Gazeta “Tomorri”, e pandarë nga figura e të madhit Lef Nosi

    622
    Sigal

    Lef Nosi e patriotë të tjerë, me këtë gazetë lanë gjurmë me vlera në histori

    Viti 2013, shënon 103 vjetorin e numrit të parë të gazetës së parë të Elbasanit, me emrin “Tomorri”. Kjo gazetë vijoi të dalë disa muaj rresht nga marsi i vitit 1910. Gazeta dinjitoze dhe shumë e dashur jo vetëm për elbasanasit, por edhe më gjerë,  “Tomorri” nuk mund të ndahet nga figura dhe kontributi i kolosit të letrave shqipe Lef Nosi, pasi ai ishte jo vetëm ideatori, por udhëheqësi dhe botuesi i gazetës. Studiuesi i jetës dhe veprës së Lef Nosit profesor Kujtim Bevapi shprehet se, gazeta “Tomorri” ishte një sprovë e rëndësishme e kontributit të forcave intelektuale të kohës, në shërbim të kombit shqiptar, në fushën e dijes, arsimit e kulturës kombëtare. Ky mision i shenjtë kishte edhe  ideatorët e tij, bartësit e tij, por dhe luftëtarët e tij.

     LEF NOSI DHE ‘TOMORRI’

    Nuk ka dyshim se njëri prej tyre ishte dhe Lef Nosi, i cili solli një kontribut konkret, jo vetëm në frontin e rëndësishëm të luftës për pavarësi, por dhe në atë të informimit, ndriçimit, kulturimit të shqiptarëve si patriot e atdhetar, si demokrat e ndriçimtar. “Tomorri” përfaqëson vlera në shumë drejtime, të cilat janë të konturuara qartë përmes problemeve të konceptuara dhe kryeartikujve e artikujve të botuar”. Në numrin e parë përvijohet programi i saj, ku ndër të tjera theksohet se “E përkohshmja “Tomorri” do të përpiqet për përmbajtjen e forcimin e konstitucionit dhe do të luftojë rreptë çdo njeri a shoqëri që punon ta rrëzojë ose të shkelë të drejtat që na jep bashkë me simotrat e veta do të përpiqet për të zgjuarit e ndjenjave kombëtare të shqiptarëve e për të qytetëruarit e tyne ndën hijen e Perandorisë Osmane. Pasi qyteti ynë pati atë fat të ketë në gji Shkollën Normale, “Tomorri” do të merret gjithnjë me nevojat dhe mbrothësinë e saj”.  Për të siguruar ecjen para të gazetës, artikujt që do të botoheshin në numrat e saj mbi zhvillimet e lëvizjes sonë kombëtare duhet të ishin “ndën hijen e Perandorisë Osmane”. Por  në të vërtetë kjo ishte taktikë dhe strategji konjukturale ndaj Perandorisë Osmane, që i imponohej botuesit  Lef Nosi.

