Gafurr Dudaj: Shtëpia muze 210- vjeçare në Gumenicë dhuratë e Ali Pashë Tepelenës

    795
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet Gafurr Dudaj “Personalitet i Qarkut Vlorë”

    Në një festë të vërtetë e kanë kthyer gumeniciotet inaugurimin e godinës së Muzeut Historik të fshatit të tyre, dhuratë dhe financim i një prej personaliteteve më të njohur të Labërisë Gafur Dudaj, biznesmen i njohur në shumë fusha dhe një prej drejtuesve kryesorë të SHAK, “Labëria”, gjatë 20 – vjetëve, “Personalitet i shquar i Qarkut Vlorë”,  . Shtëpia mbi 210 – vjeçare , pronë e fisit Dudaj në Gumenicë -fshat, (qendër e banuar e komunës së Kotës në rrethin e Vlorës) e restauruar së fundmi me financim të biznesmenit dhe bamirësit të shquar, Gafur Dudaj me rreth 30 milionë lekë, është një ngjarje e madhe për historinë e kësaj komune, por sidomos të vetë fshatit Gumenicë. Historia e ndërtimit të kësaj shtëpie të vjetër është për t’u treguar me imtësi të gjithë brezave jo vetëm të kësaj treve, por të gjithë Shqipërisë për vetë historinë e saj magjike dhe thuajse të pabesueshme. Në vitin 1805 Ali Pashë Tepelena, bashkë me 70 trima të tij që e shoqëronin erdhi në Gumenicë ku kaloi edhe natën në mikpritjen dhe besën e stërgjyshit të Gafurit. Stërgjyshi i Gafurrit bënte pjesë dikur në ushtrinë e Ali Pashës. Ai ishte treguar besnik dhe tepër korrekt në detyrat që i kishte ngarkuar Aliu. Në shenjë mirënjohje për të gjitha sa kish bërë për të, luani i Tepelenës urdhëroi të nesërmen që të ndërtohej me shpenzimet e tij një shtëpi me dy kate dhe ti lihej si dhuratë fisit të Dudajve të Gumenicës. Aq e fortë u ndërtua kjo shtëpi sa u rezistoi dy shekujve luftërash e rrebeshesh të historisë. Sipas arkitekturës së kohës së ndërtimit u krye rikonstruksioni i saj dhe Gafuri ja fali fshatit për ta kthyer në Muze’ historik, i cili, padyshim, do të pasurohet edhe më tej dhe kërkon kontributin e të gjithë gumeniciotëve kudo që janë.

     Kur është ndërtuar kjo shtëpi kullë kaq interesante e vetmja në tërë krahinën?

    Kjo shtëpi kullë ka mbi 210 vjet që është ndërtuar dhe këtë e shtëpi  kullë e ka ndërtuar i madhi Ali Pashë Tepelena, pasi stërgjyshi im  ka qenë oficer në ushtrinë e Pashait të madh, pro njëkohësisht ka bujtur në shtëpinë vjetër (jo këtë) të stërgjyshit tim kur kaloi këtu për problemet e tija. Stërgjyshi im, I bëri një pritje madhështore që Ali Pashai s’e kishtemenduar kurrë. Ai kishte kaluar në shumë vende, por si besohej që në një fshat disi të futur në thellësi të gjente një respekt dhe një mikpritje ta pakrahasueshme nga ish- besniku i tij. Kjo pritje u kthye në legjendë.  Pra për kontribute të veçanta besnikërie të stërgjyshit tim kur ishte në ushtrinë e tij si oficer dhe për mikpritjen mahnitëse. Aliu të nesërmen i bëri dhuratë këtë shtëpi kullë, që se kishte parë kurrë ajo zonë.

    Si quhej stërgjyshi yt?

    Stërgjyshi im quhej Dudë  Sinani. Kjo shtëpi kullë u ndërtua në kohë rekord dhe përmendej në gjithë krahinën e Vlorës dhe më tej. Stërgjyshi im organizoi dhënien e 20 ushtarëve me pagesë Ali Pashait, veprim që ai e vlerësoi së tepërmi. Këtë shtëpi kullë, stërgjyshi im e përdori si zyrë, ku priste njerëz, priste luftëtarë kundër Turqisë, bënte takime dhe mbledhje të ndryshme, ku mund të themi shërbente si kullë fortesë ndaj sulmeve të ndryshme. Ajo u kthye në një qendër rezistente ndaj hordhive turke.

     Sa fëmijë kishte stërgjyshi juaj?

    Ai lindi një djalë vetëm. Ai quhej Nur Sinani (Dudaj). Më vonë edhe vetë Nur Dudaj ishte një ndër luftëtarët më të shquar në luftë kundër turqve. Ai pas shumë përleshjeve u vra, në Janinë. Për trimërinë e tij u thur edhe një këngë. …Nur Dudaj u vra në vitin 1913 nga turqit në Janinë, fill një vit pas shpalljes së pavarësisë. U vra si burrë. Këngët për të këndohen dhe sot. Nur Dudaj la një djalë Feriatin,  Feriati është babai im.

