrikuluar dhe të jetë në gjendje ta financojë jetesën e personave që do të tërheqë pa pretendime për përfitim nga ndihma sociale. Dhënia e një Deklarate për mbështetje financiare – Verpflichtungserklärung është e mjaftueshme.

    Më tej studentët me qëndrim në Gjermani duhet të plotësojnë njërin nga kushtet e mëposhtme:

    • ta financojnë studimin në RFGJ nëpërmjet një burse/Stipendium.
    • të kenë mbaruar studimin jashtë RFGJ dhe të vazhdojnë këtu studime të mëtejshme (pasuniversitare).
    • të kenë një diplomë të një shkolle të lartë në Gjermani dhe, pas punësimi të gjatë jashtë RFGJ, të vazhdojnë këtu studimet e mëtejshme (pasuniversitare).
    • të jenë shtetas të njërit nga shtetet e përmendura në paragrafin § 9 AAV të Rregullores mbi lejeqëndrimin për shkaqe pune/punësimi (Arbeitsaufenthalte-Verordnung). Shih edhe tabelën në fund.

    Në të gjitha rastet e tjera nuk është praktikisht e mundur tërheqja e familjes.

    Aplikimi për tërheqjen dorëzohet së bashku me Verpflichtungserklärung pranë përfaqësisë gjermane në vendin përkatës. Kjo përfaqësi kërkon mendimin e zyrave të të huajve (Ausländerbehörde). Zyra e të huajve provon seriozitetin e Verpflichtungserklärung, kontrollon nëse banesa e studentit me banim në Gjermani që ka ftuar personat e përmendur më lart është e mjaftueshme. Mbi këtë bazë i jepet mendimi përfaqësisë gjermane, e cila pastaj vendos mbi dhënien e vizës.

    Vërejtje e përgjithshme

    Informacionet në këtë material janë optimale për “rastet normale”. Në raste të veçanta mund të ketë ndryshime nga këto rregulla. Ju lutemi për mirëkuptim në këtë drejtim.