Gjergj Fishta dhe Kosova

    1230
    Sigal

    Ai ishte një lis i madh, të cilit nuk kishin çfarë t’i bënin as rrufetë më të forta

    Sa qe gjallë, Gjergj Fishta u bë idhulli i rinisë shqiptare, prej jugut të Shqipërisë e deri në veriun e Kosovës, duke u mbiquajtur me të drejtë Poet Kombëtar dhe duke i vënë shumë epitete të tjerë vlerësues si “Homeri i Shqipërisë” si gjeniu më i lartë i tokës arbënore, etj., etj.. Veçanërisht vepra e tij madhore “Lahuta e Malsisë”, por edhe vepra të tjera epike, lirike, dramatike e satirike, u bënë një frymëzim i madh për popullin shqiptar në aspiratat e tij për bashkim, liri e përparim.

    Ai është quajtur Poet Kombëtar, sepse në veprën e tij të madhe poetike i këndohet Atdheut dhe pavarësisë e lirisë së tij, ruajtjes dhe mbrojtjes së tërësisë tokësore të trojeve shqiptare. Ai i këndoi virtyteve  më të larta të shqiptarit, si trimërisë, burrërisë, ndershmërisë, zgjuarsisë, besës, etj., duke u bërë  jo vetëm këngëtar i jetës, por edhe gjykatës i saj.

    Në veprën e tij madhore shihet aftësia për të parë, për të përfshirë e përshkruar botën e kohës së vet ashtu siç ishte – të zhytur në oqeanin e madh të ndeshjeve e pasioneve të mëdha dhe, nga ana tjetër, ai pati guximin  për ta dashur botën shqiptare, për ta ndryshuar për më mirë, sepse shqiptarët meritonin  një të ardhme më të mirë.

    Si në Shqipëri, por edhe në Kosovë, më së shumti për shkaqe absurde në të dy anët, vepra e tij, për rreth 50 vjet u anatemua, u ndalua dhe u përjashtua krejtësisht nga letërsia dhe shkollat shqipe, ndërsa figura e tij e lartë  u denigrua deri në ekstrem.

    Fishta ishte një lis i madh, të cilit nuk kishin çfarë t’i bënin as rrufetë më të forta, sepse vepra e tij mbeti e gjallë në mendjen e në zemrën e popullit shqiptar.

    Mrekullohesh kur dëgjon Dino Çiçon nga Gjirokastra, nip i patriotit të njohur Dino Çiço, duke thënë përmendësh këngët e “Lahutës…”. Është një fakt që nuk është i vetëm. Edhe në Vlorë, Korçë etj.. Fishta mësohej përmendsh dhe recitohej në tubimet me karakter patriotik. Nuk është fjala vetëm për rininë e viteve ‘20 apo ‘30 të shekullit të kaluar, të cilët ishin të dhënë shumë mbas përvetësimit të veprave atdhetare të Fishtës dhe i dinin përmendësh ato, sepse e kishin idhull. Dino Çiço ka lindur në vitin 1946, atëherë kur shqiptarëve iu ndalua gjithandej për t’i përmendur edhe emrin, jo më të mësonin veprat e tij. Ky fakt flet shumë për ndikimin e Fishtës në të gjitha trevat shqiptare të Jugut e Veriut, duke përfshirë edhe Kosovën, ku shumë intelektualë e njohin me themel veprën e tij. Ata që dikur kishin studiuar në Shqipëri po se po. Fishta ka shprehur në të gjitha mënyrat urrejtjen e vet për synimet shoviniste serbe, të cilat i ka demaskuar me forcën e madhe të pendës së tij të fortë. Poemat e shquara të At’ Gjergj Fishtës, që janë përfshirë në kryeveprën e tij “Lahuta e Malsisë” lidhen edhe me Kosovën, veçanërisht këngët për Oso Kukën si dhe kënga për Ali Pashë Gucinë, për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe të tjerat, sepse Fishta i këndoi çështjes së Atdheut, pavarësisë dhe lirisë së tij. Në këtë vështrim ai kundërshtonte me forcë ndarjen e tokës shqiptare në pjesë, për t’ua dhënë ato vendeve fqinje.

