Gaqo VESHI/ Rrëmbimi i Behares, Fan Noli dhe motrat Qiriazi

    479
    Sigal

    Behare Sheme Myrto ishte e para mësuese në krahinën e Oparit, që u mësonte djemve të fshatit gjuhën amtare pa asnjë shpërblim

    Kur andartët grekë në vitet 1913-1914, u turrën drejt Shqipërisë së Jugut, nuk ndenjën pa vajtur edhe në krahinën malore të Oparit. Si dogjën, plaçkitën dhe vranë banorë në fshatrat e kësaj krahine, si Gjonbabas e gjetkë, oficeri Pandozolopos rrëmbeu edhe vajzën minorene, Behare Myrton. Ky oficer famëkeq, si e mbajti disa vjet në Greqi, vendosi të shkonte bashkë me të tek të kunetërit në Amerikë. Kur njerëzit e tij kishin dalë për t’i pritur, mbetën të mahnitur nga bukuria e vajzës oparake. Por oficeri grek dhe dy kunetërit e tij morën masa të rrepta, që vajza të mos dilte nga shtëpia, të mos takohej me shqiptarë e sidomos me njërëz nga fshati e krahina e saj. Por Beharja nuk e hiqte nga mendja nënën, motrën dhe të afërmit e saj, që i kishte lënë në Gjonbabas. Nuk i harronte rrugët, sheshet, ku kishte luajtur me shoqet e saj, shtëpinë, pemët, luadhet, lumin e Çemerricës, që shkonte për fund të fshatit, as Ostrovicën për karshi. Asaj i bëhej sikur rrugët e fshatit të saj kishin mbetur shkretë, shtëpitë të plaçkitura e të rrëzuara. Për t’ia larguar nga mentë e zemra vendlindjen, njerëzit e dashur dhe çdo gjë që kishte lënë në fshatin shqiptar, greku nuk linte fjalë të këqija e përçmuese për Shqipërinë, e sidomos për krahinën e saj, Oparin. Jo vetëm kaq, por Pandozollopusi nxinte faqet e gazetave me shpifje e trillimi për shqiptarët. Kaq të izoluar e mbante greku Beharen sa edhe në shkollë e shpinte dhe e binte me makinë. Mësuesit kur panë vajzën oparake mbetën të çuditur e thanë:

    -Shikojeni “albanezen” ç’trup, ç’hijeshi e bukuri që ka! Por nuk ishte vetëm pamja, që tërhoqi vëmendjen e mësuesve, por mbi të gjitha zgjuarsia dhe mençuria, sa ishte e gatshme t’ua rrëmbente fjalën nga goja, aq shpejt sa vajza oparake u bë balli i shkollës.

    Edhe pse atë e kishin izoluar, harronin se izolimi është si puna e të fshehtës. Sado ta mbash të mbuluar me gënjeshtra vjen një ditë e del në shesh. Kështu ndodhi edhe me izolimin e Behares. Një ditë vajza takon një grua të moshuar që i foli shqip:

    -Nga cili vend je moj vajzë e mbarë?

    Vajza shtangu në vend. Ishte hera e parë që pas kaq vitesh dëgjonte t’i flisnin shqip, në atë gjuhë që i kishin folur e përkëdhelur njerëzit e saj.

    -Jam nga Shqipëria e largët! –iu përgjigj ajo.

    -Që je nga Shqipëria e mora vesh, që kur m’u përgjigje aq bukur shqip. Po as më thua nga cili qytet, krahinë apo fshat je?

    -Jam nga Gjonbabasi i Oparit! – i tha Beharja.

    -Edhe unë nga Opari jam, nga Marjani, ngjitur me fshatin tënd! – i tha gruaja dhe i tregoi se kishte lindur në Marjan të Oparit, por ishte larguar nga ky fshat për të banuar në Korçë, pastaj kishte emigruar në Amerikë si shumë oparakë.

