Gëzim TUSHI/ Toleranca morale dhe “relativizmi etik”…

    710
    Sigal

    Koha dhe problemet e ndërlikuara të moralit në shoqëri

    Shqetësimet e thella që shfaq qytetërimi ynë në fazën postmoderne dhe kriza e thellë ekzistenciale e vlerave morale që e karakterizojnë atë, janë jo vetëm një nga temat qytetare të diskutueshme, por dhe shpesh me natyrë të paqartë dhe kakofonike në debatet që zhvillohen në shoqërinë tonë. Akoma shoqëria shqiptare për shkak të së kaluarës së saj në strukturimin e vet etik dhe në sistemin e marrëdhënieve morale, ka në qarkullim një kufi intransigjent herë arkaik dhe pastaj anarkik për ndarjen e vlerave nga antivlerat morale, të virtytit nga vesi, duke bërë kështu të pamundur rindërtimin e bazamentit të tolerancës etike, që vjen nga pranimi i mundësisë së bashkëjetesës së mënyrave sociale e të personalizuara të jetës postmoderne me realitetin ekzistencialisht të sigurt të zgjerimit përditë të hapësirave të relativizmit moral.

    Ideja e vjetër e ndarjes morale të identitetit dhe personalitetit etik të njerëzve, sipas koncepteve të ngurta e doktrinare të moralit dhe konceptimit metafizik të kufirit etik si “gurë caku” i caktuar nga jashtë për të ndarë të mirën nga e keqja, është një realitet që reflekton akoma në situatën etike sociale dhe gjykimet morale që bëjmë për njeriun dhe dinjitetin e tij të përveçëm moral. Të kuptosh kohën postmoderne që ka kohë që zhvillohet intensivisht në shoqërinë tonë, do të thotë se duhet të pranosh si kusht të parë të vërtetën se parimet dhe “rregullat” morale shfaqen në mënyrë më tolerante, të pranosh në të njëjtën kohë se hapësirat e zgjerimit të mundësive të kristalizimit të moralit personal dhe bazamenti i relativizimit të gjykimit moral të njerëzve të tjerë, janë kushtet e platformës etike postmoderne mbi të cilën ndërtohen marrëdhëniet morale midis njerëzve në shoqërinë e sotme shqiptare.

    Kuptimi i natyrës individualiste të moralit, të drejtës së ekzistencës së relativizmit moral në jetën shoqërore dhe mundësia e madhe në zgjerim e kristalizimit të indvidualizmit etik të sjelljes së njeriut në shoqërinë tonë, është kushti i parë për të pranuar parimin e të drejtës morale të dinjitetit të njeriut, bazë e ekzistencës së tolerancës morale në sjelljen individuale, si kusht për dialog e marrëdhënie midis njerëzve, që sot nuk kanë më moral të unifikuar mbi bazën e standardeve etike fikse, që kanë qenë në shoqërinë tonë “absolute morale” të cilat individi nuk mund t’i shkelte me asnjë lloj çmimi. Ndryshe, për pasojë duhet të llogariste koston e shkeljes së standardeve morale.

    Në kohën tonë duket qartë se nuk ka më kushte për moral doktrinar dhe standarde unike etike. Sepse morali dhe etika në shoqërinë e sotme shqiptare funksionojnë në kushtet e shoqërisë postmoderne, e cila moralisht dhe etikisht nuk e ka më tagrin që të vendosë për rëndësinë në moralin si të tillë apo si vlerë shoqërore standarde. Sepse koha liberale, individualiste e postmoderne ka bërë të mundur që të jetë vetë individi që gjen mënyrat vetjake si ai ndërton sjelljen e vet të personalizuar. Morali në kohën tonë nuk mund t’i shpëtojë tendencës së thellë të relativizmit, përderisa shoqëria postmoderne ka vënë në qendër të saj individin dhe me tolerancë po pranon të drejtën e tij për të patur mundësi të rindërtojë unikalitetin moral personal. Ky lloj identiteti morali unikal, përveçëm është kusht për të rindërtuar shoqërinë e shëndoshë dhe moralisht funksionuese. Pa dogmatizëm dhe hipokrizi, por dhe pa shthurje e degradim moral të individit eksentrik.

