Gëzim TUSHI/ Shoqëria shqiptare dhe nevoja për “liri të vazhdueshme”…

    427
    Sigal

    Pse ka skepticizëm për “lirinë e vazhduar” ?…

    Sa herë ka situate të vështira ekonomike, kriza morale apo shfaqje të bujshme të korrupsionit, rënie të besimit social, shfaqje të dukshme të pesimizmit individual tek njerëzit që për arsye të ndryshme të orientimit personal apo të rrethanave të jashtme dështojnë në rrugën e tyre, gjithnjë ngrihen tonuese kundër demokracisë si system dhe lirisë si produkt i saj. Lirinë jo thjesht në kuptimin politik por në të gjithë aspektet e ndikimeve polivalente të saj mbi ekonominë,shoqërinë, politikën, moralin, situatat sociale, krimin, vjedhjet, korrupsionin, etj.  Po të bisedosh me njerëz që janë të ndershëm por të dëshpëruar përballë çorroditjeve dhe anomalive të demokracisë shqiptare, menjëherë shkaku sipas tyre është mungesa e shtetit, shthurrja morale, liritë e tepëruara morale, etj. Të gjithë janë më të prirur të propozojnë idenë e deformuar se për të dalë nga kjo situatë ajo që duhet bërë më së pari është të kufizohet liria politike, ekonomike, morale, etj. Rrallë takon ndonjë njeri që mendon se ilaçi për të shëruar sëmundjet sociale të agravuara të shoqërisë tonë nuk është të kufizojmë liritë e arritura, qoftë edhe me këto mangësi e difekte, por përkundrazi t’i zgjerojmë ato duke e bërë modua viventi nevojën për ta mësuar shoqërinë tonë të bashkëjetojë me “lirinë e vazhdueshme”. Natyrisht, realiteti ynë social, problemet me të cilat përballen shumë ashpër qytetarët tanë tregojnë të vërtetën se nuk është e lehtë, që në periudha të zgjatura të tranzicionit siç ka qënë kurba historike e demokracisë shqiptare të mundësohet rregullimi i harmonizuar i raporteve, marrëdhënieve të qytetarit dhe shoqërisë me dimensionin e kërkuar prej kohës moderne dhe përmasat e zgjeruara të lirisë. E cila bazuar në mentalitetin doktrinar dhe paternalist krijon idenë e gabuar se në zhvillimet dinamike dhe anomalitë politike, ekonomike, sociale e morale të shoqërisë shqiptare, liria e fituar dhe aq funksionuese sa është, ngjan më shumë përgjegjëse se sa ndihmuese në rrugën për të zgjidhur situatat sociale, morale dhe individuale që zhvillohen intensivisht në shoqërinë tonë. Megjithatë duke ekskluduar nga disa rrethana problematike që kanë shoqëruar zhvillimet e deformuara të lirisë dhe demokracisë në vendin tonë, është me rëndësi të evidentohet se në të gjithë mendimin sociologjik botëror bashkëkohor, qarkullon si ide fikse mendimi se në epokën postmoderne, liria në kuptimin më të gjërë e polivalent të saj, pavarësisht difekteve kalimtare dhe kontroversave socialekonomike e morale që e shoqërojnë, është synimi dhe qëllimi dhe mjeti kryesor për të bërë realitet objektivat e zhvillimit ekonomik, social, moral e kulturor. Në këtë kontekst, duke parë raportet tona me lirinë edhe pse në realitetet tona mund të ketë arsye të natyrave të ndryshme që na bëjnë skeptik ndaj vlerave universale të saj, e sigurt është që në mënyrë paradoksale dhe për ca arsye enorme kontekstuale, duhet të shqetësohemi të gjithë, politika dhe shoqëria civile në rradhë të parë për të zbuluar shkaqet e vërteta se pse në shoqërinë tonë po shtohen zërat “kundër lirisë”. Kjo situatë është shqetësuese më shumë se problemet ekonomike apo krizat e tjera që shoqërojnë jetën tonë dhe ajo duhet kapërxyer në mënyrë që të pakësohen njerëzit e “pakënaqur me lirinë”, me ata qytetarë që