Gezim Prengzi/ Biodiversiteti, thesaret e tij në Tropojë

    950
    Thesaret e biodiversitetit, biodiversiteti ose shumëllojshmëria biologjike në vendin tonë është e pasur dhe vlerësohet si një nga pasuritë më të çmuara. Shumëllojshmëria biologjike ose “larmia e jetës” përfshin tërësinë e gjeneve, të llojeve dhe ekosistemeve në një zonë të caktuar. Biodiversiteti është tregues i “shëndetit” të ekosistemeve, sa më e madhe të jetë shkalla e biodiversitetit të një rajoni të caktuar, aq më i shëndetshëm vlerësohet ai rajon. Por dëmtimi i Biodiversitetit, ndodh nga disa rrugë. Shkatërrimi i habitatit-shpyllëzimi dhe rritja e sipërfaqeve të urbanizuara ose ato të infrastrukturës rrugore janë aktivitetet që shkatërrojnë drejtpërsëdrejti habitatet natyrore ku jetojnë organizmat e gjallë. Llojet pushtuese në natyrë pengesa të tilla si: lumenjtë dhe detet, oqeanet, malet dhe shkretëtirat, krijojnë larmishmëri të habitateve dhe nxisin formimin e llojeve të ndryshme. Kur këto barriera “bien”, atëherë lloje të reja hyjnë në habitatet ekzistuese duke u future në konkurrencë me llojet vendase. 
    Larmia biologjike ose biodiversiteti ne Tropojë
    Duke parë pozicionin gjeografik në të cilin ndodhet Tropoja tregon që është mjaft e favorshme për florën dhe faunën në këtë zonë dhe është një vend mjaft interesant pikërisht nga vendosja gjeografike në mes të ujërave dhe maleve. Larmia biologjike ka rëndësi si për mjedisin ashtu edhe për jetën dhe veprimtarinë e gjallesave ku përfshihemi edhe ne, njerëzit. Kjo larmi shërben dhe ka një rëndësi të madhe në mjekësi, industri, peshkim, gjueti dhe ekoturizem, po ashtu edhe në fusha të tjera. Pra me pozitën e saj, Tropoja është e pasur me shumëllojshmëri të bimëve dhe kafshëve që e favorizon atë në zhvillimin ekonomik të rrethit. Pylli është njësia bazë ku merr jetë tërë ekologjia komplekse natyrore e gjallesave dhe njeriut. Natyra këtu na jep mundësin të shijojmë jetën duke respektuar normat e saj. Ajri i pastër që thithim çdo ditë, gjelbërimi që kënaq sytë tanë, ujërat e shumta që na japin energji dhe dritë, por edhe shpresë, ide dhe progres shpirtëror dhe fizik. Këtu ndodhen lloje të bimëve dhe kafshëve me të cilat krenohemi para çdo turisti vendas apo të botës. Në këtë trevë janë të zhvilluar pothuajse të gjitha llojet e bimëve dhe kafshëve të buta dhe të egra. 
    Është për të ngelur pa fjalë kur në një zonë aq te vogël siç është Klysyra fshati i parë në luginën e Valbonës, janë të gjitha llojet e bimëve që rriten në zonat e ulëta, zonat kodrinore, zonat malore dhe ato të alpeve që ndodhen aq pranë njëra me tjetrën dhe kujton që i prek të gjitha menjëherë. Në Tropojë ndodhet edhe një zonë e mbrojtur strikt (rezervat Natyrore). Kategoria e parë që ndodhet në bjeshkët e Tropojë në vendin e quajtur Luma e Gashit me një sipërfaqe prej 3000 ha. Zona e Nikaj–Mërtur në Lekbibaj është shpallur Park Rajonal Natyror, kategoria e katërt me një sipërfaqe prej 1300 ha. Po këtu ndodhet edhe parku Kombëtar i Luginës së Valbonës me një sipërfaqe prej 8000 ha. Vlerat më të spikatura biologjike të këtij parku janë: bredhi, pisha, hormoqi ahu, bliri, specie selepesh, panja, sherbela dhe fauna e përfaqësuar nga dhia e egër, shqiponja, gjeli i egër, nuselala, ariu i murrme, ujku, kaprolli, çakalli, derri i egër, dreri , kaprolli dhe trofta e murrme. Kjo zonë me praninë e lumit dhe prezencën e peshkut të troftës dhe shpatet në të dyja anët, përben habitatet potenciale për biodiversitetin e pasur që mbart. Të ardhurat ekonomike të të gjithë familjeve vijnë nga blegtoria, grumbullimi i bimëve mjekësore dhe bujqësia. Prioritet në këtë zonë duhet të jetë inkurajimi i aktivitetit turistik privat dhe familjar. Një turizëm me kompleks, mund të zhvillohet nëse marrim në konsideratë popullsinë interesante të kësaj zone, traditën e tyre e veçanërisht sensin e mikpritjes, bujqësinë dhe veçanërisht prodhimet dhe kuzhinën me shume karakteristika e llojshmëri. Disa