Gara për Lezhën, Meta: Nuk do t’iu mungojë vëmenedja e qeverisë

419
Lezha ka qënë ndalesa radhës e liderit të Lëvizsjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i cili zhvilloi një takim me strukturat e kësaj force politike.
Meta gjatë takimit me strukturat e LSI-së në Lezhe u ndal te puna e bashkisë në këto tete vite, që sipas tij e ka kthyer këtë qytet në një metropol të zhvilluar. 
Lideri i LSI-së pohoi se Lezhës nuk do t’i mungojë vëmenedja e qeverisë Rama. 
Bashkia Lezhe me marrevshjen mes dy aletaëve të mëdhenj ne qeverisje do t’i mbetet Lsi-së, ndërsa pritet rikandidimi i Viktor Tushës 
Fjala në takimin e Lezhës
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta mori pjesë në një takim me strukturat dhe mbështetësit e LSI-së në qytetin e Lezhës. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Ministri i Mjedisit, z. Lefter Koka, Kryetari i Bashkisë Lezhë, z. Viktor Tusha, deputeti i LSI-së, z. Gjovalin Kadeli dhe Kryetari i LRI-së, z. Endrit Braimllari. 
Në fjalën e mbajtur para mbështetësve dhe anëtarëve të LSI-së, z. Meta deklaroi se zgjedhjet e 21 qershorit do të sjellin një koncept të ri për administrimin e pushtetit vendor dhe për shërbimin ndaj qytetarëve për shkak të ndryshimeve që do të sjellë reforma administrative-territoriale. Kryetari i LSI-së, njëkohësisht vlerësoi edhe transformimet që ka pësuar Lezha falë vëmendjes që i ka kushtuar edhe mazhoranca qeverisëse. 
“Është një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe, sepse është një eksperiencë e re, plot me sfida, por dhe me shumë mundësi për të sjellë një transformim rrënjësor në cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve. Dua të shpreh kënaqësinë që jemi në një qytet që po përjeton një transformim të gjithanshëm dhe mjaft cilësor. Kjo në radhë të parë i dedikohet bashkëpunimit të shkëlqyer të Kryetarit të Bashkisë, z. Viktor Tusha me Kryeministrin z. Edi Rama. Është një fakt i padiskutueshëm që këto projekte madhore që qytetarët e Lezhës i kanë ëndërruar prej kohësh, kanë nisur të implementohen gjatë kësaj periudhe që qeveris Aleanca për Shqipërinë Evropiane duke demonstruar se Lezha përfaqëson një prioritet të jashtëzakonshëm për këtë qeverisje”, tha z. Meta, duke shpjeguar edhe arsyet pse Lezha është në qendër të vëmendjes. 
“Për arsye të traditës, për arsye të historisë, për arsye se këtu është mbledhur parlamenti i parë, Besëlidhja e Lezhës, dhe natyrisht për arsye sepse këtu ndodhet varri i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe shumë arsye të tjera, por edhe për arsye se Lezha ka një të ardhme që e tregon rritja e ndjeshme e popullsisë. Ka një rini të jashtëzakonshme që meriton një të ardhme dhe për këtë duhen krijuar të gjitha mundësitë që kjo rini mos ta shoh më të ardhmen përmes emigrimit. Përkundrazi ta shoh veten duke u rikthyer në vendlindje siç kanë bërë ata drejtuesit, menaxhuesit e shkëlqyer të Mrizit të Zanave dhe shumë aktiviteteve të tjera të njohura tashmë jo vetëm në Lezhë por të njohura anë e mbanë Shqipërisë”, theksoi Kryetari i LSI-së.
Më tej, z. Meta foli për projektet infrastrukturore që do të zbatohen në Lezhë dhe që do t’i ndryshojnë imazhin qytetit nëpërmjet investimeve të planifikuara tashmë që do të kenë një impakt të menjëhershëm në sektorin e turizmit.
“Është një fakt shumë i rëndësishëm që sot projektet infrastrukturore të kualifikimit të qendrës së qytetit me një vlerë prej 3 milion dollarësh do të ndryshojmë dhe do të risin në mënyrë të jashtëzakonshme imazhin e këtij qyteti dhe njëkohësisht interesin e turistëve për të vizituar Lezhën. Projekti i shëtitores së Drinit, që dikur ishte një ëndërr, tashmë ka filluar që të bëhet një realitet. Infrastruktura e periferisë së qytetit tashmë ka filluar të jetë në axhendën e ndryshimit dhe projektet prej 2 milion dollarësh që po investohen në periferi të qytetit të Lezhës për të rritur edhe atje cilësinë e jetës dhe të kushteve të jetesës. Mjaft shkolla, kopshte për fëmijë dhe qendra sportive janë duke u realizuar në qytetin e Lezhës”, shtoi Kryetari i LSI-së.
Gjithashtu, z. Meta falënderoi Kryetarin e Bashkisë edhe për vëmendjen, për komunitetin rom, për rikonstruksionin e banesave të tyre, pasi është një prioritet edhe në kuadër të integrimit evropian dhe të respektimit të drejtave të njeriut, përfshirja e këtij komunitetit të margjinalizuar.
Z. Ilir Meta vlerësoi edhe projektin e trajtimit të diferencimit të mbetjeve në Lezhë, i cili është model në shkallë kombëtare dhe tregon se si duhet guxuar për teknologjitë e reja në mënyrë që të zgjidhen problemet e jashtëzakonshme që mbarten nga tranzicioni dhe përcjell një kulturë të re në raport me mjedisin.
