Gëzim GJONI/ Komuna e Leshnjës, zona martire e Luftës së Dytë Botërore

    592
    Sigal

    Nga fillimi i luftës, dhe deri në çlirimin e vendit nga forcat që morën pjesë në luftime për territorin e Komunës Leshnje, kanë humbur jetën 124 shtetas

    Në Luftën e Dytë Botërore Shqipëria u radhit në aleancën e shteteve antifashiste në luftë kundër nazifashizmit deri në fitoren e plotë të saj. Leshnja, aktualisht qendër komune, ish – qendër e gjithë veprimtarisë luftarake dhe organizmit të pushtetit në krahinën e N/Prefekturës Skrapar ndërmjet qarkut Berat – Korçë. Me fillimin e luftës shpërtheu një revoltë popullore. Ngjarjet rridhnin njëra pas tjetrës. Urrejtja ndaj pushtuesit dhe bashkëpunëtorëve të fashizmit sa vinte e rritej mes popullsisë. Mes thirrjeve patriotike, që i bëhej popullit nga drejtuesit e luftës, njerëzit me ndjenja antifashiste u grumbulluan me njësitë të vogla guerile dhe u përpoqën të ndezin në popull zjarrin e luftës për liri.

    Nga këto njësi u krijuan çetat e para partizane, në 14 Mars 1942, në Kulmak (Mali i Tomorrit). Numri i pjesëmarrësve sa vinte e rritej, ajo gëzonte popullaritet dhe shërbente si nxitje për mobilizim, për të shtuar radhët e popullit në luftë kundër pushtuesit dhe aleatëve të tyre, deri sa u arrit në rezistencën popullore.

    Aktiviteti i parë luftarak kundër një grupi karabinierësh në fshatin Shtyllë të Korçës, në bashkëveprim me njësitë luftarake të Korçës dhe të Kolonjës.

    Më datë 30-31 Gusht 1942, çeta sulmon dhe çarmatos një njësi të milicisë në fshatin Nelovë. Për hakmarrje ndaj këtij akti, forcat pushtuese dhe bashkëpunëtorët e tyre vendosën të hakmerren dhe dërguan detashmente të policisë, të cilat kryen reprezalje në popull, në Tomorricë dhe Skrapar.

    Shembulli pozitiv i çetës së parë partizane u pasua me krijimin e formacioneve të tjera partizane, në çeta e batalione e grupe që mbajtën një peshë kryesore në luftën antifashiste.

    Shpartallimi i forcave të milicisë, të vendosura në disa qendra të territorit të Skraparit dhe çlirimi i Çorovodës, qendër e Skraparit në 5 Shtator 1942, janë kurorëzim i një epopeje të shkruar me gjak prej çetave të popullit të Skraparit. Aleatët anglo – amerikanë i bënë një jehonë të menjëhershme nëpërmjet BBC-së, folën dhe radiot e Berlinit, Romës, Bukureshtit se një krahinë malore e N/Prefekturës së Skraparit është çliruar nga forcat partizane.

    Më 11 shtator 1942, nazistët me aleatët e tyre nisën një operacion me 1.500 forca për ripushtimin e Skraparit nga drejtimi Berat – Skrapar. Më 14 Shtator filloi sulmi nga të gjithë drejtimet. Pas 24 orësh forcat armike u tërhoqën. Vendimi fashist për ripushtimin e Skraparit nuk u arrit.

    Më 17 dhjetor 1942, qeveria britanike deklaroi se dëshironte që Shqipëria të bëhej një vend i lirë dhe indipendent. Më 18 Dhjetor 1942, Moska shprehej se dëshironte që Shqipëria të bëhej një vend i lirë, duke e parë me simpati të plotë ndeshjen çlirimtare të partizanëve shqiptarë. Nju Jork 1942, shprehej në shkrimet e saj se: “Vepra partizane shqiptare dëshmon për lirinë e plotë të vendit”.

    Karshi kësaj gjendjeje, këtij mobilizimi masiv, dhe lëvizje të lirë në Skrapar e disa komuna të Beratit që kufizohen me Skraparin, pushtetmbajtësit marrin iniciativën dhe nisen në drejtim të Skraparit me 500 forca, të cilat me mbërritjen në Çorovodë, në fund të Dhjetorit, u rrethuan dhe shpartalluan.

