Gëzim TUSHI/ Liria dhe përgjegjësia, uniteti bazë i sjelljes etike…

    535
    Sigal

    Debatet për nevojën dhe rolin e moralit në shoqërinë postmoderne dhe sidomos shqetësimet e thelluara të shoqërisë shqiptare për mënyrën se si duhet ndërtuar etika sociale dhe morali individual, tani jo vetëm që janë në kohë por dhe kanë fare evidente substancën e diskutimit etik dhe social. Kjo do të thotë që ne duhet të bëjmë objekt të zgjeruar të debatit publik mediatik, në shkollë dhe familje, në institucionet fetare dhe në komunitet trajtimin me përgjegjësi të çështjes së përcaktimit të konceptit dhe modaliteteve të realizimit në jetën tonë të problemit të sigurimit të ekzistencës së “përgjegjësisë etike” të njeriut. Trajtimi i këtij problemi nuk është i lehtë në kohën e stome sepse kemi përballë qytetarin e lirë, njeriun pa shumë dimension etik që jeton në mënyrë të individualizuar në suazën e shoqërisë moderne shqiptare. Prandaj nuk është temë e thjeshtë që këtë problem ta bësh çështje të diskutimit shoqëror, publik, privat dhe akademik në shoqërinë tonë. Së pari ka me shumicë vështirësi konceptuale që sjellin konfuzion etik nga që siç duket në shoqërinë e sotme shqiptare ka një kaos konceptual në përcaktimin e bazave të “përgjegjësisë sociale” etike. Përgjegjësia morale e njeriut nuk është vetëm problem i sjelljes personale dhe vlerësimit të etikës empirike, por edhe një çështje në të cilën duhet të përfshihet mbi të gjitha mendimi modern sociologjik. Në se analizojmë pa paragjykime dhe parti pris morale këtë problem në shoqërinë tonë, në se vlerësojmë zgjerimin e dimensioneve të “anomisë sociale” dhe kaotikën e sjelljeve individuale, duhet sinqerisht të pranojmë se ndodhemi në “qendër të ciklonit” kur në shoqërinë tonë ka probleme morale, shformime të zgjeruara etike, që po shfaqen brutalisht në trajtën e deformimeve të rënda në sjelljen e njeriut. Qoftë në raport me “veten”, në lidhjet me “tjetrin” dhe në marrëdhëniet me “shoqërinë”. Me fjalë të tjera, shoqërisë tonë tashmë nuk i funksionon si duhet mekanizmi që e ndihmon njeriun që të bëhet “vetja”, të shkëputet “uni” i tij, dhe të ballafaqohet në mënyrë normale me “tjetrin”. Këtë defekt social të gjithë e konstatojmë por ose nuk merremi si duhet me të ose i bëjmë bisht përgjigjes që i duhet dhënë. Ndërtimi i sjelljes morale dhe lidhjeve etike me “veten”, “tjetrin” dhe shoqërinë është moment etik vendimtar për njeriun. Me të drejtë filozofët e etikës postmoderne vlerësimin e nevojës së ndërtimit të këtyre lidhjeve etike i quajnë “zbulim të socialitetit”. Sepse pikërisht kjo është “pika e takimit” etik të njeriut me tjetrin, e unit moral subjektiv dhe individual me tjetrin etikisht objektiv, është baza e lidhjes sociale të domosdoshme. Këtë mënyrë të lidhjes morale të gjithanshme të njeriut me veten, me të tjerët dhe shoqërinë, mendoj se duhet ta konsiderojmë si ekzistencë e kushteve të ndërtimit të “socialitetit moral”. Ky është moment i rëndësishëm jetik dhe etik, individual dhe social, në të cilën njeriu ka mundësi që në lidhje etike e marrëdhënie morale të njohë më mirë veten dhe tjetrin. Njeriu etik ka shumë mundësi të mësohet të ndjejë thirrjen morale që në shoqëri vjen nga “tjetri”, që patjetër që është një “tjetër moral” dhe që nuk mund në marrëdhënie me të ta asimilosh brenda vetes. Në këtë mënyrë njeriu bëhet i ndërgjegjshëm edhe për ekzistencën e subjektivitetit të tij etik, të ndarë nga tjetri por që ekziston si marrëdhënie në shoqëri. Në marrëdhënie me të tjerët njeriu njeh etikisht vlerën e vetes por dhe vlerën morale të të të tjerëve, dhe për pasojë bëhet i ndërgjegjshëm dhe vendos marrëdhënie me to.  