Gjergj Simaku:Qytetarët po vuajnë premtimet e pambajtura të CEZ; privatizimi i HEC-ve, absurditet i pajustifikuar

    388
    Sigal

    INTERVISTA/Flet eksperti i energjetikës Gjergj Simaku për problemet që ka Shqipëria

    Situata energjetike në Shqipëri mbetet ende problematike edhe pse u largua para pak muajsh CEZ, dhe në drejtimin e saj ka ardhur një administrues shqiptar. Situata mbetet kaotike në disa drejtime, si në ndërprerjen e energjisë për ditë të tëra në zona të ndryshme, në mbifaturimet e energjisë etj.. Premtimet me ardhjen e administratorit shqiptar në krye të CEZ, kishin të bënin me investime dhe me përmirësimin e situatës në shumë drejtime. Por edhe sot pasi kanë kaluar disa muaj nga kalimi i CEZ shpërndarje në administrimin e shtetit asgjë nuk ka ndryshuar në këtë sektor, pasi problemet vazhdojnë që të jenë evidente përsëri në shumë drejtime. Në lidhje me situatën, me mungesën e investimeve, me arbitrazhin ndërkombëtar me CEZ, ka folur në një intervistë për “Telegraf” eksperti i energjetikës Gjergj Simaku. Ai ka bërë të ditur se: “nuk i falet premtimeve të administratorit të ri të CEZ (Albania) është se nuk është bërë progres në arkëtimet e energjisë elektrike dhe nuk është identifikuar dhe falur tek konsumatorët mbi faturimi i gjatë largimit të CEZ”. Po ashtu privatizimi i HEC-ve është një tjetër çështje që nuk e favorizon Shqipërinë. Ai ka theksuar se: “Privatizimi cenon sidomos sigurinë e furnizimit dhe rrit në mënyrë të ndjeshme koston e energjisë së prodhuar. Një absurditet, i cili nuk mund të justifikohet”.

     -Zoti Simaku, edhe pse kanë kaluar disa muaj nga kalimi i CEZ në administrimin e qeverisë përsëri situata mbetet problematike. Ju si e shihni situatën?

    -Është e vërtetë që situata nuk duket edhe aq optimiste. Gjithashtu është e vërtetë se CEZ la një mal me borxhe dhe krijoi një destabilitet tek konsumatorët dhe partnerët e CEZ-it. Por është e vërtetë që gjatë këtyre tre muajve është rritur prodhimi dhe është eksportuar energji elektrike. Por ajo që nuk i falet premtimeve të administratorit të ri të CEZ (Albania) është se nuk është bërë progres në arkëtimet e energjisë elektrike dhe nuk është identifikuar dhe falur tek konsumatorët mbi faturimi i gjatë largimit të CEZ.

    Nuk dua të besoj se financat e CEZ përdoren për klientët e pushtetit dhe nuk dua të komentoj faktin se, ka një seleksion në radhët e konsumatorit pa dallim partiak dhe elektoral. Kjo duket. Administratori i CEZ nuk ka entuziazmin e ditëve të fundit të janarit 2013, por ka rënë në rutinën e viteve më parë: “terror” tek punonjësit që nuk binden dhe një kujdes që vjen e zvenitet ndaj konsumatorëve. Bëj pyetjen? Mos e sheh veten si i përkohshëm?

     -Problemet mbeten pothuajse të njëjta si ato që ishin kur ishte CEZ në Shqipëri. Ku qëndron problemi?

    -Është e vërtetë. Problemet mbeten si më parë dhe nuk duket se ka një “dorë” që po e menaxhon në mënyrë korrekte energjinë elektrike në shpërndarje. Problem mbetet faturimi dhe transparenca me konsumatorin. Në mes të konsumatorëve nuk mund të gjesh “të kënaqur” nga historia e mbifaturimeve masive. Duket se, megjithëse konsumi ka rënë gjatë pranverës, faturat mbeten të njëjta dhe të njëjtë mbeten dhe konsumatorët e rregullt në likuidimin e tyre. Besoj se me shkallën e ulët të rritjes së arkëtimeve, duket se nuk ka konsumatorë “rebelë” që kanë filluar të paguajnë muajt e fundit dhe njëkohësisht nuk ka rritje të faturimeve.

     -Herë pas here ka ndërprerje të energjisë për shkak të problemeve në rrjet në zona të ndryshme. Edhe pse u premtua se do të ketë përmirësime dhe investime asgjë nuk ka ndryshuar, si e shpjegoni këtë?

    -Është besoj, “lajtmotivi” i justifikimeve për mosinvestimet korrekte në rrjetin e amortizuar të shpërndarjes. Gjendja është lënë pas dore nga çeket dhe është e vështirë të ndërhyhet në kohë të shkurtër. Ka shumë për të bërë por ajo që nuk dëgjojmë është se publiku nuk informohet në mënyrë transparente për çdo defekt, dhe në përputhje me kontratën kolektive e cila, për mendimin tim duhet të fillojë të zbatohet. Nga kush? Enti rregullator duket se është i pa aftë ta bëjë këtë dhe nuk ka kapacitete ti “dalë zot” problemeve të përditshme të konsumatorëve.

     -CEZ, ka deklaruar se në arbitrazhin ndërkombëtar do përfitojë nga Shqipëria një shumë të konsiderueshme parash. A mund të fitojë CEZ, në arbitrazhin ndërkombëtar?

    -Është korrekte të shohim një gjykatë të japë verdiktin. Nuk dua të besoj se, Shqipëria nuk do të paraqesë prova të besueshme që justifikojnë heqjen e të vetmes licencë në fushën e energjisë elektrike nga ERE.

     -Edhe Shqipëria kërkoi që ta dërgonte CEZ në arbitrazhin ndërkombëtar. Sa janë shanset e Shqipërisë për një gjë të tillë?

    -Shqipëria sipas të drejtës ndërkombëtare paraqiti argumentet e veta. Është legjitime ta bëjë këtë. Shanset – i di gjykata. Besoj se vendi ynë ka prova të mjaftueshme. Varet nga interlokutori se si do të venë punët e paraqitjes korrekte të tyre.

     -A e cenon Shqipërinë në fushën energjetike privatizimi i shumtë i HEC-ve që është bërë?

    -Shumë. Cenon sidomos sigurinë e furnizimit dhe rrit në mënyrë të ndjeshme koston e energjisë së prodhuar. Një absurditet,i cili nuk mund të justifikohet.

    Menaxhimi duhet të ishte bërë me “dorë më të fortë”

    Mendoj se kjo situatë duhet të ishte eliminuar qysh dy muajt e parë të administrimit. Po kështu duhet të kishte përfunduar vendosja e matësve të energjisë elektrike dhe “disiplinimi” i konsumatorëve.  Mendoj gjithashtu se, monitorimi i CEZ-shpërndarjes duhet të kishte filluar dhe të deklarohej nga Enti Rregullator dhe nga Ministria e Financave, ku është gjendja. Në fakt dëgjojmë se, “janë falur kamatëvonesat”, të cilat janë tregues i përqendrimit të punës tek letrat e lëna nga CEZ dhe jo te “shikimi përpara” në problemet e mosarkëtimeve në kohë reale. Menaxhimi nuk mund të bëhet me “dorë të fortë” dhe “selektiv”, por me politika të koordinuara dhe transparente me publikun.