    Ndërsa në tërë vendin luftohej, në N/Prefekturën e çliruar të Skraparit punohej për formimin e gjithë organeve të Frontit Nacionalçlirimtar, që të stabilizohej gjendja dhe të përqendroheshin masat fshatare rreth këtyre organeve.

    Gjatë muajit qershor 1943, çetat e Skraparit kaluan në ndihmë të çetave partizane të rrethit Korçë, Kolonjë, e Përmet me kërkesë të drejtuesve luftarakë të këtyre zonave. Në këtë periudhë çetat partizane po organizoheshin në batalione. I pari që u krijua ishte batalioni “Riza Cerova” më 23 Qershor 1943.

    Më 12 Nëntor 1943, komanda gjermane me bashkëpunëtorët e vet përgatitën planin për një sulm tjetër në prefekturën e Beratit dhe në nënprefekturat e tij. Në planin e sulmit u parapanë gjithë llojet e armëve dhe të njësiteve ushtarake duke përfshirë dhe aviacionin. Operacioni u emërtua “Roter Man”, (Njeriu i Kuq). Në këtë operacion u planifikua të futeshin në luftë 3.000 forca ushtarake. Objektivi: eliminimi i forcave partizane dhe lirimi i rrugës Korçë – Skrapar – Berat – Mallakastër – Vlorë.

    Brenda disa ditësh forcat armike pushtuan Beratin dhe detyruan forcat çlirimtare të ngjiteshin në malet e Skraparit. Gjithë hapësira në veri të lumit Vjosë, që nga Këlcyra deri në Fier, ndodhej e pushtuar. Me 19 Dhjetor 1943, forcat pushtuese dhe bashkëpunëtorët e tyre organizuan një operacion në tre drejtime:

    1.Berat – Qafdardhë – Tomorricë,

    2.Berat – Çorovodë,

    3.Berat – Këlcyrë.

    Në drejtim të Skraparit u hodhën 3.500 forca dhe luftimet në këtë territor zgjatën deri më 2 Janar 1944, kohë në të cilën armiku ripushtoi Skraparin. Luftimet ishin të ashpra nga të dyja palët dhe humbjet e të dyja palëve ishin të mëdha si për forcat pushtuese dhe për ato çlirimtare. Më gjithë sukseset dhe dështimet që pati pushtuesi gjatë periudhës nëntor 1943 -janar 1944, urdhëroi forcat kryesore të hidheshin në sulm përfundimtar në disa zona të Shqipërisë së Jugut. Për këtë qëllim gjatë muajit janar e shkurt 1944 pushtuesi ndërmori dy operacione:

    1.Operacioni “Sudlit”, në drejtim të Korçë-Skrapar-Berat,

    2.Operacioni “Horrdoh”, për harkun Gjirokastër – Vlorë.

    Gjermanët operacionin Korçë – Skrapar – Berat e quajtën me rëndësi të jashtëzakonshme për të shkatërruar këtë vatër trazirash ku kishin baza të fuqishme partizanët, dhe shqetësonin në mënyrë të vazhdueshme forcat e Vermahtit në Berat, Kuçovë, Bilisht, Korçë, Pogradec dhe kërcënonin rrugën Follorinë – Korçë – Pogradec.

    Drejtimi i operacionit iu ngarkua komandës 100, me vend komandë në Korçë, duke aktivizuar 5.000 ushtarë dhe 4.000 forca aleate (bashkëpunëtorë në fashizmit).

    Drejtimet e luftimit ishin:

    -Berat – Çorovodë – Potom,

    -Gramsh – Lugina e Tomorricës – Opar,

    -Korçë – Vithkuq – Opar,

    -Korçë – Maliq – Lugina e Devillit – Opar.

    Nga Berati mësymja armike filloj më 6 janar 1944. Një batalion gjerman me 1.000 ushtarë dhe 1.000 forca mercenare të ndara në dy drejtime: Njëra në krahun e djathtë të lumit Osum në drejtim të Çorovodës, tjetra në krahun e majtë të lumit Osum në drejtim Vokopolë – Vendreshë.