Nga ana tjetër, kjo është thirrja që vjen nga “tjetri moral”, që nuk mund ta neglizhojmë në realitetin tonë etik, pikërisht nga që jetojmë në shoqëri me të. Socialiteti etik, lidhja moralisht e njeriut me të tjerët, është kushti që bën të mundur që njeriu të kuptojë se në epokën e sotme moralisht individi është më së pari më “shumë se vetvetja, më tepër se subjektiviteti i tij etik. Më qartë socialiteti moral është aftësia e njeriut për të zbuluar, respektuar dhe për të vendosur lidhje morale me “tjetrin” që është dhe sillet jashtë tij. Problemi është në se dalja nga vetja dhe lidhja moralisht me të tjerët (socialiteti etik) nuk është ndjenjë voluntariste, ajo është dëshirë, nevojë e domosdoshme e njeriut që të jetojë si njeri. Pikërisht socialiteti etik është moment kur njeriu del nga “vetvetja morale” dhe takohet me “tjetrin etik”, është akoma më saktë moment i “zbulimit” etik të tjetrit, i cili “është moralisht më shumë se vetvetja” dhe se njeriu moralisht të veçuar apo që jeton i mbyllur në vetvete.  Unë besoj se duhet të arsyetojmë dhe të flasim për dy raporte etike të detyruara të njeriut. I cili si qenie sociale e morale nuk ka rrugë tjetër, veç të jetojë në socialitet etik me të tjerët, duke mbajtur në ekuilibër dy raporte themelore ekzistenciale, raportin e brendshëm moral me “veten” dhe raportin etik të  jashtëm kur lidhet me të “tjerët”. Në mes të këtyre raporteve është ndjenja humane e “socialitetit etik”, nevoja e natyrshme e njeriut për lidhjen morale të pashmangshme ekzistenciale të “unit moreal” me “tjetrin etik”. Nuk është fjala as pretendimi për t’u marrë me fenomenologjinë e “lidhjes shoqërore” të njeriut me veten dhe të tjerët. Nuk është i lehtë zbulimi i këtij momenti në këtë shoqëri në të cilën jeton një njeri, që gjithnjë e më shumë nuk ka të përcaktuar dimensionin personal moral dhe përmasat etike sociale. Problemi i mungesës së dimensionalitetit moral të shoqërisë moderne është një problem që duhet trajtuar më vete, sepse edhe ajo ka komponentët dhe treguesit e vet. Ajo që duhet të sqarojmë këtu është se si mund ta përcaktojmë nga pikëpamja sociologjike dhe tipologjike, “njeriun pa dimension” etik. Sipas mendimit tim, mungesa e dimensionalitetit moral të njeriut si dukuri, është momenti i vështirë pikërisht tani që amoraliteti po bëhet dukuri sociale, dhe kur “njeriu nuk “gjen dot etikisht veten”. Një gjë që duket qartë në natyrën etike të njeriut të kohës tonë. Sociologët të ndodhur para ndryshimeve të mëdha morale të natyrës së njeriut postmodern, duke kuptuar kohën dhe ndryshimet e saj, janë të detyruar të pranojnë se kanë ndryshuar dy kontekstet bazë, në të cilat shfaqet “uni morale” dhe “tjetri etik”, veçanërisht lidhjet sociale ndërmjet tyre. Në kohën tonë nuk mund të flitet për këto raporte si në të kaluarën. Jetojmë në kohë të reja të “postmodernitetit”, apo “metamodernitetit”.  Normalisht që kanë ndryshuar mënyrat e lidhjes morale të njeriut me të tjerët dhe sidomos format e komportimit etik dhe të jetuarit moral në shoqëri. Në se në të kaluarën aftësia morale e sjelljes së njeriut për të jetuar etikisht në shoqëri (sociabiliteti etik) ishte i detyruar të zhvillohej brenda vlerave kolektive dhe interesave të përbashkëta, sipas shprehive që krijon tradita dhe kultura, zakonet, etj,, tani jetojmë në një shoqëri etike tjetër dhe për pasojë po përballemi me “njeriun pa dimension moral”, i cili shpesh është i huaj për vete por dhe për të tjerët. Por këtu duhet të jemi të qartë dhe të mos konfondojmë idetë e vjetra etike me ato moderne, siç dhe ndodh shpesh në shoqërinë shqiptare. Sociabiliteti etik modern, prirja apo dëshira e njeriut për të qenë në shoqëri, nuk duhet kuptuar si analoge me ndjenjën e vjetër të moralitetit primitiv të shoqërisë holiste, dogmatike, unitariste, që ka sunduar për një gjysmë shekulli në Shqipëri. Ka ndryshuar koncepti i vjetër që imponon sociabilitetin etik të njeriut, si përshtatje e detyruar morale me “vlerat kolektive” apo me konceptin e shëmtuar gjoja humanist të “interesit të përbashkët”, që e degjeneroi dhe shkatërroi moralisht shoqërinë tonë të vjetër, deri në përmasa më të neveritshme të mungesës së lirisë morale personale dhe cenimit brutal të identitetit etik individual të njeriut. Tani është kohë e ndryshimit progresiv, suksesiv, të shpejtë, e tipologjisë etike në të cilat njeriu ka mundësi, mundet dhe duhet të ndërtojë raporte të reja etike e marrëdhënie të personalizuara morale…

    Gëzim   TUSHI