Gaqo VESHI/ Sejfulla Malëshova, poeti rebel dhe politikani disident

    562
    Sigal

    Roli i tij në politikën shqiptare, gjatë viteve 1944-1946. Idetë revolucionare dhe përplasjet në plenumet e Byrosë Politike

    Botuesi Mehmet Gëzhilli, në prill të vitit 1998, kur botoi tri libra me krijimtarinë e Lame Kodrës (Sejfulla Malëshovës) në prezantimin e veprës së tij, shkruante: “Shumë gjëra kemi lënë pa thënë në hartimin e këtyre librave me shpresë se gjithçka do ta themi në monografinë e plotë të tij, e cila është në procesin e përgatitjes”. Por që atëherë ka kaluar gati një dekadë e gjysmë e ajo s’po duket gjëkundi, prandaj, si simpatizant i punës, aktivitetit dhe penës së këtij “poeti rebel”, po mundohem të jap diçka modeste nga jeta e tij politike, që kur u kthye në atdhe në pranverën e vitit 1943 dhe deri në 21 shkurt 1946, kur u akuzua për “oportunizëm e deviacion të djathtë”, u përjashtua nga Byroja Politike dhe Komiteti Qendror i PPK-së, për ta vazhduar kalvarin e vuajtjeve.

    Për aktivitetin letrar të “poetit rebel” janë shkruar e botuar shumë shkrime në gazeta e revista, si në gazetën “Bashkimi”, në shtator 1945, me titull “Vjersha të Lame Kodrës”, “Lame Kodra” nga Ymer Dishnica, “Lame Kodra vjersha” nga Pashko Gjeçi, në revistën “Bota e re”, në tetor 1945, “Poezia e Lame Kodrës” nga Dr. Salaudin Toto, po në revistën “Bota e re” në dhjetor 1945, “Lame Kodra apo Sejfulla Malëshova” nga Bardhyl Londo më 1994, “Lame Kodra, një poet me indeks” nga Razi Brahimi, (mars 1994), “Një poet rebel dhe revolucionar” nga Perikli Jorgoni (16 korrik 1994), “Lame Kodra poet, përkthyes, publicist, disident” nga Agim Vinca në revistën “Alternativa Shqiptare” (Shkup 1995), “Përtej reve” poezia e Lame Kodrës, nga Qemal Draçini e deri te Robert Ilise më 1997.

    Figura politike dhe roli i Sejfulla Malëshovës në politikën shqiptare

    Në këtë shkrim do të përqendrohem në figurën e tij politike dhe rolin e tij në politikën shqiptare, gjatë viteve 1944-1946, duke u mbështetur në dokumente e në librin e Raqi Madhit, “Fillimi i një bote të trazuar në zhvillimet historike të Shqipërisë në vitet, nëntor 1844 –nëntor 1948”.

    Sefulla Malëshova e ka filluar aktivitetin revolucionar e luftën për liri e demokraci, që kur ishte në bankat e shkollës në Itali, duke servirur ide të reja në shtypin e kohës, që më 1920, në “Shpresa e Atdheut” e në vazhdimësi në gazetat: “Bashkimi”, “Dielli”, “Liria Kombëtare, “Sazani” etj. “Lamja i vogël” ishte një mendimtar e poliglot i shquar, ai ligjëronte në 14 gjuhë, dy më pak se Fan Noli dhe një më shumë se Faik Konica. Ishte vetëm 23 vjet djalë, kur demokrati i madh i 1924-ës, Fan Noli, e mori pranë tij kryesekretar të kryeministrisë. Me rrëzimin e qeverisë demokratike të Nolit, në dhjetor 1924, Sejfullai, me shumë demokratë të tjerë, morën rrugën e emigracionit. Ai u bë një nga anëtarët më të devotshëm të “Komitetit të Çlirimit Nacional” në emigracion, duke dhënë një kontribut të veçantë.

