Gëzim TUSHI/ “Diagnozat morale” pa rrugëdalje nuk i vlejnë shoqërisë…

    486
    Sigal

    Çështjet e jetës morale të shoqërisë shqiptare kanë dalë në evidencë dhe janë bërë shqetësime me përmasa të vërteta sociale. Një varg problemesh etike të trajtuara keq, dogmatikisht dhe shumë sjellje njerëzore të trajtuara me liberalizëm in -ekstremis kanë sjellë turbulence të forta në shoqëri. Njerëzit janë të tronditur nga kjo situatë e paqartësive etike dhe kaotizmit të jetës morale. Edhe pse i kuptojnë fenomenet morale që po ndodhin nuk dinë t’i vlerësojnë dhe gjykojnë etikisht, t’u përcaktojnë diagnozat e duhura dhe terapitë etike përkatëse. Zakonisht kjo situatë në rrafshin sociologjik mund të shikohet si një realitet që buron nga fakti që si shoqëri në tërësi vijmë nga një epokë morale e deformuar, e mbuluar me koncepte, e mbushur praktika morale dhe vlerësime etike të ndikuara nga totalitarizmi etik i “moralit komunist”. Në këto kushte kur situatat politike, ekonomik, sociale e morale janë përmbysur jo vetëm nuk është e lehtë, por me sa duket e kemi të vështirë të kuptojmë ndryshimet etike që ka sjellë koha post-moderne në shoqërinë tonë. Problemi është i lidhur me kuptimin e këtyre ndryshimeve me natyrë material, shpirtërore dhe morale, të cilat nuk janë të thjeshta, por përbëjnë kushtet e plota të një Revolucioni Moral që ka ndodhur kohët e fundit tek ne. Në këto kushte ne kemi nevojë të kuptojmë kohën, të pranojmë ndryshimet etike dhe të përshtatemi me paradigmat morale të jetës post-moderne. Natyrisht, edhe kjo nuk është e lehtë. Sepse që të ndodhë kjo më së pari duhet të pranojmë konsensualisht si shoqëri nevojën e spostimit human të “Kufirit Etik” të shoqërisë së vjetër bashkë me moralin e saj hipokrit dhe të ndryshkur. Ne mund të merremi me etikën dhe problemet morale që ka shoqëria jonë, mund të bëjmë diagnoza dhe të përcaktojmë terapi, duke patur parasysh të vërtetën e madhe, që koha që jetojmë në thelbin e vet është postmoderne dhe ka sjellë në mënyrë të natyrshme nevojën e ndryshimeve të thella edhe në fushën e moralit. Pa kuptuar këtë të vërtetë është e kotë përpjekja e përbashkët etiko-sociale që synon që të krijojë një qytetar me të drejta të qarta dhe të plota etike. Padyshim realitetet globale dhe zhvillimet dinamike etike në shoqërinë tonë, problemet me të cilat përballemi, konfuzionohemi dhe që shpesh nuk u japim përgjigje adekuate, kanë për bazë tronditjen e thellë që kanë pësuar historikisht në fillim koncepti iluminist dhe pastaj doktrinarizmi etik marksist për të mbajtur gjallë besimin tek mundësia ekzistenciale e realizimit me mjete edukative, kulturore e ideologjike të perfeksionit moral të njeriut të kohës sonë. Beteja etike në kohën tonë është përqendruar në një rikonceptim ndryshe të etikës dhe sjelljes morale duke synuar krijimin tek njerëzit të disa cilësive morale universale, me gjykim të shëndoshë moral dhe aftësi për të respektuar rregullat e humanizmit dhe drejtësisë sociale. Padyshim, sido që të arsyetojmë për realitetet morale shqetësuese të shoqërisë tonë, një gjë mbetet e sigurt. Duhet të përpiqemi me rrugë e forma të tjera më dinamike e të personalizuara për të ndërtuar Shoqërinë e Shëndoshë dhe individin si Person Etik, sepse epoka postmoderne, shoqëria liberale dhe natyra ultraindividualiste e njeriut e kanë rrëzuar “besimin iluminist” që shpresonte se zhvillimi etik i shoqërisë dhe progresi moral i individit do të ishin produkte të thjeshta të zhvillimit të arsimit apo të mënyrave kulturore të “ndriçimit të mendjes”. Po kështu, në kohën e sotme demokracia ka krijuar një situatë sociale në të cilën ka marrë fund edhe ëndrra tjetër, se krijimi i një grupi njerëzish të kulturuar në shoqëri, do të ishte baza për të udhëhequr njerëzit në rrugën e përsosmërisë morale. Megjithatë, fakti që tashmë në shoqërinë tonë përballemi masivisht me probleme të thella të degjenerimit moral të individit, cenime të parimeve të bashkëjetesës humane, tregon se ideja e shoqërisë moralisht harmonike nuk është gjë e lehtë për t’u realizuar. Sidomos në kushtet kur pranimi i filozofisë së individualizmit si ideologji e postmodernitetit, ka bërë të vështirë arritjen e kompromisit moral midis interesave egoiste të individit dhe nevojës ekzistenciale të së mirës së përbashkët. Kjo do të thotë se për moralin në shoqërinë tonë duhet diskutuar në kushtet e dështimit të platformave utopike, të ndërtimit të njeriut të ri apo të idesë utopike të shndërrimit të popullit real në popull moralisht ideal. Kështu sot jemi në një situatë kur realisht si kurrë më parë është vënë në vështirësi gjetja e mundësive dhe rrugëve për të ndërtuar shoqërinë