Gëzim TUSHI/ Pse kaq shumë neurotizëm individual dhe brutalitet social?….

    492
    Sigal

    Nëse analizojmë me objektivitet sociologjik zhvillimet tërësore në realitetin e sotëm social, kontradiktat, konfliktet, vështirësitë e orientimit konceptual me ndryshimet e jetës postmoderne, reformimin e skemave morale e kulturore bashkë me paqartësitë e tyre, duhet të pranojmë së pari se për këto dukuri sociale empirike dhe për disa fenomene “metafizike” praktikisht ka arsye objektive, që janë të lidhura me ontologjinë, me esencën e ndryshimeve të thella politike, ekonomike, sociale e kulturore që kanë ndodhur në vendin tonë. Ndërkaq shkalla e konceptimit, e perceptimit dhe adoptimit subjektiv me to është e ndryshme në individë të ndryshëm. Disa janë adoptuar mirë me tingullin e kohës, kanë mësuar mirë këngën e ekonomisë së tregut dhe e hedhin me guxim vallen e lirë të kësaj kohe pa shumë mbrojtje sociale. Ndërkaq, ka shumë të tjerë që kanë mbetur prapa dhe që për arsye të ndryshme, vazhdojnë t’u “merren mentë” dhe të mos dinë s’i t’i hedhin hapat në këtë valle duke respektuar ritmin e determinuar të saj. Kjo situatë tashmë e formatuar qartë në dikotominë e saj e ka bërë shoqërinë shqiptare të duket sikur është duke u zhvilluar kaotikisht. Natyrisht në kohën tonë janë shtuar së tepërmi për njerëzit vështirësitë dhe sfidat e përballimit me sukses të sfidave të jetës së përditshme.

    Por ato nuk përballohen në se njerëzit nuk janë në gjendje të administrojnë neurotizmin që shkaktohet nga tensionet e garës, konkurrencës, ngushtimit të mundësisë së suksesit dhe shtimit po aq të rrezikut të disfatës personale. Ato përballohen nga njerëz të orientuar në mënyrë të shëndetshme dhe kurrë nga devijantët që shfaqen në shoqëri si njerëz brutal dhe me orientim jo normal. Njeriu i kohës së sotme në shoqërinë tonë është e vërtetë që po bëhet ambicioz. Ky është “kusht i shëndetshëm”, mjet për të përballuar dallgët e neurotizmit që buron nga jeta në garë, në konkurrencë. Por kjo nuk ka lidhje me njerëzit me që sillen me brutalitet, apo që shfaqen në shoqëri me ndjenja dhe sjellje jo adekuate.