    Në verën e vitit 1943 kthehet në atdhe, si luftëtar me një përgatitje të gjithanshme teorike e kulturore. Sa vuri këmbën në Shqipëri, u ndje mendja dhe fjala e tij. U zgjodh anëtar i “Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. Po në korrik të atij viti u zgjodh edhe anëtar i “Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Porsa u njoh me veprimtarinë e Luftës Nacionalçlirimtare, bëri vërejtje e sugjerime me vlera për politikën e Frontit Nacionalçlirimtar me nacionalistët, edhe pse sugjerimet e tij nuk u përkrahën nga emisarët jugosllave, M. Popoviçi e D. Mugosha. Që në fillim, ai kritikoi sektarizmin e shfaqur në përpjekje për realizimin e parullës të bashkimit të popullit në luftë kundër zaptuesve, pa dallim feje, krahine dhe ideje. Por edhe pse ai jepte mendime të vlefshme për luftën dhe mbarëvajtjen e vendit, u la në hije deri në prag të Kongresit Antifashist Nacionalçlirimtar të Përmetit, ku u ndje se njohuritë dhe kapaciteti i tij ishin të domosdoshme për zgjidhjen e problemeve të reja, që koha kishte shtruar përpara realitetit shqiptar. Sa i mprehtë e i përgatitur ishte Sejfulla Malëshova e tregon edhe ky fakt. Nako Spiru thotë se, kur në Helmës filluan kundërshtimet ndërmjet E. Hoxhës dhe Aliut (pseudonimi i Miladin Popoviçit) për çështjen e qeverisë e pushtetit, Aliu s’dinte, Enveri po s’dinte, filluan të thërresin Sejfullanë.

    -Rikonceptimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare

    Sejfulla Malëshova dha mendime me vlerë sidomos për të rikonceptuar rolin udhëheqës të luftës, në përshtatje të kushteve të reja që kishte krijuar fitorja e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe radhitjen e Shqipërisë përkrah shteteve e kombeve që siguruan fitoren mbi fashizmin e nazizmin në shkallë ndërkombëtare. Ai theksonte me të madhe: “Të ngremë një pushtet demokratik dhe mbi këtë pushtet një shtet të ri. Me këtë kuptim ne bëjme një kthesë!”

    Më mbarimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare ishte krijuar mendimi se fitorja e luftës shënonte edhe mbarimin e periudhës demokratike. Ndërsa Malëshova hodhi idenë se “Etapa demokratike tani fillonte”. Në plenumin e II-të të Beratit, Sejfullai nënvizoi për herë të parë, se populli hyri në një regjim të vërtetë demokratik. “Se lindi një frymë e re demokratike, u ngjall kudo tendenca për një demokraci me karakter të theksuar antifashist popullor”. Gjithashtu ai dha mendime me vlerë për të rikonceptuar rolin udhëheqës në përshtatje të kushteve të reja që kishte krijuar fitorja e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe radhitjen e Shqipërisë përkrah shteteve e kombeve, që siguruan fitoren mbi fashizmin në shkallë ndërkombëtare.

    Sejfulla Malëshova theksonte me të madhe:“Të ngremë një pushtet demokratik dhe mbi këtë pushtet një shtet te ri”. Në qershor të vitit 1944, ai boton në gazetën “Bashkimi” shkrimin: “Lufta jonë për një Shqipëri Demokratike Popullore”, ku theksonte se populli shqiptar për herë të parë siguroi me të vërtetë një regjim demokratik dhe formuloi përmbajtjen e politikës së re ekonomike. Ai konsuloi se “Politika ekonomikë e demokracisë popullore orientohet dhe bazohet mbi interesat reale ekonomike të tij”.