    Historia trima pruri

    Historia trima pruri

    Kushishte Duda dhe Nuri

    Ishte babai dhe I biri

    Që nga Ali Pashë Veziri

    Dud Sinani me taborë

    I zoti i kalasë ën Vlorë

    Zabiti me shkollë të lartë

    Gumenicënkishjatakë

    Me turqit piqej në flakë

    Cane Miftari ortak

    Me ata trima të Lumit

    Që I vunë gjoksin plumbit

    Asnjë ditë s’u ul flamuri

    Iku Deda erdhi Nuri

    Në Manolas tekmali

    Nurit sot I gjendet varri

    Kushluftoi aty tek pylli

    Nurë Duda, bojë ylli

    Mbeti Nuri në lëndinë

    Në luftë përmbi Janinë

    Sa pati shpirtin pa dalë

    U tha shokëve dy fjalë

    Më lajmëroni shtëpinë

    Ne u vramë për Shqipërinë

    Feti Brahimi

     Babai juaj Feriati është lindur në këtë kullë shtëpi?

    Po, babai im është rritur në këtë kullë dhe aty është rritur. Ai jetoi në këtë kullë dhe në shtëpinë ngjitur derisa u vra në vitin 1941. Pra jeta e fisit tonë është një jetë e çuditshme, mbushur me luftëra dhe me vështirësi. Kur hedh sytë pas dhe e shikoj jetën e fisit tim, më duket si një film i gjatë që nuk do të mbaroj kurrë. Jam krenar për këtë prejardhje, në radhë të parë për trimërinë dhe patriotizmin e fisit tim.

     Nga sa më thoni shikoj se gjithë fisi juaj ka pas vetëm nga një djalë për vazhdimësinë e jetës?

    Po. Kjo ishte dhe ajo që e ka goditur rëndë fisin. Me pasuri të madhe, patriotë, njerëz dashamirës, kurrë nuk janë thyer, por vetëm se kanë pas nga një djalë për derë. Ndërsa tek brezi im ndodhi mrekullia. Ne jemi dy vëllezër që e shtuam derën e madhe me emër të Dudajve patriotë. Kam një vëlla me emrin Tasim që është në Amerikë.  Ne tashmë kemi një trashëgimi krejt tjetër duke e shtuar fisin e Dudajve duke ndryshuar rrjedhën shekullore.

     Gjatë kësaj kohe, qysh në vitin 1941 si është mirëmbajtur kjo shtëpi kullë?

    Thuajse ka qenë e braktisur. Nuk ka banuar njeri pas ikjes tonë. Por dhe në kohën para luftës më shumë ka banuar një kushëri I joni, se sa ne. Pasi thashë ne kemi banuar më shumë në shtëpinë në krah. Kjo shtëpi kullë nuk shërbente më shumë si shtëpi banimi, por për tjetër destinacion në vitet para 1944. Ndërsa pas vitit 1945 kjo shtëpi kullë kaq e veçantë, duke qenë se ne u larguam nga fshati, u bë si hambar për ushqime për bagëtitë. Pra aty gjej bar dhe lloj -lloj ushqimesh për bagëtitë. Mandej janë  futur dhe bagëti brenda. Me një fjalë u kthye në haur bagëtish. Kur e kam parë pas shumë vitesh kam qarë. S’e besoja. Më dukej shumë e pabesueshme. Çatia  kishte rënë e gjitha. Porta e hyrjes ishte rrëzuar. Gurët e portës hyrëse aq të bukur, me gdhendje ishin zhdukur. Pra çdo gjë dukej pa formë, tejet pa ngjyrë. U hutova. Kur e pashë në këtë gjendje sytë më lëshuan lot. Atëherë vendosa që të investoj për këtë shtëpi kullë. Doja të respektoja të parët e mi.

     Kujt ja besove këtë rindërtim?

    Specialistëve të kësaj zone. Nuk janë vetëm paratë që bëjnë diçka të bukur, por janë dhe specialistët. Pra unë si kryesor mora një fshatarin tim që merret me ndërtime guri. Pllakat e gurit i kanë marrë larg nga dy fshatra të lumit të Vlorës, pasi në fshatin tonë nuk ka pllaka guri të tilla. Dua të theksoj se shtëpia, çatia është mbuluar me rrasa guri, jo me tjegulla. Pra ti përshtatej origjinalitetit. Këto rrasa guri janë marrë në Bolenë. Pra rrasa guri krejt të veçanta. Por pjesa më e vështirë ishin harqet e portës jashtë. Ato ishin të gdhendura. Ishin shumë të bukura. Por specialistët e gjetën dhe këtë. Harqet janë marrë në një fshat tjetër të lumit të Vlorës. Harqet e portës së brendshme janë po ato para 210 vjetësh. Shumë gurë janë hequr, janë thyer, ndoshta janë marrë për shtëpi të tjera. Por mund ët them se puna e specialistëve ka qenë perfekte sa çdo gjë duket e saktë, me ato mënyra ndërtimi të vjetra. Gjëja  më e mirë është se nuk janë prekur frëngjitë?

