Gëzim TUSHI/ Për një raport modern me kohën …

    436
    Sigal

    (Shoqëria dhe nevoja e Lëvizjes Cilësore Totale)

     Nëse ka një imperativ të fortë përballë të cilës është e shoqëria shqiptare me të gjithë komponentët e saj të jetës politike, ekonomike, sociale, kulturore e morale është orientimi me guxim të veçantë në rrugën e reformave dhe orientimit të çdo gjëje drejt një Lëvizje Cilësore Totale. E cila megjithë përpjekjet nuk ka marrë ritmin e duhur.

    Mund të ketë shumë pengesa të natyrave të ndryshme historike dhe aktuale, material dhe shpirtërore, të cilat duhen evidentuar dhe shmangur si pengesa të rrugës tonë drejt Progresit Total. Në fakt ritmet marramendëse të zhvillimeve të tranzicionit me të njohurat dhe të panjohurat e tij, si dhe shumë arsye të tipologjisë së zhvillimeve në Shqipëri kanë bërë që nuk kemi patur kohë dhe mundësi që të merremi shumë teorikisht dhe sociologjikisht me interpretime të raporteve të shoqërisë dhe individit me kohën.

    Qoftë në kuptimin filozofik si një realitet që është mbi segmentin kohor të një individi dhe një epoke apo dhe në kuptimin empirik si problem i shoqërisë dhe individit në raport me të kaluarën. Një problem që ka dy dekada që trajtohet në mënyra të ndryshme nga konservatorët që vazhdojnë të shenjtërojnë të kaluarën tonë, sidomos kur përballemi me problemet e sotme, deformimet demokratike e pasojat sociale.

    Nga ana tjetër janë ultraliberalët dhe nihilistët, të cilët në çdo gjë të keqe që ndodh sot në shoqërinë tonë e lidhin mekanikisht me të kaluarën dhe përgjegjësitë e saj. Besoj se optika me të cilën shikojmë kohën tonë, të kaluarën dhe të ardhmen duhet të jetë më pranë të vërtetës dhe sa më larg pasioneve të deformuara konservatore apo ultraliberale.

    Është e vërtetë që ne kemi ca arsye pak specifike për këto raporte që kemi sidomos me vlerat dhe përgjegjësitë e së kaluarës tonë. Sepse për një kohë jo e shkurtër, por gati një gjysmë shekullore u detyruam të bëjmë një rrugëtim të gabuar historik në kohë, të detyruar nga të “tjerët”. Por në të njëjtën kohë edhe të imponuar nga rrethanat sociale dhe determinimet historike, që jo aq shumë kanë qenë në dorën tonë dhe vareshin prej nesh. Tani është koha për të mbajtur qëndrimin e duhur. Sidomos me të kaluarën tonë. Pa e mohuar, por dhe pa e shenjtëruar vlerën e saj. Pa zmadhuar vlerat, por dhe pa nihiluar ato.

    Besoj se për të rregulluar një varg problemesh sociale, morale, historike do të duhet një qëndrim më dialektik me të kaluarën tonë. Duke parë problemet dhe duke vlerësuar rëndësinë e tyre mendoj se një qëndrim i tillë është në kohë dhe i domosdoshëm për të reflektuar nga ana sociale. Por problemi që shtrohet është se duhet pasur kujdes, sidomos me ato ide e pikëpamje të pastrukturuara qartë, por që në thelbin e tyre frymëzohen nga ideja se për të bërë progres dhe për të realizuar objektivat europianizuese të Lëvizjes Cilësore Totale duhet të “hiqet qafe” e kaluara e përbashkët e qytetërimit tonë.