    Që në ditët e para të çlirimit, më 1944, Sejfullai dha mendime me vlerë për rikonceptimin dhe rolin udhëheqës të PK-së në përshtatje të kushteve të reja, që kishte krijuar fitorja e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe radhitjen e Shqipërisë përkrah shteteve e kombeve që siguruan fitoren mbi fashizmin në shkallë ndërkombëtarë. Ai theksonte me të madhe: “Të ngremë një pushtet demokratik dhe mbi këtë pushtet një shtet të ri. Në këtë kuptim ne bëjmë një kthesë”. Me mbarimin e Luftës Nacionalçlirimtare ishte krijuar mendimi, se fitorja e luftës shënonte edhe mbarimin e etapës demokratike, ndërsa ai hodhi idenë se “etapa demokratike tani fillonte”. Në plenumin e II-të në Beratin e çliruar nënvizoi: “Për herë të parë populli hyri në një regjim me të vërtetë demokratik se lindi një frymë e re demokratike, u ngjall kudo tendenca për një demokraci me karakter të theksuar antifashist popullor”.

    Pas vendosjes së qeverisë demokratike në Tiranë, Sejfullai shpalli hapur mendimin, që zhvillimi i ardhëm i vendit të mos ndikohet nga ndërhyrja jugosllave. Madje “përvojën” jugosllave ai nuk e quajti të dobishme. Që në plenumin e Beratit, më 23 nëntor 1944, kishte theksuar: “Tani Partia ka bërë një hap të madh drejt kthesës, prandaj duhet ta vazhdojë kthesën dhe ta plotësojë sa më parë”. Në këtë plenum ai kritikoi edhe sektarizmin e shfaqur në përpjekje për realizimin e parullës të bashkimit të popullit në luftë, pa dallim feje, krahine dhe ideje. Aty ai shpalosi një politikë të qartë të pavarur kombëtare, edhe pse udhëheqja jugosllave me anë të V. Stoiniçit, kishte krijuar një mendim negativ për veprimtarinë e Sejfullait dhe sugjeronte largimin e tij nga udhëheqja. Në këtë plenum ai, për herë të parë, hodhi idenë se: “Jemi në etapën demokratiko-borgjeze dhe, është e domosdoshme një periudhë kalimtare, që do të bëjmë të mundur kalimin paqësor nga etapa kapitaliste në etapën socialiste dhe se etapa demokratike tani fillonte”.

    Në 25 dhjetor 1944, në artikullin “Politika jonë ekonomike” Sejfullai shkruante: “Lufta Nacionalçlirimtare në Shqipëri, kurrë s’ka pasur dhe s’ka as sot për qëllim ndryshime radikale në sistemin e pronës private”. Dhe vazhdon me tej se “Lufta e sotme ka paralizuar në shkallë të gjerë jetën ekonomike në Shqipëri. Është detyrë e madhe aktuale, një nga detyrat kryesore që sektorët e ekonomisë tonë, që kanë ekzistuar gjer më sot të hyjnë në aktivitet, të ngjallen e të lulëzojnë në bazë të iniciativës së plotë private”.

    -Viti 1945, është viti i Sejfulla Malëshovës.

    Është ai që qëndron në krye të ekonomisë dhe kulturës shqiptare. Qysh më 22 janar 1945, në ceremoninë e përurimit të Bakës Kombëtare, (ku drejtori i përgjithshëm i saj ishte zgjedhur ai), do deklaronte: “Një nga një po vëmë gurët kryesorë, shtyllat e Shqipërisë independente” dhe se “Banka jonë është pjella e luftës sonë për një Shqipëri moderne e të lumtur. Ajo do të përkrahë politikën ekonomike tonën politikën e qeverisë sonë demokratike dhe do të bëhet një armë e fortë për të siguruar independencën ekonomike”. Paralelisht me sektorin e vjetër, po krijohet një sektor me rëndësi të madh, sektori i nacionalizuar që mbledh, po thuaj, gjithë industrinë e minierat në Shqipëri. Nacionalizimi i Kuçovës, i minierave të kromit të bakrit etj, bashkë me çifligjet e shtetit, me çifligjet e tradhtarëve, tregojnë sa e madhe specifike është pesha e sektorit të ri në ekonominë tonë”. Po në 23 janar të këtij viti, botoi kryeartikullin në gazetën “Bashkimi”, me titullin “Kërkojmë ndihmën e aleatëve” ku nënvizohej ideja se “Shqipëria e kishte të domosdoshme përkrahjen e aleatëve për plotësimin e angazhimeve për rindërtimin e saj”. Në lidhje me politikën ekonomike ai formuloi përmbajtjen e politikës së re për organizimin e një ekonomie të re me baza shkencore”, duke theksuar: “Nga do që kthehemi, çdo problem që të kapim, gjithnjë do ta përpjekim kokën te problemi i kulturës. Duam të ngremë një shtet modern, me një bazë ekonomike të lartë, na duhet kulturë. Duam të ngremë një shtet modern dhe pa një kulturë moderne është e pamundur që të bëhen transformimet e mëdha ekonomike sociale të domosdoshme”.