    Në fakt nuk janë të paktë ata njerëz që nuk e kuptojnë se të gjithë jemi vendosur, me apo pa dëshirën e tonë në qendër të “cikloneve” të ardhura vrullshëm në shoqëri, të determinuara prej zhvillimeve postmoderne, të cilat jo vetëm janë të pashmangshme por dhe e kanë vendosur njeriun përballë shumë dukurive sociale konglomerateske. Një pjesë prej të cilave herë duken tipike dhe të pritura që të ndodhin dhe shumë herë duke u shfaqur si dukuri atipike, anormale, të veçanta, sidomos shqetësuese për shoqërinë tonë.  Në se bëjmë observacion të detajuar të fenomeneve që na shqetësojnë dhe që e bëjnë neurotikë shoqërinë tonë, besoj se është e vërteta, që në kohën e sotme ka disa dukuri që edhe pse mund të duken të “banalizuara” janë të shpjegueshme dhe të ushqyera paradoksalisht në terrenin social që është përtej banalitetit të tyre. Sepse janë fenomene që në shoqërinë tonë, e cila fare afër ka qenë tradicionale, shumë e “largët” me këto dukuri që lidhen me shoqërinë dhe njerëzit tanë përmes ndikimeve evidente të kontekstualitetit të zhvillimeve të postmodernitetit që zhvillohet vrullshëm në nivel global. Kjo është e kuptueshme. Por nga ana tjetër në shoqërinë tonë ka ca dukuri sociale të tjera që janë tërësisht tonat, që lidhen me natyrën e zhvillimeve të ekonomisë së tregut, zgjerimit të përshpejtuar të individualizmit, humbjen dramatike apo më saktë mohimin mekanik të gjithë vlerave morale të traditës, dobësimi familjes, zbehja e rolit të saj, liberalizimi seksualitetit, nxitja e konsumimit, dominimi i dëshirës së shfrenuar për pasuri, etj, të cilat doemos që do të kishin efekte sociale të “reja”, të panjohura në shoqërinë tonë. Sociologjikisht duke parë këtë situatë të zhvillimeve sociale kaotike, nuk mund të mos tronditen apo të shqetësohen njerëzit, madje duke i menduar ato si “fatalitete sociale”. Në këtë klimë sociale është bërë pjesë e kulturës së njerëzve tanë shfaqja e një lloj neurotizmi, që shpesh herë është i banalizuar duke kaluar në kufijtë e brutalitetit social. Që sot është bërë tejet shqetësues për shoqërinë tonë. Megjithëse është në natyrën e shoqërisë moderne që të zhvillohet e bazuar në prirjet e zgjerimit të dinamizmit individual dhe neurotizmit social, të bazuar në veprimin dhe kundërveprimin energjik individual e të personalizuar, kjo dukuri në shoqërinë shqiptare është bërë për shumë shkaqe e arsye ca eksentrike, e shpërpjestuar në përmasat sociale. Padyshim në sasi por sidomos cilësisht, ky brutalitet social në shoqërinë tonë është përtej normalitetit.

    Kjo situatë sociale gati e “legalizuar” e ekzistencës së neurotizmit ekstrem dhe zgjerimit të formave gati ekstreme të brutalitetit social, tashmë është në dimensionin e fenomenit social tipik, që shfaqet gjithandej, është e pranishme dhe krejt e dukshme kudo në shoqëri. Njerëzit tanë janë të shqetësuar nga që përditë ndodhen përballë kësaj situatë të zgjerimit të tërmeteve të neurotizmit eksentrik dhe sjelljeve brutale dhe pa humanizëm. Për pasojë kudo në shoqërinë tonë ndihet ravijëzimi i përshpejtuar i një situatë paradoksale neurotizmi të shndërruar padrejtësisht në “brutalitet social”, që shfaqet në familje, rrugë, komunitet, në sjelljet brutale në shkollë, në mungesën e theksuar të politesës qytetare në komunikimet interpersonale të njerëzve, në marrëdhëniet “horizontale dhe vertikale” të eprorit me vartësin dhe anasjelltas, të burrit me gruan, të prindërve me fëmijët. Megjithatë shqetësuese është situata që paradoksalisht në vend që ta bëjë neurotizmin kusht për përmirësimin e shëndetit të shoqërisë po e kthen “bateri individuale” që ka filluar të “ushqejë mirë” dhe t’i shërbejë zgjerimit të brutalitetit social, duke e bërë atë një nga dukuritë sociale me shtrirje dhe përhapje të gjerë në shoqërinë tonë.