    Kjo ide është e gabuar. Këtu është nevoja që të jemi të kujdesshëm, sepse sikurse arsyeton filozofi Jurgen Habermas,  “Individi e sheh të ardhmen e tij përmes të kaluarës dhe të tashmes. Kështu ai piqet dhe bëhet një personalitet i denjë për respekt”. (J. Habermas, “Ah Europë”, f. 50)

    Në zhvillimet cilësore të shoqërisë nuk mund të ecet kuturu. Ca më pak pa memorien e trashëgimisë historike apo nën sulmin e idesë liberale, që gjeneratat e reja mund të bëjnë çfarë të duan me kohën  e tyre, pa llogaritur të kaluarën. Ide të tilla e bëjnë botën sociale dhe natyrën e qytetërimit tonë të shfaqet në shumë raste pa lidhje sociale dhe domethënie kulturore. Kjo do të thotë që tek njerëzit tanë, veçanërisht tek të rinjtë duhet të krijohet bindja se kjo lloj bote dhe ky model qytetërimi jo kontinuitiv nuk ka të ardhme të sigurt. Sepse, “Ajo është botë pa prejardhje (pa të kaluar) dhe pa cak, përkatësisht pa ardhmëri; shoqëria e tillë është shoqëria e “kafshëve punëtore” të përkushtuara ndaj ciklit biologjik të prodhimit dhe konsumit”. (Patrice Canivez, “Të edukohet qytetari”, f. 179)

    Ka një problem që është evident në shoqërinë e sotme shqiptare dhe që të krijon idenë, se postmodernizimi po bëhet shkak që nihilizmi i të kaluarës (traditës) të shfaqet në qytetërimin e sotëm shqiptar si rrymë kaotike që kërkon të ecë pa hapësirë dhe kohë. Më saktë duket sikur zhvillimet janë jashtë përcaktimeve të tyre. Është vështirë të përfytyrohet një e ardhme e sigurt e qytetërimit tonë jashtë çdo gjëje të trashëguar, ndryshe zhvillimi mund të perceptohet si një ecje kuturu dhe pa busull sociale dhe orientim të saktë individual.

    Kjo mund të përfytyrohet si ecje drejt hapësirave pa kohë sociale dhe kohëve që vërtetë mund të jenë moderne por që nuk kanë të qartë hapësirën e tyre të ekzistencës historike. Nuk mund të mos pranojmë se në shoqërinë tonë janë të dukshme problemet e raporteve të njeriut modern në  marrëdhëniet me e tij me kohën dhe hapësirën në ndryshueshmërinë e tyre dialektike.

    Si shoqëri kemi nevojë të kuptojmë se njerëzit tanë kanë nevojë të mësojnë dhe të përshtaten me të vërtetën e madhe se njeriu i kohës postmoderne, i duhet të jetojë jo vetëm duke menduar vetëm për vete, por dhe të arsyetojë në mënyrë dialektike edhe mbi “botën e jetuar” nga të tjerët para tij, por dhe mbi atë që jeton ai vetë. Problemi është se duhet kuptuar ndryshe e vërteta që njeriu në çdo kohë ka raporte të caktuara me hapësirën sociale dhe kohën personale, që është e matshme dhe e vlerësuar. Në fund të fundit kjo çështje ka të bëjë me hapësirën dhe kohën e kaluar dhe të sotme që është njerëzore, që lidh kordonin e qytetërimit tonë të kaluar, të tashëm dhe të ardhshëm.

    Sepse ne duhet të besojmë se qytetari dhe qytetërimi ynë postmodern gjithnjë ka dhe do të ketë gjithnjë një marrëdhënie të caktuar nga koha për kohën, qoftë për të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen. Debati që duhet bërë është ky: A mund të ecet në këtë jetë postmoderne duke jetuar vetëm me të shkuarën, apo duhet jetuar vetëm me të ardhmen ? A duhet besuar ideja se për të ecur përpara duhet të “heqim qafe” me çdo mjet dhe mënyrë të kaluarën” tonë të përbashkët ? Historia e njerëzimit sidomos tani në kohën postmoderne ka plot raste, kur duhet luftuar për të hequr qafe një pjesë të së kaluarës që është penguese për progresin, e cila si rregull jo vetëm që është rezistente dhe nuk do të largohet, por shpesh bëhet pengesë për të ardhmen e qytetërimit.

