Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Heroi Kombëtar i Shqiptarëve

3165
Studiues Harallamb Kota
Sipas këndvështrimit të disa politologëve dhe historianëve shqiptarë, Skënderbeu është Mit që frymëzon nacionalizmin nhqiptar dhe nxit urrejtjen midis tyre dhe popujve ballkanik. Për pasojë, për të stabilizuar rajonin e Ballkanit dhe për të siguruar bashkëjetesën paqësore midis popujve ballkanikë duhet që shqiptarët të “çmitizojnë Skënderbeun”. Pikëpamjet e tyre, të shprehura në rrjetet sociale, ne shtypin e shkruar dhe ekranet televizive, lidhur me figurën e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, me pikësynimin “për ta çmitizuar” dhe rishikuar sipas këndvështrimit të Oliver Schmitit, nga njëra anë na krijon keqardhje për ta dhe nga na tjetër na zgjon ndërgjegjen kombëtare dhe na shton më tej ndjenjat e patriotizmit e shqiptarizmit. Duke synuar çmitizimin e Skënderbeut, përkrahësit e Schmitit, kërkojnë të mbërrijnë më tej, çmitizimin e luftërave legjendare të shqiptarëve në epokën skënderbejane, e për pasojë, sipas tyre, Arbëria ishte nocion gjeografik, që përputhet çuditërisht me thënien e Bismarkut “Shqipëria është nocion gjeografik”. Që Skënderbeu i Madh, është “Heroi Kombëtar” i kombit arbëresh-shqiptar, këtë e dinë dhe e ruajnë të gjallë brez pas brezi shqiptarët e të gjitha trojeve ku ata jetojnë. Skënderbeu-Mit, na frymëzon ndjenjat kombëtare dhe na mban gjallë si Komb dhe Shqiptar. Të kapesh pas “barërave të liga”, mes tyre edhe Oliver Schmit për ta çmitizuar Skënderbeun, është përpjekje e kotë dhe dëshpëruese, pasi populli shqiptar “pa dallim feje, krahine dhe ideje” i frymëzuar nga ideologjia e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, e dëshiron Skënderbeun-Mit. Pseudo-historianët, pseudo-ideologët dhe pseudo-politologët modernë po i referohen Schmitit, etj…etj, dhe këmbëngulin në ndryshimin e historiografisë shqiptare për ta çmitizuar e pastruar nga figurat qendrore, duke filluar me Skënderbeun, me Ismail Qemal Vlorën dhe më tej. Kjo është punë e tyre. Ndërsa ne, kemi busull orientuese paraardhësit tanë dhe i referohemi Marin Barletit, Frang Bardhit, De Radës, Sami e Naim Frashërit, Fan S. Nolit, Kristo Frashërit etj. Historia e Skënderbeut, është historia e një epoke 25-vjeçare e quajtur “Epoka Skënderbejane”. Miti i Skënderbeut, frymëzoi Rilindjen Kombëtare dhe parapriu Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, e cila filloi në vitin 1878 dhe u kurorëzua më 28 Nëntor të motit 1912, me formimin e “Shtetit Shqiptar” nga Ismail Qemal Vlora. Bëhet pyetja: A, e dini ju o varrmihës dhe çmitizues pse u dakortësuan Fuqitë e Mëdha për të krijuar një shtet shqiptar? U dakortësuan pasi perandoria Austro-Hungareze, e konsideronte Arbërinë shtet aleat kundër Perandorisë Osmane dhe ruante në arkivat e saj dokumentet e aleancave ushtarake midis Skënderbeut dhe Huniadit dhe mbante të ruajtura ne Vjenë, “armët e Skënderbeut”. Edhe Perandoria Britanike mbante te ruajtura në Londër “Librin e Uratave” dhuruar Skënderbeut, ndërsa në arkivat e Vatikanit gjenden të gjitha letërkëmbimet e Papës me Skënderbeun (Princin e Epirit), si vlera mbarëbotërore të “Epokës Skënderbejane”. Pra Skënderbeu nuk ishte sajesë, por i gjallë dhe i vërtetë. Pa Skënderbeun, nuk do të konceptohej ekzistenca e një kombi shqiptar në Ballkan pas shembjes së Perandorisë Osmane, pasi shqiptarëve brenda saj nuk iu njihej kombësia por feja dhe, si pasojë, regjistroheshin turq, grek apo vlleh. Pa Skënderbenë, nuk do kishte dhe s’mund të ketë shqiptar, e si pasojë nuk do mund të kishte Shqipëri, Kosovë dhe Shqiptari. 