moralisht të mirë. Tani që në shoqërinë tonë shpërthimi i individualizmit është I paevitueshëm, është vështirë të pretendohet për humanizëm, solidaritet dhe njeriun moralisht komun që mund të sakrifikojë interesat e tij për ato komunitare apo të përgjithshme. Në këto kushte duhet folur për etikën dhe mundësinë e rindërtimit të moralit, pasi të kemi pranuar të vërtetën se në kohën e sotme ekzistenca e njeriut pa interesa apo e individit që sakrifikon interesat e veta për shoqërinë, është thjesht një hipokrizi e vdekur që nuk është fare morale dhe nuk i shkon fare kohës postmoderne. Në sociologji shpesh duke analizuar situatën sociale dhe efektet etike të postmodernitetit jo rrallë flitet për “efektet negative të lirisë, si mjet që hapi rrugën e përgjithshme të luftës së pasurimit personal të gjithëve”. Kjo situatë ka ardhur e plotë edhe në shoqërinë tone, e cila është përfshirë nga “rivaliteti i përgjithësuar”.  Në shoqërinë tonë tani askush nuk ka dyshim se çdo njeri ka koncept ndryshe për veten, tjetrin dhe moralin. Kjo kuptohet në mënyrë sintetike duke parë faktin që njeriu në jetë punon, mendon dhe nxitet sipas mënyrës së vet dhe lufton vetëm për të mirën dhe interesat e veta. Përfshirja në garën e pasurimit, dobësimi i lidhjeve sociale dhe zbehja e marrëdhënieve të përkatësisë sociale janë fakte që ndeshen rëndom dhe janë pjesë e kulturës postmoderne. Shoqëria postmoderne e ka këtë të keqe, ajo stratifikohet si shoqëri që duket më së shumti e përbërë nga individë që kanë vetëm synime vetjake, të cilët nga që janë vërsulur në turmë për të siguruar me çdo kusht kënaqësitë e vogla vulgare personale të ditës duken sikur janë njëlloj. Kjo do të thotë se për moralin duhet folur në kushte të reja, në mënyrë që të mos ndërtojmë etika false, që jo vetëm të lodhin mendimin por dhe të pengojnë në realizimin e objektivave të jetës personale dhe paprekshmërinë e dinjitetit njerëzor. Problemi është si mund të ndërrojmë atë etikë dhe të vëmë në jetë atë moral që të harmonizohet me kërkesat materiale, hedonistike dhe konsumiste të njeriut të kohës sonë. Kjo nuk është e lehtë. Madje është e vështirë.  Sepse demokracia në Shqipëri, por jo vetëm, ka vështirësi në administrimin e shoqërisë por nga ana tjetër universalisht ajo shërbeu si mjet për zbulimin e dobësive të vërteta morale të natyrës njerëzore. Madje bashkë me to ka sjellë edhe një skepticizëm të thellë etik që tregon dobësimin e besimit etik e social se gjërat e moralit do mund të rregullohen në shoqërinë tonë duke e bërë atë më të mirë se sa është sot. Morali është në rrezik nga revanshi pa përmbajtur i procesit të “barbarizimit” të shumë zakoneve të mira morale të trashëguara, të cilat në një masë të konsiderueshme nga që janë mohuar totalisht e kanë cenuar optimizmin antropologjik mbi mundësitë e përmirësimit të sjelljes morale të njeriut të sotëm. Madje, duke parë kurbën e zhvillimeve morale dhe procesin e përshpejtuar të degradimit etik të jetës sociale dhe sjelljes individuale, të krijohet përshtypja se morali në shoqërinë tonë është i sëmurë rëndë, nga që është i prekur nga një diagnozë e vështirë që duket pa “rrugëdalje etike”. Kjo sepse periudha e demokracisë në Shqipëri duke sulmuar pjesën e vjetër të etikës dhe duke zhvlerësuar me të drejtë masa të gjëra të kalbura të moralit tradicional, në përpjekje për të modernizuar etikën sociale dhe mënyrat e sjelljes individuale të njeriut, i ka kushtuar më shumë rëndësi liberalizimit të paradigmave etike, ndryshimit të mënyrave të vjetra të sjelljes individuale dhe komportimit social duke nxitur kështu individualizmin etik ekstrem. Por kjo nuk do të thotë të mos shikojmë realitetet që zhvillohen në shoqërinë tonë në të cilin krimi është bërë si “buka e përditshme” (Karl Popper), kur mbrojtja e minorenëve po vihet në rrezik, kur e keqja sociale ka prirje të banalizohet dhe të bëhet pa efekt social. Sociologët të alarmuar nga situatat e degradimit moral të shoqërisë së sotme kanë ngritur alarmin real dhe jo metaforik për forma të frikshme të mutacionit gjenetik të njeriut që po e bëjnë atë qenie pa koshiencë apo i reduktuar në send të zakonshëm. Problemi i krizës së vlerave morale në shoqërinë tonë duhet vendosur në rendin e ditës të diskutimeve publike. Kjo sepse ne jemi në situatën kur kemi nevoja urgjente për të bërë rregullime morale. Mbi të gjitha është momenti i duhur kur duhet nxitur procesi i madh kombëtar për emancipimin etik të njerëzve tanë. Por këto nuk mund të arrihen me leksione e propaganda, në se nuk mendojmë se si do organizohemi si shoqëri për të rindërtuar dhe vënë në veprim forcën sociale dhe veprimin etik të njerëzve tanë…