Gëzim TUSHI/ Morali është i vjetërsuar apo shoqëria është e deformuar?

    839
    Sigal

    Si kurrë më parë, raportet e shoqërisë me etikën dhe të sjelljes njerëzore me moralin janë bërë shumë të paqarta dhe kaotike. Madje, deri në nivelin sikur morali dhe çështjet etike janë bërë pavlerë sociale dhe si terma gradualisht po dalin jashtë nga qarkullimi i jetës sociale. Përmasat e reja të këtij fenomeni janë bërë shumë të dukshme edhe në shoqërinë shqiptare. Kjo është arsyeja pse besoj se të gjithë si qytetarë kemi shqetësimin social, pikërisht për situatën morale të dalë jashtë kontrollit apo të zhvilluar në mënyrë kaotike.

    Paradoksalisht, duke e parë nga ana formale këtë proces kompleks që zhvillohet në shoqërinë e ditëve tona, të krijohet ideja jo gjithnjë e saktë, se jeta në shoqëritë e zhvilluara postmoderne është në thelbin e vet etik e tillë dhe se mbi të gjitha në kohën e sotme është e pamundur që njerëzit dhe shoqëria të ecin me parimet e dikurshme udhëheqëse morale. Shumë karakteristika etike e vlera të sjelljes morale të sjelljes së njerëzve që kanë qenë tipike në të kaluarën, po zhduken nga ndikimet e forta të postmodernitetit dhe për pasojë, gradualisht po ato zëvendësohen nga jeta morale e turbullt, etikisht e  pasigurt, shpirtërisht e zbrazët.

    Padyshim është krejt evidente, madje duhet njohur dhe pranuar e vërteta që jetojmë, se në shoqërinë shqiptare në mënyrë të pashmangshme po zhvillohet një proces i gjerë social e moral, i cili po bazohet së pari mbi shpërbërjen e sistemit të vjetër të vlerave morale, shpartallimin e zakoneve dhe konvencioneve, që në të kaluarën më shumë se kanë qenë vlera morale kanë qenë dhe kanë shërbyer si mjet pothuaj ideologjik, si mënyrë sociale për të kontrolluar dhe disiplinuar sjelljet e njeriut dhe të shoqërisë në tërësi.

    Nëse kemi shqetësime të vërteta dhe keqkuptime konceptuale për ekzistencën e moralit dhe rolin e tij social në shoqërinë shqiptare sot, kjo në një masë të madhe sipas gjykimit tim është e lidhur me faktin se ka shumë njerëz që nuk duan të kuptojnë dhe të binden se ka ikur koha, kur shoqëria shqiptare mbijetonte moralisht dhe funksiononte nga ana etike, pikërisht nga që ishte e bazuar në ekzistencën e një etike të ideologjizuar dhe mbi të gjitha në forcën e moduleve morale dhe sistemeve etike detyruese të bazuara mbi traditën apo të imponimin ideologjik. Personalisht mendoj se etika e vjetër dhe morali që e ka shoqëruar atë tashmë është në kufijtë ekstremë të krizës ekzistenciale. Problemi që duhet zgjidhur së pari ka të bëjë me zgjidhjen e ekuacionit në se është morali i shoqërisë në krizë apo është vështirësuar adoptimi i tij me kohën postmoderne?

    Sepse duket qartë që në kohën tonë situata morale ka ndryshuar. Për pasojë edhe sjellja sociale dhe komportimi etik i njeriut postmodern. Sepse në kohën tonë nuk mund të procedojmë moralisht me paradigmat e ngurta etike të shoqërisë së mbyllur, në të cilën morali bazohej në ekzistencën e detyruar të një sistemi të “njëtrajtshëm mendimi” etik. Natyrisht, tipari esencial i kohës sonë dhe kushti për të gjetur zgjidhje të reja dhe adekuate morale për kohën, është teza e debatueshme në se morali është shumëfishim apo shuarje e sistemit të vlerave të kohës së kaluar, të realitetit ekzistues dhe realitetet e reja të kohës postmoderne? Padyshim deri sa të ekzistojë shoqëria njerëzore, është e natyrshme të besohet se edhe funksionimi moral i jetës do të ketë si kusht ekzistencial idenë, se pavarësisht individualizimit etik dhe diversitetit të të thellë të sjelljes personale të njeriut, ai në mënyrë të natyrshme do të jetojë dhe lëvizë brenda disa parametrave humane e kontureve morale të qenies së njësuar nga korniza etike funksionuese e kohës.