    GJURMË NË HISTORI

    Mjafton të shfletojmë artikujt e përkthyer të botuar dhe të marrë nga dy gazetat franceze “Koha” dhe “Turqia”: “Austro-Hungaria dhe besëlidhja ballkanike”, “Përshtypjet e një korrespondenti mbi ngjarjet në Shqipërinë e Sipërme”, të cilët u bënë shkak për burgosjen e internimin në Brusa të Anadollit të botuesit Lef Nosi. Por pavarësisht nga këto ngjarje, gazeta pasqyroi pa ngurrim aspiratat e popullit të Elbasanit, trevave të tij e më gjerë, të mbarë kombit për të drejtat politike, arsim dhe kulturë kombëtare, duke mbajtur shpesh qëndrim ndaj politikës xhonturke, e cila nuk i mbajti premtimet ndaj shqiptarëve. E thënë shkurt gazeta pati një përkushtim e angazhim të drejtpërdrejtë në shërbim të çështjes kombëtare dhe patriotike. Duke pasur si bashkëpunëtor të ngushtë firmat e njohura: A.Xhuvani e S.Shuteriqi, gazeta realizoi në faqet e saj një problematikë të studiuar e të menduar mirë, një tematikë jo vetëm në shërbim të çështjes kombëtare, por dhe në funksion të ndriçimit të mendjes, pasurimit shpirtëror, kulturimit intelektual. Krahas artikujve me të dhëna të karakterit historik, kulturor, gjuhësor, shkencor, janë të botuar dhe kryeartikuj apo artikuj që ngrinin probleme të rëndësishme të rrafshit kombëtar, por në një spektër të gjerë ballkanik dhe evropian si: “Konstitucioni dhe të drejtat e shqyptarve”, “ Trazimet e Shqipërisë” etj.. Një pjesë e mirë e artikujve, që zënë vend në faqet e gazetës u kushtohen kryesisht ngjarjeve të Kosovës: “Një vështrim mbi ngjarjet e Kosovës”, “ Turbullimet e Kosovës në parlament” etj., të cilët japin një tablo politike, duke u ndalur e analizuar situatën në Kosovë, por dhe duke e kritikuar qeverinë osmane, për rrugën e gabuar që ajo ndjek, për t’iu kundërvënë popullsisë së saj. Zhvillimet e Kosovës pasqyrohen në faqet e shtypit për rëndësinë e madhe që ato paraqisnin në rrafshin mbarëkombëtar, por në të njëjtën kohë duhet theksuar se Elbasani në këtë periudhë konsiderohej si një qendër e rëndësishme e lëvizjes politike, arsimore e kulturore në vend. Një vëmendje të veçantë “Tomorri” i kushton shkollës Normale, problemeve që lidhen me mbarëvajtjen, shqetësimet, ardhmërinë e saj etj. Numra të veçantë e pasqyrojnë atë që nga momenti i hapjes e deri në mbarim të vitit shkollor. E strukturuar si e përkohshme politike e letrare ajo ka një larmi rubrikash, ku vend të dukshëm zënë materialet letrare, përkthimet, përshtatjet në shqip, si “Vorr i dashnorëve” nga S.Shuteriqi si dhe “Gjahu i malësorëve” i K.Kristoforidhit. Ajo që e rrit më shumë vlerën e “Tomorrit” është edhe pjesëmarrja me shkrime e disa figurave e personaliteteve të spikatura në fushën e gjuhës e letrave shqipe, bashkëpunëtorëve të përhershëm, si: A. Xhuvani, L.Gurakuqi, S.Shuteriqi, K.Dako, si dhe e disa firmave të reja që më pas do të bëhen të njohur në rrafshin e publicistikës shqiptare. Përgjithësisht “Tomorri” qe një gazetë e formatuar drejt dhe ku në mënyrë të përhershme e të vazhduar në rubrikat e saj, artikujt e shkruar apo të përkthyer nga gazetat në zë të Europës pasqyrojnë me profesionalizëm, përgjegjësi e guxim problemet aktuale e të mprehta të kohës.

    MISIONI I ‘TOMORRI’

    Gazeta “Tomorri”  kreu një mision të rëndësishëm historik, me përkushtim e angazhim të forcave intelektuale të Elbasanit në shërbim të çështjes kombëtare, gjuhës, arsimit e publicistikës shqiptare të kohës. Ajo radhitet si gazeta e parë e Elbasanit dhe emri i atij që e ideoi, e botoi dhe e financoi është gjithkund dhe s’është askund, rast disi i veçantë në historinë e publicistikës shqiptare, i cili lidhet me një peng që e shoqëron gjithë jetën. “Tomorri” si organ mediatik me një rol të veçantë nuk mund ta ndajmë nga figura e rrallë e kollozit Lef Nosi, ashtu sikurse edhe veprimtari të tjera që lidhen drejtpërdrejt me atë që ai i përkushtoi jetën, duke u bërë pjesë e programit dhe e luftës politiko-shoqërore të rilindjes e pavarësisë sonë kombëtare.

    LEF NOSI

     Lef Nosi lindi në qytetin e Elbasanit9 prill të vitit 1877 në një familje të pasur nw  lagjen “Kala” tw Elbasanit. Më 28 nëntor 1912, Lef Nosi ishte njëri nga delegatët e Elbasanit për në Kuvendin e Vlorës, së bashku me Mit’hat bej Frashërin, Shefqet bej Daiun dhe Qemal Karaosmanin. Ishte nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe anëtar i kabinetit të Ismail Qemalit. Në 4 dhjetor, me votimin me dytë, ku mori 37 vota, Lef Nosi u zgjodh anëtar i qeverisë si Ministër i Post-Telegrafit.