Futbollisti i grupit të kokainës: Dua të bëhem polic

467
Zbulimi i trafikut të kokainës, që solli prangosjen e futbollistit durrsak Guido Tepshi dhe familjarëve të tij, u bë gjatë kohës kur policia italiane po hetonte vrasjen e një shqiptari 3 vjet më parë. Ngjarja ndodhi në Fucecchio të Firences, ku viktimë e sulmit më armë zjarri mbeti 31-vjeçari Klaudio Ruçaj. Mediat italiane i kanë bërë jehonë arrestimeve të një grupi prej 25 personash në disa shtete. Operacioni i koduar “Ricarica 2013” bëri që në Shqipëri të mbërrinin 6 fletë-arreste, mes tyre e futbollistit 24-vjeçar, bashkë me të atin biznesmen, Edmond Tepshi dhe 4 të njohur të tjerë të tyre: Luan Tepshi, Artur Tepshi, Kastriot Dyrmishi dhe Laert Teneqexhi.
Sipas veprimeve të kryera nga ana e grupit hetimor të ngritur për këtë çështje, të gjithë personat e arrestuar në Shqipëri e Itali, bashkë me të tjerë në kërkim, kanë kryer trafik kokaine nga korriku i vitit 2013 e deri në qershor të vitit 2014. Mësohet se bëhet fjalë për një sasi prej 15 kilogramësh kokainë, e cila kalonte nga Holanda në Itali.
Policia e Firences nisi hetimet fillimisht për vrasjen e Klaudio Ruçajt, që sipas saj ndodhi nga përplasja për kontrollin e prostitucionit. Shumë të dyshuar dhe të njohur me personat që mendohej se kishin lidhje me viktimën apo me të akuzuar si autorët e krimit, u vunë në përgjim nga ana e policisë. Ndonëse vrasja nuk është zbuluar ende sot, policia ra në gjurmët e një rrjeti që trafikonte drogën e shtrenjtë. Menjëherë nisi hetimi për rastin e drogës, duke kontrolluar të gjithë veprimtarinë e të implikuarve.
Sigal