Gazetari, që ngriti në piedestal popullin

    506
    Sigal

    Të njohësh Ilmi Jupen do të thotë se ke njohur vet Konispolin, ke përjetuar dhe ndjerë aromën e detit

    Sa ngjit Qafën e Pazarit ndalesa e parë është rrapi madhështor në sheshin e qytetit të Konispolit. Është rrapi, simbol i këtij qyteti tek Qafa e Lucës, dëshmitar i sa e sa historive, që kanë ndodhur poshtë degëve të tij. Kurorat e maleve përreth, Narta dhe Saraqindi, Qafa e Sqepurit dhe Likojanit, duken si një mburojë natyrore e këtij qyteti me histori që vijnë nga shekujt dhe gdhenden në kujtesën e njerëzve bujarë të skajit më jugor të vendit. Nuk ka përcaktim gjeografik apo referim politik që me simbolikë, Konispoli të mos i bashkëngjitet Vermoshit, për të përcaktuar kufijtë e vendit tone, Jug-Veri. Dhe brenda këtij përcaktimi qëndrojnë si dëshmi të patjetërsueshme, mençuria, liridashja, dashuria për punën, pastërtia, krenaria, blegtoria, vreshtaria, këngët, vallet, zgjuarsia konispolate. Janë tipare, që i dinë dhe i njohin si ata që lindën e u rritën këtu, por që i mëson edhe në se ndalesh në këtë qendër skajore të jugut qoftë edhe për pak orë dhe vjen nga larg, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi apo nga qytete të ndryshme të vendit. Dhe këtë përfytyrim për këtë qytet skajor nuk e arrin vetëm nëse je nga Konispoli, por edhe në se je shtegtar apo udhëtar që të bie rasti të ndalesh për një kafe në një nga klubet e tij. Kur ulesh e flet me qytetarin më të zakonshëm apo më të shkolluarin, që nuk i mungojnë këtij qyteti mëson se në këtë cep të gurtë të vendit kanë lindur dhe janë rritur, punëtorë, luftëtarë, poetë, shkrimtarë, gjuhëtarë, artistë, enciklopedistë, që kanë zënë vend në panteonin e kombit tonë. Të shumtë janë ata që kanë shkruar emrin e tyre në panteonin e dijes dhe kulturës, ashtu siç janë po kaq edhe ata që i kanë dhënë emrin e vet plantacioneve me agrume dhe ullinj, që duken sikur kanë zbritur Jonin nga malet përtej Orrlës në fushën, që zbret nga Vardhari në fund të Vrinës.

    Gazetari Ilmi Jupe

    Mes konispolatëve nuk ka si të mos takosh një burrë të qetë e të shtruar, mendjemprehtë e të ditur, një mësues i talentuar i letërsisë dhe gjuhës, krijues dhe themelues të shtypit, kontribuues që me mendjen e zemrën e tij i ka dhënë jetë gazetarisë shqiptare. Nuk mund të mos takosh e bisedosh me Ilmi Jupen, gazetarin e fjalës së ëmbël e shkrimeve mbresëlënëse, që me humorin e spikatur dhe analizat e çmuara të ngjarjeve dhe historive të kësaj zone ka fituar një emër vërtet të lakmueshëm për tërë ata që ia nisin rrugëtimit të gjatë të krijimtarisë apo gazetarisë. Të njohësh Ilmi Jupen do të thotë se ke njohur vet Konispolin. Ke përjetuar dhe ndjerë aromën e detit. Ke mësuar për traditën e këtij qyteti dhe punët e shumta, që kanë bërë gratë e burrat ndër vite. Ilmiu ka qenë një nga zërat që me shkrimet e tij i ka dhënë jetë këtij qyteti. E ka bërë më të njohur e të prekshëm atë. Përmes tij ke njohur e takuar shumë nga krijuesit e njerëzit e thjeshtë të Konispolit, ke takuar dhe njohur punëtorë të mendjes që nga Kuçuku i parë i Hervehesë deri tek Ibrahim Hoxha, një hulumtues i këngëve dhe eposeve të kësaj ane, apo më të rinjtë shkrimtarë si Alush Avduli e zonjusha Braho e Raku, që sapo kanë nisur rrugën drejt shtegut të gjatë të krijimtarisë. Kudo që ka shkruar e treguar, Ilmiu ka bërë që gazeta të bjerë era Konispol. Në faqet e saj të portretizohet konispolati punëshumë. Nuk gjen një të dytë që ka ngritur në piedestal me aq shumë sqimë e argumente popullin e tij, njerëzit me të cilët u rrit e fëmijëve të të cilëve u dha dritë e dije me një përkushtim që rrallë mund ta takosh ndër tërë ata që kanë qenë mësimdhënës në këtë trevë arsimdashëse. Ka gërmuar shumë, ka shfletuar mijëra faqe të jetës dhe si një “minator” i palodhur ka nxjerrë nga arkivat e kohës me penën e tij, rrënjët e historisë. Dhe me mjeshtëri ka nxjerrë prej andej mushtin e jetës. Në se do të mësosh për këngët e shpirtin e konispolatit për bëmat e të parëve për njerëzit që i dhanë jetë epokave që ndërtuan kalatë e thurën këngët, qëndisën fushat e gjallëruan malet, kërcyen vallet e trimave para litarit, si i famshmi Osman Taka, që ngritën çetat e batalionet apo i dhanë jetë demokracisë pas viteve 1990 mjafton të shfletosh shtypin e kohës, kur Ilmiu ishte nga dita e themelimit të të parës gazetë të rrethit të Sarandës. “Fitorja” punëtori i parë dhe më i palodhuri i saj.

