Gjergj Simaku: Performanca e Shqipërisë për eficencën e energjisë më e dobëta në rajon

    453
    Sigal

    Komuniteti i Energjisë për eficencën në Shqipëri

    Shqipëria kritikohet ashpër mbi eficencën e energjisë në raportin vjetor 2012/2013 të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë. Sipas sekretariatit, Shqipëria është më e prapambetura në rajon në harmonizimin dhe zbatimin e legjislacionit europian në këtë fushë dhe së shpejti do të marrë masa kundër saj. Më poshtë mund të lexoni pjesën e raportit të sekretariatit mbi eficencën e energjisë në Shqipëri:

    Shqipëria

    a. Eficenca e Energjisë në Shqipëri

    Ligji shqiptar për eficencën e energjisë, i vitit 2005 është ende në fuqi. Pavarësisht faktit se ky ligj adreson shumë çështje të rëndësishme (si krijimi i programeve kombëtare të eficencës së energjisë, auditet energjitike, fondi i eficencës energjitike etj.), nuk u zbatua asnjëherë siç duhet. Shumica e akteve nënligjore të nevojshme nuk u aprovuan dhe fondi i eficencës nuk u krijua asnjëherë. Plani i parë Kombëtar i Veprimit për Eficencën e Energjisë (PKVEE) u aprovua nga qeveria në shtator 2011. Plani synon kursimin e energjisë me 1.5% dhe 9 % përkatësisht deri në 2012 dhe 2018. PKVEE përcakton Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës si dhe Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore si organet përgjegjëse për monitorimin e zbatimit të ligjit. Por mungesa e një strukture mbështetëse dhe të fondeve publike të dedikuara, sidomos në sektorin publik, të gërshetuara me ndarjen jo të qartë të përgjegjësive të zbatimit midis AKBN-së dhe METE-së, bëjnë që zbatimi i shumicës së masave të parashikuara të ketë pak mundësi. Ligji për etiketimin dhe informacionin standard mbi konsumin e energjisë dhe burimeve të tjera nga pajisjet shtëpiake, i vitit 2009, transpozoi direktivën e vjetër 92/75/EEC. Ligji detyron shitësit të informojnë blerësit mbi konsumin e elektricitetit, të formave të tjera të energjisë dhe të burimeve, nëpërmjet një fishe dhe një etikete të ngjitur në pajisje. Ligji për kursimin e energjisë termike në ndërtesa, i vitit 2002 përcakton bazat ligjore për aprovimin e akteve nënligjore dhe për marrjen e masave detyruese për ruajtjen e energjisë në ndërtesa. Kodi energjitik i ndërtesave, i vitit 2003, ende nuk është zbatuar në thelb.

     b. Asnjë përparim gjatë vitit 2012/2013

     Asnjë përparim nuk u arrit gjatë vitit 2012-2013. Një draft i ri dhe i vonuar i ligjit për eficencën e energjisë ka ekzistuar që në vitin 2011. Drafti u hartua në bashkëpunim me sekretariatin. Ende nuk është aprovuar. Në raportin e mëparshëm, sekretariati ka përcaktuar aprovimin e tij si prioritet. Aprovimi i këtij ligji është parakusht thelbësor për transpozimin e direktivës mbi shërbimet energjitike, 2006/32/EC. Edhe ligji për prokurimet publike do të duhet të ndryshohet për të njëjtin qëllim. Ligji për eficencën e energjisë duhet dhe për të transpozuar dispozitat kryesore të direktivës mbi performancën energjitike të ndërtesave (2010/31/EU) dhe të direktivës mbi etiketimin energjitik (2010/30/EU). Për më tepër, kodi energjitik i ndërtesave nuk është ndryshuar, siç ka rekomanduar sekretariati i Komunitetit të Energjisë, as nuk janë marrë masa për ta zbatuar. Sekretariati nuk ka dijeni për ndonjë institucion që të ketë marrë masa për zbatim.

