Gëzim Myshketa:Të luash Ali Pashanë është po aq e bukur sa edhe vështirë

551
Sigal

INTERVISTA/ Flet baritoni i talentuar Gëzim Myshketa

Një ekspeditë franceze nën udhëheqjen e oficerit Bernier është rrugës për në Shqipëri te Ali Pasha. Gjatë qëndrimit në Korfuz, Bernier dashurohet me korfuzianen e bukur, Ariana, e cila më pas zhduket në rrethana misterioze. Bernier dëshiron të gjejë me çdo kusht dashurinë e tij të madhe, kudoqoftë ajo. Miku i tij Robert nuk mund ta kuptojë këtë. Dashuria e madhe, besnikëria deri në vdekje janë të panjohura për të. Për të bota përbëhet nga gra të bukura që duhet shijuar. Dy shokët kanë arritur me ekipin e tyre në Shqipëri. Kjo ishte shfaqja e pardjeshme në TOB, ku mori pjesë dhe studiuesi grek i Ali Pashës, autor i shumë librave të tij si dhe ish Kryetar Bashkie i Janinës.

 Si e pritët rolin e Ali Pashës në operën “Ali Pasha” të Albert Lortzing?

  E prita me shumë entuziazëm pasi ishte një periudhë 6 -vjeçare që unë nuk po luaja në TOB në Tiranë dhe me thënë të drejtën kjo skenë më ka munguar. Nga ana tjetër edhe me pak frikë ose druajtje, sepse veprën nuk e njihja dhe nuk kisha informacion  artistik mbi veprën muzikore dhe më frikësonte pak,  roli i  Ali Pashës.  Dhe të interpretosh për herë të parë një rol që shfaqet për herë të parë  për një figurë kaq komplekse me dritë hije  më frikësonte. Por çdo lloj druajtje ma sqaroi pastaj leximi i muzikës, ku unë aty gjeta shumë spunto, mbi të cilat duke u ballafaquar, me regjisorin dhe me dirigjentin Ciko  për orkestrën, u sqarova në mendjen time dhe fillova të ndërtoj në mendje këtë figurë autoritare, komplekse,  plot dritëhije, diku i ashpër, e diku  sensibël dhe plot pasione. Pra formova një ide të plotë për këtë figurë të çuditshme. Ideja  ime është që të mos bëj një karikaturë të këtij personazhi historik që vërtet ka shumë enigma me vete, pra të mos e kopjoj në mënyrë të shëmtuar atë Pasha që kemi ne në imagjinatën tonë, atë Pasha me mjekër të gjatë të bardhë dhe me një çibuk në gojë (nargjile), por të krijoj një personazh të fortë që të qëndrojë fortë  duke u bazuar në atë çka muzika më sugjeron.  Muzika e Albert Lortzingut  është  mjaft interesante, mjaft e dëgjueshme për publikun dhe mendoj se kjo opër do të jetë e bukur si në sytë dhe në veshët e publikut.

 Ku qëndron vështirësia më e madhe në realizimin e këtij roli?

 Për mua vështirësia më e madhe është në krahasimin. Pra në krahasimin   mes asaj çka publiku pretendon  të vijë dhe të shohë dhe asaj që çka do të gjejë. Unë jam një bariton 30-vjeçar  dhe nuk mund të bëhem aq plak, por i kemi qëndruar koherent edhe periudhës kur është realizuar kjo vepër. Ali Pasha ka qenë rreth 40-50 vjeç, Pra kështu që në këtë aspekt e sjellim në moshë, por vështirësia qëndron këtu që  duke qenë artist nuk marrim në risjellje figurën në aspektin historik (kjo i takon historianëve), por  ne do të kapemi fort pas asaj që na dikton dhe sugjeron libreti dhe muzika e Albert Lortzing. Do t’i jemi besnik kësaj dhe do të kemi një skenë të thjeshtë, por me gusto nga Platon Bardhi që tashmë është shumë i njohur ku me të kam punuar dhe në operën e Triestes, do të  na ndihmojë dhe gustoja dhe eksperienca mbi 40-vjeçare e mjeshtres  së regjisë Patrizia Panton që  ka punuar me artistët më të mëdhenj të lirikës botërore dhe urtësia në harmonizim, koherent, dinjitoze,  e maestros Ciko në drejtimin e orkestrës. Po bëhen shumë prova mjaft të mira, megjithëse kemi dhe disa vështirësi pasi dihet që në skenën e teatrit janë mysafirë të tjerë dhe ka disa evenimente në një kohë por shpresojmë që këto ditë deri në premierë të provojmë të gjitha elementët që kërkohen si kostumet nga  Enada At’ Nikolla, puna korrekte e as/regjisore Ada Gurra, ilustrimi koreografik Milena Nurka, etj… Kjo është një opër lirike dhe gjithmonë vënia në skenë e një opere të tillë ka shumë vështirësi, por ne po punojmë si ansambël për harmonizimin e elementëve të veprës.

   Një rol shumë i veçantë, por dhe një vepër që vihet për herë të parë në Shqipëri. Ju e luani këtë vepër premierë, sa role premierë keni vënë në skenë?

