Gëzim TUSHI/ Kritika politike e sociale si “profesion i intelektualit”

    494
    Sigal

    Profesor Artan Fuga para pak ditësh ka botuar shkrimin “Rënia e intelektualit”, që besoj se, duhet të shërbejë si pretekst i prurë jo pa qëllim nga prof. Fuga duke hapur kështu mundësinë e një debati, që në esencë është shumë i rëndësishëm dhe ka vlera që të debatohet seriozisht në shoqërinë tonë. Besoj se idetë që ka trajtuar Fuga por dhe trajtesat që mund të bëjnë të tjerët, përfshirë edhe autorin e këtyre radhëve duhet parë jo si qëllim në vetvete, as si pretekst për t’u bërë elozhe intelektualëve, por si reflektim për të vërtetën që në këto moment kur shoqëria jonë është sipas meje në momentin e duhur të përfshirjes nga një Lëvizje Cilësore Totale në çdo fushë të jetës, duhet bërë një rivlerësim shumë më serioz dhe krejt ndryshe për njerëzit që kanë në dorë Pushtetin e Dijes, Eksperiencën, Njohuritë dhe kanë aftësi të zbatojnë kudo praktikat e mira në politikë, ekonomi, jetën shoqërore e kudo. Intelektualët nuk janë “mbinjerëz”, por sidoqoftë janë qytetarë që kanë një lloj fibre sociale të veçantë, një ndjeshmëri të hollë ndaj qëndrimeve që pushteti dhe njerëzit e pushtetshëm mbajnë me ta dhe shoqërinë. Në se intelektualët vetmargjinalizohen duke sharë politikën dhe “përgojuar” politikanët që e bëjnë atë, atëherë asnjë faj nuk kanë politikanët dhe njerëzit e pushtetshëm që nuk kanë shumë shqetësime dhe kur nuk i kanë mirë lidhjet dhe marrëdhëniet jo thjesht me intelektualët por dhe me qytetarët dhe shoqërinë tonë në tërësi. Sigurisht kjo situatë nuk është gjithnjë për faj të këtyre të fundit.  Në se intelektualët kanë ndonjë faj në këtë rast, ai është një dhe i vetëm që lidhet me faktin se shoqëria beson se intelektualët ndryshe nga politikanët përgjithësisht janë të përbërë nga një lloj i veçantë i “materies njerëzore” dhe kanë atë përkatësi dhe role sociale që i detyron ata të kërkojnë jo mbështetje artificiale nga politika dhe njerëzit e pushtetshëm.  Kjo për ta nuk ka shumë rëndësi, sepse ata kanë botën e tyre dhe jetojnë pavarësisht nga ndjesitë eterne të politikës apo megalomanitë e politikanëve të zakonshëm. Ajo që nuk durojnë dot intelektualët dhe që i revolton ata së tepërmi, është vetëm fakti që ata nuk durojnë dot deformimet e kulturës së mostrajtimit të njerëzve sipas meritave dhe aftësive të vërteta personale, dhe së dyti kanë neveri për ata njerëz të pushtetshëm që kur hipin në karrige, harrojnë se kush janë dhe sidomos kur e vlerësojnë veten pavarësisht nga postet kalimtare të politikës dhe për pasojë kanë kurajon t’i shikojnë intelektualët nga “sipër”. Kjo i revolton dhe i mërzit intelektualët dhe i mban ata larg nga politika më shumë se çdo gjë tjetër. Është e vërtetë që intelektualët kanë një meritë apo të metë (konsideroheni si të doni), që përgjithësisht në të gjithë kohërat kanë dëshiruar të qëndrojnë larg intrigave të politikës. Sepse, sipas Aleksis de Tokëvilit “mendjet e mëdha kanë pasione më të mëdha se meskinitetet dhe mënyrat si zhvillohet politika”. Por kjo sqimë e intelektualëve për politikën, është një nga shkaqet që përgjithësisht në skakierën politike tonën gjithnjë janë krijuar vakume përvoje, kulture, ekspertize, kompetence dhe për pasojë në kushte të tilla është krejt normale që politikë, në drejtimin e punëve të shtetit, jo rrallë herë dalin njerëz që janë të njohur që nuk kanë asnjë vlerë, që janë askushi në fushën e dijes, përvojës, ekspertizës