Gëzim TUSHI/ A ka bazë për “standarde etike” në kohën postmoderne?

    413
    Sigal

    Për njeriun individualist dhe sjelljen morale relativiste…

    Me sa duket është e pamundur që etika të bazohet në ideologji, apo që në themel të saj të qëndrojnë vlerat e vjetra të doktrinave filozofike të epokave të tjera. Në ‘to ka gjëra që duhen vlerësuar për kontributin e tyre historik në etikë dhe moral, por ato nuk mund të shërbejnë më si “gur caku” për të orientuar moralisht shoqërinë e sotme, apo për të ndërtuar sjelljet dhe zakonet e njeriut të kohës postmoderne. Kjo kohë ka relativizuar dukeshëm natyrën normative të etikës, si sistem i qëndrueshëm vlerash që ka për detyrë të “vendos” standardin etik në shoqëri. Kjo situatë nuk është e lehtë dhe për pasojë në shoqërinë e kohës tone, është vështirë t’u kërkosh njerëzve që të zotërojnë parime etike doktrinare e dogmatike. Kjo është e pamundur, në kushtet kur nuk ka më asnjë forcë që e dikton etikën dhe imponon moralin në mënyrë ultimative.

    Unë mendoj se, për të rregulluar “etikën e shoqërisë” dhe “sjelljen morale” të individit që është pjesë e shoqërisë sonë të përbashkët, duhet të kuptojmë se nuk ka shumë lidhje direkte midis asaj që etika na mëson se, “duhet bërë” dhe devijancave të moralit konkret të njeriut, i cili shpesh nuk bazohet në norma të etikës së shkruar për “atë që bën” moralisht në jetën e vet të përditshme. Megjithëse ka njerëz në shoqërinë tonë, që për motive të ndryshme nuk e pranojnë apo janë kundër realitetit të zgjerimit të kontureve të relativizmit moral, ai është një fakt që duhet njohur dhe pranuar sepse praktikisht po bëhet gjithnjë e më shumë i padiskutueshëm, i pëlqyer nga njeriu i kohës së sotme, i cili edhe moralisht kërkon të jetë i lirë nga shtrëngimet e panevojshme, të diktuara moralisht nga faktorë të “tepërt” që janë “jashtë njeriut” dhe shfaqen si kufizime absurd kundër dëshirave dhe kënaqësive të tij të personalizuara.
    Duam apo nuk duam na pëlqen apo nuk na pëlqen ne kemi hyrë në valët e shoqërisë postmoderne, dhe morali i kësaj shoqërie nuk bazohet ne etikën normativiste, por në të vërtetën që njeriu si qytetar i pajisur me një sistem “vlerash abstrakte” e përgjithshme të qytetarisë, duke qenë i aftë të luaj rolin e vet si qytetar është në të njëjtën kohë në gjendje që të bëjë të mundur bashkëjetesën organike me realitetin e ri etik të shoqërisë shqiptare. Kjo do të thotë se, në mënyrë të pakthyeshme, ne do ecim në rrugën sipas motos që po bëhet sunduese sot dhe do jetë akoma më shumë në të ardhmen, se ”parimet e sjelljes morale të njeriut në kohën postmoderne më së shumti dhe mbi të gjitha janë dhe do të bëhen çështje ekskluzive e zgjedhjes së vetë individit”. Ideja etike e nevojës së ekzistencës së standardeve me natyrë objektive dhe vlerë të përgjithshme morale, duhet riparë si koncept dhe duhet ndryshuar në aksin e perceptimit praktik. Kohës postmoderne duhet t’i kthejmë kokën drejt dhe moralisht duhet të flasim me gjuhën e saj. Nuk jam i sigurt me këto zhvillime të vrullshme që ka marrë shoqëria individualiste dhe kristalizimi i njeriut me dimension moral vetjak se si mund të tentojmë të flasim apo të mendojmë të kanonizojmë norma morale fikse apo të mendojmë se mund të rindërtojmë një bazueshmëri etike.
    Personalisht këto detyra e misione morale duken të vështira përderisa gjithnjë e më shumë kemi hyrë në epokën e individualizmit jemi përfshirë tërësisht nga dallgët e forta të relativizmit moral. Në këto kushte të duket si i tepërt termi “standarde morale” me natyrë objektive. Duke patur dyshim të qëndrueshëm për këtë gjë, për ekzistencën e standardeve morale të konceptuara si module të një kohë tjetër, mendoj se duhet të ndryshojmë termat, konceptet dhe modalitetet etike të rindërtimit të sjelljes morale të njeriut të epokës postmoderne. Sipas mendimit tim, duke parë zhvillimet etike dhe sjelljet morale në shoqërinë tonë, por dhe përtej saj, kam bindjen dhe dëshirën që të pranojmë një ndryshim që nuk është formal por thelbësor, për rindërtimin e realiteteve etike dhe përmirësimin e sjelljeve morale të njeriut në shoqëri.