    Duke qenë një analist i hollë i gjendjes reale historike, Fishta shpërthen me forcë të madhe dhe drejtpërsëdrejti, kur thotë:

    Uh! Europë, ti kurva e motit,

    që i rae mohit  besës së Zotit,

    po, a ky a‘ shenji i qytetnisë:

    me da tokën e Shqipnisë,

    për me mbajtë klyshët e Rusisë?

    Nuk mund të shprehet më me forcë politika agresive e kohës kur u copëtua Shqipëria, që filloi në vitin 1878 dhe vazhdoi me ashpërsi dhe në mënyrë vendimtare në vitin 1913. Fishta u bën akuzë të fortë fuqive të mëdha të Europës, që ishin krejt mosmirënjohëse ndaj vendit tonë, i cili e ndihmoi aq shumë Europën në kohën më të vështirë të saj, prandaj vazhdon po aty:

     Po, ti a kështu na i përligje

     njata burra, qi m‘ këto brigje

     për ty vehten bane flie

     kur ti heshtëshe prej ligështie?

    – duke aluduar për kohën e Skënderbeut dhe mbrojtjen që shqiptarët i bënë Europës nga hordhitë osmane. (Gjergj Fishta: “Lahuta e Malsisë”, Lublianë 1990, fq. 146-147)

    Dihet se sot kemi një Europë tjetër nga ajo e kohës së Fishtës, kemi një Europë të re, në pjesën më të madhe të bashkuar dhe me perspektivën drejt integrimit të mëtejshëm. Këtej rrjedh edhe një frymë tjetër edhe ndaj vendit tonë, i cili ka bërë hapa të rëndësishëm drejt futjes në familjen e madhe europiane.

    Por “…Sjelljet e saj ndaj nesh gjatë dhjetë vjetëve të fundit sikur dëshmojnë, megjithatë, se ajo nuk na e dhuron shikimin për shkak të rënkimeve po për shkak të krismave tona! Mjerisht!…shkruan akademiku Rexhep Qosja në librin e vet: “Strategjia e bashkimit shqiptar”, (Toena, 1998).

    Në të gjitha këngët e veprës “Lahuta e Malsisë” dhe në veprat e tjera të Fishtës kemi të shprehur me shumë mjeshtëri krenarinë e të qenit shqiptar, kemi dashurinë e madhe për Shqipërinë dhe thirrjen e fuqishme për t’i dalë zot tokës së të parëve. Poeti i madh del një atdhetar i vërtetë, që e do vendin e vet dhe kërkon që të gjithë shqiptarët të jenë të bashkuar dhe të vendosur për të dhënë edhe jetën për mbrojtjen e atdheut. Duke evokuar trimëritë e luftëtarëve më të shquar të kohës, Fishta vlerëson lart Oso Kukën dhe i bën një monument letrar të papërsëritshëm, ngre lart Ali Pashë Gucinë dhe rolin e tij në mbrojtjen e tokave shqiptare e në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ngre lart figurat e shquara të Abdyl Frashërit, Sulejman Vokshit, Ymer Prizrenit dhe shumë luftëtarëve të thjeshtë të popullit.

    “Ora e Shqipërisë” i thotë Ali Pashë Gucisë:

    “M’kambë, pra, Ali, për n’kjosh kund gjallë,

    Nuk asht ngaeja sot me u tallë;

    Knjazi topin asht ka e kallë.

    Dil e piqu n’Haxhi Zekën;

     

    Grish Kosovën, bashko Rekën:

    lsho kushtrimin n’Toskë e n’Gegë,

    mblidhnju tok si kokrrat n’shegë…

     

    Kur Ali Pashë Gucia niset për luftë, porosit të shoqen që t’ia rrisë djalin me virtytet më të mira shqiptare, që të dijë të luftojë për Shqipëri. Dhe vazhdon:

    …Por në kje se Mali i Zi

    erdh e ra kurr në Gusi,

    der‘ sa t‘ jetë djali kërthi,

    pashë njatë Zot, qi të ka falë,

    ma ndigjo, ti grue, nji fjalë:

    bane zemren gur e krep,

    premja djalit kryet në djep;

     

    Dhe pastaj, Fishta shpërthen për luftëtarët shqiptarë:

    T’desin, pra, nuk kanë shka presin;

          t’desin, po, si u kanë dekë t’Parët

    e ta marrin vesh Shqiptarët,

    se a ma mirë nën dhè me u kjà,

    se për t’gjallë me ndejë nen Shkjà…

    Kjo frymë e patriotizmit të flaktë, e traditës së lavdishme luftarake të popullit tonë, përshkon gjithë veprën e Gjergj Fishtës. Janë të shumta, pa fund, vargjet e goditura dhe të ndërtuara me mjeshtri, që i bëjnë jehonë luftërave heroike dhe luftëtarëve të shquar për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Trimërinë e shqiptarëve Fishta e ngre në lartësitë më të mëdha, që të emocionon me bukurinë e fjalës dhe mjeshtërinë e artit të tij.

