Gati infrastruktura për konfiskimin e banesës ndaj debitorëve të energjisë

    447
    Sigal

    TIRANE – Ministria e Energjetikës dhe e Industrisë ka ngritur tashmë infrastrukturën e nevojshme për zbatimin e ligjit të ri, për barrën hipotekore ndaj banesave për klientët debitorë të energjisë.
     
    Kështu duke nisur nga data 1 mars Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE)  do të nisë zbatimin e vendimeve duke nxjerrë në terren përmbaruesit ligjorë që të mund të zbatojnë ligjin e ri. Para se të arrihet në konfiskimin e pronës klienti debitor do të njoftohet nga furnizuesi me postë rekomande për masat që do të ndërmarrë për shkak të mosekzekutimit të detyrimit.
     
    Njoftimi për vendosjen e barrës hipotekore duhet të përmbajë të dhënat e nevojshme për të identifikuar klientin, detyrimin e papaguar, pasurinë, objekt të barrës hipotekore, dhe kompetencën e furnizuesit për të dorëzuar kërkesë për vendosjen e mjetit së sigurimit. Furnizuesi nuk procedon me dorëzimin e kërkesës për vendosjen e barrës hipotekore, në rast se klienti debitor ekzekuton menjëherë pas njoftimit të gjitha detyrimet e energjisë elektrike dhe njofton furnizuesin për ekzekutimin e detyrimit, mënyrën dhe datën e ekzekutimit.
     
    Në rastet kur detyrimi nuk shlyhet në kohë përmbaruesi i zgjedhur nga Ministria dhe OSHEE vijon me procedurat ligjore të rastit duke nisur vendimin e barrës hipotekore në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme(ZRPP), sekuestron banesën, nis ankandin për këtë objekt dhe më pas nga vlera e shitjes së tij mbahet detyrimi që klienti debitor ka ndaj OSHEE.
     
    Barra hipotekore e cila i vendoset banesave është e vlefshme deri në periudhën kur është vendosur limiti kohor për të shlyer detyrimin, pasi menjëherë pas shlyerjes së detyrimit kjo barrë hiqet. 

    Pasuritë e paluajtshme ose llogaritë bankare, një mënyrë për të shpëtuar konfiskimin e banesës

    Edhe në këtë rast ligji parashikon disa hapësira me anë të të cilave bëhet e mundur që të hiqet barra hipotekore. Në varësi të mundësisë që ekziston për ta shlyer detyrimin në forma të tjera bëhet edhe heqja e hipotekës për banesën. Kështu, në rast se përmbaruesi i angazhuar në këtë proces nga OSSHE, arrin që të marrë detyrimin nëpërmjet pasurive dhe aseteve të tjera të debitorit siç mund të jenë llogari bankare apo pasuri të luajtshme, atëherë furnizuesi heq barrën hipotekore.
     
    Vendimi i Këshillit të Ministrave i marrë në mbledhjen e fundit i cili parashikon se cilido debitor i cili ka të pashlyer ndaj OSSHE një faturë që arrin nga 150 000 lekë për familjarët dhe 2 000 000 lekë për klientët jofamiljarë do të nisë zbatimin e tij nga fillimi i muajit mars.
     
    Deri në ditën e fundit të muajit shkurt të gjithë debitorët e OSSHE kanë mundësinë që të shlyejnë në kohë detyrimet e tyre duke përfituar nga ulja prej 80% e të gjithë kamatëvonesave ose të lidhjes së një kontrate me operatorin e shpërndarjes.