    Natyrisht të gjithë e dimë që asnjëherë makina historike nuk punon me “marsh mbrapa”. Në këtë kontekst, ne kemi bërë ndryshime të mëdha në përmbajtjen e qytetërimit tonë, në zhvillimin ekonomik dhe kulturor. Kjo epokë nuk mund të ecë në rrugën e duhur, me shpejtësinë e duhur në se qytetërimin e mbajmë të lidhur fort vetëm pas traditave të vjetra, dhe në se jetën e shikojmë të mbërthyer nga e kaluara. Jo nostalgjitë e së kaluarës por përballimi i domosdoshmërive të rënda të nevojave dhe imperativave të shndërrimeve të sotme, janë detyrime madhore. Është koha kur lufta e qytetërimit tonë synon sigurimin e një stili të ri jete, që të jetë i vlefshëm për tërë shoqërinë.

    Nuk na e fal kush nëse nuk ecim në rrugën e duhur, me shpejtësinë e kërkuar të kohës postmoderne, duke u mbështetur gabimisht në nostalgji të vjetra apo duke penguar veten me koncepte që janë rrjedhojë e rrethanave ose e ngurrimit që kemi ndonjëherë për të braktisur shumë nga “shprehitë tradicionale” të qytetërimit tonë të së kaluarës por që nuk përshtaten dhe nuk i vlejnë kohës moderne.

    Natyrisht në supet e brezit të ri dhe përballë kërkesave të qytetërimit postmodern, e kaluara nuk ka të drejtë të rëndojë dhe të pengojë të ardhmen tonë. Është shumë shpejt për ne si popull vital, që të plakemi nga e kaluara jonë. Ne jemi popull i ri dinamik. Që në kohën e antikitetit Aristoteli ka thënë, se edhe zoti nuk e ndryshonte dot të kaluarën. Por sipas tij njerëzve të ardhmen u takon ta bëjmë vetë. Kjo do të thotë që të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë? Të gjykojmë të kaluarën apo të bëjmë të ardhmen? Sigurisht, formula është e tillë, që e ardhmja e qytetërimit nuk ndërtohet pa të kaluarën e vet, sepse ndryshe ajo mund të ngrihet mbi vetëm mbi themele rëre.

    Në fund të fundit, edhe pse jetojmë në një epokë të re, në suazën e një shekulli që ka veçoritë e veta, është e natyrshme të pranojmë se: “Nuk ka kreacion pa traditë që pranohet apo mohohet, që lavdërohet ose kritikohet, por që njihet dhe merret përsipër”. (P Canivez, “Të edukohet qytetari”, f. 179)

    Është absolutisht e vërtetë që populli ynë si çdo popull tjetër ka të kaluarën e vet. E cila edhe pse me vlerë të padiskutueshme nuk është e tëra e përkryer, dhe totalisht ndihmuese për të ardhmen. Qëndrimi dialektik ndaj të së kaluarës, është kusht i domosdoshëm për të ecur përpara në rrugën e emancipimit kombëtar, social dhe individual. Në se mbetemi “rob” të së kaluarës, në se paradigmat e së kaluarës së qytetërimit i shenjtërojmë totalisht, duke i kthyer të gjitha modelet dhe tipologjitë e saj në “tabu gjithëkohore” të pacenueshme, apo në se i shikojmë si vlera tradicionale universal.

    Kjo do të thotë se ne bëjmë gabimin më të madh historik, duke i bërë ato më shumë se ndihmuese, pengesë në rrugën e transformimit të qytetërimit tonë. E kaluara nuk mund të nihilohet totalisht, por as mund të mbivlerësohet universalisht. Një qëndrim metafizik që ndihmon të ecësh në rrugë të gabuar, duke bërë keq lidhjen e të sotmes,të djeshmes dhe të ardhmes është tejet e gabuar…