Gjergj Simaku:Qeveria nuk arriti ta monitorojë CEZ, ja humbjet dhe fitimet nëse largohet kjo kompani

    420
    Sigal

    INTERVISTA/Flet eksperti i energjetikës Gjergj Simaku, për situatën e krijuar me CEZ

    Para pak ditësh Enti Rregullator i Energjisë, ka bërë të ditur se do të gjejë një administrator të ri për shpërndarjen e energjisë, pasi kompania CEZ Shpërndarje nuk i përmbushi detyrimet e saj. Por sipas ekspertit të energjetikës Gjergj Simaku, i cili ka folur në një intervistë për “Telegraf”, nuk është aq e lehtë që të largohet aq lehtë CEZ nga Shqipëria për disa arsye. Sipas zotit Simaku, ndër arsyet më kryesore është se CEZ, nuk ka shpallur falimentimin dhe se duhet të kujtohet fakti se ai zotëron 76 % të aseteve në Shqipëri.

     -Zoti Simaku, si e shikoni situatën aktuale të krijuar aktualisht me CEZ, pasi flitet se do të largohet?

    -Mbi çfarë bazë do të largohet? Mbi çfarë baze ligjore do të bëhet kjo. Po të shikoni pak vendimin që ka marrë ERE, shihet që ajo po vendos si administrator, një administrator që nuk e di se mbi çfarë baze ligjore, pasi këtë nuk e ja jep as ligji për energjinë, as ligji për privatizimet dhe shpërndarjen. Unë nuk e kuptoj se çfarë baze ligjore ka kjo po bëhet tani, ky shou që po bëhet që një administrator shqiptar do vijë. CEZ-i e ka administratorin e saj sot, nuk është pa administrator, së pari. Së dyti nëse CEZ-i ka falimentuar le të fillojë procedurën e falimentimin dhe atëherë të vijë një administrator shqiptar. Por CEZ Albania nuk ka shpallur falimentimin. Ju dini gjë që CEZ, ka falimentuar?

     -Po CEZ, ka deklaruar që do të largohet nga Shqipëria?

    -Po deklarata për largimin është çështje tjetër gjë dhe deklarata se duhen bërë disa letra para se të largohet që kam falimentuar është tjetër gjë. Atëherë duhet të fillojë fatura e falimentimit, i merren asetet që ai duhet t’i kishte paguar në para dhe që nuk i ka. Kjo është rruga e vetme për largimin e CEZ. Po qeveria si duhet t’i marrë, kështu i bie që qeveria të administrojë pronën e tjetërkujt. Mund të vijë qeveria që të administrojë shtëpinë time kur familja e ka kryefamiljarin; s’ka lidhje kjo qe po ndodh. Këto janë gjëra që i bëjnë ata nga padija dhe nga sforcua e madhe për të bërë këtë punë.

     -Si e shihni deklaratën e CEZ, që ajo do të shes aksionet e saj që ka në Shqipëri dhe a ka kosto largimi i CEZ në këtë mënyrë?

    -Po ajo i ka aksionet e veta dhe mund të ja shes kujt të dojë. Madje fare mirë mund të bëjë një lëvizje dhe tija shes aksionet një kompanie tjetër dhe ajo kompania tjetër mund të vijë këtu dhe të thotë përse mi përdor aksionet e mija pa lejen time CEZ-i ka 76% të aksioneve, si mundet që administratori që ka 24 % të aksioneve të administrojë sistemin. Ligjërisht kjo behet me marrëveshje me aksionarin qe ka paketën kontrolluese, CEZ.  Por nëse OSSH  nuk administrohet, atëherë është çështje tjetër dhe duhet dokumentuar, pasi do të japë efekt negative ne gjykimin e mundshëm mes palëve.

     -Zoti Simaku, duke qenë se ju jeni një ekspert i kësaj fushe, cila do ishte rruga e duhur për të dalë nga kjo situatë?

    -Faleminderit për vlerësimin, por unë vetë, nuk arrij ta kuptoj faktin që brenda kuadrit ligjor të shoqërive të sotme në vitin 2013, të largosh dikë me zor. Ai që largohet me zor ka një llogari për të lënë këtu dhe nuk ikën kollaj. Pra është e pamundur që ta largosh në këtë mënyrë siç po e largon qeveria shqiptare. Është komplet e pahijshme, unë nuk i kuptoj veprimet që po bëhen. Nga njëra anë CEZ-I është në krye të vendit apo jo. Dhe ka një administrator dhe nuk ka përse të ndërrohet administratori. Pra ka një ligj që është ligji i privatizimit të shpërndarjes, ka një listë me asete dhe ka një borxh qeverisë. Atëherë borxhin tija marri sipas ligjit qeveria me përmbarim, nëse është borxh. E dyta, Enti Rregullator merr një vendim para një muaji që do t’ja heqë licencën. Pas heqjes së licencës nuk ka lidhje administratori me heqjen e licencës, pse administratori i ri që do vijë do të ketë licencë shqiptare, s’ka lidhje.

     -Sipas jush procedurat që po bëhen  janë të gabuara?

    -Procedurat që po bëhen, po bëhen totalisht të gabuara. Por unë e kuptoj kështu: nëse do të isha në vend të CEZ-it do ta lija qe pala shqiptare të bënte gabime sa të donte në mënyrë që kur të dalë arbitrazh këto gabime do te ishin një histori faktesh, nëpërmjet te cilave CEZ do fitonte “të drejtën”. Unë praktikisht e kuptoj sjelljen arrogante të çekeve, por duhet kujdes në menaxhimin e kësaj situate e cila do të precipitojë, dhe të humburit jemi ne konsumatorët dhe taksapaguesit. Madje, nëse fiton arbitrazhin CEZ-i do t’i merrte paratë Bankës Botërore që doli garant dhe qeverisë shqiptare si një “dëm” moral. CEZ është kompani e madhe dhe nuk ka të njëjtat rekorde në vendet e tjera. Është fakt që qeveria shqiptare nuk ka arritur ta monitorojë.

    Çfarë roli ka Enti Rregullator në të vërtetë

    Nuk është Enti Rregullator ai që mund ta monitoronte, ka organizma të tjerë që monitorojnë si kompanitë e auditit, tatim-taksat etj.. Kështu që janë një sërë procedurash që duhen bërë nga CEZ. Ai duhet të shpallë njëherë falimentimin, mbas falimentimit duhet të shpallë që këto aksione shkojnë në emër të falimentimit. Atëherë qeveria mund të këtë të drejtën që të bëje sekuestrimin apo veprime të tjera, sikurse vendosja e një administrator…. Ju e dini se si bëhet në raste të tilla. Shikoni ndonjë ndërmarrje të vogël që ka falimentuar, se si vete përmbarimi qe nxjerr ne shitje çdo gjë, sepse ka borxhe për të marrë tek ai. Kjo procedurë është e shkruar dhe nuk ka nevojë që ta them unë.