    Në shoqërinë tonë po zhvillohen debate se si mund të ndërtohen raportet e bashkekzistencës së relativizmit etik vetjak me nevojën që ka shoqëria si sistem social për të patur disa norma morale, standarde etike që mund të shërbejnë si konstante morale të patjetërsueshme të jetës sociale. Natyrisht kjo gjë duket dhe me siguri që është e vështirë. Sepse shoqëria shqiptare në etapën postmoderne duke qenë liberale, individualiste, me tolerancë të theksuar etike e ka të vështirë të pranojë ekzistencën e pavarur të një “godine morale”, ku duhet të qëndrojnë njerëz që krijojnë “vlera absolute” etike, që mund të kenë të drejtën që ato t’ua imponojnë njerëzve dhe shoqërisë në tërësi. Por megjithatë sado individualist të jetë morali i individit, sado i personalizuar të shfaqet ai, është e sigurt që shoqëria do të ketë nevojë bashkë me individin e liberalizuar etikisht, për të pranuar ekzistencën e një minimum vlerash etike, rregulla morale humanisht të pranuara dhe shoqërisht të panegociueshme. Unë besoj se nuk mund të shpëtojë shoqëria shqiptare nga kuptimi i nevojës së ngutshme për të patur, njohur e pranuar një hierarki të caktuar të vlerave etike në shoqëri.

    Sepse pavarësisht mundësisë së relativizmit etik dhe mënyrave të sjelljeve morale individuale, duke jetuar në shoqëri është e pamundur t’i shmangesh përgjegjësisë për të vepruar në përputhje me vlerat morale humane universale. Kjo do të thotë se, ne si shoqëri duhet të përpiqemi të ndihmojmë njerëzit që të mos e zëvendësojnë autoritarizmin dhe dogmatizmin moral të epokës së socializmit me degjenerimin e gjithçkaje, në emër të së drejtës së relativizmit moral. Problemi është që të bëjmë gjithçka duhet, në mënyrë që njerëzit tanë të binden se shoqëria postmoderne nuk është shoqëri pa moral, por është shoqëri që duhet të kombinojë në mënyrë harmonike të drejtën individuale të relativizmit moral me parimet humane të universalizmit etik.

    Sociologët e etikës janë të mendimit, që në kohën tonë në vlerësimin e moralit nga individi ka një deformim të raporteve midis relativizmit dhe opsionales etike. Kjo është mundësia e hapësirës që ka njeriu kohës sonë, i cili përballë hapësirave të relativizmit moral dhe opsionales së vlerave humane të moralit universal, të mund të ndërtojë “kokteilin moral” personal të jetës së tij private.

    Në këtë klimë të përgjithshme të relativizmit kulturor e moral që tashmë është kristalizuar plotësisht në shoqërinë tonë, nuk është e lehtë që konsensualisht të gjesh përkufizime morale të pranuara nga të gjithë për të bërë dallimin midis të mirës dhe të keqes morale, apo për t’i ndarë ato midis tyre. Padyshim kjo situatë ka bërë që në sjelljet e njerëzve në shoqërinë tonë të ketë një kakofoni konceptesh dhe anarki morale të mënyrave të sjelljes. Të cilat të bindin se në tërësi morali në shoqërinë tonë, është duke precipituar në situatën e një “salce morale”, të cilin secili e bën sipas mënyrës dhe shijes së vet. Kapërcimi i kufijve të tolerancës morale dhe mungesa e disa vlerave universale orientuese të përcaktimit etik të sjelljes dhe mënyrave morale të ndërtimit të marrëdhënieve, ka krijuar anomal morale të shoqëruara me pasoja evidente joetike në shoqërinë tonë.

