Gjergj Meta: E veçanta e ekspozitës, tema me motiv urban që nuk është e ekspozuar asnjëherë

700
Sigal

INTERVISTA/ Flet piktori Gjergj Meta. Blerja e pikturave nuk është kthyer në kulturë

Këto Ditë në Muzeun Historik Kombëtar, Piktori i talentuar Gjergj Meta, hapi ekspozitën vetjake “transformers”. Një ekspozitë tejet interesante, pasi paraqiste lëvizjen e figurave, reflektimin mbi sipërfaqen e reklamës, ndryshimet që shkaktohen nga shfaqja e figurës. Në këtë ekspozitë u paraqitën 30 piktura në telajo të mëdha, të cilat i kanë marrë një kohë të konsiderueshme piktorit.  Kjo është ekspozita e katërt personale e piktorit, i cili shënon një kurbë ngritjeje në veprimtarinë e tij artistike.

 Ju këto ditë hapët në Tiranë, në Muzeun Historik Kombëtar, një ekspozitë, e cila nga kritika u cilësua mjaft e suksesshme. Madje dhe titulli ishte interesant…

 Ekspozita e çelur në sallën e madhe të Muzeut Historik Kombëtar nga data 2 deri 12  nëntor titullohet “Transformers”, ngacmimi për këtë titull vjen prej një  afisheje të përdorur në billbordet anës trotuareve në rrugët e Tiranës. Thelbi i gjithë këtij konceptimi është  lëvizja e figurave, pra reflektimi mbi sipërfaqen e reklamës, ndryshimet që shkaktohen nga shfaqja e figurës duke u veshur dhunshëm mbi të e duke vazhduar si një film i pandërprerë.

Sa ishte numri i pikturave në ekspozitë?

Numri i pikturave të realizuara është i madh, por aty u ekspozuan 30 telajo të mëdha. Pra e reduktova për qëllime hapësire. Por mund të them dhe se ky numër ishte i mjaftueshëm për të nxjerrë idenë e ekspozitës.

 Çfarë roli luajnë elementët, imazhet, në konceptimin e ekspozitës?

 Duke qenë një pikturë realiste sigurisht elementët apo tema, imazhet  e sjellin në kohë duke i bashkangjitur konceptin. Ato janë në unitet dhe plotësojnë njëra-tjetrën.

 Reagimi i kritikës ka qenë interesant, po ai i vizitorëve?

 Mendoj se njerëzit që e dashurojnë pikturën apo blerësit e saj kuptuan apo e shijuan atë. Sigurisht, jo të gjithë reagojnë  menjëherë. Por edhe vetëm nga intervistat televizive ata kanë  reaguar pozitivisht dhe kanë vizituar ekspozitën.

 Cila ishte e veçanta e ekspozitës?

 E veçanta në këtë shfaqje para publikut ishte realizimi i kësaj teme me motiv urban që nuk është e ekspozuar asnjëherë në të tilla përmasa. Pra mbetet e para në llojin e vet. Këtu qëndron e bukura, e veçanta, konkretja në këtë ekspozitë.

 Cilat janë ekspozimet tuaja të mëparshme?

 Kam disa pjesëmarrje kolektive në Galerinë Kombëtare të Arteve  në  Muzeun Kombëtar  dhe Galeri private. Pra jam gjithmonë në lëvizje, gjithmonë në kërkim të së resë, të së veçantës. Ekspozita personale kam 2 në Sarandë 1 në  Tepelenë  një  në “Zeta  Galeri” në Tiranë dhe kjo që është  më e rëndësishmja.

 A është edukuar vizitori shqiptar me domosdoshmërinë  e të paturit të një pikture në shtëpi?

  Mendoj se ka filluar disi, por i duhet shumë kohë për t’u ndërgjegjësuar mbi të pasurit nevojë të pikturave në për shtëpitë apo zyrat e tyre dhe më e rëndësishmja për cilësi e origjinalitet.

 Si filloi tematika e me motive urbane t’ju ngacmojë?

 Të  gjitha për sa më pyetët i kam punuar është si të thuash puna e përditshme kurse kjo me motive urbane është më preferuar prej 15 vjetësh. Por meqë ka qenë pjesë e ushqimit ideor, por edhe teknik ka qenë si një “transformers” nga arti bashkëkohor në kohën që pati jetë.

Mund të jetohet sot vetëm me pikturë?

Shumë e vështirë. Jemi vend i vogël, kemi shumë piktorë, dhe tek ne nuk është kthyer në kulturë, edukatë, domosdoshmëria e blerjes së një pikture në shtëpi.