dhe kompetencës, dhe që nuk kanë qenë në gjendje të drejtojnë punët e tyre pa le më ato të shtetit dhe shoqërisë. Ka mbetur nga koha ideja e vjetër se mosangazhimi në politikë i intelektualëve është vlerë dhe virtyt që duhet konsideruar si gjë pozitive. Qëndrimi braktisës i intelektualëve, mungesa e dëshirës për të qenë të angazhuar politikisht ka bërë që në Shqipëri të krijohet një klasë politike që e ka bërë politikën zanat dhe veten e kanë kthyer në “zanatçinj” të saj. Mirëpo limitet e zanatçiut janë të kufizuara dhe kjo ka bërë që shpesh herë kur dëgjojmë nivelin e diskutimeve në Parlament, polemikat e përcipta, idetë empirike pa vlerë sociale e perspektivë për zhvillimet politike, ekonomike e shoqërore, gjëja që kupton më lehtë dhe që diskutojmë më gjerë është se ndodhemi përballë situatës së “fermentimit intelektual” të politikës. Ka kohë që globalisht problemi i vendit dhe rolit që luajnë intelektualët në shoqërinë e sotme të demokratizuar, të liberalizuar, me mundësi të zgjeruara individuale është bërë objekt i një debati të gjerë politologjik e sociologjik. Në pamje të parë duket sikur zhvillimet e sotme e kanë cenuar dhe dobësuar rolin social të intelektualit. Ata që nuk kuptojnë zhvillimet e kohës moderne dhe nuk vlerësojnë ndryshimet sociale, që doemos pasqyrohen edhe në ndryshimin e “statusit të intelektualit” në shoqërinë e sotme shqiptare, mbajnë qëndrim konservator ndaj zhvillimit dhe madje këtë e bëjnë përgjegjës për ngushtimin e vendit në shoqëri për intelektualët. Gjithnjë më është dukur mënyra më e mirë e përkufizimit të kësaj klase shoqërore, ajo që midis qindra të tjerave ka dhënë filozofi Raymond Aron, sipas të cilit “Përcaktimi më i përgjithshëm është ai që i quan ata (intelektualët-shënimi im) si punonjës që nuk punojnë me krahë”. (R. Aron, “Opiumi i intelektualëve”, f 235). Madje, të mërzitur nga befasitë dhe të papriturat e ekonomisë së tregut dhe ndikimeve të tij në ridimensionimet e statusit përmes mekanizmit financiar dhe dorës së fshehtë të tregut, tregojnë se kjo situatë po bëhet shkak që intelektualët në shoqëri të shpërfillen nga pikëpamja sociale e financiare, duke u margjinalizuar në jetën e sotme shoqërore. Por, megjithatë, sipas mendimit tim, në statusin e intelektualëve tanë në jetën shoqërore nuk është vetëm realiteti i jetës që ka ndikim. Në të vërtetë duket se në këtë “status të cenuar” kanë ndikim edhe vetë frikërat dhe paragjykimet sociale që kanë vetë intelektualët urbanë. Në analizë të shkaqeve të pozitës së ndryshuar dhe të statusit të ri të intelektualit në jetën urbane, sociologët mendojnë, se “Aty ku mbizotëron ekonomia e tregut, …intelektualët ka mundësi ta ndjejnë veten të margjinalizuar dhe të pavlerësuar…” (Ian Buruma, Avishai Margalit, “Oksidentalizmi, perëndimi dhe armiqtë e tij”, f 69). Padyshim për shkak të problemeve politike që ka shoqëria jonë duket se figurat më omnipotente, vizive, të pranishëm në jetën politike dhe publike duket sikur janë vetëm politikanët, opinionistët dhe gazetarët. Kjo situatë ka krijuar një problematikë sociale lidhur me “statusin e intelektualit” dhe rolit e tij në shoqërinë tonë. Si dhe me pozitën sociale që ai zë në shoqërinë e kohës moderne. Padyshim, jetojmë në kohë moderne, të demokratizimit të dijes dhe përhapjes së zgjeruar dhe me shpejtësi të kulturës. Kjo situatë e akseleruar dhe e demokratizuar e dijes, në shoqërinë shqiptare ka bërë që të duket disi i tronditur statusi i