Gërmadha që po krijon emigracioni i ri

    510
    Hendeku ndërmjet daljeve dhe hyrjeve të shqiptarëve në kufi në tre vitet e fundit tregon se vendi është përfshirë në një cikël të ri masiv largimesh, kryesisht të punonjësve të kualifikuar.
    Me gjithë të dhënat indirekte mbi emigracionin që vijnë kryesisht nga vendet e Bashkimit Evropian, ku ikin më së shumti shqiptarët, statistikat e sakta mbi efektin në popullsi gjatë kësaj dekade do t’i mësojmë në Censusin e vitit 2021. Por megjithatë, të dhënat nga INSTAT mbi hyrje-daljet e shqiptarëve jashtë vendit, tregojnë se gjatë viteve 2014-2016, tendencë që ka vijuar edhe për 2017, numri i shqiptarëve që kanë udhëtuar jashtë vendit nga pikat e kalimit kufitar është shumë më i lartë se kthimet e tyre në këto pika. Diferenca ndërmjet hyrje-daljeve tregon se një numër i madh shtetasish shqiptarë janë larguar nga vendi dhe nuk janë kthyer më. Gjatë vitit 2014, udhëtuan jashtë vendit më shumë se 4 milionë shqiptarë, teksa për të njëjtin vit janë kthyer në vendin tonë 3 milionë e 872 mijë shtetas shqiptarë. Diferenca e shqiptarëve të pakthyer është 273 mijë persona dhe ka vijuar të thellohet gjatë vitit 2015, kur vendi u përball me një fluks jo të zakontë ikjesh të shqiptarëve jashtë vendit kryesisht për azil ekonomik. Diferenca mes hyrjeve dhe daljeve u thellua në vitin 2015, me mbi 405 mijë persona. Flukset e emigracionit u zbutën disi më 2016, teksa diferenca mes hyrje-daljeve ishte 259 mijë persona, por në 2017-n u rrit sërish në 373 mijë persona. Tendencën e shqiptarëve për të udhëtuar jashtë vendit me qëllim për të mos u kthyer më e pohojnë edhe agjencitë e udhëtimit dhe konsulencës për viza. “Berlin Travels and Tours”, një agjenci në Rrugën e Durrësit që asiston qytetarët për viza dhe udhëtime, kishte ditët e fundit një fluks kërkesash për aplikime dhe orientim për kontrata pune jashtë vendit. Punonjëset e saj thanë se vitet e fundit është rritur shumë interesi i shqiptarëve për të ikur jashtë vendit, sidomos nëpërmjet kontratave të punës dhe për studime. Gjatë bisedës sonë, Ariani, një burrë 45 vjeç nga Tirana, me profesion montator, është në procedurat e fundit për t’u larguar nga vendi drejt Gjermanisë, pasi më herët gjatë dhjetorit kishte siguruar një kontratë pune në Gjermani. Ai pohoi se në Tiranë nuk pati kurrë një punë fikse, edhe pse me kualifikim në çështjet e mekanikës. Punonjëset pohojnë se, nga viti në vit, ka një rritje të madhe të interesit për t’u larguar nga vendi sidomos për moshat 16-45 vjeç, kryesisht për punë dhe studime. Të interesuarit kërkojnë konsulenca për të ikur në mënyrë të ligjshme, duke studiuar opsionet e vizave dhe llojet e punësimit. Por ndërkohë janë shfaqur tendenca të reja emigracioni ku, përveç Gjermanisë, shumë të rinj po ikin nga vendi nëpërmjet vizave turistike në Australi dhe në Zelandën e Re.