    Natyrisht të gjithë si qytetarë jemi të shqetësuar, për deformimin që kanë marrë shumë standarde, vlera dhe parametra të sjelljes në qytetërimin tonë. Të cilat i ndjejmë të akseleruara në mënyrat e shfaqjeve të larmishme të sjelljes private neurotike, të cilat në shumë raste konvertohen në komportime brutale publike. Duhet ta njohim të vërtetën dhe ta pranojmë atë, në se vërtet duam të korrigjojmë shoqërinë dhe përmirësojmë standardet e deformuara të qytetërimit tonë. Por që të bëjmë këtë duhet të rregullojmë së pari perceptimin publik të realitetit dhe ndërgjegjen tonë qytetare në mënyrë që të ndërgjegjësohemi se me këto nivele të larta, eksentrike të neurotizmit individual dhe social dhe me këto parametra të shëmtuara të brutalitetit social, jemi ende larg standardeve të komportimit dhe komunikimit sipas parimeve universale të qytetërimit europian. Qytetar europian do të thotë njeri i karakterizuar prej sjelljes së butë, komunikimit human interaktiv, zgjidhjes konsensuale të problemeve, trajtimin e arsyeshëm të konflikteve të mundshme pa dhunë fizike e brutalitet verbal. Mund të ketë shumë arsye pse është kjo situatë, pse në shoqërinë tonë ka kaq shumë neurotizëm, agresivitet, brutalitet dhe sjellje të vrazhdët të ekzagjeruar në jetën tonë sociale. Por pavarësisht shkaqeve historike, kulturore, psikologjike apo veçorive të temperamentit, një gjë është e sigurt. Situata sociale e shoqërisë tonë nuk është e mirë. Kjo duhet të na bëjë të shqetësohemi seriozisht për “shëndetin mendor” të shoqërisë, duke ndryshuar disa standarde të “sjelljes së skaduar” që lidhen me traditën dhe strukturën etike të kohës së vjetër nëpër, të cilën ka kaluar shoqëria shqiptare. Natyrisht, duhet nga ana tjetër të kuptojmë më mirë kohën dhe kërkesat e saj. Sepse sipas mendimit tim, një pjesë e nxitimit, padurimit, nxitjes, komunikimit të vrazhdë është e lidhur me kërkesat dhe ritmin e përshpejtuar të kohës, mungesën e hapësirës së duhur për të vetëpërmbajtur veten në rrethana të veçanta. Në një farë mënyre në këto kushte është e natyrshme të besosh se niveli aktual i neurotizmi social është pozitiv. Sepse ka të bëjë me nevojën e akselerimit të jetës dhe veprimtarisë së njeriut, i cili nuk mund të jetë i qetë kur është përditë në luftë me jetën, në garë për të mbijetuar apo për të patur sukses të sigurt. Çdo ditë ritmi i jetës në shoqërinë tonë po bëhet i pandalshëm. Madje, siç thonë sociologët e shoqërisë moderne, ai po i kapërcen “kufijtë e arsyes” dhe nuk ka të ndalur, duke u bërë gjithnjë e më shumë lodhës dhe tmerrues për njeriun. Nga ana tjetër duke kuptuar ndikimet reciproke të neurotizmit të pakontrolluar individual me brutalitetin social, besoj se është e udhës të pranojmë se shoqëria shqiptare ka nevojë të bëjë gjithçka në dispozicion të zbutjes së neurotizmit, agresivitetit dhe brutalitetit. Kjo do të thotë se si shoqëri jemi përpara imperativit konsensual, që të kuptojmë nevojën urgjente për të përpunuar një sistem të ri marrëdhëniesh sociale dhe sistem të vlerave individuale duke rishikuar zakonet, traditat, idealet sociale, institucionet, në mënyrë që të gjitha ato t’i vëmë në shërbim të përmirësimit të standardeve të jetës dhe përmirësimit të treguesve të përkeqësuar të neurotizmit individual dhe brutalitetit social në qytetërimin tonë. Në se përkundrazi do vazhdojmë të ecim në rrugën e reduktimit të ndjenjave të tilla humane si besimi e mirëbesimi reciprok, marrëveshja, komunikimi tolerant, etj, atëherë me siguri që shoqëria jonë do të marrë trajtën e një shoqërie në të cilën do të mbizotërojë frikshëm nervozizmi, neurotizmi social, gjendja shpirtërore depresive dhe brutaliteti social. Koha kërkon që të reflektojmë më mirë për nevojat që kemi, pikërisht sot. Ndryshe…