“Pa folur këtu për standarde të reja të gjelbërimit, në kualifikimin e lulishteve dhe ambienteve relaksuese. Pa folur këtu për standardet e reja të ndriçimi, dhe teknologjitë e reja të cilat do të bëjnë të mundur edhe të kursejnë energjinë. Por ajo që kam kënaqësinë më të madhe për të theksuar në këtë takim, është projekti madhor për zhvillimin e problemit të ujit të pijshëm për Lezhën, për Balldrenin dhe shumë zona të tjera, sepse ka qenë një dramë e vërtetë për banorët e këtij komuniteti. Pra, ky investim që sapo është miratuar dhe sapo ka nisur, prej 13 milion dollarësh do të japë një zgjidhje afatgjatë dhe një zgjidhje të shumëpritur prej shumë kohësh për komunitetin tuaj”, shtoi Kryetari i LSI-së.
Sipas z. Meta, Lezha po hyn në një stad të ri, të një ndryshimi shumë më të shpejtë, të një ndryshimi me themele, të zgjidhjes së disa problemeve madhore të këtij komuniteti dhe natyrisht që zgjedhjet e 21 qershorit e kanë të domosdoshme ta konsolidojnë këtë frymë ndryshimi, të cilën nuk mund ta realizojmë vetëm Lëvizja Socialiste për Integrim, por do ta realizojnë në radhë të parë lezhjanët. 
“Dhe ne LSI-ja duhet dhe kemi përgjegjësi për të qenë motori i bashkëpunimit, jo vetëm me PS-në, forcën kryesore të koalicionit tonë, Aleancës për Shqipërinë Evropiane, jo vetëm me gjithë forcat e tjera të këtij koalicioni, por edhe me të gjithë qytetarët e tjerë lezhjanë, me dhe pa parti. Me të gjithë intelektualët e Lezhës që kanë një ide që kanë një mendim, që kanë një propozim për të përmirësuar drejtimin e këtij qyteti, për të zgjidhur problemet dhe shqetësimet e qytetarëve të Lezhës”, u shpreh z. Meta.
Duke folur për reformën administrative-territoriale, Kryetari i LSI-së preku edhe shqetësimin që ekziston në publik se do të dëmtohen shërbimet në njësitë e tjera të administrimit, ato që sot quhen komuna. Z. Meta shprehu bindjen se kjo reformë do të ndikojë pozitivisht, sepse këto njësi do të jenë pjesë e një bashkie me një vizion të plotë të qartë dhe integral për zhvillimin e të gjithë Lezhës dhe absolutisht shërbimet nuk do të preken, vetëm do të përmirësohen.
“Prandaj është e rëndësishme që të nisim që tani punën në këtë drejtim, duke konturuar programin tonë në bashkëpunim edhe me PS-në dhe me partitë e tjera të koalicionit, por në bashkëpunim edhe me shoqërinë civile në Lezhë, e cila ka qenë dhe mbetet mjaft aktive dhe me të gjitha komunitetet dhe grupet e interesit që janë të interesuara për një Lezhë, e cila të ketë një jetë edhe më të gjallë kulturore, edhe më të gjallë artistike, dhe më të gjallë sportive, në mënyrë që ky qytet të jetë një model jo vetëm i historisë, jo vetëm i kulturës, jo vetëm i traditës, por të jetë edhe një model i realizimit të së ardhmes dhe standardeve evropiane”, vijoi z. Meta.
Kryetari i LSI-së u ndal edhe në realizimin e parkut industrial, që do të krijonte mundësinë për të krijuar të gjithë infrastrukturën për nxitjen e investimeve vendase dhe të huaja dhe për rritjen e punësimit në Bashkinë e re të Lezhës. Dhe një nga arsyet që deri tani ka qenë një pengesë, ka qenë edhe vetë ndarja e vjetër administrative. 
“Mosmarrëveshjet midis bashkisë dhe komunave, sepse ju e dini se sa e ngushtë është sipërfaqja që administron bashkia aktuale e Lezhës. Dhe kjo zgjidhje, pra krijimi i bashkisë së re, do t’i japë një zgjidhje të shpejtë edhe realizimit të parkut industrial pasi ne jemi dëshmitarë të faktit se Lezha është një nga qendrat kryesore të biznesit të industrisë ushqimore, të industrisë së tekstileve e kështu me radhë”, deklaroi z. Meta. 
Gjithashtu, Kryetari i LSI-së tha se një potencial i jashtëzakonshëm dhe i pashfrytëzuar deri tani është zhvillimi i bujqësisë, i blegtorisë dhe i ushqimit. “Por unë besoj se ne tashmë kemi projekte të qarta që do të japin një nxitje të shpejtë dhe një rritje të shpejtë prodhimit në këto fusha mjaft të rëndësishme dhe vitale dhe natyrisht kombinuar kjo dhe me zhvillimin dhe mbështetjen e turizmit, absolutisht që e ardhmja e Bashkisë së re të Lezhës do të jetë shumë e mirë se sa e sotmja ku ne jemi ndalur për të folur për të ardhmen”, u shpreh ndër të tjerash Kryetrari i LSI-së, z. Ilir Meta.
Sigal