    Rikthehet ikja e “trurit”, shërbimi shëndetësor në alarm
    Gjatë vitit të kaluar, në Pavijonin e Pediatrisë, në Qendrën Shëndetësore “Nënë Tereza” u desh shumë për të mbuluar vendin vakant nga jashtë vendit e një mjeku të ri. Kjo ishte e pazakontë për spitalin më të madh në vend, pasi kërkesa për punësim në këtë qendër është gjithmonë e lartë. Teksa edhe QSUT po vuan pasojat e emigracionit të mjekëve, spitalet e rretheve paraqiten me mungesa të mëdha. Kryetari i Urdhrit të Mjekut, Fatmir Ibrahimi, tha se edhe në Shqipëri, si në të gjitha vendet e Evropës Lindore, ka një tendencë të largimit të mjekëve drejt Perëndimit, si një e drejtë themelore e individëve për lëvizje të lirë dhe kushte më të mira jetese. Zoti Ibrahimi thotë se, ikja e mjekëve po shihet me shqetësim, pasi përgatitja e tyre është me kosto, kërkon kohë dhe zëvendësimi nuk është i lehtë. Të dhënat konfidenciale nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se tre vitet e fundit kanë ikur nga vendi më shumë se 600 mjekë. Deri në fund të vitit 2016, Urdhri i Mjekut referoi se ishin tërhequr rreth 400 referenca nga mjekët për të ikur jashtë vendit, ndërsa në vitin 2017 janë tërhequr rreth 170 referenca të tjera. Sipas të dhënave kanë ikur më shumë se dy breza të mjekësisë, pasi në një vit diplomohen mesatarisht rreth 250 studentë. Pjesa më e madhe e tyre aplikojnë direkt për të ikur jashtë vendit, kryesisht në Gjermani, pa u ofruar më parë në tregun vendas të punës. Situata po shndërrohet në alarmante, teksa spitalet në rrethe janë pothuajse pa staf. Në spitalet e Sarandës, Përmetit, Dibrës etj., mungojnë të gjitha specialitetet. Ibrahimi tha se në Shqipëri ka paragjykim të theksuar ndaj mjekëve, sidomos për korrupsionin dhe, nga ana tjetër, nuk ekzistojnë ligjet për mbrojtjen e tyre. Trajtimi i dobët financiar, mungesa e mbështetjes morale, po i shtyjnë mjekët të largohen nga vendi për të kërkuar një standard të mirë ndaj vetes dhe profesionit ndaj tyre. Ibrahimi thotë se të jesh mjek nuk është profesion i lehtë, por gjithashtu të bëhesh mjek ka kosto. Prandaj gjermanët kërkojnë mjekë nga Lindja, pasi nuk preferojnë ta ushtrojnë këtë profesion. E njëjta situatë, edhe për infermierët. Vitin e kaluar kanë kërkuar referencë më shumë se 600 infermierë, tha Sabri Skënderi, Kryetar i Urdhrit të Infermierit. Jo i gjithë ky kontingjent ka ikur nga vendi, por gjithsesi janë në procedura për t’u larguar ose në përpjekje për të siguruar kontratat e punës. Në aspektin ekonomik, ky është një investim i humbur i shtetit shqiptar pasi, ata janë arsimuar me kontributin e taksapaguesve shqiptarë, thotë Skënderi. Mirëpo në Shqipëri, tregu ka aktualisht mbifurnizim me infermierë dhe jo të gjithë ata që mbarojnë studimet në këtë degë integrohen në tregun vendas të punës. Sektori publik nuk po zgjerohet dhe privati gjithashtu shihet së është maturuar disi, prandaj shumica shohin si zgjidhje largimin nga vendi. Në aspektin social dhe individual, kjo është një zgjidhje e drejtë e tyre në drejtim të përmirësimit të standardit të jetesës dhe rritjes profesionale. “Në këtë aspekt, ne duhet të bashkëpunojmë më shumë me vendet pritëse të infermierëve tanë, si p.sh. Gjermania, me qëllim që ata të investojnë që në procesin arsimor shqiptare në mënyrë që të marrin një trupë të kualifikuar”, tha ai. Profesor Kosto Bajraba, në një studim të posaçëm për emigracionin e “trurit”, ka gjetur se gjatë periudhës 1990-2003, rreth 45% e profesorëve dhe kërkuesve në universitete dhe institucione emigruan, ashtu si dhe më shumë se 65% e dijetarëve që morën doktoraturë në Perëndim në periudhën 1980-1990. Edhe mijëra të diplomuar në universitet u larguan. Shumica morën anëtarë të familjes së tyre, referon më tej Bajraba. Sipas studimit të tij, arsyeja për këtë migrim është mungesa e mundësive për punësim në Shqipëri. Nëse gjendja ekonomike dhe sociale e vendit nuk përmirësohet, ikja e trurit në Shqipëri do të vazhdojë të jetë një shqetësim, pasi legjislacioni shqiptar aktualisht nuk paraqet pengesa për migracionin dhe faktorët ndikues duket se do të vazhdojnë të tërheqin të arsimuarit. Ky zhvillim ka kosto sociale dhe ekonomike për Shqipërinë. Emigrantë me kualifikim të lartë në SHBA dhe Kanada po marrin me vete një sasi të konsiderueshme parash, që përfaqëson një eksport neto të kapitalit. Për më tepër, studimet tregojnë se jashtë vendit, shumë emigrantë me arsim të lartë nuk punojnë në fushat e tyre të specializimit, duke përfshirë 74% në Greqi, 67% në Itali, 58% në Austri dhe 70% në Shtetet e Bashkuara.