në mënyrë direkte por shpesh herë të tërthortë në shumicën e rasteve bëjnë përgjegjëse për situatat sociale e morale që kalon shoqëria jonë tendencën e fortë të zgjerimit të dimensionit liberal të jetës sociale dhe forcimit të “përmasave të lirisë”. Pavarësisht sasisë së njerëzve që mendojnë kështu, duke i parë zhvillimet dhe realitetet në mënyrë empirike, besoj se ato janë qëndrime që kanë ndikim subjektiv dhe që mund të prishin shijen e jetës së lire. Pavarësisht se nuk kanë efekt devijues strategjik mbi orientimin liberal dhe thelbin e pandryshuar të shoqërisë shqiptare, e cila pavarësisht pengesave e zig-zakeve që vijnë nga postranzicioni, ecën e vendosur në rrugën e zgjerimit të kontureve të lirisë ekonomike, sociale e morale dhe në mënyrë të veçantë në rrugën e ridimensionimit të personalizuar të hapësirave të lirisë individuale. Pavarësisht anomalive sociale që përjetojmë çdo ditë në jetën tonë të përditshme nga shtimi i fenomeneve të asocialitetit, përhapjes së kulturës së anarkisë, cënimit të aspektit thelbit moral të lirisë, është megjithatë një gjë vërtet pozitive, që në aksin e vet të përgjithshëm të zhvillimeve të saj shoqëria shqiptare është duke u bërë gjithnjë e më shumë politikisht dhe ekonimikisht liberale dhe moralisht dhe nga pikëpamja sociale me natyrë të kristalizuar postmoderne. Kjo është arsyeja që liria në këtë vend pavarësisht vështirësive dhe shkaqeve subjektive të tyre, nuk ka më frikë nga “armiqtë” e saj. Shoqëria shqiptare, pavarësisht vështirësive kalimtare dhe situatave të pakëndshme e të pamerituara ekonomike e sociale është një “trup social” që ecën drejt lirisë. Në se pas drurëve individual do shikojmë pyllin social do të bindemi se në shumë aspekte standartet e lirisë sidomos në aspektin politik, në sferën e të drejtës së garantimit të lirisë së fjalës, zgjedhjes, grumbullimit dhe besimit, besoj se është në nivele të tilla që e bëjnë të sigurt idenë që në shoqërinë tonë nuk ka më asnjë shans për rreziqe ndaj hapësirave në zgjerim të lirisë.Debatet që në këto dy dekada të demokracisë bëhen për cilësinë qeverisjes, plotësimin e standarteve të zgjedhjeve, garantimin e paprekshmërisë së lirisë së medias, apo për aspekte të tjera të lirive dhe të drejtave postmaterialiste të njeriut postmodern, në thelb janë tregues të rritjes së përpjekjeve për konsolidimin dhe garantimin e nivelit dhe standarteve të lirisë si të tillë. Askush në shoqërinë tonë nuk ka më dyshim dhe frikë, se mund të cënohen liritë dhe të drejtat themelore të njeriut në mënyrë të vrazhdët, apo në kuptimin e drejtpërdrejtë të tyre në dimensionin makropolitik. Kjo është vërtet një arritje e shënuar e demokracisë sonë, që në shumë aspekte mund të vlerësohet se është duke u afruar me standartet e zhvillimeve në nivelin europian. Por tani jemi në stade të reja të zhvillimit dhe thellimit të demokracisë dhe të integrimit europian. Gjërat duhet t’i shikojmë me optikë tjetër. Sepse ka ardhur koha që lirinë ta shikojmë nga disa anë të tjera, që janë më kapilare dhe që duhen vlerësuar më seriozisht në vlerën e tyre. Sepse, nuk mund të themi se për lirinë në demokraci nuk ka më kurrë rreziqe. Ne jemi në një fazë të pambyllur të tranzicionit dhe në se mund të themi se i kaluam përfundimisht “rreziqet e mëdha” dhe të dukshme të lirisë, që përgjithësisht nuk përbëjnë më rrezik, në se nuk ka më asnjë shans për “kërcënime me dhunë” dëmtimit të saj, tani në shoqërinë tonë