    Sociologët e kohës postmoderne janë të mendimit se shoqëria universalisht është në një situatë etike delikate, kur çdo zgjedhje etike individuale është në kontekstin e “paparashikueshëm të ekzistencës”, e lidhur përgjithësisht me “çastin” dhe mënyrën e sjelljes etike të individit në atë çast. Kjo do të thotë se në kohën e relativizmit etik nuk ka “ligj moral” dhe se morali është bërë aq shumë plastik sa që i përshtatet momentit, çastit të mënyrës individuale të sjelljes së individit. Madje, edhe duke i justifikuar moralisht ato.

    Padyshim në shoqërinë e sotme shqiptare është në krizë të thellë pikëpamja e vjetër doktrinariste e mundësisë së ekzistencës të vlerave morale me karakter të përhershëm dhe të pandryshueshëm. Megjithatë, “…mundësia e të kuptuarit të bashkëkohësve ose të njerëzve të çdo kohe tjetër, dhe aq më tepër komunikimi ndërmjet njerëzve, mbështetet në disa vlera të përbashkëta…Pranimi i vlerave të përbashkëta është pjesë e vizionit tonë mbi qenien njerëzore normale ” (Iziah Berlin, Idetë filozofike të shekullit XX f 33)

    Ka ardhur koha kur duhet të “ndalim këmbët”. Sepse nëse e përbashkëta në sferën morale në epokën e socializmit ishte e padobishme, për shkak të natyrës dogmatike të etikës së njëjtë për “njeriun e ri” dhe shoqërinë e re, tani në epokën postmoderne duket sikur ideja e ekzistencës së të përbashkëtës morale është pothuaj e pamundur. Sepse moralisht njerëzit janë të ndryshëm, të pabarabartë. Ndaj të tentosh që të vendosësh një moral të përbashkët, të barabartë për të gjithë njerëzit në shoqëri është si të mohosh thelbin individualist të natyrës dhe sjelljes njerëzore.

    Në ditët tonë kjo çështje është në rendin e ditës të debatit etik dhe sociologjik, sepse askush nuk ka mundur as teorikisht të zgjidh problemin e ekzistencës së “moralit të përbashkët” në kushtet e tolerancës, individualizmit dhe presionit të thellë të mënyrës postmoderne të jetës në kohën tonë. Megjithatë, është thelbësore që në hapësirat e liberalizimit të jetës morale, të individualizimit të sjelljes dhe zgjerimit të tolerancës së sjelljes dhe qëndrimeve morale në jetën e sotme shoqërore, ka një gjë që duhet të jetë dhe të mbetet e përbashkët. Ajo që ka të bëjë me dallimin moral të njerëzores nga jo njerëzorja në sjelljet e njerëzve në shoqëri. Vetëm mbi këtë bazë ka mundësi që njeriu moralisht të zotërojë dhe etikisht të drejtojë natyrën “pjesërisht shtazore”, t’i japë mundësi vetes të bëjë zgjedhje të pavarura të sjelljes morale.

    Në fund të fundit, është e provuar se në kushtet e lirisë, liberalizmit dhe tolerancës morale aftësia e njeriut për të zgjedhur zgjidhje morale të sjelljes personale, është baza e vetme që i jep atij dinjitet social dhe personal. Prandaj është e kotë të besosh në mundësinë e ekzistencës apo të rindërtimit të ndonjë lloj “morali egalitar”, i barabartë dhe i zbatueshëm nga të gjithë njerëzit në të njëjtën mënyrë. Edhe në sferën e moralit ka dallime të rëndësishme midis natyrës së sjelljes dhe qëndrimeve të qenieve njerëzore. Është e udhës të besojmë se pas kalimit të valëve të tranzicionit tonë moral, është e nevojshme si shoqëri, por dhe bashkë me shkencat shoqërore dhe institucionet e sigurisë morale t’i përvishemi punës për ripërkufizuar vlerat e reja morale në përputhje me specifikat e zhvillimit tonë. Ky është kusht madhor për të vazhduar rrugën e ecjes në “autostradën” e demokracisë liberale në Shqipëri. Sepse normat e përbashkëta morale në nivelin që duhet dhe i kërkon koha postmoderne, kanë aftësi të ndikojnë në veçoritë e zhvillimeve tona shoqërore, për të cilat ne kemi aq shumë nevojë.