    Sipas mendimit tim në vend të konceptit social normativ dhe pak dogmatik të sintetizuar në sintagmën “standarde morale”, duhet të konsiderojmë termin “vlera abstrakte” të sjelljes së qytetarit, si tipare që i duhen njeriut të kohës sonë për të qenë qenie humane që jeton normalisht dhe moralisht në shoqëri. Në këtë mënyrë mendoj unë, do kemi më shumë mundësi të ndikojmë në rindërtimin e bazës morale të shoqërisë dhe sjelljes etike të individit. Ky arsyetim më duket i drejtë dhe mbushamendës sepse në shoqërinë tonë përballja e njeriut me etikën dhe vlerat e sjelljes morale, me sa duket gjithnjë e më shumë ka për të qenë një proces i individualizuar dhe ultrapersonal. Këtë tendencë e favorizon zgjerimi i bazamentit etik liberal të shoqërisë shqiptare, e cila në mënyrë të natyrshme ka marrë rrugën e pakthyeshme të individualizimit etik të sjelljes së njeriut. Sociologët postmodernë këtë realitet e vlerësojnë si arritje të madhe të qytetërimit, e cila bën të mundur “gjënë madhështore” që moralisht çdo njeri të ketë mendimin e vet. Madje edhe të ndryshëm nga të tjerët. Padyshim, me pak sens mase dhe ndjenjë të përbashkët të pranimit të një sistemi vlerash morale abstrakte (në kuptimin të ngjashme e të përbashkëta). Nuk ka asgjë të keqe në se pranojmë se etikisht po ecim drejt një shoqërie, në të cilën në një masë të konsiderueshme dhe si kurrë më pare, vlerat morale dhe mënyrat e sjelljes së njeriut po bëhen “çështje preferencash personale”. Kritiku social Os Guinness, mendon se në kohën postmoderne “Nuk ka konstante morale, vlerat morale janë të vërteta vetëm relativisht ose të dobishme vetëm nga ana shoqërore, ndërsa çështja e etikës është vetëm një çështje rregullash themeltare optimale” (John Blanchard, A beson perëndia te ateistët ?”, f 23)
    Nga ana tjetër filozofi liberal postmodernist amerikan Richard Rorty, duke analizuar këtë realitet të ri të etikës dhe moralit në jetën postmoderne, me kurajo intelektuale prej filozofi thotë se “Nuk ka asgjë thellë brenda nesh, përveç asaj që kemi vendosur vetë atje, nuk ka asnjë kriter që nuk e kemi krijuar vetë”. Pra sido që të presim dhe çfarëdo arsyetime doktrinare etike që të bëjmë, duket se në shoqërinë postmoderne nuk ka më shanse dhe mundësi për kulturë dhe traditë morale egalitariane, sjellje të përbashkët, unike për të gjithë. Sepse është vetë natyra e jetës, thelbi i postmodernitetit etik, që “standardet morale” pranohen por me kushtin që ato të jenë fleksibile, të brendësuara nga njeriu si qytetar me vlera abstrakte. Natyrisht kjo situatë është e vërtetë që herë pas here do ta bëjë të vështirë mundësinë e shoqërisë për të ushtruar “kontrollin moral” të individit dhe shoqërisë, mënyrën si organizohet sjellja sociale e morale. Është e sigurt që tani e tutje ato (sjelljet e njeriut) do të kenë vazhdimisht një shkallë të lartë paparashikueshmërie morale. Por këto janë kostot e lirisë morale të individit, të njeriut që kërkon me këmbëngulje që edhe në jetën morale të ketë identitetin e vet. Në këto kushte ajo që duhet të bëjmë, është që të përballemi në mënyrë të zgjuar me ndikimet e forta të realitetit, që është nën peshën ndikuese të ekspansionit social, që vjen nga tendenca në thellim e zgjerimit në shoqërinë tonë të relativizmit moral. Kjo do të thotë që për etikën dhe moralin duhet të diskutojmë më shumë, intensivisht dhe me këmbëngulje sociale, duke vënë në lëvizje të gjithë institucionet e “sigurisë morale”. Kjo për të bërë vlerësimin e duhur midis realitetit shpesh herë moralisht të deformuar dhe ndikimin përkeqësues që kanë në disa raste mirazhet morale të modernitetit mbi njeriun thelbësisht individualist dhe me Sjellje Morale Relativiste…