    “…lsho kushtrimin n’Toskë e n’Gegë,

    mblidhnju tok si kokrrat n’shegë…“

    u bë në atë kohë një thirrje e fuqishme për bashkimin e popullit shqiptar.

    Fishta ka edhe shumë vepra të tjera patriotike.

     „Që 45 vjet duke pëshpëritur ia kemi përmendur emrin! Që 45 vjet fshehurazi ia kemi lexuar veprat! Sepse që 45 vjet ishte i ndaluar! Sepse që 45 vjet ishte i përjashtuar prej kujtesës së popullit të vet! E pabesueshme, megjithatë, e vërtetë!” shprehet akademiku Rexhep Qosja  në librin e vet, cituar më lart.

    Në kohën e diktaturës tek ne shtrembërohej  gjithashtu kuptimi i poezisë së Fishtës: T’a dijë Shqipnija /E shekulli  mbarë, /Se mâ mbas sodit /Nuk jam shqiptar !

    Të kapesh mbas këtyre vargjeve të thëna me një konteks të fortë sarkazme dhe me mllef, me një kuptim shumë pozitiv e atdhetar, ku dënohen pseudo – shqiptarët, të cilët me fjalë e paraqesin veten patriotë të flaktë dhe nga ana tjetër punojnë kundër interesave të atdheut, është një veprim  absurd dhe prej injoranti që ka qëllim të keq dhe që ecën në rrugën e atyre që Fishtën e anatemuan për dekada të tëra.

    Gjithashtu, t’i mveshësh Fishtës shprehje që ai asnjëherë nuk i ka thënë apo nuk i ka shkruar askund lidhur me Kosovën dhe kosovarët, është krejtësisht e gabuar, tendencioze, jo reale, dashakeqëse dhe proserbe. Fishta e ka dashur Kosovën, ai me shpirt dhe me pendë e ka mbrojtur atë, ka kërkuar që Kosova të bashkohet me Shqipërinë, duke luftuar me ashpërsi kundër serbëve dhe klyshëve të tyre. Këtë e tregon së pari vepra e tij madhore, ku ngrihet lart qëndrimi atdhetar i shqiptarëve kosovarë trima, nga të gjitha anët e saj. Këtë e tregon edhe fjalimi i mbajtur prej tij në vitin 1921 në parlamentin e sapo formuar shqiptar, kur sapo ishte krijuar shteti shqiptar, i dalë nga Kongresi i  Lushnjës, siç u tha më lart.

    Më tej akademiku Rexhep Qosja thekson: Fishtën…“…e kanë sulmuar për shkak të bindjeve të tij të gabuara dhe për shkak të bindjeve të tij të drejta-, i kanë kërkuar dobësi që s’i ka pasur, i kanë trilluar faje që s’i ka bërë, e kanë shpallur çka ka qenë dhe çka nuk ka qenë. E kanë sulmuar në bazë të të dhënave që kanë gjetur dhe në bazë të pandehmave të imagjinuara! E kanë sulmuar njeriun duke ia harruar atë që s’harrohet – veprën…” Kur Fishta i ka quajtur fashistët e Musolinit “Pëllumbat e Krishtit”, vepra e tij madhore ka qenë e përfunduar dhe mendoj se nuk kanë atë lidhje që i është vënë për t’i ulur veprën e tij……..

    Fishta ka qenë, është dhe do të mbetet përjetësisht një poet i madh atdhetar. „Po edhe hana  do t’a dijë /Edhe dielli do t’ket pa, /Se përqark ksaj rrokullije, /Si Shqypnija‚ ‘ì vend nuk ka! /Rrnosh e kjosh, pra, moj Shqypni, /Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera, /E me dije e me liri, /Për jetë t’ jetës të rrnoftë ty ndera” ka shkruar ai. Këto vargje do të mjaftonin për të shprehur atdhedashurinë e tij të madhe.