nga pemët frutore më të rëndësishme të Tropojë janë: Gështenja si pemë, përveçse është një stoli e përkryer e natyrës, është krenaria e pemëve që rriten mbi tokë, pema madhështore, gjigante, fisnike, e guximshme, është pemë me rritje shumë të shpejtë dhe është pema më jetëgjatë që rritet tek ne, është pema që e ushqen dhe i jep jetë njerëzimit mbi dhe, e kuron, e shëron, dhe e shoqëron të mbështjellë me ngrohtësinë dhe dashurinë e sajë për në jetën tjetër. Kumbulla e ka origjinën qysh në lashtësi dhe është kultivuar në mënyrë periodike në Tropojë. Fryti i saj përdoret për konsum të përditshëm qofte duke u ngrëne ashtu direkt nga pema apo me të mund të bëjmë edhe produkte të tjera si reçel, oshaf dhe raki. Edhe arra është një fryt mjaft i përhapur në Tropojë. Ajo është një bime qe frytet e saj i përgatit në stinën e vjeshtës dhe fryti i saj ka vlera të larta ushqyese e shëndetësore. Ajo ka shtrirje në pjesën më të madhe të rrethit që bën që të shfrytëzohet në tërësinë e tij. Janë po ashtu edhe bimët medicinal si psh :Boronica, Bliri i bardhe dhe i kuq , Lulet Agulice, Çaji i Malit etj. Në rrethin e Tropojë shoqata “Alpin” kryen mjaft aktivitete për sensibilizimin e komunitetot në lidhje me vlerat e biodiveristetit të zonës dhe rrugët për mbrojtjen e tij.
    Bjeshkët e Nemuna
    Instituti për ruajtjen e natyrës në Shqipëri ka realizuar një studim mbi biodiversitetin në rajonin e Bjeshkëve të Nemuna. Rezultatet e këtij studimi sigurojnë bazën dhe masat e bashkërenduara të ruajtjes së biodiversitetit ndërkufitar në këtë zonë. Bjeshkët e Nemuna ose Alpet Shqiptare gjenden në pjesën jugore të Harkut Dinarik në kufirin midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. Zona shtrihet në 5911 km (591.091 ha) midis dy shteteve, kufiri jugor i saj është Lumi Drin nga Fierzë në Shkodër, zona përfshin 5 komuna të Malit të Zi dhe 2 qarqet (Shkodër dhe Kukës), 3 rreth Shkodër Malësi e Madhe Tropojë dhe 24 komuna një Shqipëri, Brenda kësaj zone jetojnë rreth 500000 njerëz. Zona karakterizohet nga lartësi të theksuara mbidetare. Kanionet, grykat dhe kurrizet malore janë tipare karakteristike që kanë një ndikim të madh mbi biodiversitetin e zonës.Maja më e lartë e zonës është Jezerca 2694 m lartësi mbidetare e ndjekur nga maja të tjera Maja e Hekurave 2561 m, Maja e Kollates 2556 m, Maja e Rosit 2524 m, Qetat e Harushes 2423 m, Maja e Boshit 2416m. Studiuesit kanë identifikuar në këtë zonë më tepër se 40 komunitete tipike bimësh, një pjesë e tyre të një rëndësie të veçantë për t’u mbrojtur, pasi përfshijnë lloje bimësh endemike apo relikte. Zona e Bjeshkëve të Namuna është mjaft e pasur me tipa të ndryshme vegjetacioni pyjor, tipi më I zakonshëm I bimësisë pyjore në këtë zonë, janë pyjet e ahut që mbulojnë 38% të zonës, dushqe të përzier 12 %, bredh e hormoq 12%, pyjet e përzier të ahut 11 %. Flora e Bjeshkëve të Nemuna është shumë e pasur dhe e larmishme, gjenden rreth 2000 lloje bimësh, dhe 225 prej tyre janë endemike, ndërkohë qe ka edhe një sërë bimësh që janë të rrezikuara apo të rralla, përfshirë edhe 45 lloje me rëndësi ndërkombëtare dhe 42 lloje me rëndësi globale. Studimet shkencore të kryera në zonë tregojnë se Bjeshkët e Nemuna përmbajnë rreth 400 lloje bimësh me vlera mjekësore. Fauna e Bjeshkëve të Nemuna është shumë e pasur me insektet, gjitarët, shpendët, zvarranikët dhe peshqit. Harta tregon praninë e disa zonave me rëndësi të lartë e shumë të lartë për biodiversitetin e llojeve në Bjeshkët e Nemuna. Kërcënimet ndaj biodiversitetit. Funksioni dhe integriteti i biodiversitetit varet gjerësisht nga ndikimet njerëzore, ndikimet natyrore dhe përdorimi i burimeve natyrore. Autostradat dhe rrugët e reja rajonale shoqërohen edhe me dëmtime të pjesëve të zonës, po kështu edhe disa impiante të përpunimit të inerteve përgjatë Lumit të Valbonës dhe shfrytëzimi pa kriter i pyjeve dhe djegia e tyre ndikojnë negativisht në biodiveristetin e zonës.
    Sigal