Dukshëm këndvështrimi i varrmihësve dhe i çmitizuesve, se “Miti Skënderbe” nxit “nacionalizmin shqiptar” etj, …etj, nuk qëndron. Shqiptarët qysh në kohërat Ilire-Arbënore dhe ende sot, asnjëherë nuk kanë pushtuar territoret e huaja. Përkundrazi, Iliria dhe Arbëria u sulmuan e u pushtuan nga romakët, bizantinët, sllavët, venecianët e osmanët dhe territoret e saj u ngushtuan vazhdimisht, deri sa më 1913 u tkurrën në kufijtë e 28 mijë kilometrave katrorë. Për fat, rrota e historisë po ndryshon. Me përkrahjen e Aleancës Euroatlantike, gabimet historike po ndreqen. Aktualisht, shqiptarët që jetojnë në dy shtete, ne Shqipëri dhe në Kosovë, janë të lirë dhe kuvendojnë, mësojnë dhe studiojnë në gjuhën e bukur shqipe. Shqiptarët nuk janë nacionalistë, pasi dëshirojnë të jetojnë në paqe me fqinjët e tyre shekullorë. Në Shqipëri respektohen të gjitha “pakicat kombëtare, greke, bullgare, maqedonase, vllahe, arumune, serbe, etj ”, të cilat flasin lirshëm gjuhën e tyre, edhe pse, sipas këndvështrimit tim, dukurive të asimilimit dhe analizave shkencore, pakicat kombëtare në Shqipëri janë deklarime të sajuara nga individë dhe grupime shoqërore, nisur për interesa vetjake pragmatiste, ekonomike, politike, fetare, shpirtërore etj. Kjo është e vërteta historike e ndodhur gjatë pushtimeve sllavo-osmane, periudhë dramatike e asimilimit të dhunshëm të shqiptarëve nga administratorët pushtues dhe nga institucionet fetare, kishat e xhamitë. Si trajtohen shqiptarët autoktonë në shtetet fqinje, o misionarë të çmitizimit të heronjve kombëtar shqiptar? Në Serbi, Rumani e Bullgari, shqiptarët e emigruar gjatë pushtimit osman, nuk konsiderohen pakica, e si pasojë u janë mohuar të drejtat e tyre kombëtare, u kërkohet të heqin dorë nga kombësia shqiptare dhe të deklarohen serb, rumun, bullgar, boshnjak, mysliman etj. Në Mal të Zi, Maqedoni, Greqi dhe Turqi, ku shqiptarët përbëjnë etni shtet-formuese, nuk pranohet gjuha shqipe si gjuhë e dytë zyrtare, por e kundërta, nuk lejohet përdorimi i gjuhës shqipe, hapja e shkollave shqipe dhe deklarimi shqiptar. Në të gjitha shtetet e përmendura më sipër, vazhdon sistematikisht asimilimi i shqiptarëve në malazezë, serb, rumunë, bullgarë, sllavo-maqedonas, boshnjakë, myslimanë, grekë, turçelinj, arumunë, vlleh etj, sipas skenarëve të tyre nacionalistë. 

Ballafaqimi me të vërtetën, të shpie në pyetjen: A, janë shqiptarët “nacionalistë”?. Kuptohet, që nuk janë. Jo vetëm që nuk janë nacionalist, por mund të themi se është përhumbur së tepërmi ndjenja kombëtare, pasi veç faktorëve social-ekonomikë të përkeqësuar, rëndon mbi ta edhe ndarja fetare. Një popull i vogël me katër besime fetare, siç është populli shqiptar, qëndron “komb”, në sajë të bashkimit rreth kultit të Skënderbeut, nga rrjedh vijimësia e popullit arbëror-shqiptar e gjakut “tamblit” të Skënderbeu, që ju o misionarë atishqiptarë përpiqeni ta çmitizoni. Fatkeqësisht, në krahun e misionarëve atishqiptarë, qëndron edhe një pjesë e klasës politike shqiptare, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në Mal të Zi, që reflektojnë interesa për pushtet e pasuri, duke u distancuar nga interesat kombëtare, nga problemet social-ekonomike të shoqërisë shqiptare, duke e parë me indiferencë asimilimin gradual të shqiptarëve në malazezë, serbë, boshnjakë, bullgarë, maqedonas, grekë, turq, vlleh, arumunë etj. 

Në këto kushte, i vetmi simbol i mbajtjes gjallë të ndërgjegjes kombëtare shqiptare, është Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Shqiptarët janë komb i vogël, por kanë një “Mit të Madh”, që padyshim i vendos ndër popujt më të lavdishëm në historinë e popujve të planetit tonë. 
Sigal