    Luftimet në të dyja drejtimet ishin të ashpra, megjithatë në datën 8 Janar forcat armike hynë në Çorovodë dhe vazhduan përparimin për në Radesh, Gradec, Velush, Kapinovë e Krushov. Forcat që hynë në Skrapar, bënë masakra të mëdha, ata në shenjë hakmarrje për dëmet që patën, shkatërruan çfarë mundën. Në fshatin Velushë, rrethuan, terrorizuan dhe vranë 20 burra. Në fshatin Kapinovë, rrethuan dhe vranë 21 burra, në Krushovë vranë 14 burra. Në tërësi në luftimet e bëra për mbrojtjen e kësaj krahine janë vrarë 124 shtetas. Luftimet vazhduan deri më datë 18 janar 1944, duke synuar pastrimin e zonës nga forcat partizane dhe asgjësimin e rendit e këshillave Nacionalçlirimtare si dhe terrorizimin e popullatës.

    Më 17 Mars 1944, në Velushë, fshat i Komunës Leshnje, u krijua brigada e Vll-të Sulmuese, e suksesshme në luftimet që pati brenda dhe jashtë vendit. Brigada la në fushën e betejave 299 dëshmorë, ndër të cilët 11 ushtarakë italianë aleate të forcave partizane. Përfundimisht forcat pushtuese pësuan disfatë. Fuqitë pushtuese organizuan një mësymje tjetër në qershor të vitit 1944. Në planin e mësymjes u planifikuan dhe morën pjesë 40.000 forca pushtuese dhe 10.000 forca aleate. Në momentin e mësymjes forcat ushtarake pushtuese arritën 70.000 vetë. Drejtimi i luftimit ishte nga Korça drejt Adriatikut me goditje gjitharmëshe dhe me datë 6 Qershor pushtuan pjesën e sipërme të Skraparit në drejtim të Çorovodës.

    Gjatë veprimeve luftarake forcat pushtuese në fshatin Leshnje (sot qendra e Komunës Leshnje), vranë, dogjën e shkatërruan fshatra, vodhën e grabitën sa mundën. Në Leshnje, vranë 3 pjesëtarë të familjes Gjoni, 1 të familjes Shkëmbi, plagosën italianin Anxhelo, Veli Gurin e të tjerë. Dogjën shtëpinë e Sinan Yllit, familjen e koordinimit të luftimeve midis Qarkut Korçë e Berat, qendër e gjithë veprimtarisë luftarake dhe e organizimit të pushtetit në krahinën e nënprefekturës Skrapar, të Qarkut Berat.

    Leshnja ishte fshati ku aleatët anglezë nëpërmjet të të dërguarve të tyre në terren njohën gjendjen e mjeruar, që solli lufta, dhe hodhën ndihma nga ajri për popullatën dhe frontin e luftës. Në luftimet për çlirimin e vendit dhe të kësaj krahine morën pjesë çetat partizane, Brigada e Vll-të, Brigada e XVI-të, Grupi i Myzeqesë, disa qindra forca italiane me përbërje e bashkëveprim me forcat partizane të Shqipërisë, ku dhanë jetën 13 ushtarakë, nga këta 11 inkuadruar në Brigadën e Vll-të dhe 2 me grupin e Myzeqesë.

    Nga fillimi i luftës dhe deri në çlirimin e vendit nga forcat që morën pjesë në luftime për territorin e Komunës Leshnje kanë humbur jetën 124 shtetas. Dëmet ekonomike të shkaktuara në rrethin e Skraparit sipas regjistrimit themeltar datë 29.11.1945, rezultuan të jenë 7.393.650 franga ari, për Komunën e Leshnjes dëmet janë 236.268 franga ari, pra 31.2 % të dëmit të përgjithshëm. Duam të bëjmë të ditur se fshatrat e kësaj komune janë djegur tërësisht nga forcat pushtuese greke në Luftën e Parë Botërore dhe konkretisht:

    -Leshnja 30 shtëpi, 160 banorë,

    -Velusha 53 shtëpi, 180 banorë,

    -Kalipova 25 shtëpi, 152 banorë,

    -Gostencka 25 shtëpi, 120 banorë

    Në total 133 shtëpi, 612 banorë të lënë pa strehë.