 Mund të them  se deri tani kam luajtur afërisht 30 role premierë. P.sh nga Moxart, kam luajtur 9 role,  rreth 10 role Beliniane (Belini), role Verdiane (Verdi), dhe disa role të veprave të rralla si Çimaroza,  plus shumë role në Spanjë.

 Pra, shumë role premierë dhe në disa vende të botës. Ku e keni pasur më të vështirë në këto role?

Vështirësitë janë, të shumëfishte, pasi mund të jetë vështirësi thjesht vokale, vështirësi  skenike, që mund të impresionohesh nga një personazh etj… Mirëpo, mund të them  një bast shumë i madh ka qenë debutimi në  rolin e Rolandos në një vepër të Verdit me nota shumë dramatike në një  Festival Prestigjioz, që  i kushtohet Verdit tani në 200-vjetorin e lindjes së tij. Ky është viti i Verdit dhe Vagnerit 1813-2013. Për mua ky rol ishte një bast i vështirë që solli sadisfaksion të jashtëzakonshëm dhe qe një urë për zërin tim, i cili pas gjithë këtyre eksperiencave solli një besim dhe motivim të ri.  Bariton pa Verdin nuk ka, dhe Verd pa bariton prapë nuk mund të ketë.  Verdi është autori që i ka dhënë baritonëve  hapësirën, mundësinë më të madhe për të shprehur,  virtuozizmat vokale  nga njëra anë dhe  nga ana tjetër  thellësinë e dramaticitetit  të personazheve si Makbeth,  Rigoleto,  Falsta, etj., heroi verdian baritonal. Kjo do të jetë e ardhmja ime, por me hapa shumë të kujdesshëm, të matura  për të mos bërë gabime që mund të shkojnë në drejtim rrezikimi  të shëndetit të zërit.

 Ku ndryshon baritoni nga një tenor?

 Zëri i burrit ndahet në tre regjistra  principal bazë: Në Tenor, bariton dhe bas. Për nga rëndësia për nga dramaticiteti vokal, zëri i basit është më burrërori më i errëti, ndërsa baritoni qëndron në mes të të dyve,  nga notat dramatike dhe Tenori është ai që njeh më tepër publiku sepse normalisht, dihet që Tenori ka më shumë akute, vihet nëpër vepra  si i dashuruar, si Princ, si hero romantik, pra është,  më i njohuri me ariet e mëdha që kompozitorët i kanë kushtuar përgjatë shekujve këtij zëri. Ndërsa baritoni ka një zë që është më i butë, është më afër zërit human të burrave  dhe ka për nga karakteristika,  rolet më autoritare, si rolet e babait, rolin e Mbretit, rolin e Komandantit  pasi ja jep lloji i vokalit këtë autoritet. Tani publiku  shqiptar edhe si dallon, pasi mendon që këngëtari lirik është vetëm tenor, por këto janë tre regjistrat kryesor të zërit të këngëtarëve lirik. Midis tyre pastaj ka dhjetëra nën regjistra të tjerë.  P.sh basi Verdian, Kantan, Bas bariton, pra është shumë e larmishme ngjyra e zërit.

  Ju keni shumë kërkesa brenda dhe jashtë Shqipërisë, përse nuk stacionoheni në një Opër?

 Unë jam i ri dhe dua të njoh shumë gjëra. Dua të lëviz, të marr eksperienca të reja, ndaj s’dua të kem impenjime fikse, pra e shoh veten time në këtë kohë në karrierë të lirë dhe pse kërkesat kanë qenë të shumta. P.sh jam ftuar në Operën, ku punojnë Josif Gjipali dhe Sajmir Pirgu, apo një agjenci në Berlin, etj., por tani për tani nuk dua një stacionim. Kam të tjera ide në kokë.

  Keni ndjerë shenja racizmi në këto vende, ku ke punuar?

Aspak. Jam ndjerë i vlerësuar.  Vetë fakti që nuk jam i vetmi artist shqiptar që punoj jashtë shtetit, madje ka artistë që kanë arritur majat (sikundër dhe unë kam synimet e mia), dhe shihet një vlerësim them me siguri që nuk kam ndjerë racizëm. Aty ku shihet qartë talenti. Racizmi nuk ka kohë të ngre kokë.

 (Marrë nga Stage Door)

 Gëzim Myshketa Bariton

 Konsiderohet një nga talentet më interesant të brezit të tij në panoramën operistike internacionale.

 Fitues e finalist i konkurseve ndërkombëtare si ASLIKO, TOSTI e VINJAS – BARCELONË debuton me role kryesore në Teatro e Festivale prestigjioze si :

 Komunale Bolonja,

Opera di Roma,

Arena Sferisterio,

Abao Olbe Bilbao,

Verona,

Montpellier,

Masi Paris Sud,

Opernhaus Zyrih,

Salcburg Festshpile etj.

Në listën e impenjimeve për të ardhmen vlen te përmenden:

 Elisir d’amore – Verona,

Don Karlo e Turandot  – Tuluz,

Falstaf Shtutgart,

Lucia e Larmermur Marseje…