Gabriel: BE duhet të jetë me aktive në mbështetje të Ballkanit

468
Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, tha sot se Bashkimi Evropian duhej të punojë më shumë në mënyrë që mbështetja e gjerë e BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor të bëhet më e dukshme. Zoti Gabriel i bëri komentet në një konferencë për Evropën Juglindore të mbajtur në ambasadën çeke në Berlin.
Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel bëri thirrje për hapa konkrete për të shmangur që vendet e Ballkanit Perëndimor të humbasin interesimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian:
“Nuk duhet të ndodhë që në Serbi, për shembull, një pjesë e madhe e popullsisë sipas sondazheve ende beson se Rusia është mbështetësja më e madhe e vendit”, tha ministri i jashtëm gjerman.
Zoti Gabriel shtoi se nuk duhet të duket çudi fakti që interesimi në Ballkanin Perëndimor për procesin e anëtarësimit është i kufizuar. Arësyeja, tha ai, është se shumica e njerëzve nuk janë në dijeni të veprimeve të Bashkimit Evropian.
“Kur i hedh një vështrim Ballkanit, rajonin tonë fqinj, që është kaq i rëndësishëm për ne, shqetësohem për disa zhvillime atje. Prandaj jam i bindur se të gjithë ne, veçanërisht vendet e rajonit, duhet të punojnë më shumë për një të ardhme paqësore, të begatë dhe evropiane për Ballkanin Perëndimor dhe Europën në tërësi,” tha ministri i jashtëm gjerman.
Ai bëri thirrje për më shumë mbështetje ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, që ato të mos largohen nga ideja e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Sigal