    Emigracioni vë në vështirësi bizneset
    Forca e aftë e punës ka qenë një problem i hershëm që ka shoqëruar sipërmarrjet shqiptare por, së fundmi, bizneset e sektorit call center, shërbimeve teknologjike dhe teknologjisë së informacionit kanë nisur të ndiejnë mungesën e interesit për të punësuar edhe operatorë të thjeshtë. Lorenc Goga, administrator i Facile.it, që ofron shërbime në web marketing pohon se, në momente të caktuara, gjetja e disa profesioneve specifike ka qenë shumë e vështirë, jo vetëm për IT, por edhe për ekonomistë të profilit, menaxherë etj. Goga tha se, Shqipëria është një vend mjaft interesant për eksportin e shërbimeve, për shkak të aftësive që të rinjtë kanë në zotërimin e gjuhëve të huaja, por sistemi arsimor dhe emigracioni i vazhdueshëm po krijojnë probleme për të plotësuar nevojat që ka tregu i punës. Përgjithësisht, shkollat tona kanë “prodhuar” një forcë pune ku dominojnë profilet me formim shoqëror si shkencat sociale, ligjet, teksa e ardhmja është nga teknologjia dhe profesionet e lidhura me të. Në Shqipëri, edhe ata që studiojnë në teknologjinë e informacionit, nuk marrin njohuritë e mjaftueshme për standardet e shërbimeve të TIK që kërkojnë kompanitë e huaja. Goga thotë se kanë në plan të zgjerohet, duke ofruar disa shërbime TIK që kërkojnë aftësi më të larta, por gjetja e punonjësve e ka bërë të vështirë zgjerimin. Goga thotë se për disa shërbime janë duke kërkuar punonjës IT nga jashtë, edhe pse kjo mënyrë ka kosto të larta. Nga ana tjetër, të rinjtë IT po joshen të ikin nga vendi për shkak të mundësive të mira të punësimit kundrejt pagesave më të larta. “Aplikimin e kam bërë në rrjetin social profesional, LinkedIn, si dhe disa aplikime të tjera që kam bërë më parë nëpërmjet disa faqesh punësimi ndërkombëtare”, tha Sabri Nuzi, i cili sapo ka përfunduar studimet e larta në Shqipëri për shkenca kompjuterike dhe tashmë ka siguruar një kontratë pune në Austri. Ai tha se ka shumë arsye që e kanë bërë të largohet nga vendi, por kryesore janë ekonomia me tendencë rënie (që ndikon drejtpërdrejt investimin në fushën tonë të teknologjisë), arsimi dhe mjekësia në nivele të ulëta, si dhe mentaliteti për të parazituar tek politika etj. Ai tha se shumica e shokëve të tij në Shqipëri duan të largohen nga vendi dhe po bëjnë përpjekje që t’ia arrijnë, ndërsa nuk ka ndër mend të rikthehet nëse gjërat nuk ndryshojnë për më mirë.

    Emigracioni dhe lindjet zhbalancojnë forcën e punës
    Popullsia në moshë pune do të bjerë me një ritëm pak më të shpejtë se sa popullsia e përgjithshme me më shumë sesa 18% në pothuaj të gjitha qarqet, përveç atyre që e shtojnë popullsinë nëpërmjet migrimit (Tirana, Vlora dhe Durrësi), pohon INSTAT në një studim të posaçëm për projeksionet e popullsisë deri më 2030. Tirana është qarku i vetëm në të cilin parashikohet një rritje e konsiderueshme në forcën potenciale të punës (me 20% deri në vitin 2031, sipas skenarit normal me shpërndarje gjeografike dhe emigrim konstant brenda vendit). Rënia më e fortë në forcën e mundshme të punës parashikohet për Gjirokastrën (me -43%), si dhe për Beratin dhe Dibrën (me të paktën -30%). Emigrantët janë në masën 90% pjesa më aktive e tregut të punës. Duke ikur, lirojnë hapësirat për punësim për ata që mbeten.
    Marrë me shkurtime nga “Monitor”


    Sigal