    Personazhet e tij

    Nuk ishte gazetari konformist. Nuk ledhatoi sedrën e të mëdhenjve as iu bëri qejfin atyre që kërkonin një gazetë servile dhe shkrime mikluese. Asnjëherë nuk i tha të zezës të bardhë dhe nuk shkroi për të mëdhenjtë, që donin veç lëvdata. Personazhet e tij ishin gratë e fushës, nënat fëmijë e halle shumë, të lodhurat e të munduarat, që duart i kishin plot me kallo e supet të rënduara nga pesha e vuajtjeve. Personazhet e tij ishin barinjtë e malit, Malo Mullai, Mezan Bilali, Bilbil Myftari, Kaso Agushi, njerëzit e thjeshtë kooperativistë, ata që rropateshin mbi spondin e makinave sa dilnin në yjet e mëngjesit deri sa u linin vendin yjeve të mbrëmjes. Personazhet e shkrimeve të tij ishin fshatarët që i dhanë jetë liqenit të Janjarit e Vërvës, ata që gdhiheshin fushës së Rrahut dhe erreshin po atje duke jetuar në kasollet e kashtës për ditë të tëra në fushatat absurde, ku në vend të kombajnave dhe traktorëve vendoste fuqia e krahut, e cila ishte kryesore për mbjellje dhe korrje, njerëzve që udhëtonin mbi makina të pluhurosur nga rrugët e paasfaltuara që me ato që prodhonin dhe fitonte kooperativa ishte e mundur të shtroheshin edhe me flori pa le më me pak zift e bitum nga Selenica e Memaliaj apo Ballshi po që kurrë nuk u kujtua dikush këtu poshtë, por edhe atje lart për një rrugë me asfalt, apo larg qoftë, për një autobus, që punëtorët më të mirë të Shqipërisë të rrugëtonin si njerëz. Shpesh Ilmiu thoshte se, në se këtë zonë po të kishte një drejtues mendjendritur dhe një regjim tjetër, më human, prej shumë kohësh do të kishte shtruar shinat dhe mbi të nga Postoblloku deri në Vrinë do të transportoheshin njerëzit dhe produktet me mjete mbi shina. Po këto fjalë të profesor Ilmiut në ato vite të thëna nën zë na dukeshin si ëndrra në diell dhe të pamundura. Po kishte të drejtë se bëhej fjalë për ata njerëz, që me punën e tyre të pafund i merrnin tokës me mund të pakursyer, grurin e misrin, portokallet dhe arrat, pambukun e kikirikët. Edhe pse kështu për vete kishin bukën e misrit dhe me pambukun e tyre bëheshin qilima dhe sixhade për të shkuar larg, që për ta mbeteshin gjithmonë një mollë e ndaluar. Përmes shkrimeve Ilmi Jupja i anatemoi këto bëma dhe po përmes tyre qëndisi me elegancë një jetë që e vrojtonte me syrin e mprehtë të njeriut që u lind e u rrit në këtë qytet, duke u bërë një zë i fuqishëm për të treguar pjesë të historisë në rrjedhat e jetës.

    Cili ishte Ilmi Jupe?!