intelektualit klasik. Në fakt shumë ndryshime të këtij statusi, janë të lidhura me ndryshimin e kohës, turbulencat sociale të shoqërisë demokratike dhe modernitetit social. Këto kushte kanë bërë që edhe në shoqërinë tone, duhet kuptuar ndryshe roli dhe statusi i intelektualit. Sepse është koha kur “Figura e atij që i vetëm, në emër të së vërtetës, ngrihej kundër gjithë pushteteve për të thënë të “mirën”, “të vërtetën” nuk i përgjigjet më realitetit”. (Domenique Wolton, “Të shpëtojmë komunikimin”, f 46). Koha moderne e ka ridimensionuar pretendimet iluministe të së shkuarës, të cilat intelektualin e kishin vendosur në qendër të shoqërisë dhe jetës social-kulturore. Megjithëse është shumë i vlerësuar qëndrimi kritik, i cili me gjithë defektet e oportuniteteve të natyrave të ndryshme, duhet thënë se është i pranishëm në realitetin e jetës sonë publike dhe politike, intelektualët kanë kuptuar se në epokën demokratikë është e vështirë që ata të bëhen përfaqësuese i universales, që  të flasë dhe bëjë kritika në emër të saj. Intelektuali e ka ndryshuar statusin sepse niveli i kulturor i shoqërisë shqiptare është ngritur. Kjo është arsyeja që e ka bërë atë të jetë më realist, të flasë jo në emër të “statusit”, por në emër të aftësive të veta. Koha moderne kërkon që në kushtet kur niveli kulturor i shoqërisë bashkë me dijet dhe nivelin arsimor është në rritje, intelektuali të bëhet më modest për statusin dhe rolin e vet social. Sociologët e shoqërisë moderne mendojnë se roli i intelektualit nuk është që të përhapë ide iluministe, as e ka detyrën eksplicite të “ndriçimit të shoqërisë”. Në kushtet kur shkolla, kultura dhe dija janë demokratizuar dhe janë bërë masive në shoqërinë e sotme shqiptare, në të cilën niveli kulturor, shkencor dhe akademik është në rritje dhe numri i universiteteve tepër i lartë, ajo që shoqëria pret prej intelektualëve të saj, është t’i mësojnë qytetarët që organikisht të kultivojnë qëndrimin dhe mendimin kritik ndaj dobësive që vijnë nga të gjitha anët dhe shfaqen në të gjithë nivelet e jetës sociale të shoqërisë së sotme shqiptare. Sipas mendimit tim, në mënyrë evidente shfaqet fenomeni i dobësimit të aspektit dhe ndikimit social në jetën publike të intelektualëve. Kush e ka fajin? Koha moderne apo vetë qëndrimi i intelektualëve tanë? A mund të jetë intelektuali me mendje të hapur indiferent social përballë sfidave dhe problemeve të realitetit tonë? Sociologët thonë se, “…prirja për kritika është, si të thuash, shprehi profesionale e intelektualëve.”. Intelektuali nuk mund të qëndrojë indiferent përballë zhvillimeve të shoqërisë, sepse ai është njeriu që jeton nën peshën e ideve që nuk i duhen vetëm për vete dhe nuk janë vetëm pronë e tij. Kjo është arsyeja pse intelektuali është së pari i vlerësuar në shoqëri si “njeriu i ideve” progresive, të dobishme utilitarisht. Intelektualët janë të thirrur në shoqëri që mbi bazën e ideve të mira të bëjnë kritikën racionale ë asaj që është ekzistuese, dhe njëherësh të tregojnë se si duhet të jetë ajo. Një rol i vështirë, por që në shoqërinë tonë askush nuk mund ta bëjë më mirë se sa intelektualët…

    Som

    Intelektuali nuk mund të qëndrojë indiferent përballë zhvillimeve të shoqërisë, sepse ai është njeriu që jeton nën peshën e ideve që nuk i duhen vetëm për vete dhe nuk janë vetëm pronë e tij. Kjo është arsyeja pse intelektuali është së pari i vlerësuar në shoqëri si “njeriu i ideve” progresive, të dobishme utilitarisht.