Gazeta Telegraf/ Ben Blushi:Ligji i plehrave, fundi i një grupi të ndotur

547
Sigal

 

Ben Blushi

Kushdo që kërkonte një provë
ngjashmërie mes “Rilindjes” dhe Partisë Demokratike ja ku e ka sot: “Rilindja”
po voton ligjin e PD për importin e mbetjeve, një ligj të cilin e pati
shfuqizuar vetë në vitin 2013. Besoj se me këtë akt, morali politik i këtij
grupi të ndotur keqbërësish merr fund. Nga nesër, të dyja bashkë, “Rilindja”
dhe PD, do të nxjerrin kokën nga kazanët e plehrave dhe do të na buzëqeshin.
Natyrisht nuk na mbetet tjetër vetëm të kalojmë aty dhe t’ua hedhim plehrat në
kokë për t’i mbuluar. Ky ligj për heqjen e kufijve, për mbetjet që vinë nga Evropa
është kriminal. Duke hequr kufijtë për helmet që do hynë në Shqipëri, ai do
jetë përgjegjës direkt për shëndetin e rrezikuar të qindra mijëra shqiptarëve,
toka, uji dhe ushqimet e të cilëve do të helmohen për shkak të rritjes së
sasive të mbetjeve që shkakton ky ligj. Nëse duhet të them, pse erdhi ky ligj
sërish në parlament, pasi ai u hoq në vitin 2013, natyrisht e kam një
përgjigje: ky ligj është i blerë. Dikush ka paguar për ta sjellë në parlament.
Pa asnjë dyshim. “Rilindja” nuk e fsheh më se e ka shitur ligjin në treg. Është
krijuar me sa duket nën kujdesin e veçante të Partive Tregëtare të Rilindjes
edhe një treg i ri: tregu i ligjeve. Nëse ke para e blen një ligj, nëse nuk ke,
e blen kundërshtari yt. Dyqani i Rilindjes funksionon non stop për të shitur ligje. Vetë “Rilindja” pra, e pranon se
ligji vjen këtu në emër të disa firmave të riciklimit, të cilat pretendojnë se
kanë mbetur pa punë. Kjo pra është çështja. Ligjin nuk e ka sjellë në Kuvend
interesi publik, por interesi privat. Interesi publik kërkon pastërti,interesi
privat kërkon para. Qeveria u rreshtua me të dytën. Është kaq e thjeshtë, kaq e
poshtër dhe kaq kriminale.

Prandaj pyetja mbetet prej shumë
kohësh: Kush e qeveris Shqipërinë?

 E qeveris një grusht biznesmenësh, të cilët
dje kishin kapur PD dhe sot kanë kapur “Rilindjen”. Pra rotacioni i pushtetit
nuk vlen më në Shqipëri. Shqiptarët votojnë dhe gjithmonë nga kutia e votimit
del një grup biznesmenësh, pronë e të cilëve janë edhe dy partitë e mëdha, PD
dhe “Rilindja dhe, një pak më e vogël, e cila bën transportin e bizneseve nga
njëra të tjetra. Mes dy brigjeve që i ndot i njëjti moçal, ka gjithmonë nevojë
për një kazan lundrues. Fillimisht, “Rilindja e kaloi me sukses heqjen e
doganave për mbetjet brenda Partisë Socialiste. Ajo e bëri provën gjenerale
duke hequr doganat morale për mbetjet e biznesit, për mbetjet e krimit, për
mbetjet e vulgaritetit dhe injorancës në këtë vend. Mbetjet e shoqërisë “Rilindja
i bëri deputetë. Sot ata po bëjnë atë për të cilën erdhën këtu: po votojnë për
mbetjet. Megjithatë pa shkuar larg në këtë lirikë të zezë, që duhet ta kishte
titullin: “Si të jetosh në kazan”, kam disa çështje për të sqaruar
ligjin.

 Së pari: “Rilindja” thotë se industria e
riciklimit ka fitime të vogla dhe prandaj duhet të blejë mbetje jashtë vendit.
Pyetja është si ka mundësi që ricikluesit investuan kaq shumë për të rritur
kapacitetet e tyre, ndërkohë që ligji ishte anuluar prej tre vitesh. Kjo është njëlloj
si të investosh në industrinë e përpunimit të kanabisit, ndërkohë që ai nuk
është legal. Me të njëjtën logjikë, nesër mund të legalizohet kanabisi, çka nuk
është çudi, pasi kultivuesit do t’i kërkojnë qeverisë mbrojtje dhe punë për
investimet që ata kanë bërë kur kanabisi ishte i paligjshëm. A ka njeri që
investon 200 milion euro për një biznes që ligji e pengon? Çfarë tregon kjo? Që
ricikluesit e dinin se një ditë moratoriumi do të hiqej dhe prandaj investuan.
Në fakt çdo njeri, që njeh Rilindjen, e dinte.