    Padyshim, ka qenë e pritur që koha postmoderne ka sjellë në mënyrë të natyrshme një proces gjigand të  zëvendësimit të vlerave të vjetra morale me vlerat e modernitetit qytetar. Në pamje të pare, duket sikur shoqëria është përfshirë nga një proces suprem i zëvendësimit të vlerave morale tradicionale me parimet themelore të jetës moderne, të cilat shpesh në institucionet e edukimit, në familje dhe kanalet mediatike kanë filluar të shfaqen si vlera abstrakte e formulime akademike, që ngjajnë sikur nuk janë shumë të lidhura me thelbin e vërtetë të jetës dhe nevojat urgjente të ditës.  Në kohën e sotme ka një shqetësim etik universal, që shfaqet në mënyrë evidente edhe në shoqërinë tonë. Ajo në thelbin e vet ka të bëjë me procesin e zgjeruar e gjithnjë e më shumë të përhapur të braktisjes së “vlerave të vjetra” etike dhe zëvendësimin e tyre me “parime të reja” morale. Shumë autorë të kohës moderne kanë konstatuar pas këtij procesi social dhe etik të kohës sonë, një “shpërfillje të pandërgjegjshme për moralin në vetvete”. Më saktë, bota po përballet me procesin e një lloj falimentimi moral e shpirtëror, i cili në kohën e sotme është bërë më i rrezikshëm se falimentimet e mundshme financiare, të cilat janë më të rikuperueshme.  Në vend të jetës me bazament moral, njerëzit kërkojnë një jetë me bazament të sigurt individual. Madje këtë ndjesi sigurie material që po zëvendëson dukshëm vlerën dhe nevojën e “sigurisë morale”, njerëzit janë gati ta “blejnë” me çdo çmim. Qoftë edhe me koston e krijimit të segmenteve të gjëra njerëzore që nuk kontrollohen më moralisht nga brenda vetes dhe që shfaqen të pavarur etikës sociale dhe prej moralit të tyre. Për pasojë po shtohen njerëzit, të cilët nga mungesa e “stofit moral” personal, shndërrohen në qenie që e lënë veten në duart e të tjerëve, duke e bërë kështu jetën personale pa vlera morale, të vlerësuar dhe të kontrolluar nga të “tjerët” apo të “varur” tërësisht nga faktorët e jashtëm jo moralë. Njeriu moral i orientuar nga sigurimi brenda vetes i vlerave të qëndrueshme, të cilat tani në jetën tonë sociale po bëhen gjithnjë e më të munguara, po zëvendësohet nga njeriu që po ngushton nën ndikimin e faktorëve të jashtëm materialë dhe jo moralë horizontin e përgjithshëm të veprimtarisë njerëzore, duke e bërë jetën e tij në “proporcione materialisht të kontrollueshme”. Mungesa e vlerësimit të moralit dhe zbehja e njeriut nga nevoja e ngutshme e respektimit të rregullave etike, po krijon kushtet sociale për krijimin e njerëzve të pa lidhur moralisht, që janë në porcione njerëzore të kontrollueshme. Kjo ka krijuar kushtet për krijimin e njerëzve që luajnë në jetë si marioneta të ndërkëmbyeshme, që shfaqen në jetën e përditshme si njerëz të parafabrikuar dhe pjesëtarë të hirtë e paformë të një lloj njerëzimi total. Shembja e simboleve morale është pasojë e mbivlerësimit të anës materiale të realiteteve sociale. Për pasojë duhet të bëhemi koshientë, për ato gjëra që moralisht nuk ecin në kushtet e shoqërisë postmoderne dhe që më së shumti lidhen me zgjerimin e anomisë sociale, tjetërsimin moral, fragmentimin shoqëror. Morali dhe ndikimi i tij social, sot po bëhen apo më saktë shfaqen të pafuqishëm përballë forcës së rregullave të tregut, magjisë së pushtetit dhe ndikimit determinant të parasë mbi vlerat morale të shoqërisë. Në këto kushte duket me shumë vështirësi mundësia që të realizohet procesi i “riarmatimit moral” të shoqërisë. Sepse është proces që pengohet jo nga fakti se njerëzit janë të prirur moralisht të zgjedhin rrugën e gabuar, por nga që shoqëria krijon kushte dhe ka sjell modele të paravendosura të ndërtimit vetëm material dhe përgjithësisht jomoral të jetës së njeriut. Në të vërtetë pasojat e këtij procesi nuk janë moralisht me pasoja individuale por etikisht me pasoja të gjëra sociale. Shumë autorë këtë qëndrim etik dhe sjellje morale, e lidhin me tipologjinë e përbashkët të “mendjes së perëndimit” që konsiderohet si mendje e mirë për të gjetur qëllimet materiale të jetës, por që është bërë e pazonja për të përcaktuar rrugët morale që duhen ndjekur për të arritur qëllimet e jetës. Bota postmoderne i ka dhënë prioritet njeriut, që është i aftë të gjejë e përpunojë  mekanizmin e “racionalizmit instrumental”, për të realizuar qëllimet materiale, por nuk bën gjë kur është fjala për racionalizimin e vlerave morale të njeriut në jetën e përditshme.  Kjo është arsyeja pse është masivizuar procesi i përballjes me një tjetër lloj njeriu, i cili përgjithësisht është pa dimension moral, i ftohtë, arrogant, materialist dhe që operojnë me parimet instrumentale të “qenies efikase” dhe njeriut pragmatist. Ideja iluministe melioriste, besimi se njeriu mund të përmirësohet moralisht duke qenë i arsyeshëm dhe që do të ecte në rrugën e vetëpërmirësimit moral, është tezë e kapur nga kriza e zhvillimeve postmoderne. Mundësitë e përsosjes morale të shoqërisë, me sa duket nuk janë më në duart e atyre instrumenteve që mendonin iluministët e vjetër. Tani shoqëria ka krijuar njeriun pa dimension moral, të dhënë tërësisht pas qëllimeve personale dhe interesave materiale që janë bërë “lënda e vetme djegëse” që vë në lëvizje motorin social të shoqërisë së sotme. Koha po tregon për fat të keq se jeta e njeriut nuk po ecën drejt përmirësimeve morale apo drejt së ardhmes së sigurt etike. Por në kohën tonë kjo situatë të çon në pranimin e konstatimit filozofik, se sa më i dobët të bëhet në shoqëri sistemi funksionues i vlerave morale, aq më i fortë duhet të bëhet organizimi i vullnetit pozitiv e qytetar i njeriut. Sepse “Në një botë në të cilën besimi në një bazament të përkryer të vlerave mungon, vullneti njerëzor do të duket trashëgimtar i natyrshëm, i bindshëm dhe në të vërtetë mbase dhe i vetmi i pranueshëm”.

    (Ernest Gellner, “Konditat e lirisë”, f. 285)