    Vajza kur ishte pranë kësaj gruaje zemërbardhë, ndihej aq e lumtur, sikur të ishte pranë nënës së saj. Që ditën e parë gruaja oparake nga Marjani u bë edhe nënë, edhe motër, edhe shoqe për Beharen. Edhe pse rrëmbyesi grek mundohej ta mbante të fshehur në shtëpinë e kunetërve të tij, gruaja nga Marjani bëri çmos, që fjala të dilte jashtë mureve të shtëpisë e të përhapej në të gjithë emigrantët oparakë e të krahinave të tjera. Marjanakja njoftoi të gjithë kurbetçinjtë se vajzën e Sheme Myrtos nga Gjonbabasi e kishte rrëmbyer një oficer i andartëve grekë, e kishte sjellë në Amerikë dhe e mbante të fshehur. Mbajtja në mënyrë të paligjshme të vajzës nga Pandozollopusi tronditi e vuri në siklet të gjithë shqiptarët emigrantë, sidomos ata nga krahina e Oparit. Këta të fundit u përpoqën me të gjitha mënyrat ta bindnin grekun ta linte të lirë vajzën, madje bënë edhe disa gjyqe për ta shpëtuar nga thonjtë e rrëmbyesit, por pa dobi. Këtë e dëshmon edhe gazeta “Dielli’ e 27 dhjetorit 1917, që shkruante: “Pandozollopusi e solli vajzën kohë më parë, por një nga kushërinjtë e saj muhamedanë, u përpoq ta merrte me gjyq”. Emigrantët oparakë ishin të indinjuar, jo vetëm se greku e mbante vajzën në mënyrë të paligjshme, por duke qenë kryeredaktor i një gazete greke nuk linte fjalë të këqija e shpifje të ulëta për të njollosur Shqipërinë, sidomos krahinën e Oparit, kur kishte qenë oficer i andartëve në këtë krahinë. Këto trillimi e shpifje keqdashëse i vërtetonte edhe gazeta “Dielli” në dhjetor të 1917, kur shkruante: “Pandozollopusi u tregua njeri i poshtër në Shqipëri, ku kishte zaptuar një vend të saj, e kontrollonte dhe e grabiste”.

    Lajmi i grabitjes së vajzës oparake dhe mbajtjen e saj në mënyrë të paligjshme shkoi deri në Konsullatën Shqiptare. Madje, edhe në shoqërinë “Vatra”. Vetë imzot Fan S. Noli, u interesua aq shumë për fatin e vajzës, sa shkoi vetë në qytetin ku banonte Beharja dhe mori kontakt me familjen e grekut. Për rezultatet e kësaj vizite Fan S. Noli shkruan: “Të dielën, me 15 korrik, vajta të shoh vajzën Behare Sheme Myrto në shtëpinë e grekut Pandozollopus dhe meqë s’mbarova dot punë ndenja edhe një ditë, duke bërë çmos, që greku ta lironte vajzën e rrëmbyer”. Të nesërmen më 16 korrik, Fan S. Noli thotë:“Në mëngjes, në orën 10:00, vajta e pashë në gjykatën e Eiesterit zotin Eliens Forbas për punën e çupës. U ktheva në Boston natën”.