 Së dyti:

Shqipëria është vendi më i ndotur
në Europë, që do të thotë se më pak 20 për qind e mbetjeve tona mblidhen dhe
riciklohen. Të tjerat janë rrugëve dhe na shoqërojnë çdo ditë. Kjo do të thotë
se industria e riciklimit ka ende miliona ton mbetje për të përpunuar këtu, çka
nëse ndodh, do t’ia rriste asaj fitimet dhe ne do të na e pastronte territorin.
Pse nuk ndodh kjo atëherë? Sepse dikush jashtë Shqipërisë do të sjellë mbetjet
e tij këtu. Pra çështja nuk është se Shqipëria nuk prodhon mbetje, por se
Italia apo Gjermania apo kush të dojë, duhet të gjejnë një fushë magazinimi dhe
trajtimi të mbetjeve të tyre dhe tregu dhe fuqia më e lirë e punës është
Shqipëria. Ne Shqipëri ka Arditë sa të duash që punojnë për bukën e gojës dhe
pas këtij ligji, ditët e Arditëve do të shkurtohen. Kaq e thjeshtë është.

 Së treti:

Meqë industria e riciklimit paska
kaq shumë fitime, atëherë pse nuk ndodh e kundërta? Si ka mundësi që italianët
apo francezët apo gjermanët nuk i blejnë plehrat tona për t’i kthyer në lëndë
të parë? A nuk kanë ata fabrika përpunimi? A nuk duan të fitojnë? A nuk u duhet
lëndë e parë? Nëse fitimet do ishin kaq të mëdha, të jeni të bindur se secili
do të kishte një italian me qese te dera e shtëpisë duke pritur të mbaronim
drekën për të na fshirë pjatat dhe për të na mbledhur shishet e ujit. Kjo do të
thotë se nuk është çështje tregu, por çështje politike. Italia ka vendosur të
mbrojë natyrën e vet. Evropa e mbron natyrën e vet. Ne kemi vendosur ta ndotim.
Ose më saktë ta shesim.

Së katërti:

A ka ligj të ngjashëm në Ballkan?
A mendoni se vende si Mali i Zi, Kroacia, Greqia, që jetojnë me turizëm, do ta
merrnin një vendim të ngjashëm? Absolutisht jo. Kjo do të thotë se argumenti që
ky ligj është rentabël nuk qëndron, se ndryshe do ta kishin bërë të tjerët.
Nëse ai është rentabël, industria e riciklimit fiton, por shoqëria humb. Ajo që
humbim në imazh, në turizëm, në shëndet, në ilaçe, është pa dyshim shumë më e
madhe se ajo që fiton duke rritur koshin e plehrave. Nga sot, fatura e
shëndetit në Shqipëri është rritur. Ja kjo është kosto e vërtetë e këtij ligji.

Së pesti:

A nuk ka vende të tjera që mund të
pranojnë importimin e plehrave të Evropës? Pse nuk e bën këtë gjë të themi
Serbia që nuk ka det, apo Sllovenia apo Hungaria? Si ka mundësi që kur vjen
puna për të derdhur mbetje apo materiale të rrezikshme gjithnjë del Shqipëria
në vend të parë? Kështu ndodhi me armët kimike, me ujgurët, me muxhahedinët, me
të burgosurit e Guntanamos dhe së fundi, me mbetjet e riciklueshme. Si ka
mundësi që jemi gjithmonë ne të gatshëm të marrim atë që të tjerët e refuzojnë?

Së gjashti:

Ku do shkojnë mbetjet e mbetjeve?
Riciklimi është një proces teknologjik që pa dyshim ka shumë mbetje dhe derdhje
ujërash të ndotura dhe materialesh të pariciklueshme. Ku shkojnë pra mbetjet e
mbetjeve? Ua them unë: në ushqim, në bark, në mushkëri, në stomak, në gjak dhe,
në fund, në varr.

Së fundi:

Duke mos patur asnjë dyshim se të
gjithë ata që e votuan kundër këtë ligj përpara tre vitesh, sot do ta votojnë
pro, çka i fut ata në katalogun njerëzor të qenieve të pashpresa, unë do të
thosha se ata meritojnë një ndëshkim. Dhe në këtë rast ka vetëm një ndëshkim të
merituar: Çdo deputeti që voton sot këtë ligj, duhet t’i shkruhet emrin në
kazanin e plehrave të lagjes. Sepse ka ardhur koha, që çdo kazan të ketë një
emër. Emrin e deputetit që e voton sot këtë ligj.