    -Në lidhje me politikën ekonomike:

    Ai theksonte se: “Shteti që sot po ngrihet, po bëhet subjekt ekonomik, ka një rol të ri e të veçantë në jetën ekonomike të sotme, shtron përpara probleme të reja, që s’i ka njohur kurrë deri sot”. Në lidhje me këtë politika jonë ekonomike, pa humbur kohë të zgjidhë problemet e një plani për të pajtuar me sektorët e vjetër, për të drejtuar zhvillimin ekonomik të vendit në konformitet me nevojat e tij.”Politika e masave të gjëra të popullit është e lidhur me interesat e luftës së rindërtimit, të ekonomisë e të demokracisë popullore orientohet, si gjithë politika e saj nga populli dhe bazohet mbi interesat reale të ekonomisë së tij”.. S. Malëshova në këtë kohë zgjidhet Kryetar i Këshillit Ekonomik dhe propozohet zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave. Ne programin e Frontit Demokratik në nëntor 1945, zuri vend formulimi i tatimeve të jashtëzakonshëm. Po më 10 prill të këtij viti ai tërhoqi vëmendje se zbatimi i ligjit, për vetë karakteristikën e tij të jashtëzakonshëm, mund të cenojë në prekjen e depove të tregtarëve e në tepricat e fshatarëve, prandaj autoritetet civile duhet të tregohen të kujdesshme dhe të matur në zbatimin e ligjit, sepse çdo interpretim dhe zbatim i gabuar komprometon politikën ekonomike dhe diskrediton vetë karakterin demokratik të pushtetit të ri. “Këto akte,- theksonte ai, – që diskreditojnë politikën tonë ekonomike, lidhjet me pushtetin tonë, duhet të marrin fund. Dhe që të marrin fund, duhet që kundër tyre që shkelin ligjin të ngrihet vetë ligji”.

    Më 20 shkurt 1945, në artikullin që botoi në gazetën “Bashkimi” thoshte: “Pa zhdukur nga rrënjët mbeturinat feudale nuk mund të ketë një bazë të shëndoshë dhe independenca shqiptare do të jetë në pikëpyetje”..Gjithashtu në artikullin që botoi po në gazetën “Bashkimi” në qershor 1945, formuloi dhe orientoi politikën e jashtme duke thënë: “Politika e jashtme e demokracisë popullore bazohet në raportet miqësore me aleatët dhe bashkëpunimin me të gjithë shtetet demokratike dhe në radhë të parë me aleatët e mëdhenj, Bashkimin Sovjetik, Anglinë dhe Amerikën, të përkrahim politikën në mes të aleatëve të mëdhenj, që siguruan fitoren mbi fashizmin dhe sigurojnë sot paqen dhe demokracinë në botë”.  Gjithashtu ai thoshte se: “Shqipëria duhet t’i realizojë aspiratat e luftës për një shtet  të pavarur. Vendi duhet t’i zgjidhë vetë problemet e tij, në përputhje me kërkesat specifike të tij”. Këtë qëndrim ai mbajti edhe për rolin e aleatëve për zhvillimin e Shqipërisë, duke përfshirë edhe Bashkimin Sovjetik.