    Po cili është Ilmi Jupe? T’i përgjigjesh kësaj pyetjeje nuk është e lehtë. Të duhet të kthehesh shumë pas në vitet kur ai mbaronte shkëlqyeshëm shkollën pedagogjike, të ndjekësh gjurmët e jetës së tij ndër vitet kur mes nxënësve të shkollës së Konispolit, atyre vocërrakëve, që u mbinte çanta prej rrobe në shpinë dhe u ngjyheshin duart me mellanin e zi, që mbanin nëpër shishet e qelqta do u mësonte gjuhën e letërsinë. U mësonte si ta shkruanin bukur e pa gabime. U ushqente dashurinë për gjuhën e ëmbël shqipe. Të qëndrosh nëpër klasat, ku ai nuk lodhej së shpjeguari sintaksën dhe morfologjinë, të ndalesh në bibliotekën e mbushur me libra, ku të gjithë nxënësit në nxitjen e tij do të lexonin nga një libër në dy – tre ditë. Po përsëri nuk ke arritur ta njohësh. Të duhet të ndjekësh kujtimet e bashkohësve të tij. Të mësosh nga bukëpjekësi, nga plakat e lagjes apo djemtë çapkënë, që e donin letërsinë edhe pse donin profesorin. Që u bënë të ditur edhe pse ishte ai atje në këmbë i palodhur për t`ua shpjeguar pa fund Naimin e Çajupin, Bajronin, Gorkin apo Tolstoin. Nxënës të tij, tani në moshë pensioni, tregojnë se ka qenë profesor Ilmiu ai që i mori për dore dhe i ngjiti në katet e larta të dijes. Se ishte këmbëngulja e tij, që askush të mos gabonte me “ë”-në e mërzitshme në fund të fjalës, ishte përpjekja e tij, që nxënësit ende shumë të rinj të vinin në skenë skeçe e pjesë të dramave të Krajës,Çehovit, etj. Ishte kaq këmbëngulës dhe pasionant sa prej shumë vitesh nxënësit, tani burra me fëmijë, të recitonin nëpër korridoret e shkollave apo tavolina miqsh një kushtim për të:

    Konispol, qytet i bukur,

    Mu në fund të Shqipërisë

    Ku ka lindur, Ilmi Jupja

    Profesori i letërsisë.

    Box

    Puna e vështirë në gazetën “Fitorja”

    Do vinte një ditë pas viteve 1970, që profesor Ilmiu do të linte shkollën e Konispolit dhe do fillonte punë në redaksinë e gazetës “Fitorja”. Kjo do të ishte një rrugë e re dhe një udhëtim i gjatë. Ishin vitet kur për një germë mund ta haje dhe të degdiseshe në burg. Për një shkrim mund ta pësoje dhe mund të merrje damkën punë armiqësore. Ndaj Ilmiu i qëndronte punës në kokë. Ai gdhihej bashkë me tipografët në shtypshkronjën modeste, ku shtypej gazeta bashkë me punëtorët para linotipit, ku derdheshin germat në plumb dhe ku Dhoksia, gruaja shtatëshkurtër e Eqerem Zenelit nga Konispoli, korrigjonte me dhjetëra herë një faqe gazete e më pas Nasho Angjeli, faqosësi i merrte germat e ngrohta nga gryka e linotipit, duke i radhitur dhe ndryshonte sa herë që profesori evidentonte gabimet gjatë shtypjes. Duhej që në shumë raste pas orës tre të natës të ndryshonte një shkrim apo të vendosej një kryeartikull. Ta shkruaje në një fletëformat me shkrim dore mbi linotipin e vitit 1936 dhe më pas ta radhisje në plumb të shkrirë. I duhej të shkruante. Të korrigjonte se edhe tre orë kohë kishte dhe Sekretari i Parë priste gazetën në zyrë. Nuk ishte vetëm kjo. Gazeta me linjat e fshatrave duhej shpërndarë urgjent se pritej nga lexuesit. Propaganda e partisë – shtet nuk të falte. I kërkonte gjërat në perfeksion. Kërkonte të ruhej linja ideologjike, të shkruhej brenda kornizave dhe të mos rrëshqisje në gabime. Censura ishte e fortë. Përmes syrit vigjilent të partisë mund të humbisje jo vetëm punën, por edhe lirinë. Ilmiu e dinte se duhej të ishe roje vigjilent për të mos kaluar asnjë gabim jo vetëm drejtshkrimor, por së pari parimor e ideologjik. Ai e kishte një plagë në shpinë e gatshme të bëhej e madhe se nuk ishte një gabim njerëzor por vetëdashje për të dëmtuar punën e partisë. Dhe kjo ishte shumë. Pas saj të priste fusha ose stani edhe pse mund të ishe profesor me mjekër e njeri i letrave.

    Pajtim Çaushi dhe Bardhyl Bejko