kanë filluar të shfaqen “rreziqe të vogla” të tjera të lirisë, që janë endemike dhe të padukshme për njeriun e zakonshëm, për njeriun e dhënë pas punës dhe përfitimeve të shumta materiale të lirisë. Në këtë kontekst, ka ardhur koha që kur flasim për lirinë, kur vlerësojmë të mirat dhe rreziqet e saj në shoqërinë tonë, është e domosdoshme që atë të mos e shikojmë vetëm nga sensi politik, social, i përgjithshëm. Tani atë duhet ta shikojmë edhe në aspektet e “lirisë së personalizuar”, apo më saktë si liri konkrete, si mundësi që lidhet me njeriun dhe përfitimet e tij jetike. Në këtë kontekst, duket se ka probleme në shoqërinë tonë. Sipas mendimit tim, nuk është e vërtetë se niveli i realizuar politikisht performancës së lirisë është i mjaftueshëm dhe që ajo në këtë nivel zhvillimi i ka të gjitha mundësitë që të “garantojë” në çdo kohë si duhet të gjithë të drejtat e personalizuara të individit. Ky raport i personalizuar i njeriut me lirinë si të tillë, është sot temë e madhe e ditës, është një nga shqetësimet sociale universale, e cila tani kur kanë kaluar dy dekada të konsolidimit të “lirisë së madhe” ka filluar të ndihet dhe të japë pasoja edhe në vendin tonë.  Kjo do të thotë se nuk është shënjë pjekurie për shoqërinë tonë në se standartet vepruese të lirisë do të shikojmë vetëm politikisht dhe në veprimin e tyre në mënyrë të përgjithshme apo në nivelin global dhe makropolitik të shoqërisë. Koha kërkon që këtë çështje ta shikojmë përtej kësaj optike tradicionale klasike, në mënyrë që të ndërgjegjësohemi për ca “rreziqe të reja” të lirisë. Sepse në se gjërat do t’i shikojmë në thelbin e tyre, atëherë do konstatojmë se në marrëdhëniet e njeriut me lirinë do të dallojmë, se në aspektet më të personalizuara në shoqërinë tonë ka shumë tregues shqetësues që jo vetëm cënojnë “lirinë e vogël” të individit, por dhe flasin për disa kundërefekte që mund të bëhen kërcënuese të lirisë politike dhe sociale ndaj individit. Në këtë kontekst besoj se nuk është pa vend fakti që filozofikisht, politikisht dhe nga pikëpamja sociologjike, në kohën tonë ka filluar të ravijëzohet e fortë ideja e pranisë së “kërcënimit pa dhunë” të lirisë. Ndër më kryesoret sociologët e shoqërisë moderne dhe politologët e liberalizmit modern konsiderojnë propagandën, manipulimin e medias dhe tiraninë e modës. Të cilat tashmë janë bërë omnipotente dhe me shumë pushtet mbi “lirinë” individuale edhe në shoqërinë tonë. Këto janë mjete alternative të “kufizimit të lirisë”, të cilat janë ndryshe nga kufizimi i saj përmes dhunës. Fridrih Hajek ka qënë mendimtari që me mençuri dhe mprehtësi mundi të vlerësojë rreziqet që i vijnë lirisë nga konvencionet morale, estetike, mediatike e propagandistike. Ato janë bërë armike eminente dhe shumë të forta të lirisë në kohën moderne. Në se akoma ka difekte të pjekurisë tonë sociale, kjo ka të bëjë me faktin që si shoqëri për shkak të së kaluarës tonë kolektiviste ndodh që edhe perceptimin për lirinë dhe dimensionet e saj e kemi të bazuar në ide të përgjithshme supersociale. Për pasojë në shumicën e rasteve, perceptimi i njerëzve për lirinë vazhdon të shikohet vetëm si mungesë e dhunës dhe e shtrëngimit shtetëror, duke e barazuar atë vetëm me disa standarte të njohura të lirisë, disa parimeve të saj si “liri pozitive” apo si “liri negative”. Por pa i parë gjërat që lidhen me lirinë në jetën individuale, në të cilin matet më mirë thelbi, esenca e vërtetë e lirisë…