    Kur qeveria shqiptare diskutonte për qëndrimin që duhej mbajtur ndaj kërkesës amerikane për njohjen nga qeveria shqiptare të traktateve që ishin nënshkruar përpara vitit 1939, midis Shqipërisë dhe SHBA-së, S. Malëshova, nuk e quante të arsyeshme që qeveria shqiptare t’i jepte përgjigje qeverisë amerikane pasi të këshillohej me udhëheqjen sovjetike dhe të merrte pëlqimin e saj. “Ne kemi politikën tonë të jashtme e të brendshme dhe të mos lejojmë ndërhyrjen e huaj”. Kur vjen puna për traktatet ai ngul këmbë të veprojmë vetë e të mos pyesim as Moskën dhe as Beogradin.

    Në gusht 1945, në Kongresin e parë të Frontit Demokratik, ai deklaroi: “Këtë radhë u varros ideja se independenca kombëtare e Shqipërisë varet vetëm nga kombinacionet politike, nga pozita gjeografike e Shqipërisë. Pa independencën politike një popull në kohën e sotme nuk mund të ketë vërtet liri, nuk mund të zhvillohet e të përparojë nga pikëpamja ekonomike e kulturore. Pa independencë sot një popull ka rrezik vetë ekzistencën si shtet”. Ai shfaqi hapur mendimin se “zhvillimi i ardhshëm i vendit të mos ndikohet nga udhëheqja jugosllave”. Përvojën jugosllave ai nuk e quante të dobishme për të gjithë. Edhe kur u hartua Kushtetuta e parë e Republikës Popullore, S. Malëshova nguli këmbë, që përmbajtja e saj të përcaktohej nga realiteti shqiptar dhe të mos ndikohej nga kërkesat e udhëheqjes jugosllave.

    Më 15 shtator 1945, në prag të përvjetorit të “Konferencës së Pezës”, S. Malëshova, për herë të parë formuloi praninë e opozitës në jetën politike shqiptare. Për t’u dhënë garanci zgjedhjeve të vitit 1945 dhe për të respektuar ligjin elektoral për të gjithë kandidatët, ai propozoi që në krye të Komisioneve Elektorale të ishin juristë të vjetër, pa parti, duke bërë që në realizimin e zgjedhjeve të ndiqej një praktikë demokratike e panjohur ndonjëherë në Shqipëri.

    -Në plenumin e V-të, S. Malëshova u kritikua si shkaktar i prishjes së miqësisë me Jugosllavinë.

    Ndihmës nga Jugosllavia ai iu përgjigj me teorinë e independencës, se “Duhet të mendojmë me kokën tonë”. Edhe pse u kritikua në plenumin e V-të, u konstatua se gjatë vitit 1945, politika shqiptare ishte dominuar tërësisht nga mendimet e tij. Edhe pse e kritikuan, plenumi arriti në përfundim se Shqipëria i kishte zgjidhur problemet e veta në mënyrë të pavarur krijuese.