    Pra më e veçanta e kësaj ndërtese janë frëngjitë?

    Po. Ato janë. Janë plot 16 të tilla në të katër anët. Frëngji karakteristike të asaj kohe. Aty nga ato frëngji thuhet se stërgjyshi im ka bërë disa herë luftëra me turqit.

    Sa i gjerë është muri i saj?

    Muri i saj është i tëri mur guri dhe është 80 cm i gjerë. Aq sa të lodhet syri ta shohësh. Mur i tillë nuk ndërtohet sot. Mund të duronte dhe gjylet e topit të asaj kohe. Pra mure aq të rashë po aq sa ishin muret e kështjellave që ka ndërtuar Ali Pasha në Himarë, Butrint, apo në Tepelenë. Mure karakteristike të kohës së Aliut. Mund të them se është kështjellë. Tashmë ajo është me ato karakteristika që kishte.

     Tashmë ajo do ruhet si monument kulture?

    Kjo ndërtesë është shpallur monument kulture e kategorisë së parë në vitin 1984. Pra ka më shumë se 30 vjet. Pra është me dy kate. Kati i parë ishte si bodrum, (katoi), si i thonë, ndërsa kati i dytë dhomë e madhe, tashmë e përshtatur me orenditë që i përkasin asaj kohe. Monument kulture, por tashmë do kthehet dhe në një muze të fshatit Gumenicë. Pra pleqësia e fshatit do të interesohet për mirëmbajtjen dhe do të pasurohet dhe me sende të tjera që i përkasin historisë së fshatit.

     Kush erdhi në inaugurim?

    Erdhi deputeti i zonës z. Fatmir Toçi, erdhën drejtuesit e komunës, por edhe nga Prefektura e Vlorës. Erdhën jashtëzakonisht njërës. Popullsia e fshatit u dyfishua atë ditë. Nuk e prisja. Ajo ditë u kthye në një festë. Kishin ardhur nga të gjitha fshatrat e komunës dhe më gjerë. U bë si miting.

    A ka shtëpi kullë si kjo në krahinë?

    Si kjo me këto përmasa dhe mur të tillë jo. Ka qenë një në Dukat, e cila  sot nuk ka nam dhe nishan. Ka qenë dhe një në Tërbaç, por dhe kjo është rrafshuar. Pra në gjithë Qarkun e Vlorës kanë qenë tre, por asnjëra prej tyre nuk ekziston. Por dua të them që sot është unike, e vetme, shumë shprehëse.

     Fatmir Toçi, deputet i PS

    Akti i Gafur Dudes është një shembull i madh për angazhimin e të gjithëve për ringjalljen e traditës për ngritjen dhe pasurimin e Muzeve të fshatrave e qyteteve, jo vetëm në rrethin e Vlorës, por në të gjithë Shqipërinë. Është fakt i hidhur se pas viteve ’90 muzeumet, simbolet e luftës dhe objektet e tjera që përkujtonin ngjarje patriotike dhe e luftës Nacionalçlirimtare, jo vetëm u lanë pas dore, por edhe u shkatërruan plotësisht duke tjetërsuar edhe destinacionin e këtyre objekteve. Dokumente, arkiva, materiale ilustrative, sende e objekte historike u zhdukën duke rrezikuar fshirjen nga kujtesa të momenteve të rëndësishme të historisë së fshatit, zonës, krahinës etj.. Ky dëm i madh që është bërë në gjithë vendin është i parikuperueshëm, duke i lënë shpesh shteg keqinterpretimeve të ngjarjeve e ndodhive të ndryshme nga e kaluara, sidomos nga periudha e LNCL.
    Shembulli që vjen nga Gumennica e Komunës së Kotës dhe kontributi i z.Gafur Dudaj janë një shembull i vyer për shtrirjen e kësaj nisme në të gjitha fshatrat e tjera të rrethit, për ta mbajtur të gjallë e të freskët të shkuarën e mundimshme të popullit tonë, përpjekjet e tyre të lavdishme përgjatë shekujve për liri, pavarësi, zhvillim dhe një jetë më e mirë.
    Nderim e respekt për kontributin dhe shembullin e Gafur Dudës dhe mesazhin e rëndësishëm që vjen nga Gumenica.