    Zbatimi i PKVEE-së së 2011 nuk u monitorua dhe nuk u mbështet siç duhet nga sektori publik. Nuk u aprovua në kohë ligji për eficencën e energjisë dhe aktet nënligjore të tij, as nuk u dhanë fonde për zbatimin e tij. Po ka disa projekte të vogla, trajnime dhe aktivitete pilot, përfshirë një program për edukimin dhe zbatimin e sistemeve të menaxhimit dhe auditimit të energjisë në bashki. Pengesat aktuale të zbatimit të PKVEE-së së parë janë përmendur dhe në takimet e grupeve të aksionit (task force)gjatë vitit 2012 dhe 2013 (në prezantime, diskutime, gjatë zhvillimit të modelit të PKVEE-së; gjatë organizimit të uorkshopeve mbi planin e dytë të eficencës, mbi mekanizmat e financimit etj.)

    Energy Efficiency

    Megjithatë përgatitja e PKVEE-së së dytë (me afat deri në 30 qershor 2013) ka ecur shumë ngadalë në Shqipëri (akoma nuk ka një draft) dhe ka rrezik për vonesë të madhe në finalizimin dhe dorëzimin e tij.

    c. Zbatimi

    1. Për shkak të mungesës së transpozimit, Shqipëria dështoi plotësisht në zbatimin e direktivës 2006/32/EC mbi shërbimet e eficencës energjitike të konsumatorëve. Sekretariati aktualisht po përgatit marrjen e masave detyruese ndaj Shqipërisë. PKVEE-ja e parë u aprovua në zbatim të artikujve 4 dhe 14 të direktivës 2006/32/EC. PKVEE përfshin llogaritjen e objektivave kombëtarë të ndërmjetëm dhe përfundimtarë për kursimin e energjisë, si dhe marrjen e masave të gjithanshme për arritjen e tyre, përfshirë të masave horizontale dhe në çdo sektor.  Dorëzimi i PKVEE-së së dytë duhet të ishte kryer në 30 qershor 2013, por afati nuk u respektua, për shkak të ngadalësisë në përgatitje, dhe të mungesës së përkushtimit nga institucionet përgjegjëse.

    2. Në lidhje me kërkesat e Komunitetit të Energjisë mbi etiketimin, ligji mbi etiketimin dhe informacionin mbi konsumin e energjisë dhe të burimeve të tjera nga pajisjet shtëpiake, i vitit 2009, transpozon direktivën e vjetër 92/75/EEC, por jo direktivën e re 2010/30/EU. Aprovimi i akteve nënligjore mbi etiketimin energjitik të pajisjeve shtëpiake ende varet nga aprovimi i ligjit për eficencën e energjisë.

    3. Për sa i përket eficencës së energjisë në ndërtesa, drafti i ligjit për eficencën e energjisë, kur të aprovohet, do të transpozojë dispozitat kryesore të direktivës 2010/31/EU, dhe do të pasohet nga aktet nënligjore. Aprovimi i këtij ligji është ende në proces, ndërkohë që afati ka skaduar në 30 shtator 2012.

    Konkluzione/ Prioriteti i Shqipërisë në 2013, aprovimi i draftit të ligjit për eficencën e energjisë

    Performanca e Shqipërisë në zbatimin e akuisit për eficencën e energjisë, është më e dobëta në rajon. Për disa periudha raportimi nuk ka pasur asnjë progres në transpozimin dhe implementimin e akuisit. Sekretariati do të marrë masa kundër kësaj situate. Këmbëngulim se prioriteti i parë për Shqipërinë në 2013 duhet të jetë aprovimi i draftit të ligjit për eficencën e energjisë. Mungesa e këtij ligji dhe akteve nënligjore të tij është pengesa kryesore për harmonizimin e të tre direktivave të BE-së. Gjithashtu, Shqipëria menjëherë duhet të aprovojë PKVEE-në e dytë, sipas modelit të krijuar nga grupi i koordinimit për eficencën e energjisë. Promovimi më i fortë i sektorit publik si shembull në eficencën e energjisë është po ashtu i rëndësishëm për harmonizimin e direktivës 2006/32/EC. Kjo përfshin krijimin e strukturave të përshtatshme ligjore, institucionale dhe financiare, përdorimin e kritereve të eficencës së energjisë në prokurimin publik. Një prioritet tjetër duhet të jetë krijimi i legjislacionit dhe akteve normative mbi eficencën e energjisë në ndërtesa, në harmonizim të direktivës 2010/31/EU, duke zbatuar ligjin dhe përditësuar kodin aktual energjitik.