    Më 6 dhjetor 1945 u thirr mbledhja e Burosë Politike, ku u kritikua S. Malëshova. Për gjysmën e Byrosë të asaj kohe kjo mbledhje ishte surprizë. Bedri Spahiu do të deklaronte: “Çështja e Sejfullait ra si bombë, përsa i përket vijës dhe deviacionit”. Gjendja në Byro tregonte se gjithçka ishte e errët. “Çështja e S. Malëshovës shpërtheu në një mbrëmje dhe përnjëherë”. Në këtë plenum  E. Hoxha thotë: “Nuk e kemi orientuar popullin drejt vëllazërimi të shëndoshë me Jugosllavinë, që është një konditë e domosdoshme për ekzistencën e vendit tonë”.. Dhe më tej vazhdon: “Me Jugosllavinë ne duhet të kemi marrëdhënie ekonomike me konkrete dhe më të ngushta. Me Jugosllavinë ne kemi pasur një marrëveshje të vogël për këmbim mallrash, por kjo ishte pamjaftueshme”. Sefulla Malëshova u dënua rëndë, u përjashtua nga Byroja Politike dhe nga K. Q. i PKSH-së. Raporti për përjashtimin e tij ishte përgatitur në Beograd dhe synonte të arrinte dy objektiva: Së pari të detyronte udhëheqjen e PKSH-së të largohej nga rruga e zhvillimit politik dhe ekonomik të pavarur të Shqipërisë dhe, së dyti, për ta bindur atë se ndërtimi i një Shqipërie të re socialiste, nuk mund të realizohej pa ndihmën e Jugosllavisë. Ngjarjet e mëvonshme vërtetuan më së miri këto synime.

    -Konkluzionet e plenumit të V-të kishin arritur deri në përbërjen e qeverisë.

    Më 23 mars 1946, Enver Hoxha, paraqiti para Kuvendit përbërjen e kabinetit të ri të qeverisë. Në listën e saj nuk kishte asnjë ministër pa parti, si Omer Nishani ish-ministër i jashtëm, Kostaq Cipo i arsimit, Haxhi Lleshi, ministër i brendshëm, Gaqo Tashko i bujqësisë dhe i pyjeve, etj. E. Hoxha theksoi në këtë plenum: “Kush është fajtor?! Kjo është çështje vije. Kjo është vija e Sefulla Malëshovës. Vija ka qenë e shtrembër”. Aty u shpreh shqetësimi se partia në bazë “Nuk njeh partinë, por këtë (S. Malëshoven) si njëri të zotin”. Madje u arrit në përfundimin, që të studioheshin me vëmendje shkrimet e S. Malëshovës dhe të përgatitej një material për mendimet e tij të “gabuara” të shfaqura në shtyp. Kjo histori do të përsëritet edhe pas 45 viteve, kur e njëjta metodë u përdor edhe për shkrimet e citatet e “poliagjentit” Mehmet Shehu, në shtyp e në libra.

    Sejfulla Malëshova, ky idealist i majtë, që dikur pati qenë anëtar i Kominternit, u internua për dy-tre vjet në Ballsh të Mallakastrës. Pastaj gjithë jetën e kaloi në internim në Fier, ku asnjë nga banorët e qytetit nuk guxonte t’i fliste. Sa herë që dikush i afrohej, vinte dy gishtat në buzë se ishte betuar të mos e hapte gojën. Dhe këtë “betim” e mbajti deri sa ndërroi jetë, më 11 qershor 1971, nga apandisiti. Edhe pse i gjithë qyteti i dinte përmendsh vjershat e tij, askush nuk guxoi të merrte pjesë në funeralin e “Poetit rebel” që kishte kënduar “Ku do vete e futem unë,/ Prag më prag,/ Shqipërinë anembanë./ Kam jatak. Kudo shkoj e hidhem unë,/ Shteg më shteg,/ Shqipërinë anë e mbanë e kam dyshek”.Dhe u varros vetëm në prani të motrës së tij, varrmihësit dhe dy agjentëve të sigurimit.

    Pas dënimit të tij dhe deri sa u përmbys diktatura, edhe pse poezia e shqipërimet e tij, janë një bukuri e rrallë dhe klasike e një gjuhë të kulluar shqipe. Është për të ardhur keq, që këto shqipërime brilante, si “Internacionalja” e Potie-se, “Lajmëtari i furtunës” nga Gorki, “Punëtorët e Avlimentit” nga Hajnia, “Mbreti i Tulës” nga Gëtia, “Ançari” nga Pushkini etj., edhe pse vite me radhë botoheshin në tekstet shkollore, “harrohej” e nuk vihej kurrë emri i shqipëronjësit të tyre.