    Gruaja me origjinë nga Marjani e njohu Beharen me motrat Qiriazi, Sevastinë dhe Parashqevinë, mësueset që kishin çelur shkollën e vashave në Korçë. Të dy motrat, kur e njohën nga afër vajzën oparake dhe panë sjelljen dhe zgjuarsinë e saj të rrallë, vendosën të bëhen mësueset e saj, jo vetëm për mësimet në gjuhën angleze, por edhe në gjuhën e saj amtare, me shkrim e me lexim, Motra e madhe Sevastia ditën i mësonte mësimet në gjuhën angleze dhe në mbrëmje në gjuhën shqipe. Sevastisë i bënte përshtypje të madhe dëshira e zjarrtë, zgjuarsia e rrallë dhe vullneti i hekurt i vajzës për t’i përvetësuar shkëlqyeshëm mësimet. Beharja, jo vetëm shkëlqente në mësime, por ishte nga ai brumë që ç’i shihte syri ia priste mendja e ia bënte dora. Sevasti Qiriazi, përveç mësimeve në anglisht e në shqip, i jepte edhe mësime patriotike e morale, duke i mësuar jo vetëm historinë e lavdishme të Shqipërisë, por edhe krimet e shëmtuara të andarteve grekë. I tregonte vajzës oparake se andartët grekë, që shkatërruan fshatin e saj, dhe e rrëmbyen vajzën e parritur, gjithnjë e kishin lakmuar Shqipërinë e Jugut e mundoheshin ta quanin tokë greke. Qeveria dhe feja greke ndiqte politikën e “Megaloidesë”, përça e sundo. Sevastia i tregonte vajzës, përpjekjet e mëdha të patriotëve shqiptarë për përhapjen e mësimit e gjuhës shqipe, për çeljen e shkollës së vashave në Korçë, për mësimet që ajo, bashkë me të motrën Parashqevinë, u jepnin vajzave. Të dy motrat Qiriazi donin që vajzën oparake ta bënin një mësuese të devotshme të gjuhës shqipe dhe një patriote të kulluar për vendin e saj. Sevastia i tregonte oparakes se, kur vazhdonte shkollën për mësuese në Stamboll, kishte mundur të hynte në burgun e famshëm te “Jedi Kalesë” në Bosfor për të parë patrotin e madh Koto Hoxhi, të burgosur për gjuhën e shkollën shqipe. I fliste për porosinë që i kishte dhënë vajzës së re, ky patriot i madh i gjuhës shqipe, duke i thënë: “Se arsimi është një armë që vret tiraninë dhe unë jam i gëzuar që ti ke vendosur që t’i kushtosh jetën tënde ndriçimit dhe lartësimit të motrave tuaja shqiptare”. Këtë porosi të tij Sevastia donte t’i jepte edhe vajzës nga Gjonbabasi i Oparit. I tregonte për patriotët e mëdhenj, vëllezërit Frashëri, për porosinë që i kishte dhënë Naimi atë ditë që mbaroi shkollën e mori diplomën e mësuesisë. Poeti i Madh i kishte thënë: “Motër, punë më të mirë e më të vyer nuk mund të bësh për Shqipërinë e mjerë, për emancipimin e grave e të vajzave të vendit tonë të shkretë. Detyrat tënde fillojnë tani dhe po të jesh besnike, këmbëngulëse dhe e vullnetshme, do të arrish të kryesh punë të mëdha për kombin!”

    Edhe kur Sevastia dhe Parashqevia u kthyen në Shqipëri dhe e shpërngulën shkollën e vashave nga Korça në Tiranë, dhe patriotët shqiptarë e kishin shpëtuar vajzën nga thonjtë e grekut dhe e kishin sjellë nga Amerika në fshatin e saj, e ftuan Beharen të bëhej mësuese e inspektore për shkollat shqipe. Por padija dhe injoranca “ndërsehej” kundër fatit të saj, edhe pse ajo ishte nga ato që nuk dorëzoheshin lehtë. Përveç gjuhës amtare të nënës, zotëronte edhe gërvishten, italishten dhe anglishten. I kujtonte e s’i harronte fjalët e të madhit Naim Frashëri, që ia kishte thënë Sevastia se, “po të  jesh besnike, këmbëngulëse dhe e vullnetshme do të arrish të kryesh vepra të mëdha për kombin”. Behares i pikonte në zemër e i këputej shpirti, kur shihte, jo vetëm gratë e vajzat e fshatit, por edhe burrat që ishin analfabetë, aq sa nuk dinin të shkruanin as emrin e tyre. Prandaj, me iniciativën e saj, hapi në Gjonbabas një shkollë shqipe, duke grumbulluar 15- 16 djem, të cilët i mblidhte për t’u mësuar “abc”-në e gjuhës shqipe, herë në shtëpinë e saj e herë në shkollën e vjetër turke. Mund të themi se Behare Sheme Myrto ishte e para mësuese në krahinën e Oparit, që mësonte djemtë e fshatit (pasi për vajzat nuk bëhej fjalë fare, pasi fanatizmi ishte i pathyeshëm) gjuhën amtare pa asnjë shpërblim. Fanatizmi dhe prapambetja e malësisë së Oparit nuk e lejuan t’i përgjigjej ftesës së motrave Qiriazi, duke i lënë një plagë të pashërueshme në zemër, të cilën do ta lante me lot kërkesën e tyre, aq sa deri në vërsë të pleqërisë thoshte: “Ku vajti gjithë ajo shkollë, ajo kulturë që mora për kaq vite në SHBA, më shkuan të gjitha kot së koti!? Edhe pse Beharja ka vite, që ka ndërruar jetë, oparakët nuk e harrojnë. Edhe sot disa nga ish-nxënësit e saj, shkrimin dhe leximin e gjuhës amtare e kanë dhuratë nga  Beharja.